PRISHTINE- Koncerti i Filharmonisë së Kosovës, do të mbahet të dielën me datën 23 nëntor, në sallën e Kuqe të pallatit e Rinisë.
Ky koncert do të ketë për premierë tri veprat të kompozitorëve Kosovar, të Rexho Mulliqit, Zeqirja Ballatës dhe të Kreshnik Aliçkaj. Dirigjent i këtij koncerti do të jetë, Enco Koço, i cili jeton dhe vepron në Angli.
Drejtor i Filharmonisë, Baki Jashari, në një konferencë për media tha se ky koncert është mjaft i rëndësishëm pasi është edhe premierë dhe bënë kultivimin e veprave të kompozitorëve shqiptarë.
"Është koncert i orkestrës simfonike të filarmonisë së Kosovës, dhe do të thoja menjëherë që veçanti e këtij koncerti është programi premierë, me tri vepra të kompozitorëve kosovar dhe e gjithë kjo është organizuar edhe në bashkëpunim me festivalin e Ditët e Muzikës Kosovare, që organizohet nga shoqata e kompozitorëve të Kosovës. Është ky një bashkëpunim tashmë disa vjeçar dhe se natyrisht që ky bashkëpunim është mjaft i rëndësishëm sepse konsiston edhe me një obligim që ka institucioni ynë për kultivimin dhe prezanttimin, interpretimin e veprave të kompozitorëve shqiptarë në përgjithësi", tha Jashari.
Jashari ka thënë se përmes realizimit të orkestrës së Filarmonisë së Kosovës , publiku shqiptarë për herë të parë nesër do të dëgjoj veprën simfonike të Rexho Mulliqit, simfonia numër 2 , me titull "Kosovare", sepse kjo vepër nuk është interpretuar asnjëherë më parë deri më tani.
Dirigjenti i këtij koncerti, Eno Koç, ka thënë se është një privilegj i madh për të që ta dirigjoj një koncert të tillë, ku sipas tij, tri veprat kryesore të kësaj mbrëmje janë të 3 kompozitorëve më të mëdhenj shqiptarë./ATSH/