Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave

Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave
Përshëndetje, të gjithë juve që ndiqni mbledhjen e fundit të këtij kabineti, pas dy mazhorancash. Kjo është mbledhja e 425 në tetë vite, në të cilat janë miratuar 7255 ligje dhe vendime, nga këto 5960 vendime, 1292 ligje, 47 akte normative, të cilat kanë përbërë infrastrukturën ligjore të të gjitha reformave në të gjitha fushat.  Kanë përbërë infrastrukturën ligjore të të gjitha marrëdhënieve bilaterale dhe multi-bilaterale të Shqipërisë me vendet partnere mike dhe institucionet ndërkombëtare. Në këto 7255 akte ligjore dhe nënligjore, dhjetëra mijëra faqesh  është shkrirë mundi, djersa, përkushtimi profesionalizmi, pasioni, i punonjësve të administratës shqiptare, por dhe specialistëve të huaj, është shkrirë mundi dhe djersa e punonjësve të institucioneve të këtij shteti.  Kurrë ndonjëherë në historinë e vendit në tetë vite, nuk është ndërtuar, konsoliduar një infrastrukturë e tillë ligjore e reformave, e bashkëpunimit, e angazhimit të Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar.
Të dashur qytetarë dhe qytetare.
Duke shprehur respektin tim të madh për ju, mirënjohjen më të thellë për besimin tetë vjeçar që i bëtë mazhorancës së Partisë Demokratike, dua të theksoj se që ditën e parë, të mazhorancës së kësaj partie dhe deri më sot, dy kanë qenë objektivat e të gjitha objektivave. Dy kanë qenë qëllimet e të gjitha qëllimeve.
Me bindjen më të thellë se ato ishin dhe interesat më jetike, të çdo fëmijë, të riu, gruaje, burri të moshuari të këtij vendi.  Këto dy objektiva ishin dhe mbeten, së pari  integrimi i Shqipërisë në institucionet europiane dhe euro-atlantike dhe së dyti  objektivi tjetër Shqipëria vend i zhvilluar.
Tetë vjet më parë procesi i integrimit të Shqipërisë ishte i ngrirë, ishte i paralizuar dhe kjo jo për shkak të partnerëve apo institucioneve ndërkombëtare, por para së gjithash dhe mbi të gjitha, për shkak të papërgjegjësisë së atyre që qeverisnin, të cilët çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, vendosnin interesa meskine të pushtetit të tyre, mbi këto interesa jetike të qytetarëve shqiptarë dhe të kombit shqiptarë.
Shqipëria kishte hapur negociatat për marrëveshjen e stabilizim-asociimit, por firmosja e saj shndërrohej në një horizont që largohej gjithnjë e më shume, sepse ajo nuk bënte zgjedhje të lira, por bënte zgjedhje të dhunuara, sepse ajo nuk luftonte korrupsionin, por konsolidonte sistemin e korrupsionit, sepse ajo nuk luftonte krimin e organizuar, por pushteti bashkëjetonte me bandat më të rrezikshme të Europës dhe në Europë botoheshin njëri pas tjetrit vëllime, kronika, për mafien shqiptare, si mafia më e rrezikshme e kohës. Këto ishin faktorë dhe rrethana, të cilët kishin ngrirë procesin e integrimit europian dhe procesin e integrimit euro-atlantik.
Në guxim të madh, me vendosmërinë dhe me besim të palëkundur në procesin e integrimit, si e ardhmja më e shkëlqyer shqiptare, ne ia dolëm  në një afat kohor të shkurtër  dhe jo pa vështirësi, sepse ne erdhëm në pushtet në një periudhë kur entuziazmi për zgjerimin  e Bashkimit Europian kishte rënë. Ne erdhëm në pushtet në një kohë kur, ishin shfrytëzuar në maksimum pamundësitë e shqiptarëve brenda në Shqipëri për të shtjelluar perspektivën europiane të vendit. Megjithatë vendosëm dhe proceduam me zbatimin e ligjit, proceduam me të gjitha potencialet tona me funksionimin e shtetit ligjor dhe arritëm në vitet e para të qeverisjes të firmosin marrëveshjen e stabilizim- asociimit kontratën më të madhe, që kombi shqiptarë kishte firmosur në shekuj me vendet europiane.
Pas firmosjes  së saj duhej të fitoje besimin të 27 parlamenteve të vendeve anëtare, që ata të votonin e ta ratifikonin. Në reforma të thella, në punë serioze, në lobim të fuqishëm ne ia dolëm që në një kohë normale marrëveshja e stabilizim-asociimit të Shqipërisë, në Bashkimin Europian të ratifikohej nga të gjitha parlamentet e vendeve anëtare.  Mbi bazën e sukseseve të arritura, në kundërshtim edhe me opinione të ndryshme, kërkesa jonë për anëtarësim përfundimtarë në Bashkimin Europian u pranua , natyrisht në ujdi nga të gjitha vende nga presidenca çeke.
Në vazhdim, duke vlerësuar përpjekjet dhe reformat tona, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian vendosi  që të autorizojë komisionin për ti dhënë pyetësorin Shqipërisë. Dokument ky, i  ndërtuar mbi 2284 dhe 2000 nën pyetje, i cili kishte vetëm një qëllim, të testonte  a ishin të afta institucionet shqiptare të trajtonin procesin e integrimit të vendit të tyre.
Pyetësori u trajtua në mënyrën më serioze nga të gjitha institucionet  e këtij shteti, u përgatiten të gjitha përgjigjet, të cilat në Komisionin Europian morën vlerësimin pozitiv. Ndërkohë Parlamenti Europian vendosi të hapet për Shqipërinë heqja  e përkohshme  te vizave, 90 ditore, me Bashkimin Europian. Vendim, të cilin e mbështeti Komisioni Europian dhe i dorëzoi Shqipërisë udhërrëfyesin në mandatin e dytë për heqjen e vizave. Natyrisht kërkesat ishin nga më të rreptat.
Të dashur qytetarë dhe qytetare.
Në të gjithë karrierën politike dhe sa të vazhdoj të merrem me politikë, kurrë ndonjëherë, nuk i kam kërkuar asnjë miku, asnjë zyrtari të huaj atë që nuk na takon.  Ka qenë dhe është një parim i prerë i imi. Një skepticizëm i madh ekzistonte për vizat . Në mendjen e zyrtareve të vendeve të Bashkimit Europian, por edhe institucionet europiane nuk ishin shlyer akoma eksodet masive  të shqiptarëve.  Megjithatë pavarësisht nga këto, vendimet për Shqipërinë ishin pozitive, kërkesa jonë ishte vetëm një; -  urdhëroni në Shqipëri të verifikoni zbatimin e të gjitha kërkesave të udhërrëfyesit nga autoritet shqiptare. Mbetem  me shumë mirënjohje ndaj qeverive dhe kryeministrave, personaliteteve të vendeve anëtare, të cilët e mirëpriten këtë qëndrim, dërguan përfaqësuesit e tyre, të cilët u kthyen me mendimet më pozitive, me mendime që si kishin para se të vinin dhe vizat u hoqën për shqiptarët, kjo përben një arritje tjetër për ta, arritja e jetës, përbën një nga  hapat e mëdha në procesin e integrimit. Asnjë komb nuk ka vuajtur për lirinë e vizës sesa shqiptarë , në një kohë kur jetonin të rrethuar me tela me gjemba, në një kohë kur fqinjët tanë nga jugu dhe veriu lëviznin pa viza në Europë.
