Festivali i 11-të, Kapexhiu: Kadareja
frymëzonte Todi Lubonjën

Festivali i 11-të, Kapexhiu: Kadareja <br />frymëzonte Todi Lubonjën
TIRANE - Artisti i njohur Bujar Kapexhiu sjell kujtimet sipas këndvështrimit të tij, batutat e festivalit të 11-të, bashkimi i prezantuesve me publikun dhe në fund euforinë e ndërprerë. Ai kujton edhe faktin që gjatë ditëve kur zhvillohej festivali ndërsa raportonte për tekstet e prezantimit në zyrën e Todi Lubonjës gjente atje çdo mëngjes dhe përditë Ismail Kadarenë. Në atë kohë artistët mendonin se Kadare ishte një nxitës dhe përkrahës i frymës liberale të Festivalit të 11-të këngës.

Zoti Bujar, si do të riktheni në skenën e festivalit të 51-të, ju dy prezantuesit simpatikë të festivalit të 11-të?

Di vetëm që unë dhe Edi Luarasi jemi të ftuar që të prezantojmë, që të kujtojmë edhe njëherë 40-vjetorin e festivalit. S’besoj se do të prezantojmë me tekstet që bëmë në atë kohë, sepse bënim edhe improvizime të lira.

Mban mend disa batuta gjatë këtyre improvizimeve?

Po mbaj mend rastin kur në natën e parë të festivalit Vaçe Zela këndoi këngën “Natën vonë”. Në gjysmën e këngës ajo ndaloi dhe u largua nga skena. Ndoshta pati ndonjë incident me orkestrën, sepse pothuajse nuk u kuptua. Në natën e dytë, kur doli Vaçja në skenë, unë i thashë: “Vaçe ti sot do të këndosh një këngë e gjysmë, që të plotësohen dy këngët, se gjysmën ia ke borxh spektatorit”. Rast tjetër. Lidheshim direkt me juritë e qyteteve, ku bëhej përcaktimi i pikëve. Kënga “një degë mimoze ka hyrë në dritare” u vlerësua me 165 pikë nga juritë e rretheve. Dhe kur pashë maksimumin e pikëve, i thashë jurisë së Tiranës: “Më duket se nuk ka hyrë një degë, por ka hyrë pema komplet brenda”. Dhe një batutë me Agim Krajkën kur fitoi çmimin e dytë. “Mos u mërzit se je i specializuar vetëm për çmime të dyta”, etj.

Ka mbetur ndonjë fotografi e prezantuesve?
Ka mbetur një fotografi në gazetën e kohës ku jemi unë dhe Edi. Dhe një fotografi origjinale që unë e botoj për herë të parë te ju, ku jemi unë me Agim Krajkën, duke marrë çmimin e dytë.

Edi Luarasi kujtoi edhe muzikën e veçantë të Gasper Çurçisë?

Gasperi bënte një orkestër origjinale dhe moderne dhe vetë mënyra e interpretimit të tij. Ishte e gjallë, dirigjonte dhe interpretonte. Madje një moment u krijua një efekt skenik. Unë vihem në rolin e konferencierit që nuk duronte sa të niste shfaqja dhe jap atakun e parë të dirigjimit. Pastaj hyri Gasperi. Reagimet e publikut qenë të jashtëzakonshme. Spektatori kishte lirshmëri, shfrenim në duartrokitje dhe u shkri skena me sallën. Lidhja me juritë e rretheve krijonte edhe ankthin se kush do të fitonte çmimin. Madje një gjë e bukur ishte edhe një incident me juritë. Në radio po kërkoja të fliste Gjirokastra. Nuk po dëgjohej. Atëherë një zë nga salla tha “Fut 2-lekëshin!”. Plasën të qeshurat.

Çfarë pune bëje në atë kohë?
Isha regjisor në Estradën e Tiranës. Kisha mbaruar studimet për regjisor dhe aktor. Megjithëse kisha qenë konferencier në festivalin e katërt të këngës kur isha student, nuk isha dhe aq modest dhe më dukej ulje kjo punë. Kur ata e bënë fakt të kryer, unë kuptova sesa rëndësi ka të jesh konferencier. Mihali e kishte ndërtuar më mendje gjithë spektaklin, por edhe na la të lirë. Na tregoi atmosferën si duhej, platformën, dhe na la lirshmëri në improvizimet në tekste e në veshje.

