Filmat e Çaplinit në Shqipërinë
e viteve ’20  e ‘30

Filmat e Çaplinit në Shqipërinë<br />e viteve ’20  e ‘30
Britania e Madhe njihet si një vend i konservatorizmit, tradicionalizmit dhe ruajtjes me fanatizëm të traditave.  Këtë e dëshmon edhe ruajtja e oborrit dhe kurorës mbretërore sikurse edhe ekzistenca e partisë më të madhe politike që quhet Konservatore. Por anglezët njihen edhe për humorin e hollë që, siç thuhet, duhet të të pickosh të të bëjë për të qeshur, d.m.th duhet të mendohesh dhe analizosh që ta kuptosh atë. Por ja që jeta ka vërtetuar edhe të kundërtën. Pikërisht nga ky vend kanë dale tre nga figurat më të mëdha të humorit botëror Çarli Çaplini, Ben Hill dhe Norman Visdom (Pitkin) të cilët kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë të qeshë e gjithë bota. Pra ata i japin botës shpresën, gëzimin dhe çdo ditë e bëjnë të harrojë brengat e jetës.

       Këtu do të flasim për njerin prej tyre Çarli Çaplinin këtë gjigand të humorit dhe satires që për një shekull i jep botës gëzimin. Në këtë aspekt ai nuk është një figure e dashur vetëm për anglezët por i gjithë njerzimit.
Në muzeun britanik të kinemasë MOMI në Londër (Museum of Moving Image) ndodhet një sallë që quhet “Tempulli i Perëndive” Së largu duket një sallë e thjeshtë-një tavan i mbështetur mbi 6 kollona. Po ti afrohesh më afër ajo të zbulon mrekullitë e saj. Në 6 kollonat janë gdhendur statujat e aktorëve të pare të kinemasë: Theda Bara, Meri Pikford, Rudolfo Valentino, Dagllas Ferbanks, Baster Kiton dhe Lilian Gish. I gjithë muri përballë i është kushtuar Çarli Çaplinit që të mrekullon me pamjen e tij dhe të krijon një gjendje optimizmi. Ndërsa në tavanin e këtij tempulli janë vendosur fotografitë e 56 artistëve më të shquar  të shekullit të kinemasë duke filluar nga vendi i pare me artisten e madh suedeze Greta Garbo.

Anglia e ka gdhendur në mur birin e saj të madh që ta shohë gjithë bota e të mos bjerë në pesimizëm se jeta vërtet nuk është fushë me lule por as greminë vuajtjesh, ka edhe gëzimet e saj. Këtë shpresë për jetë më të mire ja japin artistët dhe në veçanti gjigandët e artit botëror si Çarli Spenser Çaplin.
Çaplini e nisi karierën e tij që kur ishte ende fëmijë, vetëm 6 vjeç. Doli si një yll që do shkëlqente botën pa pritur, fare rastësisht në një shfaqje që zëvendësonte nën e tij të sëmurë.

Jetim dhe në gjendje të rëndë ekonomike iu desh të ndeshesh me varfërinë e mizerjen, të mbyllesh përkohësisht në jetimore, bashkë me të vëllain, për të përballuar bukën eës. Por ai shkëlqeu që kur ishte ende fëmijë dhe harroi varfërinë e mizerjen dhe e bëri Anglinë dhe më vonë gjithë botën të qeshë. Mposhti fytyrën e egër të vuajtjes, vuajti vetë, që tu jepte të tjerëve shpresat e jetës..
Ai lindi më 1889 në East Streeet, Lambeth të Londrës afro një milje larg “Tempullit të perëndive” ku është përjetësuar dhe i rrezaton botës qeshjen e gëzimin. U bë aktor profesionist dhe kërcimtar që kur ishte 8 vjeç dhe më 1906 hyri në Shoqërinë e Fred Karno. Gjatë një turneu në Amerikë më 1912 u zbulua talenti i tij nga Mak Senet (babai i filmit komik)i cili kish një vit që kish themeluar shoqërinë filmike “Keystone”. Që në filmin e parë që interpretoi në këtë shoqëri u shnrua në një “Yll”. Në “Keystone” ai u njoh dhe komikët e mëdhenj Mabel Normand, një nga aktorët më fine të komedisë, dhe “Fatty” Arbukle.

Brenda një viti Çaplini u xhirua në 35 filma. Më 1915 u shkëput nga Senet kur ky i fundit u bë pjesëtar në shoqërinë “Triangel” së bashku me D.Grifit dhe Tomas Ince dhe filloi të xhironte vetë.Suksesi i tij shloi në rritje dhe më 1919 u bë aktori më i paguar në Amerikë duke siguruar një kontratë për një million dollarë me shoqërinë “First National”. Po këtë vit , së bashku me tre figurat e tjera më të njohura të filmit Amerikan: regjisorin Dejvid Grifit dhe aktorët Meri Pikford dhe Dagllas Ferbanks krijuan shoqërinë filmike “United Artists” (Artistët e Bashkuar).

