Financat, ripërtërihet më
2015 eurobondi 500 mln euro

TIRANE- Zgjidhja e problemeve më të ngutshme financiare të vendit duket se është siguruar. Shqipëria mund të sigurojë vitin tjetër 500 milionë euro nga emetimi i eurobondit të dytë hë historinë e financave shqiptare. Kjo është pohuar nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, gjatë një prononcimi dje për agjencinë “Reuters” në Vjenë. “E kemi të domosdoshme të marrim 300 milionë euro. Por, mund të marrim deri në 500 milionë. Kjo do të varet nga situata”, ka thënë Cani. “Ne mund ta marrim këtë shumë si kredi, apo si eurobond. Kjo është një çështje e hapur”, u shpreh ministri i Financave.

Kjo do të jetë hera e dytë që Shqipëria del në tregjet financiare ndërkombëtare me letra me vlerë në euro. Shqipëria emetoi një eurobond me vlerë 300 milionë euro në vitin 2010, që rezultoi me me një përqindje interesi në masën 7.5%. Duke qenë se eurobondi i parë pesëvjeçar përfundon ciklin vitin e ardhshëm, duket se qeveria Rama nuk dëshiron të heqë dorë nga një shifër e tillë. Pra, ajo do të rinovojë shumën prej 300 milionë eurosh, duke paguar edhe interesin përkatës për blerësit e këtij eurobondi, nëpërmjet nxjerrjes së një eurobondi të dytë. Por, sipas Canit, shifra mund të jetë edhe më e madhe se 300 milionë euro, vetëm se një gjë e tillë do të përcaktohet në përputhje me nevojat e Financave vitin e ardhshëm.

Deri tani, qeveria ka siguruar një shifër prej 330.9 milionë eurosh për tre vjet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Po kështu, përfaqësuesit e Bankës Botërore, që nënshkruan këto ditë në Tiranë 220 milionë dollarë kredi të buta, njoftuan se për dy vjet BB do t’i akordojë 600 milionë USD Shqipërisë. Në qoftë se sigurohen edhe 500 milionë euro nga eurobondi, në total për pak vite në arkën e shtetit do të hyjnë kështu deri 1.3 miliardë euro.

Kjo është një shifër e konsiderueshme për vendin, sidomos në gjendjen kur prej vitesh ishin bllokuar pagesat e punëve të kryera nga biznesi privat. Veç kësaj, me përjashtim të eurobondit, huatë e tjera nga ndërkombëtarët janë me interesa shumë të ulta dhe periudha të gjata shlyerjeje. Megjithatë, administrata fiskale do të duhet të lëvizë më shumë energji, për të mos lejuar rritjen e borxhit në mënyrë drastike.

Ndërkohë, fondet e siguruara duhet të kalojnë sa më parë edhe në investime, të cilat janë bllokuar për të bërë të mundur uljen e deficitit buxhetor. Deri tani, Doganat dhe Tatimet kanë prezantuar shifra pozitive të realizimit të të ardhurave. Nga ana tjetër, përveç shlyerjes së detyrimeve të lëna nga qeveria e mëparshme, Ekzekutivi duhet të përcaktojë sa më parë nëj strategji të rritjes së shpenzimeve kapitale, që do të ishte e vetmja e efektshme për të përballuar rritjen e borxhit publik, që mund të shkojë 83% të PBB, sipas Bankës Botërore.

Pa një strategji të tillë, rritja e borxhit do të rezultonte mbytëse për financat publike. Deri tani, duket se qeveria është impenjuar tërëissht në gjetjen e fondeve për të dalë nga rreziku i kolapsit financiar.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Kush janë ministrat e qeverisë Kurti që u pasuruan më shumë

Kush janë ministrat e qeverisë Kurti që u pasuruan më shumë