Fjala e Kryeministrit Edi Rama
në konferencën për Kushtetutën

Fjala e Kryeministrit Edi Rama<br />në konferencën për Kushtetutën
Faleminderit zoti Kryetar i Gjykatës Kushtetuese!
 
Me thënë të drejtën, nuk e kisha menduar se do të kisha ndonjëherë mundësinë, por edhe vështirësinë, të flisja para një ‘klase’ plot me gjykatës.
 
Dua të them pak fjalë në nderim të këtij eventi të rëndësishëm dhe të këtij momenti të rëndësishëm për jetën e Kushtetutës sonë, duke u nisur nga viti 1913, kur 6 Fuqitë e Mëdha e njohën Shqipërinë dhe bashkë me një Prijës, i dhanë edhe statutin organik një dokumenti i cili ishte Kushtetuta e kohës në këtë vend. Një dokument që synonte ta bënte këtë vend jo vetëm një vend të qeverisur me rregulla, por përmes këtyre rregullave, edhe një vend që i bashkëngjitej zhvillimeve evropiane të kohës.
 
Historia e jetës së Kushtetutës sonë, apo më saktë e të jetuarit të shqiptarëve nën Kushtetutë, është një histori më vete që meriton me siguri studime dhe takime më vete, ndërkohë që sot ne jemi këtu për 15 vjetorin e një Kushtetute që, më së fundi, nuk është dhuratë e Fuqive të Mëdha, as imponim i një fuqie nga lart - poshtë, por një shprehje e vullnetit të përbashkët të shqiptarëve, që ia bënë dhuratë vetes këtë Kushtetutë me referendumin e vitit 1998.
 
E sot, sigurisht që ka plot gjëra për të thënë, por është e sigurt se vetëdija për të jetuar nën Kushtetutë dhe për të qeverisur përmes Kushtetutës, është më e fortë se sa ishte 15 vjet më parë.
 
Kushtetuta është një akt themelor dhe baza ku mbështetet gjithë procesi i bashkëjetesës mes njerëzve të një vendi, por edhe gjithë funksionimi i një vendi. Besoj që sot është dita për të çmuar edhe rolin e veçantë që ka luajtur Gjykata Kushtetuese e këtij vendi në zbatimin e Kushtetutës, në këto 15 vite. E, si një instrument në zhvillim, pasi dinamika e jetës dhe e zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe politik të vendit, nuk është asnjëherë e dhënë përgjithmonë, Kushtetuta padyshim meriton gjithmonë edhe këndvështrimin nga pozicioni i nevojës për ta ndryshuar atë, por mbi të gjitha, si një instrument në zhvillim. Kushtetuta e ka të nevojshme Gjykatën Kushtetuese, vendimmarrjet e saj, si një kontribut i domosdoshëm për ta interpretuar në momente të caktuara, por njëkohësisht, edhe për ta konsoliduar në parimet dhe në konceptet e veta Kushtetutën, duke iu përgjigjur nevojës së kujtdo për interpretimin e saj.
 
Sigurisht që, sot është, një moment i rëndësishëm, qoftë për të bërë një retrospektivë mbi jetën e kësaj Kushtetute, qoftë edhe për të reflektuar mbi të ardhmen e saj. Nuk ka dyshim që për një shoqëri në tranzicion, që vazhdon të përpëlitet në përpjekjet për të ndërtuar një shtet modern evropian, është e pashmangshme që herë pas here të hedhë vështrimin te Kushtetuta dhe herë pas here ta kërkojë përmes Kushtetutës edhe zgjidhen e problemeve që i sjell koha. Ashtu si kundër, është e pashmangshme, besoj unë, që në këtë rrugë relativisht shumë të shkurtër për jetën e një vendi, - 15 vjet janë shumë për jetën e një njeriu, por janë asgjë për jetën e një vendi, - të ndodhë edhe siç na ka ndodhur që, pavarësisht qëllimeve të mira, të preket Kushtetuta dhe nga prekja e saj të mos merren përfitimet e prezumuara prej qëllimit të mirë.
 
E pra, sot ne jemi në kushtet kur vendi përpiqet përditë për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe pas 15 vjetësh, kur afrimi me Bashkimin Evropian imponon vijimësisht një tërësi standardesh dhe sjelljesh që shpesh herë bien ndesh me standardet dhe sjelljet që ne i kemi pjesë të vazhdimësisë sonë, pyetja që “a duhet a nuk duhet rishikuar Kushtetuta” do të bëhet besoj unë gjithmonë e më insistuese.
 
Por nga ana tjetër besoj se eksperienca e këtyre 15 viteve na ka mësuar mjaftueshmërisht si t’i qasemi kësaj pyetjeje dhe si në çdo rast, përgjigjen e kësaj pyetjeje të mos ta gjejmë tek vullneti ekskluziv i forcave politike, por ta gjejmë në radhë të parë tek gjithë përfshirja e të gjithë aktorëve dhe faktorëve shoqëror, duke nisur sigurisht nga komuniteti i konstitucionalistëve dhe më gjerë pastaj, nga vetë sistemi që garanton integritetin e Kushtetutës. Stabiliteti i Kushtetutës është padyshim një parakusht për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e rendit kushtetues të vendit. E në çdo rast, çdo ndërhyrje në Kushtetutë, pavarësish se nuk përbën asnjë lloj sakrilegji në vetvete, imponon domosdoshmërish që, në funksion të stabilitetit dhe të forcimit të rendit kushtetues, gjithëpërfshirja të jetë koncepti bazë dhe më fillestar i saj. S’mundet kurrsesi që një proces i tillë të jetë një proces partiak dhe, aq më pak, një proces politikisht i njëanshëm. Padyshim, edhe në qoftë një proces politikisht i gjithanshëm, kjo është e pamjaftueshme kur flasim për Kushtetutën e një vendi, në jetën e të cilit partitë politike përfaqësojnë shumëçka, por kurrsesi nuk përfaqësojnë gjithçka.
 
Së fundi, unë dëshiroj të theksoj se roli i Gjykatës Kushtetuese në kushtet e sotme bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm, siç bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm vet roli i sistemit të drejtësisë, përballë sfidës së gjithanshme dhe aspak të lehtë të njehsimit të sistemit tonë të të jetuarit, me atë të të jetuarit në familjen evropiane. E për këtë arsye, e çmoj shumë edhe këtë eveniment të sotëm, këtë përpjekje për ta parë ditëlindjen e Kushtetutës dhe përvjetorin e 15-të të saj si një oportunitet për të diskutuar mbi historinë e Kushtetutës në këto 15 vite, mbi të mirat dhe të metat e saj, mbi çka Kushtetuta na ka garantuar në këtë vend dhe çka nuk kemi mundur t’i garantojmë Kushtetutës, pavarësisht qëllimeve të mira nga të cilat mund të jemi nisur. E mbi të gjitha, mbi se si Kushtetuta dhe kjo Gjykatë Kushtetuese do të kontribuojnë për të forcuar standardet e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
 
Ju jam shumë mirënjohës për mundësinë që më dhatë për ta përshëndetur këtë eveniment dhe ju siguroj, në bindjen dhe në vullnetin e palëkundur të Qeverisë, jo vetëm për të respektuar në çdo hap Kushtetutën dhe për të garantuar kushtetutshmërinë e çdo veprimi të saj, por edhe për të parë me shumë interes çdo përpjekje brenda sistemit të drejtësisë dhe çdo hap në pjesë të ndryshme të këtij sistemi, për të forcuar kushtetutshmërinë në bashkëjetesën mes njerëzve dhe mes institucioneve në këtë vend.
Faleminderit!


Redaksia Online

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit