Fillimi i ri në PD, një shans i humbu

Fillimi i ri në PD, një shans i humbu
“Gara” për kryetar të ri në PD u mbyll ashtu siç ishte planifikuar: pa tronditje, pa analizë, pa debat midis kandidatëve, pa transparencë në procedura dhe pa risi politike. Dy emrat e lejuar nga kryesia e vjetër për të kandiduar u lodhën shumë në përpjekjet për të krijuar klimën e një gare, bënë takime të shumta në gjithë vendin, mbajtën fjalime dhe bënë premtime, por në thelb, - nuk arritën ti japin dinjitetin dhe integritetin e duhur garës së pretenduar. Arsyet janë të shumta dhe tipike për një garë ireale. PD është partia e parë politike në historinë e tranzicionit që humbet zgjedhjet, dhe bën rotacionin formal në drejtim pa kaluar në opozitë, pra zgjedh ekipin drejtues të opozitës duke qenë në pushtet. Ajo nuk priti vjeshtën kur de facto kalon në opozitë, por nxitoi të mbyllë të gjitha shtigjet, duke përdorur pushtetin ekzekutiv piramidal të kryetarit në ikje dhe kandidatëve të ardhje.

Risi sjell edhe ana formale dhe përmbajtja e garës. Në çdo parti politike kur kryetari jep dorëheqje, drejtimi i kalon një figure tjetër në hierarki. Në rastin konkret, ai që dha dorëheqje, ai vijon të drejtojë. Në çdo parti demokratike kandidatët për kryetar shfaqen në publik, bëjnë prezent një platformë, prezantojnë stafin mbështetës dhe objektivat e fushatës së tij, tregojnë sesi do drejtojnë dhe ku dallojnë me kandidatët e tjerë rivalë, kurse në rastin aktual në PD nuk pati platformë dhe as strategji të shkruar, nuk pati debat midis kandidatëve as përpjekje të tyre për të nxjerrë në pah dallime, nuk u lejua asnjë figurë publike e politike të shfaqë mendimin e vet për kandidatët, nuk pati stafe publike, madje  vetë kandidatët nuk dolën në publik por shkuan tek zyra e kryetarit të vjetër për të marrë bekimin e tij.

Dy kandidatët përfaqësojnë ekzekutivin 8 vjeçar në PD. Ata pranuan se vota popullore ishte votë kundër arrogancës së ekzekutivit, koalicioneve dhe problemeve të shkëputjes së pushtetit nga anëtarësia, por vetë nuk pranuan asnjë përgjegjësi personale, nuk kërkuan ndjesë dhe as dëshmuan sens reflektimi e reagimi ndryshe. 8 vjet ata kanë menduar njësoj si shefi i tyre që sot dirigjon garën, ndaj ata nuk ishin në gjendje të gjenin një akt të tyre formal, politik apo ligjor kur të kenë menduar ndryshe për gjerat negative në PD dhe qeverisjen e saj.

Ata nuk patën kritikuar koalicionin me LSI, PAA dhe as 3 deputetët e fundit të PS, nuk patën kritikuar njësimin e shtetit me partinë, nuk patën kritikuar sulmin e ashpër që PD i bëri ish të përndjekurve politikë dhe shtesave të djathta të papërfaqësuara, nuk patën kritikuar mosmbledhjen dhe mosfunksionimin e strukturave partiake gjatë 4-5 viteve të fundit, nuk patën kritikuar korrupsionin e lartë të përqendruar në duart e një numri të vogël zyrtarësh politikë, nuk patën kritikuar përqendrimin e pushtetit partiak, parlamentar dhe ekzekutiv në 5-6 emra dhe kështu, nuk patën kritikuar asgjë që praktikisht i bindi 1 milion shqiptarë të votojnë pasivisht kundër modelit politik Berisha dhe PD.

