Tuneli i Llogarasë

Tuneli i Llogarasë

Tuneli i Llogarasë

Kur përshkon Tunelin e Llogarasë ajo që të vjen si fillim në mendje është qafa e tmerrshme që kur e kaloje të dukej si rrugëtimet me sprova në filmin bardh e zi “Pagesa e frikës”. Ato 7 minuta e 55 sekonda me 50 kilometra në orë të vijnë ndërmend ato kthesa të frikshme, ajo ngjitje dhe zbritje po e frikshme apo shkëmbime në fije të perit me makina të tjera dhe atë panoramë mahnitëse as që e shijoje në ato 1 orë kapërcim të atij mali. Tani ai udhëtim i takon të shkuarës, muzeve dhe arkivave. Tuneli i gjatë 6 kilometra i gjatë ka bërë që të kalosh një mal pa iu ngjitur dhe zbritur duke bërë që të kursehet kohë, konsum makine dhe mbi të gjithë një udhëtim komod.

Por çudia është se sa herë që ndërtohet një vepër e madhe publike në Shqipëri një ushtri e tërë akuzatorësh, kritikësh të pashpirtë dhe përçmues dhe pa sens llogjik hidhen në sulm dhe shajnë çdo centimetër të atij ndërtimi. Nuk shpëtoi këtë herë Tuneli i Llogarasë. Demokratët dhe mbështetësit e asaj force politike por edhe sharës të rregullt në rrjetet sociale nuk kanë lënë fjalë pa thënë me siguri sipërore duke e quajtur vjedhje, abuzim qeveritar deri te skenari se është ndërtuar vetëm me qëllimin dhe interesin për miliarderin Samir Manen që matanë tij ka një resort luksoz.

Është e njëjta situatë siç ndodhi në vitin 2011 kur u inagurua Rruga e Kombit dhe Tuneli i Thirrës. I vetmi ndryshim ishin portat e sharësve. Partia Socialiste në opozitë çfarë nuk tha dhe çfarë nuk akuzoi për atë vepër. Eksponentë të saj jo vetëm e quajtën vjedhja e shekullit, jo vetëm e quajtën grabitje e fondeve publike por arritën deri aty sa qendrimi zyrtar i asaj partie përqendrohej te konkluzioni se ishte gafë e madhe që ajo rrugë të bëhej me katër korsi se numri i makinave që pritej të qarkullonin do të ishte shumë i ulët dhe si e tillë mjaftonin vetëm dy korsi.

Ndjehem krenar sot unë, por besoj edhe shumë gazetarë të tjerë, që kam qenë në mbështetje të hapur të asaj rruge si vepra më madhe dhe më e rëndësishme që Shqipëria kishte ndërtuar ndonjëherë në ekzistencën e saj si shtet. Ajo rrugë bëri që për herë të parë të bashkohej kombi ynë dhe me të drejtë u quajt dhe vijon të ketë të njëjtin emërtim popullor dhe jo zyrtar Rruga e Kombit. Ajo rrugë u shndërrua në pak kohë në segmentin më të rëndësishëm për çdo shqiptar këtej dhe andej kufirit dhe që nga ai moment janë të pallogaritshme benefitet në aspektin patriotik dhe atë ekonomik. Ironike ishte se edhe pse pështynë edhe socialistët andej kaluan dhe kalojnë, por askush prej tyre nuk tha një fjalë të mirë vetëm e vetëm se ajo rrugë u ndërtua gjatë kohës që qeverisi Partia Demokratike dhe me rregullin e politikës shqiptare nuk flitet mirë për kundërshtarin çfarëdo të thotë ai.

Vijmë te Tuneli i Llogarasë. Sigurisht që nuk mund të krahasohet me Rrugën e Kombit për nga rëndësia. Kjo nuk vihet në dyshim. Por edhe ky tunel është një vepër që bashkë me rrugë dhe tunele të tjera e fusin Shqipërinë në ato shtete të rajonit që të mund të krenohet për vepra arti të nivelit ndërkombëtar. Por si mund të vlerësonin opozitarët e PD-së një vepër të tillë? Një taborrë me akuzatorë dhe sulmues të partisë kanë bërë që kjo vepër të pështyhet publikisht që me nisjen e ndërtimeve dhe vijon edhe tani pas inagurimit të trajtohet si një turp kombëtar.

Nuk e merrni me mend se çfarë reagimesh fyese dhe denigruese merr çdokush që shkruan një fjalë të mirë për ndërtimin e këtij tuneli. Ushtrisë së të politizuarëve u shtohen dhe trimat e facebook-ut. Ai që thotë apo shkruan se kjo është një vepër e mirë, për një takëm që truri u ka marrë formën e barkut obez shajnë, ofendojnë me të njëjtin stil që militantët e Partisë Socialiste shanin Rrugën e Kombit. Askush nuk thotë se paratë për ndërtimin e asaj rruge janë të popullit dhe ata që do ta gëzojnë janë populli i tanishëm dhe i çdo brezi që do të vijë.

Kjo është një sjellje arkaike e trashë dhe që tregon nivelin e shoqërisë sonë. Një shoqëri që për shekuj nuk kishte parë as rrugë të mira dhe të asfaltuara e as ura e tunele, befas u vu në provë për të parë se si e trajton ndërtimin e Rrugës së Kombit dhe Tunelin e Llogarasë. Rezultati është skandaloz. Janë të shumtë që e shajnë dhe përsëri aty kalojnë.

