Hidir Ismail Zani, jurist i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier, u arrestua pasi i shpallur në kërkim.

56-vjeçari akuzohet për shpërdorim detyre ndërsa Gjykata e Fierit kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” qe ne muajin shtator.

Zani dyshohet se ka regjistruar në mënyrë të paligjshme 6 pasuri të paluajtshme në Levan, me një sipërfaqe 71.7 hektarë në emër të Kastriot Haskos.

Gjate të njëjtit operacion jane arrestuar më herët dhe janë lënë në burg nga Gjykata dhe dy ish-drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier, një specialist dhe përfituesi i pronave, Kastriot Hasko.

Njoftimi i policisë:

DVP Fier/Vijon operacioni i koduar “Stolen Land”, ndalohet ish-juristi i AShK Fier, i shpallur në kërkim për shpërdorim detyre.  

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë ndaluar shtetasin H. Z., 56 vjeç, banues në Fier, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Stolen Land”, i zhvilluar disa javë më parë.

Ky shtetas ishe shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datë 17.09.2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në disa raste.

Shtetasi H. Z. akuzohet se ka shpërdoruar në disa raste, detyrën si jurist në AShK Fier.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë