Egnatia e ka nisur me fitore fazën “Final 4” të kampionatit “Abissnet Superiore”, duke mposhtur AF Elbasanin me rezultatin e thellë 4-0 në stadiumin “Air Albania” në kryeqytet.
Skuadra rrogozhinase zhbllokoi sfidën në minutën e 28-të me Bakajokon, i cili realizoi me një goditje nga distanca pas asistit të Grudës. Pak para fundit të pjesës së parë, Egnatia goditi dy herë të tjera.
Fillimisht ishte sërish Bakajoko që dyfishoi shifrat në minutën e parë shtesë, ndërsa vetëm dy minuta më vonë Fernando realizoi një gol spektakolar për ta çuar rezultatin në 3-0.
Në pjesën e dytë, Elbasani provoi të reagojë dhe krijoi disa raste të mira, por Egnatia administroi me qetësi avantazhin dhe vulosi fitoren në minutën e 88-të, kur Aleksi realizoi nga pika e bardhë duke fiksuar shifrat në 4-0.
Me këtë sukses, Egnatia merr tri pikët e para në fazën “Final 4” duke u barazuar me pikë me Vllazninë dhe AF Elbasanin dhe duke e ndezur më shumë garën për titull.
Ndërkohë pas ndeshjes, dy tifozeritë kanë tentuar të përplasen me njëra-tjetrën. Disa prej tifozëve janë përfshirë në akte dhune, ndërsa për të qetësuar situatën ka ndërhyrë policia.
Një pjesë e tifozëve të përfshirë në akte dhune janë shoqëruar në komisariat pas ndeshjes. Tifozeritë kanë pasur përplasje edhe nga ndeshje të mëparshme në kampionat, ndërsa sot kanë tentuar të “lajnë hesapet”.
Tifozeria e Elbasanit këtë sezon është përfshirë në disa episode dhune. Vetëm një javë më parë pati përplasje para dhe në nisje të ndeshjes me Tiranën.

Renditja pas javës së parë të Final 4
Komente