Filmi i tij  i parë që bëri jehonë të bujëshme ishte “Emigranti”(1917) pjesa e pare e të cilit tregonte në mënyrë dokumentare masë njerzish të lodhur, të varfër, të vuajtur që emigronin në Amerikë për të gjetur një jetë më të mire dhe për shpresa më të mëdha.
Filmi komik në vitet ’20 e ’30 ishte gjinia më e preferuar. U bënë shumë popullorë themeluesit e kësaj gjinie Maks Linder e Mak Senet. Por më i njohuri në këtë gjini ishte, pa dyshim, aktori dhe regjisori i madh, Çarli Çaplin, i cili e filloi karierën e tij në shkollën e Senetit. Me Çaplinin filmi komik, kaloi te satira, megjithëse ai në vetvete ishte një personazh tragjik, një njeri i thjeshtë e real, në kundërshtim me tipin e preferuar të Hollivudit, me të gjitha cilësitë e mira dhe të këqija dhe që vazhdimisht në rolet e tij ishte i persekutuar. Me temat dhe interpretimin e tij realist ai përfaqësonte njeriun e thjeshtë të shtresës së ulët dhe, ndonse në mënyrë komike, ai zbuloi plagët e shoqërisë së konsumit, dënoi falsitetin e shoqërisë industriale që e transformon njeriun në një makinë.

Me problematikën që trajtonte dhe me interpretimin e tij të pashoq ai hyri në jetën e masës së gjerë shumë-milionëshe të njerzvet të thjeshtë, trajtoi problemet dhe shqetësimet e tyre, prandaj çdo spektator e simpatizonte.  Filmat e Çaplinit shënojnë suksesin më të madh dhe kanë pasur e kanë frekuentimin më të lartë se të çdo regjisori tjetër ose të çdo gjinie tjetër filmash në çdo kohë. Veprimtaria e tij ndriçoi ekranin e kinemasë, prezenca e tij në film ngriti në mënyrë virtuale suksesin e tij. Realisht ai ishte i pari aktor i filmit ndërkombëtardhe një legjendë e gjithë jetës së tij duke u konsideruar aktori komik më i famshëm në historinë e filmit.-aktor, regjisor, producent, skenarist dhe kompozoi vetë muzikën e filmave të tij. Filmat e tij “Emigranti”/1917/, “Fëmija”/1921/, “Ethet e arit”/1925/, “Dritat e qytetit” “Kohrat moderne” dhe në veçanti “Diktatori i madh” zgjuan një interes të jashtëzakonëshëm në publikun botëror.

Shumë filma të gjinisë komike dhe, në veçanti, ata të Çaplinit janë shfaqur në Shqipëri në vitet ’20 e ’30 dhe, si kudo në botë, kanë pasur jehonë të madhe, por shtypi i kohës nuk i ka pasqyruar plotësisht ata, mbasi në atë periudhë vetë shtypi i përditëshëm dhe periodik nga janë marrë burimet kryesore të këtij studimi, nuk ka qënë i organizuar dhe i rregullt dhe shpeshherë ndërpritej nga çensura qoftë gjatë periudhës së okupacionit në Luftën e Parë Botërore, qoftë edhe më vonë, kur botohej ndonjë artikull që cënonte sadopak regjimin.  Për më tepër, ende në atë kohë mungonte kujdesi  për ruajtjen e koleksionit të shtypit dhe, problemet e mëdha që shqetësonin vendin, i spostonin ndonjëherë lajmet për filmat.  Megjithatë, në faqet e shtypit figurojnë mjaft filma të Çaplinit të shfaqur në Shqipëri. 

Publiku ynë ka admiruar filmat e tij si: “Zjarrfiksi”, ”Ruajtësi i rregullit”, ”Konti”, ”Emigranti”, ”Jetë qeni”, ”Në atelie”, ”Dita e pagesës”, ”Cirkusi”, ”Dritat e qytetit”, ” Ethet e arit”, ”Shqiponja e vetme”, ” Çaplini ushtar”, ”Kohët moderne” etj.  Përveç këtyre filmave, gazetat njoftonin herë pas here për shfaqjen e grup-filmave të Çaplinit për disa ditë e disa javë rresht.  Kështu, për shëmbëll, ”Gazeta e Korçës” më 15 maj 1923 njoftonte se në kinema “Moderne” do të shfaqeshin për 14 javë rresht filma të Çaplinit.  Këta filma e bënin publikun shqiptar që të kalonte disa çaste të gëzuara, të largohej për një kohë nga problemet dhe hallet e përditëshme të jetës, por njëkohësisht ai i ndiqte me dëshirë, sepse në ta shihte edhe pjesë nga jeta dhe hallet e tij, ato i zgjonin thellë në shpirt edhe revoltën kundër padrejtësive shoqërore,  urisë e varfërisë.  Çaplini për njerzit e thjeshtë u bë aktori më i dashur, ndërsa shtypi përparimtar e quante “mbret i gazit” dhe “mbret i mbretërve”.

