Sot në Vain të Lezhës u organizua nga Ministria e Mjedisit një ceremonial me rastin e 75- vjetorit të shpalljes zonë e mbrojtur Kune-Vain. Me këtë rast, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Administrata e Zonave të Mbrojtura, Qarku Lezhë, mbështetur nga projekti IPA 2013 - Natura 2000, mështetën këtë event nën moton "Të promovojmë bashkëpunimin e administratës se zonave të mbrojtura me komunitetin".
"Territori Shëngjin-Tale-Vain-Bregu i Matës është zona e parë e mbrojtur në vend e shpallur me dekret më 7.7.1940, si "Rezervat Shtetëror i Gjuetisë" me një sipërfaqe prej 25.000 ha", tha Nihat Dragoti, eksperti i zonave të mbrojtura. "Zona është përdorur për gjueti dhe argëtim nga elita politike e vendit dhe të huajt. Në vitin 1960, një pjesë e lagunës së Kunes shpallet rezervat gjuetie dhe ne vitin 1969 shpallet rezervat gjuetie edhe zona e Vainit", theksoi ai.
Që në vitin 2010 (VKM nr.432, datë 28.04.2010), zona është shpallur si Rezervë Natyrore e Menaxhuar (RNM) "Kune-Vain-Tale", me një sipërfaqe të përgjithshme prej 4.393.2 ha. "Miremenaxhimi i gjithë kësaj pasurie natyrore, përdorimi qëndrueshëm i burimeve dhe njëkohësisht mbështetja e zhvillimit ekonomik të zonës nëpërmjet aktiviteteve turistike dhe edukimit mjedisor, është nje nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet Administrata e Zonave të Mbrojtura të Qarkut Lezhë", nënvizoi Pjeter Toni, Drejtor i AdZM, Lezhë.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka filluar tashmë nga puna për ndryshimin e vizionit të menaxhimit të zonave të mbrojtura duke përcaktuar edhe objektivat e punës së saj në të ardhmen e afërt. Gjovalin Kadeli, deputeti i mazhorancës në këtë zonë, theksoi se zonat e mbrojtura kanë gjithë mbështetjen e duhur nga qeveria për zhvillimin e tyre. "Qeveria e mbështet zhvillimin e zonave të mbrojtura, me qëllim që ato të jenë një burim ekonomik për komunitetin, por është komuniteti që do t'i mbroje dhe do t'i zhvilloje ato. Në këtë mënyrë ato kthehen në një ftesë e hapur për turistët", tha Kadeli.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura po punon në këtë drejtim. "Së bashku me Ministrinë e Mjedisit po ndryshojmë konceptin e menaxhimit të zonave të mbrojtura nga zona të mbyllura për publikun në mundësi zhvillimi dhe gjenerimi të ardhurash për aktoret lokalë dhe komunitetin dhe kjo është sfida më e madhe në të ardhmen", tha Zamir Dedej, Drejtor i AKZM.
Për vlerat e veçanta ornitologjike, këto ligatina dhe mjediset ujore përreth janë propozuar për t'u shpallur si "Zonë e Rëndësishme për Shpendët në Evropë" (Important Bird Area-IBA). "Ruajtja dhe menaxhimi i këtyre burimeve kërkon forcimin e kapaciteteve lokale e kombëtare për të përmirësuar efektivitetin e menaxhimit të zonave të mbrojtura në bashkëpunim me gjithë aktoret e rëndësishëm duke synuar ndalimin e degradimit dhe humbjes së biodiversitetit në vend, çka është edhe objektivi kryesor i projektit Natura2000, zbatuar nga Cooperacioni Italian dhe financuar nga Delegacioni Evropian në Shqipëri", theksoi Genti Kromidha, Nëndrejtor Projektit Natura2000.
Ky ekosistem natyror-lagunor është një nga lagunat më të rëndësishme të bregdetit shqiptar të Adriatikut. Kjo zonë karakterizohet nga habitate të ndryshme të integruar në një ekosistem të vetëm. Shumëllojshmëria e habitateve dhe karakteristikat e tyre natyrore ose gati natyrore kanë krijuar kushtet e duhura për specie përfaqësuese të biodiversitetit. Ndër gjallesat e egra, specie me status të veçantë që konsiderohen globalisht të rrezikuara, janë karabullaku dhe lundërza. Kjo lagunë është e vetmja zonë shumëzimi për çafkën e vogël. Ajo vizitohet herë pas here nga breshkat e detit dhe foka mesdhetare që kanë një rëndësi të veçantë në ekosistemin mesdhetar.
Laguna Kune-Vain ka një panoramë të mrekullueshme, ka infrastrukturë të ngritur në ndihmë të vizitorëve, vlera arkeologjike dhe kulinari interesante. Për këto arsye është një zonë e rëndësishme, që kontribuon në zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Vende interesante për t'u vizituar janë lumi dhe grykëderdhja e Matit, këneta e Merxhanit, Ishulli i Kunes dhe Këneta e Kashtës, Grykëderdhja e Lumit Drin, Dajlani, Këneta e Zajeve, Cekës dhe e Zallit, Grykëderdhja e Lumit Mat, plazhi Shëngjinit, Vainit dhe Tales, etj.të cilat mund të shfrytëzohen edhe për turizmin e vëzhgimit për shkakun se aty gjallojnë shumë specie të rralla të faunës tonë.










