FIER - Burg pa afat është masa e sigurisë që Gjykata e Fierit ka dhënë për 2 të arrestuarit e djeshëm Andrea Rrapaj 18 vjeç dhe Erald Elmazi 25 vjeç, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e 21-vjeçarit Andi Prifti (foto) më 20 janar të këtij viti.

Sipas policisë së Fierit dyshohet se 21-vjeçari nga Fieri u vra me thikë nga 3 miqtë e tij, të cilët mendohet se ishin në dijeni për një skedinë me vlerë rreth 60 mijë lekë të reja që viktima sapo e kishte fituar nga një lloto.

Gjyqi është zhvilluar pa praninë e mediave, ndërsa dy të akuzuarit kanë marrë masën e vleresimit në kohë të ndryshme. I pari doli para trupit gjykues Andrea Rrapaj. Avokati mbrojtës i tij Klaudio Dhima ka kërkuar një mase më të lehtë arrest në shtëpi ose paraqitje në policinë gjyqësore, kjo për shkak të moshës së mitur.

Ndërsa i dyti para trupit gjykues doli 25-vjeçari Erald Elmazi. Avokati mbrojtës Adrian Abazi i është drejtuar Gjykatës duke thënë se ndalimi i tij është bërë në mënyrë të paligjshme, pasi është kryer vetëm me deklaratën e të ndaluarit tjetër Andreea Rrapaj.

Ndërsa për përcaktimin e masës avokati Abazi kërkoi një masë më të butë nga organi i akuzës, atë të arrestit me burg me afat 20 ditor, pasi nuk ka prova të mjaftueshme për të patur një dyshim të arsyeshëm, por edhe se i ndaluari është student.

Por edhe pas pretendimeve të mbrojtes, gjyqtari Gentian Hamiti pasi ka dëgjuar të dy palët ka firmosur përfundimisht vlerësimin e masës atë të arrestit “burg pa afat”. Të akuzuarit kanë hipur në mjetet e policisë, të cilët i kanë çuar ata në burgun e të miturve në Vlorë.

Babai i Erald Elmazit, Bilal Elmazi është shprehur se djali i tij është pafajshëm, pasi natën që ka ndodhur krimi Eraldi ka qenë në shtëpi.


“Ditën që ndodhi krimi ai ka qenë në shtëpi. Unë nuk e kam djalin të tillë. Ai ka qenë i respektuar nga fierakët pasi i ka dhënë ekipit të tij Apollonisë në 5 vjet që luan futboll” u shpreh Bilal Elmazi.

DJE ARRESTIMI
Gjatë operacionit të djeshëm “Kulla e Ujit”, policia e Fierit ka arrestuar Andrea Rrapaj 18 vjeç dhe Erald Elmazi 25 vjeç, që të dy banues në Fier. Polica e Fierit sqaron se për dy të ndaluarit është kryer dokumentimi ligjor pasi janë të dyshuar për vjedhje me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Prifti dhe akuzohen për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen, e kryer në bashkëpunim”.

Për vrasjen e Andi Priftit, policia e Fierit ka arrestuar edhe Gentian Shahinaj, për të cili Gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)