Fjala e Kreut të Kuvendit Ilir Meta për Reformën Territoriale

Nuk mund të mos shpreh zhgënjimin tim të thellë për reagimin tepër emocional dhe aspak konstruktiv, aspak principal të Kryetarit të Partisë Demokratike, z. Basha, menjëherë pas vendimit të bërë publik nga Gjykata Kushtetuese, e cila në mënyrë tepër bindëse u shpreh për kushtetutshmërinë e reformës administrative - territoriale që ishte kontestuar nga ana e Partisë Demokratike. Është një zhgënjim i thellë që vjen nga z. Basha, besoj për të gjithë ata të cilët për muaj të tërë kanë dëgjuar prej tij dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike, si kërkesë kryesore, si pretendim kryesor, pikërisht insistimin për t’u respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese nga ana e mazhorancës, dhe pikërisht në një moment kur Gjykata Kushtetuese jep vendim të qartë i cili nuk shkon në drejtim të dëshirës dhe të kërkesës së Partisë Demokratike, kemi një kundërshtim të këtij vendimi.

Jo vetëm kaq, por edhe reagime vërtetë destruktive të cilat tregojnë qartë se opozita e jonë ka nevojë të bëhet më e përgjegjshme, ka nevojë të bëhet më parimore . Nuk duhet të akuzojë mazhorancën për standarde të dyfishta,

ndërkohë që vetë aplikon standarde të dyfishta. Pra, kërkon respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, kur ato shkojnë në interesin e saj politik dhe kur Gjykata Kushtetues jep vendime të cilat nuk shkojnë në përputhje me interesin e saj politik, atëherë ajo del kundër këtyre vendimeve. Kjo nuk është një situatë aspak serioze. Së dyti më duhet të shpreh keqardhjen për kujtesën e dobët gjithashtu edhe të z. Basha, i cili pretendon se opozita është e përjashtuar nga procesi i realizimit të reformës administrative territoriale, kur të gjithë qytetarët shqiptarë, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë asistuar për këtë reformë, e mbajnë mend se si asnjëherë tjetër për një reformë të rëndësishme, opozitës iu dhanë mundësitë maksimale për të patur një rol përcaktues, një rol të barabartë me shumicën.

Pra, u krijua një komision parlamentar me 16 anëtarë, 8 nga mazhoranca, 8 nga opozita , me dy bashkëkryetarë, një nga mazhoranca dhe një nga opozita. Dhe për muaj të tërë opozita e bojkotoi këtë komision me pretendimin se mazhoranca gjoja kishte fiksuar një hartë të sajën të ndarjes elektorale. Dhe më pas, kur ky komision paraqiti pesë variante të ndryshme, ku iu dha përsëri opozitës që të zgjidhte një nga pesë variantet, përgjigjja e tyre ishte që do të paraqisnin variantin e tyre, pra variantin e Partisë Demokratike dhe për këtë organizuan edhe një Konventë të Partisë Demokratike për reformën administrative - territoriale ku ftuan edhe përfaqësues nga mazhoranca. Dhe ju e mbani mend shumë mirë, që përfaqësues të mazhorancës, z. Fino si bashkëkryetar i komisionit dhe z. Vasili si anëtar i këtij komisioni morën pjesë pa asnjë paragjykim në këtë Konventë të Partisë Demokratike për reformën administrative - territoriale, shpjeguan punën dhe konceptin e deriatëhershëm të komisionit dhe njëkohësisht e ftuan opozitën që të jepte alternativën dhe opsionin e saj.

Ne pritëm përsëri që Partia Demokratike të sillte një variant të saj përtej pesë opsioneve të ofruara nga ana e komisionit parlamentar për reformën administrative - territoriale. Por kjo gjë nuk ndodhi asnjëherë, sepse i vetmi opsion për fat të keq i Partisë Demokratike ka qenë dhe mbetet zero reformë administrative – territoriale, që do të thotë për fat të keq, jo thjesht “status quo”, por degradim i standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë. Ndërsa lidhur me pretendimin fare absurd se kjo reformë qenka bërë për të

caktuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve, duke numëruar se sa bashki janë bërë në jug, sa janë bërë në veri dhe sa janë bërë në Shqipërinë e mesme dhe sa janë bërë në juglindje dhe në veriperëndim, mendoj se të gjitha këto janë qesharake. Ne e dimë të gjithë se këto janë zgjedhje vendore, këto nuk janë zgjedhje politike. Përsa i takon zgjedhjeve politike, nuk ka asnjë ndryshim. Shqipëria mbetet me 12 qarqe, siç kanë qenë edhe më parë, me konsensus të plotë midis dy palëve dhe nuk ndryshon asnjë gjë. Përkundrazi, ndërsa nëse do të ishte dikush i favorizuar sa i takon ndarjes administrative - territoriale, pra nga harta, më e favorizuar nga të gjithë është opozita dhe personalisht z. Basha. Pse do të thoni ju? Sepse janë ata që kanë Bashkinë e Tiranës dhe Bashkia e Tiranës është dyfishuar në saj të kësaj reforme me atë që është sot. Dhe askush nuk e pengon që të rizgjidhet dhe të rifitojë këtë bashkia, e cila është e barabartë me të gjitha bashkitë e jugut apo të veriut të Shqipërisë. Pra, pretendime të tilla janë mëse absurde nuk impresionojnë asnjë dhe unë dot ftojë z. Basha dhe partinë Demokratike që të vazhdojnë të mbeten principal, të kërkojnë respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe natyrisht duhet të japin shembullin për këtë gjë.

Pyetje nga gazetarët

Z. Meta, sa të besueshme do të ishin zgjedhjet nëse opozita nuk do të merrte pjesë?

Zgjedhjet absolutisht që do të jenë të besueshme, sepse askush nuk do ta pengojë opozitën që të marrë pjesë në zgjedhje përveç vetes së saj dhe në çdo rast do të ketë kandidatë alternativë, kandidatë opozitarë, ja i bindur për këtë gjë. Kështu që të jeni të sigurt se ne e inkurajojmë opozitën të marrë pjesë, ne nuk e dekurajojmë. Dhe e theksoj edhe një herë tjetër, përfituesi më i madh i kësaj harte është vetë z. Basha, sepse ai është Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Dhe Bashkia e Tiranës dyfishohet. Bashkia e Tiranës është e barabartë me të gjitha bashkitë e tjera të Shqipërisë së bashku, nga veriu nga jugu e kudo. Kush e pengon z. Basha të fitojë përsëri? Kush e ka Bashkinë e Tiranës? A e ka PD-ja, a e ka z. Basha? A është dyfishuar? Atëherë të gjitha këto historitë e tjera nuk janë serioze, le ta hedhim vështrimin tani nga 21 qershori.

A do të ketë kandidaturë nga LSI-ja për Bashkinë e Tiranës?

Është ende herët, por të gjitha forcat politike do të kandidojnë, sepse përveç mazhoritarit partitë do të votohen edhe në proporcional për këshillat.

Z. Meta, a po shfaqet mazhoranca me qëndrime të kundërta lidhur me dekretin e Presidentit të Republikës për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Ju e keni cilësuar atë kushtetues, ndërsa Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, z. Erjon Braçe, thotë se ky dekret është antikushtetues dhe antiligjor, ndërsa deri në këto momente Kryeministri Rama ka heshtur për këtë çështje...

Ky është një dekret që do të bëjë udhëtimin e tij, sipas procedurave parlamentare dhe në fund Parlamenti do të shprehet në mënyrë të qartë. Fakti që ka mendime të ndryshme për mënyrën se si është proceduar në raport me Kushtetutën, në raport me ligjin e Bankës së Shqipërisë, kjo do të thotë që Parlamenti funksionon dhe vazhdon të jetë një qendër e rëndësishme debati. Më pas, debati do të jetë ai që do të bëhet publik për të gjithë e që nuk duhet paragjykuar që tani. Ndërsa ditën e premte do të zhvillohet seanca dëgjimore për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të bankës.

A po vazhdoni me negociatat për rikthimin e opozitës në Kuvend apo i keni ndalur ato? Ndoshta edhe për shkak të zhvillimeve të djeshme, ndoshta edhe për shkak të futjes në axhendën parlamentare të ligjeve me shumicë të cilësuar si “nëpunësi”, “gjykata e lartë”, çështje që kanë shqetësuar opozitën?

Opozita është e mirëpritur në çdo moment, ne i kemi respektuar dhe do t’i respektojmë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe atë të djeshmin.

Z. Meta, ju folët për zgjedhjet e qershorit ndërkohë që kemi ende një KQZ të paformatuar dhe një mazhorancë e papërfaqësuar në të. Kur do të merret vendim dhe kur do të plotësohen vendet e mazhorancës në këtë komision?

Besoj në momentin e duhur, sa më shpejt që të jetë e mundur po kjo është një çështje e cila nuk pengon funksionimin normal të këtij institucioni pavarësisht se është e rëndësishme që ai të kompletohet.

Do të kompletohet apo do të riformatohet z. Meta?

Sigurisht, që kjo është një gjë që do të shikohet dhe do të vlerësohet në përputhje me ligjin, në përputhje me Kushtetutën. E rëndësishme është që të gjithë të marrin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS