Arisa Cane, administratorja e Oshis (Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit) shoqërisë aksionere me pronar Ministrinë e Shëndetësisë, është shkarkuar nga detyra. Vendimi është marrë të premten nga ministrja e re Klodiana Spahiu. Kjo duhet të ketë qenë firma e pare, që Spahiu ka hedhur në funksionin e ri, pak pasi të njejtën ditë, bëri betimin te presidenti i Republikës Bajram Begaj.

Vendimi i rrufeshëm për shkarkimin e Canes, 24 orë pasi u shpall fituesi i garës për shërbimin e hemodializës, procedurë e cila mbante vulën e Oshis-it, e duket të jetë prologu që mund të çojë drejt anullimit të tenderit. Report Tv ka mësuar se kryeministri Edi Rama ka kërkuar një verifikim të imtësishëm të të gjithë hapave të tenderit, nën dyshimet për parregullsi.

Gara u fitua për 4.4 miliard lekë (pa TVSH) nga e njejta kompani Daverium AB, e cila në vitin 2019 kishte blerë kompaninë DiaVita, fituese e koncensionit 10 vjeçar të hemodializës, në pronësi të Spitalit Amerikan.

E gjithe procedura kishte ngritur një sërë pikëpyetjesh. Ajo kishte nisur vetëm pak ditë pasi ministrja tanimë e dorëhequr, Evis Sala kishte deklaruar publikisht se këtë shërbim pas përfundimit të koncensionit në tetor të këtij viti, do ta realizonte shteti. Dhe po atë ditë, më 30 korrik, qeveria kishte marrë vendimin që Oshis të kthehej në Operatorin e shërbimeve të integruara shëndetësore, (Oshish) duke patur si objekt të ofronte edhe shërbimin e dializës dhe atë të check-up, kontrollit mjekësor bazë. Por ky vendim nuk është reflektuar ende në Qendrën kombëtare të biznesit, dhe Oshis kishte hapur kështu, një garë për një aktivitet që nuk është në objektin e veprimtarisë së vet.

Nga ana tjetër, vlera e lartë e fondit të garës nuk mund të mos ngrinte dyshime. Nëse në 2016, koncensioni i hemodializës u dha për 7.2 miliard lekë për 10 vjet, pra mesatarisht 720 milionë lekë në vit, këtë herë vetëm për 4 vjet, u dha me një vlerë prej 4.4 miliard lekësh (pa TVSH) ose mesatarisht 10.1 miliard lekë në vit, në një kohë kur tanimë, ofruesit të këtij shërbimi, nuk do t’i duhet të investojë për pajisjet. Ssipas kushteve të garës, do të trashëgojë të gjithë infrastrukturën e gatshme. Në një panormaë të tillë, të paqarta mbetën dhe detajet e tenderit, për të kuptuar mbi cilat argumenta ishte bazuar përllogaritja e kostovo të rritura ndjeshëm.