Pas këtij procesi, problemi i radhës dhe shumë i rëndësishëm mbetej statusi i vendit kandidat. Qeveria bëri gjithçka ndërmori çdo reformë, çdo ligj, akt, vendim për të merituar statusin dhe pavarësisht nga disa ndjesi negative të albanofobëve në pozicione të ndryshme, ne ia dolëm të përmbushim një nga një çdo detyrim, që rrithte nga kriteret, standardet, kërkesat për të merituar statusin e vendit kandidat.
Ndaj dhe dy vjet më parë Komisioni Europian në raportin e  tij në tetor, vendos të rekomandojë Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat dhe lë tre ligje, për të cilët prej shumë muajve më parë ishte arritur plotësisht konsensusi, që ato të votoheshin në parlament  për të finalizuar përfundimisht paraqitjen në Këshillin e Ministrave për diskutim dhënin e statusit të Shqipërisë.
Shqiptarët duhet ta dinë, se për asnjë vend,  nuk ka ndodhur ndonjëherë ta pengohen për tre ligje, për të cilat nuk kishte vakum. Po, ka ndodhur kur është bërë fjala për krime kundër njerëzimit, dënimet e tyre etj, por jo për ligje për të cilat nuk ekzistonte asnjë vakum në legjislacionin shqiptarë. Pavarësisht nga kjo më e paimagjinueshmja ishte që shqiptarët të kundërshtonin votimin e këtyre ligjeve. Nuk ishte e para që u vendosën tre ligjet , pavarësisht nga komenti im, që nuk janë vendosur për asnjë vend, përsëri dua të them dhe të jeni të sigurtë se nuk do të nguroja të shprehja ndryshe mendimi, vendosja e tyre nuk dëmtonte shqiptarë, përkundrazi votimi i tyre  e bënte procesin, një proces tërësisht të pranueshëm . Duke votuar këto ligje të dy palët dëshmonin në Shqipëri përkushtimin dhe angazhimin e tyre për këtë proces jetik, kaq ishte domethënia  e një kushti, të cilin siç dihet u shndërruar në një pengese dhe shtyrje për dy vite me radhë për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Por këto ligje u votuan dhe është në meritën e madhe dhe të padiskutueshme të punës së institucioneve të këtij shteti, të cilët sollën Shqipërinë në fazën në stadit për të marrë statusin e vendit kandidat për të cilin jam i bindur se do ta marrë në dhjetor të vitit që vjen.
Zonja dhe zotërinj.
Në rrugën e integrimit shqiptarë janë përballur me vështirësitë e tyre, më të mëdha sesa kombet e tjera. Nuk ekziston në Europë një politikë armiqësore ndaj shqiptarëve, absolutisht, përkundrazi , kjo është periudha e solidariteti më të jashtëzakonshme në historinë tonë kombëtare të vendeve europiane, kombeve të zhvilluara. Por është shumë e gabuar të mendohet se nuk ekzistojnë  albanofobët.  Harrohet se ndaj këtij kombi përsëri projektohen atavizma,  të cilat eksitojnë në të gjitha nivelet, ekzistojnë në të gjitha institucionet.
Unë nuk them se shqiptarët janë pa të meta, pa defekte, pa probleme, por komb më të mirë mbi tokë nuk ka. Kjo është e vërteta e tyre dhe këtë të vërtet po e faktojnë dhe do ta faktojnë gjithnjë e më shumë. Mirëpo ne në rrugën tonë drejt Evropës na rastisi fatkeqësia në shtëpinë tonë. Si asnjë komb tjetër që ka ëndërruar të bëjë folenë e tij të së ardhmes së tij në Be, ne shqiptarëve na takoi që njëra forcë kryesore politike një herë në qeveri dhe një herë në opozitë të jetë me vullnetin më të ligë në procesin e integrimit, ta ngrijë atë kur ishte në pushtet dhe të bëjë gjithçka publikisht për ta bllokuar atë kur ishte ne opozitë.
Kur ne firmosnim Marrëveshjen e Stabilizim-Asoociimit, Edi Rama fuste trumpeta e bori në Parlament, për ti thënë Europës se ky nuk është parlament, por është një park zoologjik dhe se i tillë është parlamenti shqiptar.
Kur ne lobonim për ratifikimin marrëveshjes së Stabilizim asoociimit, shpërndante letrat tek partitë  e majta dhe partitë ekstremiste të mos e ratifikonin marrëveshjen.
Kur ne ia paraqisnim kërkesën presidencës çeke dhe ai e pranonte pasi kishte marrë konsensusin e vendeve anëtare, kreu i opozitës në Shqipëri e denonconte si një akt elektoral. Kur KE dhe PE votuan për të hapur për shqiptarët perspektivën e heqjes së vizave, kreu i opozitës nguli çadrat para kësaj ndërtese dhe i hoqi ato vetëm kur i thanë miqtë  e tij se vizat nuk i pengon dot.
Kur zbatimi i procesit për heqjen e vizave po avanconte, ai me një grup racistësh albanofobësh në PE, kundërshtonte dhe hapte trillime e shpifje nga më të ulëtat për vendin e vet, duke paraqitur Shqipërinë si çerdhe ekstremizmi, paraqisnin shqiptarët si një popull që do të dyndej prej 800 mijësh drejt tyre, organizonte protesta në mbarë vendin, nën moton “hap kutitë të çlirosh vizat”, por vizat u morën. Kur Shqipëria diskutohej për marrjen e statusit të vendit kandidat, u zhvesh me keq se sa në plazhet publike të botës, nuk dha votën në parlament dhe shtyu statusin për dy vite.
Qytetarë dhe qytetare,
Ju keni votuar, ju e keni dhënë vendimin tuaj dhe me këto fjalë nuk asnjë qëllim tjetër, përveçse asaj që të uroj se personi që votuat dhe që për pak ditë do të ulet në këtë karrige të mos përdorë interesat  e tij meskine, të pushtetit të tij, për të bllokuar në traditën më të keqe, një proces që është jetik për ju, për familjen tuaj, për kombin për vendin në tërësi. Ne qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të procesit të integrimit dhe ju garantoj se edhe në opozitë ne do të jemi promotorë të pamposhtur të këtij interesi dhe të këtij procesi.