Ka ndonjë gjë tjetër të bukur për festivalin?

Gjë e bukur është që ka lënë gjurmë festivali i 11-të. Ja ju merrni intervistë ende për festivalin e 11-të dhe nuk po shkruani prej vitesh as për të 45-tin, as për të 12-in.

Pas kësaj euforie, çfarë ndodhi?
Nisi me thashethemet, vijoi me mbledhjet, me të bërtiturat, derisa na dënuan e na dërguan një nga një ca duke i dëbuar nga Tirana dhe ca nëpër burgje. U dënuan Bashkim Alibali. Justina Aliaj, unë, Françesko Radi, Aleksandër Lalo, me heqje nga puna dhe na dërguan në prodhim. Ndërsa nëpër burgje shkuan vetë regjisori, Mihal Luarasi, Sherif Merdani, por edhe ne ishim kandidatë. Ishim ne tension se kishim shumë provokime, incidente.

A të kujtohet ndonjë detaj tjetër?

Kujtoj që çdo ditë para fillimit të punës në mëngjes unë paraqitesha në zyrën e radios së drejtorit Todi Lubonja për të diskutuar për festivalin. I tregoja se çfarë teksti kisha si konferencier. Çuditërisht, çdo ditë që isha në orën dhjetë të mëngjesit, gjendej aty edhe Ismail Kadare. Dhe në atë kohë thuhej se në këtë ndjenjë liberalizmi që kishte Todi Lubonja, e kishte nga një influencë madhe të Ismail Kadaresë në skenarin e festivalit. Mua kjo më ka barë përshtypje, sepse çdo ditë që shkoja në zyrën e drejtorit, aty gjeja dhe Ismail Kadarenë. Ne në atë kohë e çmonim atë. Duke lexuar Ismailin si artistë ne shpresonim një erë perëndimi që prisnim të frynte në vendin tonë.


SKENA DHE VESHJET


KAPEXHIU DO VISHEMI SI NE FESTIVALIN E 11-të

Prezantuesi i festivalit të 11-të Bujar Kpaexhiu rrëfen se “ndihej një erë lirie dhe liberalizmi në atë kohë. Synonim të arrinin nivele si të Sanremos. Kishin zgjedhur edhe këngët, asnjë këngë për Partinë, asnjë këngë për Enver Hoxhën, etj. Kësaj atmosfere i vinte mbarë edhe skenografia e Edi Hilës, kostumet tona, ishin shumë origjinale dhe tamam skenike. Edhe partnerja e tij në skenë, Edi Luarasi, rrëfen se “deri në atë kohë nuk ishin hipur në skenë këngëtaret me fustane të gjata”. “Edhe xhaketa ime dopiopetë me kopsa metalike të verdha dhe një shami të bardhë në xhep, ishin të veçanta për kohën. Unë i ruaj edhe sot e kësaj dite, edhe shaminë, edhe kravatën e asaj kohe dhe do t’i përdor natën e festivalit. Mendoj që ne të jemi veshur ashtu si para 40 vjetësh. Tani ndryshime kemi nga mosha, por do tregojmë edhe për veten tonë si kemi qenë e si jemi. Me gjëra të reja, pa thënë të njëjtat si para 40 vjetësh, mendoj se do ndjehemi si 40-vjeçar, që spektatori të ndjejë edhe atmosferën e asaj kohe”, thotë Kapexhiu. Ndërsa Edi Luarasi tregon se pati fat me fustanet prej copave kineze prej mëndafshi, për Kapexhiun ka qenë me vështirë veshja sipas modës. “Kishte rrobaqepës të mirë në atë kohë, gjendeshin copat dhe u improvizuan kostumet që priteshin me katalogë. Kostumin tim, blu dopiopetë, me kopsa metalike të verdha, pantallonat gri kauboj, ma qepi rrobaqepësi i estradës, ku unë punoja. Por, ato gjëra që nuk gjendeshin, si këpucët e veçanta me tokëz e tjerat i merrnim borxh tek ata që shkonin jashtë shtetit. Kishim shokë futbollistë dhe u huanin ndonjë sa për në festival.

bujar kapexhiu me krajken
(Foto, Bujar Kapexhiu me Agim Krajkën në Festivalin e 11-të)

Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com  (print)

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Tuneli i Llogarasë

Tuneli i Llogarasë