Sigurisht që në Shqipëri ka edhe rrugë të tjera me vlerë dhe të rëndësishme. Është e një rëndësie të veçantë edhe rruga e Arbrit që çuditërisht që gjatë qeverisjes sociaiste edhe pse një pjesë e mirë e saj është ndërtuar, ajo mbetet një rrugë që ka mbetur rrugëve. Ku ishte një slogan që përdorën socialistët kur ishin në opozitë për rrugët që ndërtonte qeveria e PD-së, por tashmë kjo i shkon më mirë dhe më saktë pikërisht socialistëve.

Një tjetër provë është edhe Rruga Tiranë-Elbasan dhe tuneli i saj. Por edhe ajo rrugë u anatemua dhe u kritikua nga socialistët si e pambaruar dhe një segment që është vjedhur me lopatë.

Pra ne jemi një vend i pamësuar as me vepra të mëdha infrastrukturore, por as me mënyrën se si sillemi si shoqëri kur shteti i ndërton këto vepra.

Për të shkuar te disa projekte ide që janë futur në historinë e politikës. Kryeministri Pandeli Majko u sulmua rëndë në vitin 2002 kur çoi në mendje, e theksoj, çoi në mendje një ide për ndërtimin e një tuneli nënujor në detin Adriatik nga Shqipëria në Itali. O zot çfarë balte u hodh mbi të. Nuk ishin kritika. Ishte një sulm histerik ndaj një kryeministri që hodhi një ide, por shumica e quajti edhe të çmendur. Sor kur e kujton atë ide jo vetëm nuk duket e çmendur, por të duket një ide që do të ishte në të mirë edhe të Shqipërisë dhe Italisë për ta realizuar atë projekt. Por idetë nuk mbyllen këtu.

O sa sharje ka marrë Edi Rama në 2015 kur prezantoi një projekt në 3D për ndërtimin e një ishulli në mes të lumit Osum në qytetin e Beratit. Në fakt ajo ishte një ide dhe projekt konkret e inxhinierëve italianë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhe sot ajo vepër ka mbetur projekt siç bën edhe italianët. Por ndërsa ata nuk e ndërtuan se u larguan pas shpalljes së kapitullimit duket se qeveria e Ramës ka kapitulluar për ta ndërtuar këtë vepër, sepse nuk duan t’i hapin vetes andrralla të tipit Tuneli i Llogarasë. Të njëjtin fat pati edhe projekti për tramin e Lulzim Bashës në Tiranë kur ai e prezantoi atë si kandidat për kryetar i bashkisë në vitin 2011. Cfarë nuk u tha dhe u sha për atë projekt. Dhe ai pati fatin e njëjtën me ishullin në Osum dhe nuk u ndërtua. Të njëjtën fat pati edhe një projekt i Belind Këlliçit për ndërtimin e një nënkalimi në sheshin “Skënderbej” kur ishte kandidat për zgjedhjet lokale të vitit 2023. Ai projekt u sulmua aq ashpër saqë u quajt çmenduri.

Pyetja që shtrohet është përse shoqëria jonë nuk i beson ndërtimit të një vepre? Përse shqiptarët, të pamësuar me vepra e quajtën të keqe çdo ndërtim? Një vend i dalë nga Perandoria Osmane me vetëm 35 ura guri si ka mundësi që quan kriminal çdo ndërtim të një vepër publike? Përgjigja duket e thjeshtë. Një popull i pamësuar me vepra infrastrukturore nuk mund ta përmbysë konceptin dhe perceptimin me dy dekada dhe të dojë dhe vlerësojë çdo vepër që ndërtohet. Një ditë do të harrohet fare që kush ishte në pushtet kur u ndërtua Rruga e Kombit dhe Tuneli i Llogarasë. Por ato dy vepra do t’i përdorë populli dhe brezat që do të vijnë si benefite për lehtësimin e qarkullimit dhe si një ndihmë për ekonominë dhe turizmin. Këto debatet dhe sharjet në facebook do të harrohen. Ajo që do të mbetet do të jenë veprat që po i gëzojmë dhe sigurisht që do i gëzojnë edhe brezat e ardhshëm. Ndoshta kjo do të vijojë deria sa edhe shoqëria jonë të mësohet me vepra të këtij loji dhe një ditë të pushojë së shari çdo ndërtim. Keqardhje është se ajo do të jetë një kohë shumë e largët./Fjala.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Koment: 29/07/2024 09:10

    Kur është bërë me lekët e mia pse duhet të paguaj sa herë që kaloj. Dhe mos na shisni pallavrën e mirëmbajtjes se për të paktën 10 vjet aty ske nevojë të bësh asgjë se të gjitha paisjet duhet të jenë në garanci. Asfaltin pastaj lëre fare se po nuk e kapi djelli nuk e gjen gjë.

    Përgjigju
  • Lindi: 29/07/2024 09:08

    Tuneli është kryevepër pa ngjyra politike. Att do kalojë shqiptarë dhe i huaj duke shijuar elegancën e kalimit të malit. E Ka thënë Ekrem bej Vlora, fala e parë e shqiptarve kur i fton për një punë është, nuk bëhet. Kur e nis atë punë, të vinë nga mbrapa.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Kërkon lirinë me kusht, shtyhet seanca për Fredi Belerin! Pamjet e mbërritjes në Gjykatën e Fierit

Kërkon lirinë me kusht, shtyhet seanca për Fredi Belerin! Pamjet e mbërritjes në Gjykatën e Fierit