Është më kollaj të thuash fjalën e keqe, të shëmtuar, pa filtra. Del ashtu siç të vjen në mendje. Në mendjen tënde ama, e formuar nga sa ke parë, nga sa ke lexuar, nga sa ke dëgjuar, nga sa ke mësuar... Në rastin më të mirë. Pa menduar se sa thua është e qëllimshme, për manipulim. Qytetërimi është stërmunduar për të hequr barbarinë dhe fjalën e keqe nga errësira e misterit tonë. Është lodhur, por nuk është dorëzuar. Fjala e keqe nuk të lë kohë të mendosh, nuk të lë kohë të presësh, nuk të lë kohë të logjikosh. Fjala e keqe çorienton edhe më të duruarin në botë.

Në këtë kohë kaosi mes nesh, si të ishte një fushë e lënë e pakujdesur, e braktisur, e pakultivuar, fjala e keqe është përhapur si barërat që nuk kanë të bëjnë me ushqimin tonë. Pritej kjo gjë dhe social mediat e inkurajojnë. Tridhjetë vite postdiktaturë, tridhjetë vite mbjellje e mirëmenduar e përhapjes së fjalës së keqe, nxjerrin në dritë farën që u hodh. E mijërafishuar në reel-sa, postime, foto, video nga rrjeti që si një gjigand barkmadh nuk ka të ngopur me to.

Në Shqipëri nuk jemi kujdesur shumë për ata që mbollën farën e fjalës së keqe. I kemi toleruar me indiferencën tonë tipike për të mos u kujdesur për gjërat e padukshme, por të rëndësishme. Dhe sot ankohemi se veshët tanë çfarë nuk po dëgjojnë. Fjala e mirë kërkon punë, kërkon seleksionim, kërkon verifikim, kërkon maturi, kërkon dije, por sidomos, që të përhapet, ashtu si gruri në mes barërave të këqinj, kërkon terrenin e përshtatshëm që të mbijë e të rritet.

Disa habiten se si shqiptarë të bukur si drita arrijnë të artikulojnë në publik më të shëmtuarën që një mendje njerëzore mund ta thotë: Fjalën e keqe e lindur si ushqim i manipulimit të bërë në gjithë këto 30 vite nga “specialistët” më të mirë. Disa habiten se si “bari i keq” i dizinformimit, i shpifjeve, i ligësisë, i imponimit, i agresivitetit, lindi pikërisht në momentin kur për herë të parë në Shqipëri një tjetër institucion i pavarur po niste të merrte frymë lehtësisht.

Drejtësia. Po, vetë Drejtësia që në Shqipëri ishte mbuluar me barishtet e ferrat më të tmerrshme që mund të shiheshin ndonjëherë në Glob, nisi të formonte shtyllën e saj kurrizore duke çarë mes të pamundurës e duke vënë pasqyrën e një shoqërie që kemi ndërtuar ne shqiptarët në liri.

Kaosi që shohim, është mbjellja që kemi bërë të pakujdesur se ç’mund të lindte mes nesh. Kur njerëzimi kujdesej të mos dukej barbar që në antikitet, cila është detyra jonë sot? A mund të shpëtojmë grurin, të mirën që është e mbytur mes barërave të këqinj që disa i hodhën dhe i hedhin me shumicë, pa u kursyer, mes nesh?

Në Serbi studentët e kuptuan këtë dhe si një magji që nuk ndodh përherë në një vend, nxorrën më të mirën nga kaosi dhe më e mira mes tyre doli në dritë për të pritur se si do të rritet dhe kultivohet. Sepse, si përherë, e mira kërkon më shumë punë, më shumë përkushtim, më shumë dituri, më shumë durim e zgjuarsi. Dhe e mira, për një individ ashtu si dhe për një popull,e ka një fillim: nis përherë me fjalën e mirë.