Këngëtarja e mirënjohur me prejardhje latine, Shakira, mbretëresha e muzikës pop, Madonna, si dhe grupi muzikor BTS, do të performojnë në pauzën ndërmjet dy ndeshjeve në Finalen e Kupës së Botës, ka bërë të ditur FIFA, raporton The New York Times.
Finalja e Kupës së Botës, që pritet të mbahet më 19 korrik më stadiumin MetLife në New Jersey, është tashmë një spektakël i jashtëzakonshëm, i cili në vitin 2022 arriti 500 milionë shikues. Por këto performanca muzikore do të mund të tërheqin edhe më shumë shikues.
Artistët që janë zgjedhur për këtë ngjarje kanë katalog të gjerë të projekteve muzikore, nga i cili mund të zgjedhin këngët që do të performojnë.
Madonna ka fituar shtatë çmime “Grammy” kurse Shakira katër, ndërkohë që grupi BTS është i pari grup i muzikës K-pop që ka arritur të nominohet për këtë çmim.
Madonna, në vitin 2012 ka performuar në spektaklin “Super Bowl”, që mbahet në pauzën ndërmjet dy pjesëve të lojës së futbollit amerikan. Edhe Shakira ka qenë pjesë e këtij spektakli në vitin 2020 bashkë me Jennifer Lopez.
Artistët që këtë vit do të performojnë në spektaklin e finalës së Kupës së Botës, janë përzgjedhur nga këngëtari i njohur i grupit Coldplay, Chris Martin, i cili e ka ndarë lajmin në një postim në rrjete sociale, përmes një videoje ku përfshiheshin edhe personazhe nga emisioni i njohur i fëmijëve, Sesame Street.
Shakira së fundmi ka publikuar këngën “Dai Dai” që është pjesë e kësaj perfomance, pjesë e së cilës është edhe ylli i i muzikës Afrobeats, Burna Boy, i cili ka kënduar edhe në ceremoninë e Kupës së Botës në Afrikën e Jugut në vitin 2010.
Madonna ka bërë të ditur se në muajin korrik do të lansojë një album të ri me titull “Confessions on e Dance Floor: Part II”. Kurse BTS u ribashkuan si grup në muajin mars, për herë të parë pas gati katër vitesh, pasi të gjithë anëtarët kanë qenë në shërbim ushtarak në Korenë e Jugut.
Botërori 2026 do të fillojë muajin e ardhshëm dhe do të mbahet nëpër 16 qytete në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Komente






