Janë 17 projekte të financuara me grante dhe kredi kryesisht nga Banka Botërore, por jo vetëm, të cilat do të kalojnë në sitën e një audituesi të pavarur për të parë mënyrën sesi janë zbatuar. Kjo procedurë vjen me kërkesë të Ministrisë së Financave, e cila ka kërkuar që raporti i audituesit të përfundojë brenda vitit 2017.

Sipas dokumenteve të Financave, objektivi i auditimeve të pasqyrave financiare të projektit (PFP) është që të mundësojë audituesin të shprehë një opinion profesional mbi pozitën financiare të projektit, në fund të 31 dhjetor 2016 dhe mbi të ardhurat dhe shpenzimet për periudhën kontabël të përfunduar në atë datë.

Librat kontabël të projektit sigurojnë bazën për përgatitjen e pasqyrave financiare dhe krijohen për të reflektuar transaksionet financiare në lidhje me të.

Audituesi do të shohë në detaj nëse janë respektuar siç duhet paratë e marra hua duke bërë krahasim me kushtet e rëna dakord në marrëveshje, do të vlerësojë termat e referencës mbi të cilat janë kryer prokurimet, si dhe rishikim të deklaratave të pajtueshmërisë.

Qeveria shqiptare, vetëm pak kohë më parë ngriti, një strukturë të veçantë që do të ketë nën mbikëqyrje projektet që financohen me grante dhe hua të siguruara nga institucionet Financiare ndërkombëtarë.
 
Lista e projekteve që do të auditohen
Nga të dhënat e bëra publike nga Ministria e Financave pritet që të auditohen projekte nga sektori i energjisë deri tek infrastruktura dhe shëndetësia. Konkretisht më poshtë është lista e plotë e projekteve.

Plani për Rimëkëmbjen e Energjisë

Projekti për Shërbimet Mjedisore

Projekti i Investimeve  në sektorin e Ujit

Projekti për Burimet Ujore dhe Ujitjen

Projekti për Modernizmin e Asistencës Sociale

Projekti i Mirëmbajtjes së rrugëve me bazë performancën

Qendërzimi i Shërbimeve publike për qytetarët

Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor

Ndërtimi i kapaciteteve dhe mbështetja e IPS

Projekti për Prokurimet publike

Rritja e kapaciteteve mbikëqyrëse të AMF

Përmirësimi i raportimit financiar

Projekti i Rrugëve Dytësore dhe Lokale

Projekti i Furnizimit me Ujë të Zonave Rurale

Projekti i Punëve ne Komunitet, Faza IV “Zhvillimi i Alpeve Shqiptare dhe Zonave Bregdetare”

Projekti i Furnizimit me Ujë të Zonave Rurale- faza III

Fondi Shqiptar i Zhvillimit si Entitet

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com