Ata premtuan fillim të ri për PD, por njëherësh e panë atë si vijueshmëri të modelit Berisha. Kryetari i PD dha dorëheqje duke thënë se është përgjegjësi kryesor për humbjen, kurse dy “sfidantët” mbushën sallat në çdo qytet duke thënë se kryetari është i pafajshëm, është i pagabueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Atëherë përse bëhet gara? Kush është fajtori? Qytetarët? Anëtarët? Alibitë me grupet e punës? Jo. PD ëshhtë prej vitesh parti piramidale, me një hierarki dhe sa më lart të shkosh aq më të larta janë privilegjet dhe përgjegjësitë.

Në fushatë munguan aktet politike të kandidatëve. P.sh, e vetmja pendesë e njërit prej kandidatëve ishte se ishin vrarë më pak persona me 21 janar sesa duhej!! Kurse tjetri kishte pendesë se mungojnë dosjet e anëtarëve nëpër seksione!! Të dyja, shprehje e nivelit minimal të kulturës së lidershipit politik dhe të sensit të përgjegjësisë publike. Ata nuk takuan grupin e ri parlamentar megjithëse folën në emër të tij, nuk takuan rininë dhe forumin zyrtar të gruas megjithëse folën në emër të tyre, nuk takuan të përndjekur, pronarët dhe as brezin e dhjetorit ‘90 megjithëse folën pareshtur në emër të tyre, nuk takuan asnjë parti aleate megjithëse premtuan front opozitar, nuk takuan asnjë delegacion perëndimor megjithëse premtuan mbështetjen e tyre, nuk takuan grupet e biznesit dhe as kategori të tjera sociale të lidhura me të djathtën. Ata zgjodhën ikjen nga Tirana dhe kasetat e gatshme me militantë të brohorasin (për çfarë, për humbjen!!) në salla të porositura, në vend të debatit serioz, pa turmë, pa thirrje historike, pa parulla, pa miting, pra pa mjetet të cilat me 23 qershor rezultuan dështim historik.

Si mund të ketë garë kur të gjithë anëtarësia dhe politikanët përbërës urdhërohen të mos shprehen, të mos flasin, të mos shoqërojnë kandidatët nëpër rrethe, të mos debatojnë mbi deklarimet e tyre? Edhe në aspektin formal, ata e pranuan garën dhe kandidimin në kundërshtim me statutin e PD, pranuan votimin pa një listë të qartë anëtarësia, pa rregullore e parime zgjedhore, me numërim të përqendruar në Tiranë...të gjitha këto, rregulla që vijnë në kundërshtim me statutin aktual në PD. Duke e bërë këtë, ata premtuan se do jenë statusorë, do jenë korrekt me procedurat, do ketë një fillim të ri të sistemit të meritokracisë dhe vlerave!! Dhe për më tepër, në dallim nga kandidatët reale në gara të tilla, asnjëri nuk propozoi një draft ndryshimesh në statut, të cilat në rast fitoreve në votimin e anëtarësisë, marrin menjëherë fuqi zyrtare.

Në fushatë munguan aktet morale dhe civile, për të cilat kandidatët thanë se ka humbur PD. Ata refuzuan kërkesat e medias për debat, refuzuan kritikat e ish themeluesve dhe anëtarëve potencialë historikë të kësaj partie, refuzuan hapësirën për një analizë politike të zgjedhjeve, refuzuan prezantimin e dosjes së tyre politike në raport me vlerat e djathta, akuzat për korrupsion, përgjegjësitë zyrtare dhe vizionin e tyre për të ardhmen. Ata folën për grupe avokatësh për mbrojtjen e administratës dhe harruan se ky është koncept para-demokratik; administrata mbrohet nga ligji, institucionet, jo nga partitë politike. Nëse ata donin administratë të pavarur le të hiqnin dorë nga praktika abuzive e detyrimit të administratës së varësisë për pjesëmarrjen të detyruar në fushatë elektorale, të mos caktonin nëpunës civil në KQZ-në partiake që do numërojë votat e tyre, apo të mos shkarkonin nëpunësit të cilët shprehën simpati për parti të tjera politike të djathta, siç ndodhi në 96 raste në periudhën maj-qershor 2013.

