Policia e Fierit ka zbardhur dy raste zjarrvënieje në fshatrat Daullas dhe Kreshpan në Fier. Në Daullas u arrestua një 50-vjeçar, pasi zjarri që kishte ndezur për të djegur shkurre doli jashtë kontrollit dhe përfshiu sipërfaqe të mëdha me bimësi. Në Kreshpan u procedua penalisht një tjetër person, i cili kishte ndezur mbetje në tokën e tij, por flakët u përhapën nga era e fortë, duke rrezikuar edhe disa banesa.

"Si rezultat i veprimeve të shpejta në lidhje me zjarrin e rënë në një sipërfaqe toke në fshatin Daullas, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë, pranë vatrës së zjarrit, shtetasin A. G., 50 vjeç, i cili kishte ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, me qëllim djegien e shkurreve. Si pasojë e përhapjes së flakëve, zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me bimësi.

Gjithashtu, në fshatin Kreshpan, shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe kapur pranë një vatre zjarri, në tokën në pronësi të tij, shtetasin Q. Y. Ky shtetas ka deklaruar se kishte ndezur zjarr për djegien e mbetjeve, por si pasojë e erës së fortë, flakët janë përhapur dhe kanë dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar disa banesa, si dhe është përfshirë nga flakët një sipërfaqe e madhe me bimësi. Për shkak të moshës, shtetasi Q. Y. është proceduar penalisht. Materialet procedurale për të dyja rastet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, njoftoi Policia. 


Lajmi kryesor:

Zjarret, 11 vatra aktive në vend! Vijon beteja me flakët në Frakull të Fierit, ndërhyhet me helikopter dhe 2 avionë (VIDEO)