Zonja dhe zotërinj,
Shqipëria është një vend i vogël që ka vuajtur me shumë se çdo gjë tjetër për problemet e sigurisë kombëtare. Ka përjetuar pushtime nga më të shumëllojtat. Në këtë aspekt, nuk ka kundërshtim sikundër për çdo komb, por në mënyrë te veçantë për kombin tonë se problemet e sigurisë janë problemet më kryesore, më të rëndësishmet. Këto probleme kanë qënë gjithnjë më kryesoret por janë dhe sot, kur e vërteta është se bota ecën për fat të keq në një trend pasigurie. Ndaj dhe ne axhendën tonë, në fillim të mandatit të parë përcaktuam si kreun e të gjitha punëve tona, përcaktuam si objektivin më madhor, numër 1 të maxhorancës, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Unë dua tu rrëfej ju, të dashur qytetarë, se gjithë jetën do të mbaj në mendje vizitën  time të parë si kryeministër në selinë e NATO-s në vjeshtën e vitit 2005. Nuk do të harroj kurrë atmosferën skeptike që unë gjeta në këtë këshill burrash të nderuar dhe kjo vetëm e vetëm për shkaqe shqiptare. Por me punë, me reforma, me konkretizim reformash, në raportime të tjera periodike që bëja në këtë Këshill konstatova me kënaqësi se klima për Shqipërinë po ndryshonte dhe po ecte në kahjen pozitive. Natyrisht më duhet të them këtu se Shqipëria u bë anëtare e NATO-s falë mbështetjes së fuqishme, vullnetit pozitiv, ndjenjave të miqësisë të SHBA-ve dhe të presidentit Bush, por Shqipëria nuk do të merrte kurrë ftesën në Bukuresht, nuk do të anëtarësohej në Samitin e Strasburg-Kehl, në rast se ajo nuk do të ndërmerrte reformat më serioze, më të rëndësishme, në Forcat e Armatosura, në zbatimin e ligjit, në luftën kundër korrupsionit, në standardet demokratike. Aleanca e Atlantikut të veriut është së pari aleancë politike e kombeve të lira.
Ne, në një vendosmëri të palëkundur bëmë gjithçka që të plotësonim çdo kriter, çdo standard, çdo kërkesë dhe ia dolëm. Edhe në këtë proces, Shqipëria si asnjë vend tjetër kishte kundërshtarë të fuqishëm të brendshëm opozitën shqiptare. Njeriu që do të ulet në karrigen e kryeministrit pas pak ditësh organizoi mitingun e protestës në te nesërmen e ftesës që morëm në Bukuresht .
Zonja dhe zotërinj,
Anëtarësimi në NATO përbën për Shqipërinë arritjen më të madhe në historinë e saj pas shpalljes së pavarësisë, përbën garancinë më të madhe për shqiptarët për të ndërtuar të ardhmen e tyre në liri.
Ndaj dhe kjo arritje e madhe nuk mund të ç’bëhet. Ne qëndrojmë të vendosur të bëjmë gjithçka që Shqipëria në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, të plotësoje çdo detyrim ndaj Aleancës më të madhe, të lirisë, aleancës së bekuar të Atlantikut të Veriut.
Një nga objektivat tonë më madhor pasi erdhëm në pushtet në vitin 2005 ishte mbështetja për pavarësinë e Kosovës. E vërteta është se pas çlirimit të saj nga Aleanca  e Atlantikut të Veriut dhe bllokimi i rezolutës së miratuar në fillim, kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës ato vite u rritën, kundërshti të forta u krijuan brenda grupit të kontaktit për pavarësinë e Kosovës. Kundërshtitë ishin dhe në rajon. Vetëm pak javë më parë, qytetarët shqiptarë panë një ministër të një vendi tradicionalisht mik, të griste para një medie televizive hartën e Kosovës. Unë i garantoj shqiptarët se si ai ministër që nuk e përmbajti dot urrejtjen e tij ka në shumë parlamente, në shumë qeveri, në institucione të ndryshme, të cilët e kanë përjetuar pavarësinë dhe triumfin e shqiptarëve në Kosovë si një tragjedi të madhe për miqtë  e tyre serbë, por edhe për veten e tyre. Argumentet ishin nga më absurdet, më qesharaket, edhe argumente që janë përdorur 100 vjet më parë për të penguar pavarësinë e Shqipërisë.
Në qindra e qindra takime politike, diplomatike bilaterale dhe në Samite ndërkombëtare ne bëmë  avokatinë më të palëkundur të pavarësimit të Kosovës si një kusht vendimtar për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
Pavarësia e Kosovës është para se gjithash vepër e qytetarëve të saj që derdhën lumenj gjaku dhe djerse për tu bërë të lirë dhe të pavarur, por pavarësia e Kosovës nuk mund të ndodhte pa mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve, pa vendimin e këtij vendi për tu dhënë të drejtë shqiptarëve në Kosovë të kenë shtetin e tyre të pavarur.
Në këtë proces, Shqipëria, një vend i vogël luajti rolin e saj të pazëvendësueshëm dhe jo rastësisht verdikti i vendit të madh të lirisë për pavarësinë e Kosovës, nuk do të shpallej në asnjë kryeqytet tjetër përveçse në Tiranë, në vizitën e tij historike në Shqipëri, nga presidenti i SHBA-ve Xhorxh Bush në të famshmen “Time is now” për pavarësinë  Kosovës.
Diplomacia shqiptare u angazhua me të gjithë potencialet e saj për të rritur njohjet. Sot Kosova ka shënuar suksese të jashtëzakonshme. Ajo është shndërruar në një faktor paqeje dhe stabiliteti, ka zhvilluar një proces të gjatë negociatash në Bruksel të cilin ne e mbështesim me të gjithë potencialin tonë.
Zonja dhe zotërinj,
Integrimi dhe  e ardhmja europiane është e ardhmja më e shkëlqyer. Ka qenë dhe mbetet objektivi dhe pasioni ynë kryesor, por Shqipëria e zhvilluar është një projekt tjetër po kaq madhështor, po kaq jetik për shqiptarët, qenien, identitetin, dinjitetin e tyre. Të imagjinoje një projekt të tillë në vitin 2005 ishte pothuaj e paimagjinueshme. Cilido që rikthehet në atë vit do të gjeje se Shqipëria në tërësinë e treguesve ishte një vend i botës së tretë dhe më pak se i botës së tretë. Shqipëria në vitin 2005 përsëri renditeshin në grupin e vendeve me të ardhura të ulëta në Evropë dhe në botë, me rroga qesharake, me rrogë mesatare 220 dollarë, me investime të huaja në 8 vite , me një mesatare 38 milion dollarë në vit. Koha kishte ndaluar. Bandat bënin ligjin dhe sundonin në porte, në aeroporte dhe në zyrat e vendit, në simbiozë me qeveritarët. Bashkia e Tiranës ishte shndërruar në lavatricen kryesore të parave të drogës dhe të krimit të organizuar jo vetëm në Shqipëri, por dhe në rajon. Raportet më serioze të BB faktonin se në Shqipëri çdo vit 1,4 miliard dollarë nga taksat dhe tatimet përfundonin në xhepat e qeveritarëve dhe kontrabandistëve.
