Besimtarët muslimanë në të gjithë Shqipërinë festuan festën më të rëndësishme në kalendarin islamik Fiter Bajramin.

Mijëra qytetarë iu bashkuan faljes së madhe të Namazit në qendrat e qyteteve për të mbyllur muajin e madhërueshëm të Ramazanit. Pas atmosferës së ngrohtë festive , gëzimi i kësaj dite vijon me shtrimin e tryezës së Fiter Bajramit. 

11:00 Fiter Bajrami në Kavajë qindra qytetarë u mblodhën në xhaminë e qytetit

Edhe në qytetin e Kavajës besimtarët muslimanë u mblodhën në orët e para të mëngjesit për të bërë faljen e Namazit. Fjalën përshëndetëse e mbajti myftiu Besnik Lecini. Në fjalën e tij myftiu përcolli mesazhin që sjell festa e Fiter Bajramit, begati, mirësi, harmoni dhe vllazërim. 

10:00 Fiter Bajrami në Fushë Krujë, falja u mbajt nga imami i xhamisë Ledion Cikalleshi

Pas një muaj argjërimi e sakrifice edhe në Fushë Krujë,  qindra besimtarë musliman janë falur në xhaminë e madhe në qendër të qytetit. Falja është drejtuar nga imami i xhamisë së Fushë Krujës Ledion Cikalleshi. Pas faljes së Namazit besimtarët kanë uruar njëri tjetrin e për të vazhduar me festën tradicionale në familje.

09: 35 Fiter Bajrami në Vlorë, qindra besimtarë në dy xhamitë kryesore të qytetit 

Qindra besimtarë myslimanë kanë festuar mëngjesin e sotëm Fiter Bajramin. Besimtarët kanë kryer faljen e Namazit në dy xhamitë kryesore në qytetin e Vlorës, në xhaminë e Plumbit dhe në xhaminë e Kuqe. Pas faljes së Namazit, besimtarët kanë uruar njeri tjetrin për një vit të begatë dhe plot harmoni.

09:23 Fiter Bajrami në Kukës, myftiu Islam Hoxha: Bajrami, vjen pas një sakrifice të madhe të besimtarëve

Besimtarët myslimanë  të Kukësit  kremtojnë sot  festën e Fiter Bajramit. Kjo festë nisi që në orët e para të mëngjesit, me faljen e Fiter Bajramit, falje e cila u krye në ambientet e dy xhamive të qytetit të qytetit dhe fshatrave, ndërsa janë përshëndetur  nga myftiu i Kukësit,Islam Hoxha. Myftiu Hoxha ka thënë se ky Bajram vjen pas një sakrifice të madhe që e kanë bërë të gjithë besimtarët i cili është vetëm për Zotin e madhërishëm.
Festa e Fiter Bajramit në qytetin e Kukësit ka  vijuar me vizitat që Myftinia e rrethit ka pritur pranë ambienteve të Myftinisë. Myftiu Islam Hoxha, ka pritur urime nga pushtetarë lokalë dhe partive politike . 

09:00 Fiter Bajrami në Durrës, Imami Ervin Qylafi: Më shumë dashuri dhe mirëkuptim për njëri tjetrin

Besimtarët myslimanë në qytetin e Durrësit kanë festuar sot festën e Fitër Bajramit, pas 30 ditëve agjërim, lutje dhe adhurime. Falja e Namazit u mbajt në xhaminë e madhe në qendër të qytetit bregdetar. Fjala e hapjes është mbajtur nga Imami Ervin Qylafi i cili bëri thirrje për më shumë dashuri dhe mirëkuptim për njëri tjetrin.  Paqja dhe harmonia, kontributi ndaj atdheut, ndihma ndaj njerëzve në nevojë duhet të jenë parimet e kujtdo e veçanërisht të besimtarëve myslimanë është shprehur Imami.



bajrami durres

bajrami durres

bajrami durres

bajrami durres

08:27 Fiter Bajrami në Elbasan, myftiu Agim Duka: Aktet terroriste vepra të mendjeve të sëmura

Me mijëra besimtarë kanë falur Bajramin në qendër të qytetit të Elbasanit. Rreth orës 6: 00 kanë qenë të pranishëm në shesh besimtarë dhe imamë të xhamive duke nisur kështu ditën e shënuar me faljen për të vazhduar me festën tradicionale në familje.

Fjala e hapjes është mbajtur nga myftiu Agim Duka. Duke e cilësuar agjërimin një prej shtyllave kryesore të besimit, myftiu Duka theksoi se ky muaj ka qenë muaj lutjesh për besimtarët në të gjithë botën për integritetin fizik dhe shpirtëror si dhe për të gjithë viktimat e akteve terroriste. Ai ka bërë thirrje për distancim nga ekstremizmi i dhunshëm duke i quajtur aktet terroriste vepra të mendjeve të sëmura.

Falja e Bajramit është bërë në sheshin kryesore ku është vënë re prania edhe të shumë femrave.