Mbi të gjitha, në garë mungoi serioziteti i saj. Në Britani dy vëllezër, David dhe Ed Miliband konkurruan me njëri tjetrin me parimin “një anëtar – një votë”, njëri fitoi por në fund, ata ishin aq parimorë në garë sa askush nuk e vuri në diskutim seriozitetin dhe cilësinë e saj. Kurse tek ne, megjithëse dy kandidatët nuk kanë lidhje familjare, por ngjasojnë vetëm në CV, kostume dhe retorikë, shumica e opinionit publik e vuri në diskutim seriozitetin dhe cilësinë e garës. Një pakicë që mendon ndryshe, ose ka interesa financiare, ose bën pjesë në lobet mbështetëse të njërit prej tyre, ose nuk njeh përvojë tjetër në jetën e tij ose ende nuk e ka kuptuar mesazhin e 23 qershorit dhe të gjithë së bashku, më shumë janë të interesuar për raporte personale afatshkurtra me kandidatin fitues, sesa me pasojat e pritshme negative afatgjata të këtij procesi, kandidatëve dhe opozitës së re. Llogaria se plagët nuk hapen, nuk është koha, kështu duan militantët, etj, është llogari mëngjesi që humbet vlerë në çdo orë pasuese të ditës. Në politikë vendosin aktet dhe kurajë, edhe kur fiton, edhe kur humbet, secila kërkon dinjitet dhe një sens përgjegjësie.

Shumëkush e di se kush do të jetë kryetari i ri formal i PD pas 22 korrikut, por pakkush mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë me të dorëhequrin, i cili ka premtuar të jetë 18 orë në punë në PD, çfarë do ndodhë me 1 milion votues kundër, çfarë do të ndodhë me normat demokratike partiake që u shkelën gjatë kurorëzimit të fituesit, çfarë do të ndodhë me programin politik që u harrua në fushatë, si do rifitohet identiteti dhe elektorati i djathtë, mbështetja perëndimore dhe besueshmëria e forcës politike alternativë, çfarë do të ndodhë me grupin e ri parlamentar, me anëtarësinë, me amalgamën e të korruptuarve në PD, sa do jetë ajo peng i dosjeve korruptive të figurave të reja në ekipin drejtues të saj, çfarë do të ndodhë pas dy vitesh kur pasuesi nuk do jetë as deputet, as kryetar bashkie, çfarë do të ndodhë nëse kryetari i ri humbet zgjedhjet, si reformohet PD dhe politika, si mund të kalojë ajo nga modeli i turmës tek modeli institucional elitar që përfaqëson e djathta moderne evropiane, çfarë do të ndodhë me figurat politike që humben thellë në rrethet e tyre dhe që gjatë këtij muaji janë fshehur pas vilave të plazhit, çfarë do të ndodhë me të djathtën dhe çfarë do të ndodhë me opozitën shqiptare në tërësi.

Përgjigjet e munguara të këtyre pyetjeve duhej të ishin thelbi i debatit midis dy kandidatëve, dhe me siguri do të ishin starti për një fillim të ri. Përndryshe, e gjithë kjo mbetet një improvizim tranzicioni, një eksperiment dublantësh, një shans i humbur për PD-në, për demokratët e papërfaqësuar, për të djathtën, për pluralizmin dhe për shoqërinë shqiptare.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.07.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Muzeu Etnografik i Krujës hap dyert pas restaurimit, digjitalizim e ekspozita të reja për artefaktet! Financim i BE

Muzeu Etnografik i Krujës hap dyert pas restaurimit, digjitalizim e ekspozita të reja për artefaktet! Financim i BE