U zhvillua finalja e madhe e edicionit të katërt të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe për klasat e 9-ta, ku përballë njëra-tjetrës në një sfidë emocionuese ishin dy shkollat finaliste: “Besëlidhja” nga Lezha dhe “Edith Durham” nga Tirana.

Shkolla “Edith Durham”, Tiranë u shpall fituese e edicionit të katërt të Konkursit të Gjuhës Shqipe, duke u vlerësuar nga juria me 62 pikë.

Finalja u mbajt në Teatrin e Operas dhe Baletit, e shoqëruar me performanca artistike nga nxënësit e talentuar të shkollave artistike. Ceremoninë e përshëndetën Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Kosovës, Hajrulla Çeku.

Në këtë konkurs morën pjesë rreth 7 mijë nxënës dhe 1022 skuadra nga 704 shkolla në të gjithë vendin, ku 20 shkollat më të mira u përballën në rang kombëtar.

Konkursi u zhvillua në pesë rubrika kryesore: recitimi, kartolina e librit, kuizi, debati dhe projekti, ku nxënësit u përballen përmes interpretimit, njohurive, argumentimit dhe pyetje- përgjigjeve, duke dëshmuar aftësitë e tyre në përdorimin dhe mendimin kritik mbi gjuhën shqipe. Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe është një ngjarje e rëndësishme që tregon se si e flasin, e shkruajnë dhe e mendojnë gjuhën shqipe nxënësit e shkollave tona. Pjesë e jurisë që vlerësoi konkursin e gjuhës ishin prof. Linda Mëniku, Arta Marku dhe Marsida Jarani.