KATAR - Interesimi i jashtëzakonshëm për përballjen mes Spanjës dhe Argjentinës është konfirmuar që në nisje, me të gjitha biletat e ndeshjes së quajtur 'Finalissima' që janë shitur brenda dy orësh.

Plot 88.966 bileta 'u zhdukën' menjëherë nga tregu, duke dëshmuar pritjen e madhe për duelin mes kampionëve të Evropës dhe atyre të Amerikës së Jugut.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin madhështor 'Lusail', i njëjti impiant ku më 18 dhjetor 2022 u luajt finalja e Kupës së Botës 2022. Pikërisht aty, Lionel Messi ngriti trofeun e shumëpritur pas triumfit historik kundër Francës.

Atmosfera pritet të jetë sërish elektrizuese, pasi ky duel, edhe pse me status jozyrtar, organizohet nga UEFA dhe CONMEBOL dhe ka ngjallur emocione të krahasueshme me një finale të madhe.

Spanja vjen si kampione e Evropës, ndërsa Argjentina si kampione e botës dhe fituese e Kupës së Amerikës, çka e bën këtë përballje një test gjigantësh më pak se tre muaj para nisjes së Kupës së Botës 2026.

Ndeshja mes Spanjës dhe Argjentinës do zhvillohet më 27 mars duke nisur nga ora 19:00.