FIER-Dy inspektorë tatimesh janë ndaluar nga policia, pasi dyshohet se kanë marrë ryshfet 7 mijë euro nga një biznes. Florjan Zhaka 35 vjeç me detyrë përgjegjës i zyrës, analizës dhe informacionit në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier dhe Asqeri Tahiraj 55 vjeç me detyrë Inspektor Zbatimi pranë Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Tatimeve Fier janë ndaluar.

Ndalimi i tyre u bë pas një hetimi dy mujor, pasi duke qenë me detyrë Inspektor Tatimor, i kanë kërkuar dhe marrë 7 mijë euro ryshfet një subjekti tregtar me qëllim shmangien e sanksioneve tatimore.

 

Report Tv zbuloi nga burime të Policisë së Fierit skemën se si dy tatimorët tentuan t’i merrnin 20 milionë lekë biznesmenit, por që në fund arritën t'i zhvatin 7 mijë euro.

“Kallëzuesi me profesion ekonomist është thirrur në zyrën e hetimit tatimor për të dhënë deklaratën mbi marrëdhënien me subjektin, e ka dhënë dhe firmosur, inspektore ishin dy, emrat nuk ja mban mend. Subjekti ka kryer veprimtari ekonomike në bazë të ligjit dhe ka shlyer detyrimet tatimore, që rrjedhin nga kjo gjë, konkretisht 20% TVSH dhe 15% tatim fitim. Sipas kallëzuesit, e gjithë kjo është bërë vetëm e vetëm që subjekti t’i jepte ryshfet një prej drejtorëve i nxitur nga dy inspektorë të hetimit tatimor Asqeri Tahiraj dhe Florjan Zhaka, të cilët në vitin 2016 kanë ardhur dhe kanë bërë presion për të njëjtin problem dhe në të njëjtën formë subjekti pa mbajtur asnjë dokumentacion zyrtar, duke i kërkuar ryshfet subjektit në shumën rreth 20 milionë lekë dhe nëpërmjet këtyre presioneve të ushtruara vazhdimisht në vitin 2016, ata arritën t’iu merrnin 7 mijë euro në vitin 2016. Këto euro ja ka dhënë kallëzuesi në një zarf Asqeri Tahiraj, në lokalin e tij që ndodhet afër policisë, ngjitur me karburantin “Braka Oil”, - thuhet në dosjen hetimore të policisë Fier për dy tatimorët. 

d.b/shqiptarja.com