Borxhi i brendshëm dhe i jashtëm publik i Shqipërisë ka shënuar për herë të parë një shifër më të lartë se 9 miliardë euro. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar shifrat zyrtare të këtij borxhi, sipas të cilave rezulton që, më 31 dhjetor 2019, ai ishte 1 trilion e 112 miliardë lekë. Kjo shifër është e barabartë me 9 miliardë e 137 milionë euro. Një vit më parë, në fund të 2018-ës, kjo shifër ishte 8 miliardë e 972 milionë euro. Pra, në një vit shifra është rritur me 44.5 milionë euro.

Por, duke qenë se në të njëjtën kohë është rritur edhe vlera e përgjithshme e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, rezulton që raporti i borxhit publik me PBB-në në fakt të jetë ulur. Kështu, nga 67.85% që ishte ky raport në fund të vitit 2018, në fund të 2019-ës rezultoi në 65.84 për qind, me një ulje prej dy përqindësh.

Ulja ndaj Prodhimit të Brendshëm dëshmon se strategjia e uljes së shpenzimeve dhe mbajtjes së një deficiti shumë të ulët buxhetor për vite me radhë ka rezultuar pozitive. Por ndërkohë pritet të shihet se ç’efekt do të sjellë prurja e një sasie të madhe kredish e huash, që iu akorduan Shqipërisë më 17 shkurt të këtij viti për rindërtim pas tërmetit, mbi parametrat e borxhit. Sipas disa ekspertëve, tendenca pritet të rikthehet në rritje të shpejtë, duke e çuar raportin borxh publik/ PBB në mbi 70 për qind.