Edhe pronarët e kinemave blinin e shfaqnin shumë filma me interpretim të Çaplinit, mbasi kishin nuhatur pulsin botëror dhe dëshirat e masave tona të gjera, prandaj për ta bëhej një burim fitimi.  Në shumë filma të tij Çaplini kritikonte shoqërinë kapitaliste që i transformon njerzit në makina dhe bënte thirrje kundër fashizmit e nazizmit. Këtë rrezikshmëri të filmave të Çaplinit e ndjeu shpejt regjimi prandaj i shqetësuar ndiqte me rreptësi ardhjen e çdo filmi të tij në Shqipëri. Regjimin e shqetësonte depërtimi në vendin tonë i filmave me ide të majta, prandaj edhe komisionet ishin të prirë të ndalonin çdo film të tillë. Dhe, sapo jepej njoftimi për ardhjen në Shqipëri të ndonjë filmi përparimtar, menjëherë urdhërohej ndalimi i shfaqjes së tij. Kështu, p. sh.  me ardhjen e filmit  “Kohët moderne” më 1937, Komisioni i Kontrollit të Filmave në Tiranë njoftonte Prefekturën: “. . shkuam në kinema “Rozafat” për të kontrolluar filmin anglisht “Kohët moderne” dhe konstatuam se vepra në të cilën luan si protagonist kryesor Charli Chaplin, ndonse një vepër komike, ka gjithë ato tendenca bolshevike, që kanë veprat e shkrimtarit Maksim Gorki. 

Në këtë vepër tregohen në mënyrë të imtë mundimet e vuajtjet e puntorëve të fabrikave, mizerirtë e të vobektëve, begatitë e klasave pasanike, dashuria e sinqertë që egziston midis vagabondëve /puntorëve A. H. /tregohen veçanërisht në mënyrë tragjiko-komike grevat e kryengritjet e puntorëve dhe të klasës së vobektë të popullit që vijnë për konsekuencë, i reaksionit dhe presionit të qeverisë dhe të klasave të larta të shoqërisë. . ”. Menjëherë pas kësaj Prefektura njoftoi Ministrinë e Punëve të Brendëshme dhe ajo, nga ana e saj, me telegram shifër urgjent Nr. 166, dërguar gjithë Prefekturave, një ditë më vonë pas ngjarjes më 2 qershor 1937, dha urdhër të prerë se:. . ”filmi me titull “Kohrat moderne” me artistin Charli Chaplin ka tendenca bolshevike, prandaj të mos lejohet me u luejtë në kinematë e atjeshme. .” Ndërsa prefekturat përkatëse njoftuan Komandat e xhandarmarisë që, në rast se ky film do të blihej prej pronarëve të kinemave të mos lejohej të shfaqej.

Një numur i madh shkrimesh janë bërë në shtypin e viteve 30-të për aktorin dhe regjisorin e madh, Çarli Çaplinin, ku ngrihej lart figura e tij si artisti më i madh i të gjitha kohrave, si mbret i humorit dhe së qeshurës, duke e krahasuar atë me figurat më të mëdha të letërsisë. , si Shekspirin dhe Molierin. Çaplini vlerësohej si një njeri bujar, që paguante me muaj të tëra shpenzimet e shokëve të tij që ishin në gjëndje të vështirë ekonomike, si artist që lexonte shumë dhe kishte në bibliotekën e tij mbi 3000 volume, që merrej me sport dhe ishte i thjeshtë etj, pa përmëndur këtu rolet që interpretonte dhe vlerësimin e veprave të tij, që ishte një objekt i përherëshëm. Botoheshin, gjithashtu, intervista të Çarli Çaplinit dhënë korespondentëve të huaj me gjykime për filmin e kinematografinë, për filmin me zë, gjykimet që jepte ai vetë për filmat e tij etj.
Duket paradoksale, por në vitet e diktaturës në Shqipëri nuk është shfaqur asnjë film i Çaplinit. Ndoshta ishte kjo një preference e inportuesve sepse arsye politike nuk mund të kishte mbasi Çaplini dallohesh për iderat e tij të majta.

Më vonë, për këto ide të majta, u detyrua të emigrojë nga Amerika në Evropë nga ku u kthye vetëm në vitet 50-të.
Çaplini mbylli sytë në zvicër 36 vjet më pare më 1977, ditën e Krishtlindjeve. Një koiçidencë. Por ndërsa Mesia lindi për të mbartur dhimbjet e njerëzimit, Çaplini u largua fizikisht, por mbeti i përjetëshëm, u përjetësua dhe vazhdoi tu japi njerzve gëzim dhe optimizëm. Ky gjigand i ekranit çudibërës, i dha përmasa të reja ekranit botëror dhe vazhdon ta mbajë gjallë ekranin e madh e të vogël.. Ai jeton për ditë me ne, është gjithmonë në shtëpitë tona dhe na bën të qeshim dhe të harrojmë përkohësisht brengat e jetës.
 
Historian i kinemasë
Tiranë 22.12.2013.


 Shkrimi u publikua sot (29.12.2013) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!