Një oficer policie nga Fieri akuzohet për falsifikimin e kallëzimit të një gruaje me inicialet B.GJ. Kjo grua ka denoncuar në Policinë e qarkut Fier dhe pikërisht para oficerit Arben Deda dhunën e rëndë fizike të ushtruar mbi të nga kunati i saj Asqeri Gjodeshi.

Ndërkohë oficeri Deda e ka falsifikuar denoncimin e gruas e cila theksonte se kunati e ka goditur rëndë me shkop të trashë në të gjithë pjesët e trupit, përfshirë edhe në kokë, duke i lënë hematoma të shumta.

Polci në aktin e përpiluar shkruan se “E dëmtuara deklaron se ka pasur konflikt verbal me kunatin e saj dhe, në ikje e sipër është rrëzuar duke dëmtuar gjurin.”. Nga hetimi ka rezultuar se në aktin e përpiluar nga oficeri i policisë janë shmangur me dashje të dhënat reale, si edhe nuk janë shënuar deklarimet e plota të të dëmtuarës, duke shfrytëzuar ndoshta faktin e nivelit të ulët arsimor të saj.

Pas kallëzimit, e dëmtuara B.GJ ka kryer ekspertizën mjeko-ligjore, në bazë të të cilës evidentohen qartë shenjat e dhunës në pjesë të ndryshme të trupit dhe të kokës.
Në këto kushte, ndaj oficerit Arben Deda, në fillim të hetimeve, është vendosur nga gjykata masa “pezullim nga detyra”. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Fierit e akuzon oficerin Deda për veprën penale të “fallsifikimit të dokumentave”. Ndërsa Astrit Gjojdeshi akuzohet për veprën penale të “dhunës në familje”. 

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)