Infrastruktura rrugore  e Shqipërisë ishte ndër më të rrënuarat e planetit, infrastruktura ujore, ishte inegzistente. Vitet e shkollimit të shqiptarëve zbrisnin në mënyrë progresive. Vdekshmëria foshnjore ishte dyshifrore. Shqipërisë nuk i besonte njeri dhe e përçmonte.
Natyrisht të dy projektet, projekti i integrimit  të vendit, dhe projekti i Shqipërisë vend i zhvilluar, në themel kanë të njëjtat parime dhe vlera, kanë funksionim e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit, lirinë dhe të drejtat e individit, lirinë e tregut.
Ndaj dhe ne me përkushtimin më të madh u angazhuam së pari të konsolidojmë këto vlera në themel. Dhe ne ia dolëm, ia dolëm të shpartallojmë njëra pas tjetrës mbi 260 grupe dhe banda të cilat sundonin kudo, të shndërrojmë Shqipërinë në një vend të sigurtë. Ia dolëm të ndërmarrim një betejë  të suksesshme kundër korrupsionit, ndonëse është larg çrrënjosjes së tij, ndonëse askush  nuk mund të mohojë se në procese të tëra sot ka zero korrupsion dhe në procese të tjera ka sërish korrupsion. Por një vend, i cili kishte 80 % të prokurimeve publike direkte, u shndërrua në vendin e parë në botë me sistem prokurimi 100 % elektronik dhe tani së fundi dhe blerjet e vogla. Një vend i cili pranimet universitare i kishte më të korruptuarat, sot ka zero korrupsion. Një vend në të cilin gëlonte korrupsioni në çdo skaj dhe në çdo qoshe nëpërmjet tarifave të ndryshme, zhduku pjesën dërrmuese të tarifave vetëm për të zhdukur korrupsionin. Në një vend në të cilin nuk dënohej kush për korrupsionin hapi një kapitull të ri, dënimin e tij dhe Prokuroria e Shtetit çoi para ligjit qindra e qindra zyrtarë të të gjitha niveleve. Përsëri ka korrupsion, por Shqipëria në këtë betejë ia doli të arrijë të gjitha objektivat, të cilat kishin si kusht luftën kundër korrupsionit, ia doli të firmosë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, të dorëzojë kërkesën për anëtarësim, të plotësojë pyetësorin, të heqë vizat, të meritojë statusin, të meritojë anëtarësimin në Bashkimin Europian, të meritojë kompaktin në iniciativën e Presidentit Bush të Sfidës së Mijëvjeçarit.  
Lufta kundër korrupsionit është betejë e vazhdueshme. Në këtë betejë dua të theksoj dy momente. Së pari, kjo luftë do të fitohet në mënyrë përfundimtare kur qytetari i mirë shqiptar të vendosë që në emër të interesit të tij më të mirë, në emër të interesit të fëmijëve të tij, të luftojë me guxim ndaj çdo gjobëvënësi që kërkon gjobë për të drejtat e tij. Ky kusht është vendimtar dhe këtë e kanë bërë qindra e qindra qytetarë shqiptarë. Unë siguroj shqiptarët se sa më shumë ta bëjnë atë, aq më të lirë e aq më të begatë do ta bëjnë vendin e tyre.
U ndala në këtë çështje edhe për një arsye tjetër. Nga kjo sallë dua t’i shtroj një pyetje të gjithë qytetarëve shqiptarë, atyre që votuan ‘pro’ mazhorancës që vjen dhe të tjerëve që votuan ‘kundër’ ose nuk votuan për të: A mund t’i thonë vetes, njëri-tjetrit apo fëmijëve të tyre, qoftë vetëm dy fraza, një reformë apo nocion të vetëm që kanë dëgjuar nga Edi Rama se si do ta luftojë korrupsionin? Zero. Asnjë njeri, asnjë publicist, asnjë  gazetar, asnjë qytetar nuk mund të artikulojë qoftë një formulim të vetëm të zotimit të tij për të luftuar korrupsionin. Dhe kjo jo se nuk dihet që do të ketë një platformë të kristaltë, sepse kjo është lufta më e vështirë, por sepse ai ulet në këtë karrige me një pallat, me një vilë për të cilën nuk ka deklaruar qoftë një qindarkë. Ai ulet në këtë karrige, pasi është akuzuar në mënyrën më të përsëritur si mister 20-përqindëshi. Ai ulet në këtë karrige, pasi ka përzgjedhur me kriterin e dosjeve të korrupsionit, pjesën dërrmuese të kabinetit të tij. Ndaj ai nuk formuloi dhe nuk formulon dot para shqiptarëve qoftë dy vendime a masa që do të marrë për të luftuar korrupsionin. Dhe kjo është betejë jetike.
Zonja e zotërinj,
këto tetë vite rastisën vitet e krizës ekonomike më të thellë të Europës. Të ndërmerrje projektin e Shqipërisë së zhvilluar, në një kohë kur Europa zhytej në krizën më të thellë, ngjasonte si aventurë, por e vërteta është se këto tetë vite, çdo javë, çdo muaj, çdo vit e bëmë këtë projekt më të prekshëm e më real. Kjo para së gjithash e mbi të gjitha për  shkak të performancës së ekonomisë shqiptare. Reformat tona ekonomike dhe fiskale bënë që ekonomia e vendit të mbetet ndër më të paktat në Europë e më gjerë që të mos bjerë në recesion. Këtë e konfirmon Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe çdo institucion ndërkombëtar. Këtë e shkroi edhe gazeta që e beson aq shumë Edi Rama, këtë ia thanë të gjithë ekspertët ndërkombëtarë që solli një javë më parë në hotel Sheraton. Ka vetëm një njeri që nuk e beson, që nuk e pranon dhe ky është njeriu që nuk ka asnjë nocion për ekonominë: piktori dështak, Edi Rama. Të kundërshtosh një konkluzion unanim të të gjitha institucioneve financiare ndërkombëtare do të thotë të mos kesh nocionin më elementar se ç’përfaqëson ky konkluzion, se ç’përfaqëson rritja. Ndaj zilet kumbojnë për të gjallët. Në konferencë pati një konkluzion: këta kanë 95 përqind dështim, sepse, siç tha një nga reformatorët e shquar të rajonit, këta mohojnë çdo gjë dhe po mohove çdo gjë, do të thotë nuk kupton asgjë dhe po nuk kuptove asgjë, nuk ke si të ndërtosh sukses, por vetëm dështim.
