Punimet në unazën e Fierit në segmentin rrugor rreth rrotullimi pranë ish parkut te mallrave –deri tek qendra tregtare, ka lënë pa ujë të pijshëm disa lagje në këtë qytet. Defekti ka ndodhur si rezultat i mjeteve, të cilat po bëjnë rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor.
Në këtë segment rrugor para disa muajsh, është shtrirë tubacioni ri qe furnizon qytetin e Fierit dhe tani pikërisht ka ndodhur ky problem. Është hera e dytë që nga firma tenderuese gjatë punimeve të kryera për këtë rrugë të rëndësishme, kanë ndodhur defekte si ky i sotmi.
Aktualisht dy mjete po punojnë për të hapur kanalin për të zbuluar tubacionin. Pas defektit uji i pijshëm ka dalë në sipërfaqe me presion. Kanë qenë punonjësit e ujësjellës-kanalizimeve, të cilët kane mbyllur sariçineskën kryesore. Deri ne riparimin e këtij defekti disa lagje në qytetin e Fierit do te mbeten pa ujë.