Fiskalizimi/ Bizneset e vogla në Shkodër: Të shtyhet me 5 vite për kategorinë tonë, po falimentojmë, mos bëni eksperimente me ne

250 biznese të vogla të Zdrales në Shkodër kërkojnë nga Ministria e Financave shtyrjen me 5 vite të procesit të fiskalizimit për biznesin e vogël dhe mos penalizmin e këtij biznesi. Për tregtarët e Zdrales procesi i fiskalizimit sjell kosto të mëdha shtesë që nuk janë në gjendje t'i përballojnë dhe mund t'i çojnë drejt falimentimit.  Ato shprehen se ky proces i iniciuar nga Ministria e Financave rëndon në xhepat e biznesit. Kreu i Sindikatës së biznesit të vogël në Shkodër, Albert Tukaj shprehet se i ka kërkuar Ministrisë së Financave shtyrjen e këtij procesi për këtë kategori, ndërsa thekson se me ta po bëhet ping-pong ku Bashkia Shkodër dhe Ministria e Financave ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës, ndërkohë që tregtarët enden rrugëve pa marrë zgjidhje. Tukaj tha se biznesi i vogël në vendin tonë është biznes social dhe familjar dhe është e pafalshme që të bëhen eksperimente me këtë biznes, ku shumica mezi paguan edhe sigurimet shoqërore dhe taksat që aktualisht kanë.

"Kemi dërguar shkresë Ministrisë së Financave për fiskalizimin dhe ajo më kthen përgjigje se e ka në përgjegjësi Bashkia Shkodër, bëjnë ping-pong me ne. Kjo nuk është përgjegjësi e Bashkisë Shkodër, por e qeverisë shqiptare.  Në kemi kërkuar mos penalizmin e biznesit të vogël deri në  2 milionë lekë në vit dhe e dyta të shtyhet kjo teknologji për biznesin e vogël deri në 5 vite. Ne nuk jemi kundër kësaj teknologjie, por biznesi i vogël në Zdrale nuk ka kushtet teknike dhe territoriale për instalimin e këtyre aparaturave", tha Tukaj.

Edhe tregtarët e Zdrales shprehen se e kanë të pamundur kostot e reja që u shtohen nga fiskalizimit dhe se kjo do i çojë në falimentim. Ata shprehen se janë duke mbijetuar në treg dhe se pandemia i goditi rëndë, dhe nuk mund të përballojnë edhe taksa të reja.

"Këtu në treg është një mbijetesë, ne jemi të vetëpunësuar dhe të na shtohen të gjitha këto taksa është fatale për ne. Unë e shoh jashtëzakonisht të vështirë fiskalizimin dhe shtimin e  taksave të tjera, është  një biznes i vogël që funksionon në mbijetesë. Kjo është fatkeqësi e madhe", tha një tregtar

"Procesi i ri i fiskalizimit na dëmton shumë , dëme që na sjell edhe në raport me gjendjen se ku ndodhemi, edhe tarifat e tjera që janë ekzistuese për biznesin tonë janë rritur krahasuar me disa vite më parë. T'i shtojmë edhe këto të tjera do na çojnë në falimentim. Madje ka filluar ku ka shumë biznese që janë mbyllur përfundimisht ose pezulluar për momentin. Ky proces i fiskalizimit e fundos biznesin e vogël", tha një tjetër tregtar.

Nga 1 shtatori 2021 ka nisur faza e tretë e Fiskalizimit për transaksionet Biznes-Konsumator. Më shumë se 78 mijë biznese duhet të lëshojnë fatura të fiskalizuara për çdo shitje që ju bëjnë qytetarëve. Kjo është faza e tretë e këtij procesi për transaksionet me para në dorë midis bizneseve dhe konsumatorëve.

Për të nisur procesin bizneset duhet të jenë të pajisura me certifikatë elektronike për fiskalizim të lëshuar nga AKSHI, dhe deri më tani janë lëshuar 53.492 certifikata. Po ashtu bizneset duhet të kenë një pajisje elektronike (kompjuter, laptop apo tablet), të zgjedhin një softuer të certifikuar, një mirëmbajtës të softuerit, një printer të thjeshtë dhe internet të pandërprerë. Ndërkohë bizneset e vogla mund të vijojnë të përdorin portalin Self Care. Nëpërmjet kësaj reforme administrata tatimore merr informacion në kohë reale për të gjitha transaksionet që kryhen, dhe mbi to realizon analizat e riskut mbi bizneset.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Franca dhe Gjermania arrijnë marrëveshje për “tanket e së ardhmes”

Franca dhe Gjermania arrijnë marrëveshje për “tanket e së ardhmes”