Performanca ekonomike e Shqipërisë bëri të mundur që mazhoranca në dy mandate të inkasojë mbi 9 miliardë dollarë të ardhura më shumë, sesa mazhoranca para saj, në tete vite. Kjo bëri të mundur të rrisim rrogat e pensionet në mënyrën më të fuqishme, bëri të mundur të transformojmë infrastrukturën ujore e rrugore të vendit. Shqipëria kishte rrugë të botës së tretë dhe ne deklaruan se do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo rrugë ku jetojnë shqiptarë. Në zbatim të këtij objektivi, ne ndërtuam mbi 10 mijë kilometra rrugë, rrugë kryesore, dytësore, tretësore, në të katër anët e vendit. Nuk kishte e ka objektiv më të vështirë se ky, por edhe më jetik për shqiptarët. Pa rrugë nuk ka treg, nuk ka zhvillim, nuk ka përparim, por vetëm prapambetje. Në krye të radhës, ne zgjodhëm një projekt si kryeprojek për Shqipërinë, Rrugën e Kombit. Kundërshtarët e pavarësisë së Shqipërisë, një nga argumentet absurde që paraqisnin ishte se Kosova nuk kishte dalje në det, ndërkohë që Serbia që ata mbronin nuk kishte dalje në det, ndërkohë që Austria është ndër vendet më të zhvilluara të Europës dhe nuk ka dalje në det, por këtë ia numëronin Kosovës si një minus të madh. Rruga u ndërtua. Përpjekjet për ta bllokuar atë me greva urie në tunelin e Kalimashit do të mbeten të shkruara përjetë në muret e atij tuneli si akt i turpshëm antikombëtar. Tre tunele do të transformojnë Shqipërinë dhe gjeografinë e vendit në mënyrën më të ndjeshme: tuneli i Kalimashit, tuneli i Qafë Murrizit që nuk u ndërtua, por që i ka fondet gati dhe tuneli i Kërrabës që përfundoi. 
Zonja e zotërinj,
në vitin 2005, shqiptarët jetonin si një komb kolektivisht i ndëshkuar me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë. Si asnjë kombi tjetër në Europë, energjia u ndërpritej çdo ditë me orë të tëra, qytetet ndëshkoheshin dhe të udhëtoje mbi Shqipëri, media thoshte se dukej si mbi Sahara, ku natën kurrkund mbi territorin e saj nuk shihej drita. Sipërmarrjet energjetike ishin shndërruar në miniera floriri për qeveritarët. Ne u zotuam se nuk do të pranojmë kurrë dënimin kolektiv të qytetarëve tanë dhe se çmimi më i lartë i energjisë elektrike është mungesa e saj. Bazuar në këto parime e në përputhje me zotimin tonë, nga viti 2007 e deri më sot, energjia nuk u është ndërprerë qytetarëve shqiptarë, qoftë edhe një orë, për mungesë të saj. Kjo mazhorancë, në dy mandate, duke iu përmbajtur këtij parimi, ka importuar jo 100 a 200, por 910 milionë euro, të dashur qytetarë dhe ju e meritoni plotësisht këtë. Energjia është jeta. Pas diktaturës, asgjë nuk ndalon zhvillimin, sesa mungesa e energjisë. Nuk ka zhvillim pa energji. Dhe jo vetëm kaq, por për të garantuar rrjetet dhe për t’i rindërtuar ato, kjo mazhorancë, në dy mandate ka investuar 740 milionë euro në linjat e tensionit, stacionet elektrike dhe turbinat e prodhimit. Të marrë sëbashku, 1 miliardë e 640 milionë euro u investuan në projektin që ju të mos mbeteni ndonjëherë pa drita. Mazhoranca e re vjen me moton: T’i lutemi Zotit të na bjerë shi. Edhe ne i lutemi e i jemi lutur Zotit dhe i besojmë, por ne jemi e do të jemi garant i së drejtës suaj, të dashur qytetarë, për të pasur energji pandërprerë, ka apo s’ka shi. Cilido që dëshiron, të marrë të dhënat meteorologjike e të shohë se para tre vitesh, ne kemi pasur prodhimin rekord më të ulët të energjisë elektrike, me gjithsej 2.9 miliardë kilovat/orë nga e gjithë kaskada, por energjia nuk ka munguar qoftë një ditë të vetme.
Ne e vendosëm energjinë në epiqendër të projektit Shqipëria vend i zhvilluar. Prej tridhjetë vitesh, ujërat e vendit derdheshin në det, të fjetura, pa vlerë. Nuk ishte ndërtuar qoftë një vepër e vetme energjetike. Në vitin 2007, ne ndërmorëm nismën për të shndërruar Shqipërinë në një vend lider në prodhimin e energjisë ujore. Shqipëria kishte potencial të madh ujor, por ajo kishte shfrytëzuar më pak se 1/3 e tij dhe mund të ndërtonte 443 hidrocentrale në kaskadat e lumenjve dhe burimeve të saj ujore. Nga 2007 në 2013, të dashur qytetare e qytetarë, Shqipëria është absolutisht vendi që ka njohur garën më të ethshme në historinë e zhvillimit të energjetikës së një vendi. Me koncesion e në mënyrën më transparente i janë dhënë sektorit privat për ndërtim 428 hidrocentrale, përfshirë edhe ato gjatë muajve të fundit. 53 prej tyre kanë filluar prodhimin, 34 fillojnë gjatë këtij viti. Filloi ndërtimi i kaskadës së Devollit, investimi më i madh në historinë e energjetikës dhe investimi më i madh i huaj në historinë e vendit. Janë përgatitur në mënyrë përfundimtare studimet për Vjosën, Skavicën dhe çdo burim tjetër ujor të Shqipërisë.
Këta që vijnë kanë dëshmuar alergji dhe papërgjegjshmëri ndaj kësaj nisme, e cila në të vërtetë përbën fibrën më kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë, investimin më të madh që ne kemi bërë për veten, fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë. Në gjenerata, shqiptarët do të kenë energji elektrike me koston më të ulët se të gjitha energjitë e tjera. Dhjetë ditë më parë u mblodh në Sheraton një konferencë me ekspertë seriozë dhe ai që është vendosur në krye të këtij sektori nuk guxoi të shqiptonte një fjalë të vetme për koncesionet e potencialin ujor të Shqipërisë. Mahniti sallën duke u thënë se problemi ynë është se po na shkojnë specialistët në Kanada, por harroi se në Shqipëria janë me qindra e qindra specialistë shqiptarë të shkolluar në shkollat më të mira të botës dhe specialistë të huaj ndër më të shquarit në fushën e energjetikës që punojnë në ndërtimin e hidrocentraleve. Por duke e ftuar qeverinë e re të shqyrtojë me lupë çdo koncesion, dënojmë çdo qëndrim paragjykues ndaj koncesioneve. Ato janë leva Arkimedit, me të cilën Shqipëria në një kohë rekord do të shndërrojë të gjitha burimet e saj në burime energjetike shumë të çmuara për shqiptarët, janë leva e Arkimedit, me të cilën Shqipëria do të lartësohet në pozicionin lider në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe do të shndërrohet në një vend të rëndësishëm eksportues të energjisë në rajon, ndërkohë që sot, ajo mbulon jo më shumë se  2/3 e nevojave të saj.
Shqipëria ka  disa nga platformat e erës më të fuqishme në rajon dhe është vendi më me diell. Janë licencuar mbi 1600 megavat parqe ere dhe po punohet për parqe solare.
Energjia duhet të diversifikohet. Në këtë kontekst u punua tetë vite me radhë mbi projektin më të madh të kohës së sotme në Europë, gazsjellësi TransAdriatik. Ky projekt në dallim nga të gjitha projektet e tjera ishte i vetmi që nuk kishte anashkaluar Shqipërinë. Ky projekt nuk kishte mbështetjen politike më të madhe, përkundrazi, projekte të tjera kishin mbështetje politike më të madhe dhe ato kishin shpërfillur në mënyrë të padrejtë Shqipërinë, jo se territori i Shqipërisë nuk ishte i leverdishëm, por  për ta, shqiptarët nuk ishin të leverdishëm. Tetë vite me radhë beteja për gazin ka qenë nga betejat më të rëndësishme. Në një bashkëpunim të ngushtë me Azerbajxhanin dhe konsorciumin TAP, Shqipëria luajti dhe dha kontributin e saj thelbësor në projektin e korridorit të Jugut, me një rëndësi jashtëzakonisht të madhe jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë Europën. TAP fitoi, fituan edhe shqiptarët. Ndërtimi i tij fillon në Shqipëri, siç do të më njoftonte Drejtori i Përgjithshëm i gazsjellësit, dy ditë më parë. Me përfundimin e këtij projekti, shqiptarët do të marrin gaz nga një vend mik, do të ngrohen e gatuajnë me gaz, do të kenë një kosto më të ulët në jetën e tyre. Por Shqipëria bëhet edhe një vend shumë i rëndësishëm, me rol strategjik, në furnizimin me energji jo vetëm të rajonit, por edhe të Europës. Në gazifikimin e ndërtimin e tij do të punësohen mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë, do të investohen mbi 1.5 miliardë dollarë. Ky projekt sëbashku me kaskadës e Devollit janë leva të fuqishme të shtyrjes përpara të Shqipërisë drejt horizonteve më të larta të zhvillimit.
Natyrisht, rrugët, ujësjellësit, kanalizimet janë jetike për zhvillimin, por po kaq jetike dhe më të rëndësishëm janë truri, shkolla, edukimi. Në këto vite, arsimi në Shqipëri pësoi transformimet më të thella. Kam dëgjuar ziliqarët të flasin për analfabetë funksionalë e me radhë, por po në atë klasifikim, Shqipëria ka bërë ngjitjen më të lartë se çdo vend tjetër i klasifikuar. Tendenca për të sharë vendin tënd është primitivizëm i diktuar nga albanofobia apo ideologjia antishqiptare e diktaturës komuniste. E vërteta është se sot arsimi në Shqipëri nuk është kurrë ai që ishte tetë vite më parë. Sot në Shqipëri është katërfishuar numri i studentëve, ndërkohë që përqindja e qytetarëve të diplomuar me diploma universiteti vazhdon të jetë ndër më të ulëtit, pasi ishte i stërulët, ishte i paimagjinueshëm. Në një hark kohor të shkurtër, ne po kontribuojmë që ky komb, pas gjuhës së nënës, më të bukurën gjuhë, të jetë edhe anglishtfolës. Nuk ka sot fëmijë shqiptar, i cili të mos fillojë mësimin e anglishtes në klasat e hershme. Këtë e konsideroj një arritje jashtëzakonisht të madhe. Është kënaqësi tek i sheh ata të flasin më mirë se ne, të njihen me një botë që kryeson sot zhvillimin e planetit.
Arsimi shqiptar ishte përparësi e madhe për ne. Ai kishte infrastrukturën më të rrënuar, shkolla në mes të Tiranës që u binin tavanet. Janë ndërtuar, rindërtuar e janë zbatuar mbi 1300 projekte. Janë edhe disa qindra dhe ato kanë financimin e tyre. U shtri interneti në çdo shkollë e po shkohet drejt shtrirjes së tij në çdo klasë. Mbi të gjitha, pranimet universitare u nxorën jashtë korrupsionit. Natyrisht, reforma në arsim është afatgjatë. Ajo kërkon përkushtim, por, kur mendon se në krye të këtij sektori vjen një mësuese, - unë jam njeri që e admiroj dhe kam respekt të madh për mësuesin -  vetëm për meritën e pasionit të saj politik, kurrë në histori nuk ka pasur një nivel të tillë në krye të këtij dikasteri si kësaj here. Jo. I gjithë programi i mazhorancës që vjen është i bazuar në nihilizëm e mohim, nuk ka asgjë të qartë e kaotike dhe kjo, për problemin më serioz të kombit që është arsimi. Ne qëndrojmë të vendosur me të gjithë potencialin tonë, për të mbështetur zhvillimin e këtij sektori jetik e vendimtar për të ardhmen e shqiptarëve.
Në Shqipëri, vendin me më pak tokë bujqësore për frymë se çdo vend tjetër në Europë, tetë vjet më parë 30-40 përqind e kësaj toke nuk punohej, ishte djerrë. Në një përpjekje të madhe, me investime miliarda dollarë në infrastrukturën rurale dhe me një projekt grantesh për fermerët shqiptarë, sot, ndonëse jo kudo, por në pjesën dërrmuese të vendit, çdo njeri që ka sy konstaton një panoramë tërësisht tjetër të bujqësisë shqiptare që e prekin më shumë se çdo gjë tjetër qytetarët shqiptarë, të cilët vazhdojnë të blejnë në treg produkte bujqësore me çmimet më të leverdishme dhe kjo mbi të gjitha, për shkak të rritje së madh të prodhimit vendas. Mazhoranca që vjen ka premtuar sërish indulgjencat e naftës, pasi do të mbushë sërish xhepat me to. Ne jemi këtu për të bërë avokatin e fermerëve shqiptarë, për t’i mbrojtur ata nga abuziviteti dhe për të mbrojtur interesat e tyre në mënyrën më të vendosur.
Zonja e zotërinj,
tetë vjet më parë, Shqipëria kishte ndër nivelet më të ulëta në botë të përdorimit të internetit, 4.8 përqind. Në kohën kur ne lançuam idenë e Shqipërisë dixhitale, skepticizmi e përqeshja dominuan në mjedis. Por sot Shqipëria ka arritur në disa drejtime, nivelet e mira europiane dhe ka edhe mbi 100 projekte në vazhdim, të cilat e bëjnë këtë vend, një ndër vendet me shërbime dixhitale më të avancuara. Tetë vjet më parë, shqiptarët i paguanin impulset e telefonisë mobile me çmimet më të larta në botë, aq sa kishin ndërhyrë edhe në gjuhën shqipe, ishin shpikur fjalë të reja për t’u adoptuar me këtë situatë. Sot ato çmime janë 3-5 herë më të ulëta. Sot përdorimi i telefonisë mobile është 186 përqind, nga 38 përqind që ishte në 2005. Është ndër më të lartit.
Në vitin  2005 vetëm në një spital të Stambollit shqiptarët paguanin 35 milionë dollarë çdo vit për analiza dhe mjekim. Vendit i mungonin aparaturat moderne, sistemi ishte në shpartallim. Unë nuk them se sot shëndetësia nuk ka problemet e veta, por sektori publik dhe i huaj kanë investuar vetëm në teknologji dhe logjistikë mbi 320 milionë euro. Sot në Shqipëri gjenden aparatura më moderne, janë shumëfishuar ndërhyrjet në zemër dhe në organet e tjera. Nga 46 persona që merrnin dializë, sot marrin dializë 700 shqiptarë, të cilët vetëm 8 vite më parë ishin të dënuar me vdekje nga mungesa e aparaturave të dializës. Përsëri, sistemi i shëndetësisë ka probleme për të zgjidhur dhe reforma është në vazhdim, por të vendosësh në krye të këtij sistemi që ka të bëjë me jetën e fëmijëve, grave, burrave dhe të moshuarve të këtij vendi një njeri që nuk ka nocionet më elementare, që përpunoi sëbashku me piktorin platformën e sistemit shëndetësor falas për të gjithë, do të thotë të tallesh me çdo fëmijë, grua, burrë të sëmurë, kudo që është. Të premtosh një sistem shëndetësor falas, pa kontribute, do të thotë të premtosh falimentimin e këtij sistemi. Natyrisht, njerëzit do të ishin të lumtur po të ishte e vërtetë, por të lumturosh të tjerët me të pavërteta mban një përgjegjësi shumë të rëndë.
Transformime të thella kanë ndodhur në sistemin e ministrisë së Drejtësisë. Shërbimi i noterisë, i burgjeve, i përmbarimit janë sot ndër më të avancuarat.
Të dashur qytetare dhe qytetarë,
Unë kam mirëkuptim për ankesat tuaja, por dua t’ju rikujtoj se në vitin 2005 rreth 80 përqind e vendimeve të gjykatave nuk zbatoheshin. Vetëm në mandatin e parë janë arrestuar mbi njëmijë të dënuar nga gjykata, të cilët lëviznin të lirë në rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona. Sot shkalla e ekzekutimit të vendimeve të gjykatës në Shqipëri është e njëjtë me vendet e avancuara të Bashkimit Evropian. Për ketë ka statistika. Qeveria ka bërë gjithçka që të zbatohet ligji edhe atëherë kur ajo ka përjetuar vështirësi. Një sistem i ri emërimi, bazuar në meritë, ka nisur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë edhe në Prokurori. Natyrisht, një punë e madhe duhet të bërë për një përsosje të mëtejshme. Sukseset nuk arrihen kurrë duke sulmuar në bllok, anatemuar në bllok, një grup zyrtarësh jashtëzakonisht të rëndësishëm për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, më të rëndësishëm se të gjitha institucionet e tjera.
Qeveria këto vite ka bërë gjithçka për të rritur mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Me këtë ajo ka vendosur në fondet e rritjes së rrogave dhe pensioneve në 8 vite, nga 13 miliardë lekë që vendosën socialistët në 8 vitet e tyre, ne vendosëm 56 miliardë lekë. Kjo është e vërteta. Ne kemi rritur rrogën mesatare mbi dy herë, rrogën minimale mbi dy herë, pensionet minimale mbi dy herë, ndihmën ekonomike me 60 përqind. Kemi vendosur sistemet më moderne të punësimit.
Shqipëria citohet si vendi i vetëm, i cili edhe në këto vite krize nuk pati rritje të papunësisë, por pati rënie të saj. Ky vlerësim vjen nga Komisioni Evropian, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga të gjitha institucionet serioze ndërkombëtare.
Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë përmbushur me dinjitet detyra të rëndësishme brenda vendit. Ato kanë shpëtuar me dhjetëra e dhjetëra jetë gjatë katastrofave natyrore, por mbi të gjitha ato po e bëjnë Shqipërinë vendin e parë të çliruar nga municionet e rrezikshme, pasi ne e pësuam në mandatin e parë në një tragjedi të vërtetë.
Kjo qeveri ka bërë përpjekje të mëdha për mbrojtjen e mjedisit. Sigurisht, zhvillimi dhe mjedisi duhet të harmonizohen me çdo kusht. Nuk injorohen dëmtimet që janë bërë në masive shkëmbore, pasi u ndërpre nxjerrja e inerteve në lumenj, por në tërësi i jemi përmbajtur një politike rigoroze në mbrojtje të mjedisit. Vendi që i derdhte të gjitha ujërat të ndotura, pa asnjë pastrim paraprak, në dete dhe liqene, ku në 2005 nuk kishte qoftë edhe një impiant të vetëm të përpunimit të ujërave, ka sot mbi 10 impiante në të gjithë brigjet e deteve, lumenjve dhe disa të tjerë në ndërtim e sipër.
Në këto vite Shqipëria u shndërrua në Shqipërinë turistike. Nga një vend i ndaluar, një vend që merrte 300 mijë turistë e vizitorë, sot merr mbi 4.7 milionë turistë e vizitorë në vit. Turizmi është shndërruar në degë kryesore të ekonomisë. E dëgjoj prore zotin Rama tek citon sesa fiton Kroacia dhe sa fiton Mali i Zi. Dua të theksoj këtu se kur Tito ndërtonte hotele dhe resorte turistike ndër më modernet në Evropë, Enver Hoxha dhe etërit e tij ndërtonin tunele dhe bunkerë. Së dyti, ne kemi një politike tjetër dhe ishte e drejtë- mos taksimi i familjeve shqiptare që prisnin turistë dhe vizitorë, sepse ne nuk kishim hotele. Vendi ka trashëguar gjithsej 2-3 hotele në 400 kilometër brigje dhe kjo politikë ka qenë e dejtë. Ne luftonim varfërinë. Ata që njohin hartën e varfërisë konstatojnë se në zonën e brigjeve, kryesisht për shkak të kësaj politike, kjo zonë është nxjerrë nga harta e varfërisë. Ata janë qytetarë shqiptarë dhe kjo ka qenë politikë e drejtë. Ai që shkon dhe merr të ardhurat nga turizmi në Drejtorinë e Tatimeve duhet ta dijë se ato janë vetëm një pjesë, pjesa më e vogël, sepse pjesa më e madhe e të ardhurave nga turizmi shkon në kontot e qytetarëve shqiptarë. Ata e meritojnë plotësisht. Ata duhet të ndërtojnë shtëpitë e tyre, duhet të rindërtojnë shtëpitë e tyre, duhet të ndërtojnë hotele e motele, duhet të bëjnë gjithçka për të zhvilluar këtë sektor dhe po e bëjnë.
Në fushën e kulturës janë bërë përpjekje të mëdha, projekte ndër më seriozet. Në këto dy mandate trashëgimia kulturore shqiptare u rrit në mënyrë të ndjeshme. Në këto dy mandate janë investuar në qendra të trashëgimisë kulture katër herë më shumë se në tetë vitet e mëparshme. Në këto dy mandate janë shpenzuar në mbështetjen e këtij sektori disa herë më shumë. Rezultatet kanë qenë të prekshme.
Unë u ndala në këtë ekspoze në disa nga arritjet më kryesore, për të cilat ne qëndrojmë dhe do të bëjmë çdo gjë që ato të promovohen më tej. Unë mirëkuptoj dhe theksoj edhe një herë se nuk janë këto arsyet përse shqiptarët nuk votuan për ne. Unë mirëkuptoj dhimbjen e tyre, por një gjë dua të them, nuk janë politikat e kësaj qeverie shkaku bazë i dhimbjeve të tyre. Absolutisht jo! Ndër shkaqet më kryesore janë rënia e remitancave nga Italia dhe Greqia. Aq sa patëm në dorë, ne rritem masivisht rrogat dhe pensionet. Ne nuk mund të rrisnim dhe nuk kishim ç’të bënim me fluksin e remitancave. Ne bëmë gjithçka që shqiptarët të mos humbnin punën dhe këtë e realizuam. Natyrisht, përsëri papunësia është 12.8 përqind.
Dhe së fundi, ne nuk mund të premtonim kurrë ato që premtoi piktori, premtime alla Papandreu, i cili u thoshte grekëve se paratë janë këtu, por nuk jemi ne dhe tani ia ka mbathur, nuk dihet se ku është. E rrokullisi vendin në krizën më të thellë.
Të dashur qytetarë, me premtime të tilla Shqipëria dhe ju personalisht do të keni probleme shumë serioze. Ne do të bëjmë gjithçka për të bërë avokatinë tuaj. T’u thuash shqiptarëve se do bëj shëndetësinë falas, pa kontribute; legalizime falas, pa tarifa; t’u premtosh të përndjekurve politikë se në dy vite do të dëmshpërblesh të gjithë faturën me 25 euro ditën; t’u premtosh shqiptarëve se për 95 përqind prej tyre do të ulë çmimet, janë premtime të ëmbla, por janë premtime që nuk po e dëgjoni më t’i shqipëroi. Ai flet për çdo gjë tjetër, por jo për premtimet që bëri, për të cilat ju mori votën. Ne qëndrojmë garantët tuaj, të mbrojtjes së dinjitetit tuaj dhe këtë do ta bëjmë me vendosmërinë më të madhe.
Duke përfunduar dua të theksoj se ky mandat ishte mandati i fatit, i 100 vjetorit të pavarësisë. Ne patëm nderin dhe kënaqësinë të jemi në drejtim në një ngjarje që përsëritet 1 herë në 100 vjet. Ne bëmë gjithçka që shqiptarët ta festojnë me dinjitetin më të madh. Ne bëmë gjithçka që shqiptarët të njihen me historinë e tyre në mënyrën më objektive dhe të vërtetë, historinë e tyre të ndaluar. Ne bëmë gjithçka që nga çdo skaj i trojeve shqiptare të ushtojë fuqishëm kushtrimi i bashkimit të shqiptarëve në një të ardhme të sigurt evropiane. Kurrë ndonjëherë në histori shqiptarët nuk kanë festuar më të bashkuar, shqiptarë nuk janë ndierë më krenarë me njëri-tjetrin dhe historinë e tyre. Kurrë ndonjëherë ata nuk kanë festuar me kaq shumë miq sa festuan në këtë 100 vjetor. Tre vetë ishin më zemërthyerit, ministri që zbriti nga avioni, sepse unë përmenda Prevezën, e cila për hir të së vërtetës ka pasur tre delegatë në krah të Ismail Qemalit; miku im tjetër, i cili u mëzit se pse thashë se Shkupi ka qenë epiqendra më e madhe, kryeqytet i shqiptarëve ndër shekuj dhe i treti ishte piktori që nuk e shqipëroi dot kurrë njëherë, në një vit, fjalën 100 vjetor. Fjalën 100 vjetor ai e shqipëroi 10 ditë më parë kur u morr me piramidën dhe vilën e atit të tij shpirtëror.
Unë do të shpreh një mirënjohje të thellë për ju zotërinj ministra, për stafin tim të Këshillit të Ministrave, për stafet tuaja, administratën që në tetë vite janë bashkautor të këtyre akteve madhore që kanë ndryshuar historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë. U shpreh mirënjohje të gjithë punonjësve të administratës, të cilët janë arkitektë në projektimin dhe zbatimin e këtyre projekteve. Gjithçka që mund të thuhet mund të përmblidhet më një fjalë – i shërbyem, kombit tonë. Ndaj dhe kanë urimet e mia më të përzemërta, mirënjohjen time më të thellë. Faleminderit!
***
Mbledhja e sotme është e ngjeshur, sepse, natyrisht, është mbledhja që ndan dy qeveritë. Kjo është mbledhja e fundit, nuk do të ketë mbledhje tjetër. Unë, në përputhje me detyrimet e mia, në momentin që do ta gjykoj më oportun dhe të afërt do t’i paraqes Presidentit të Republikës dorëheqjen e këtij kabineti dhe do të qëndrojmë si qeveri në detyrë deri në momentin që qeveria tjetër, në përputhje me Kushtetutën, të betohet te Presidenti i Republikës.
Këtu ka shumë vendime, janë vendimet për lirimin nga detyra të zëvendësministrave, të cilat miratohen, por është edhe një vendim për Bjeshkët e Namuna, të cilat do të quhen Bjeshkët e Bekuara. Me këtë rast doja t’u jepja një këshillë të gjithë komuniteteve që aty ku ka emra që nuk janë eufonikë, por janë le të themi kakofonikë, bashkërisht mund të vendosim për të përshtatur një emër që atyre u shkon më shumë dhe e gjykojnë më të këndshëm. Natyrisht, këtu e kemi edhe një problem me disa atavizma të lënë nga pushtuesit, por ky është një problem më i gjatë. Edhe për këtë duhet të ketë një angazhim dhe të gjuhëtarëve dhe historianëve, sepse nuk ka ndonjë të keqe. Ne kemi një trashëgimi të shkëlqyer, sidomos në dy zona ku ruhet etnosi i kombit, në Dukagjin dhe në Mokër. Po të shkoni aty i keni safi shqiptare të gjitha emërtimet dhe të gjitha toponimet. Por ajo që desha të theksoj unë ka të bëjë me shumë me eufoninë. Bjeshkët e Namuna nuk do të thotë se janë me nam, se kështu më tha një mik në Facebook. Ato nuk e kan&e

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim