Fjala e Kryeministrit Edi Rama
në takimin me fermerët në Manzë 

Faleminderit që keni ardhur!

Është kënaqësi që jam këtu me Vangjushin dhe me Samiun, i cili ka një detyrë specifike për të mbuluar, si nënkryetar i Bashkisë, këtë pjesë kaq të rëndësishme që është shtuar në përgjegjësitë e Bashkisë, si rezultat i reformës administrativo-territoriale.

Ishim dhe pamë 7 kilometrat e kanalit kryesor që ka çliruar psikologjikisht një zonë të tërë që ishte komplet e bllokuar, për shkak se ai kanal prej 25 vjetësh nuk funksiononte. Por janë dhe 21 kilometra të tjerë që janë në përfundim kanale dytësore, një punë e bërë vërtet mirë, me të gjitha urat e nevojshme për kalim të njerëzve dhe të mjeteve. Ndërkohë është një proces që vazhdon, pasi ambicia jonë është që t’i japim fund njëherë e mirë kësaj historie 20 e ca vjeçare, që është në fakt për turp, sepse nuk mund të ketë një emër tjetër, fakti që në një vend që vetëm problem uji nuk ka, siç është Shqipëria, njerëzit vuajnë se nuk kanë ujë për të vaditur.
 
Ky operacion masiv që ne kemi bërë është një gur themeli në një rrugë që sigurisht nuk mbaron këtu, por një rrugë që këtu duhet të vazhdojë për të përmirësuar shumë aspekte të tjera, në mënyrë që çdokush që punon në bujqësi të mos ndjehet më i marrë peng, nga shkaqe që nuk janë të mundura të zgjidhen individualisht. Ujitjen nuk e zgjidh dot individualisht askush, ashtu sikundër askush nuk e zgjidh dot individualisht problemin tjetër shumë të madh, 20 e ca vjet, të mungesës së certifikatës së pronës. Ndërkohë që njerëzit në fshat punojnë tokën me një Akt-marrje në përdorim të saj, por as janë pronarë dhe as nuk e kanë mundësinë që të jenë të tillë prej 20 e ca vitesh. Ndërkohë që ligji i famshëm 7501 ua ka dhënë atë që u takon, por, faktikisht, qeveritë ua kanë mohuar, gjë që është një pengesë tjetër themelore.

Habitem se çfarë kurojo kanë ata që flasin sot dhe bëjnë gjithfarëlloj llafesh kazani, kur nga një anë flisnin për BE-në e NATO-n, nga ana tjetër e lanë fshatin në një derexhe që nuk ka krahasim me asnjë lloj situate në fshat në vendet fqinje në rajonin tonë e jo më pastaj në Europë që as bëhet fjalë.

Këtyre dy proceseve jetike, themelore, ne i kemi dhënë një shtytje shumë të fortë me reformën administrativo-territoriale. Për fat të keq na është dashur të humbim edhe ne kohë, sepse pa u bërë kjo reformë ishte e kotë që të imagjinoje një transformim si ky që ka nisur. Me 400 komuna dhe me një shpartallim organizativ, një çorganizim i organizuar në nivelin e dytë të qeverisjes, ishte e pamundur që të ecej si duhej. Madje, për fat të keq u bënë shumë devijime dhe shtrembërime me pasoja të mëdha, që nga abuzimet kolosale me tokën bujqësore, qoftë për ndërtime kuturu, qoftë për kthime pronash kuturu etj., për të mos i numëruar të gjitha.

Sot jemi në kushtet kur nuk kemi arritur majën, jemi akoma në një rrugë të përpjetë, të vështirë, me dhimbje, mundime e sakrifica, por kemi marrë drejtim dhe tani dimë se cila është rruga për të arritur atë majë, nga ku pastaj të synojmë të tjera maja. Për të arritur këtë majë të parë, do të thotë që t’i vëmë njerëzit në kushtet kur ai që do të punojë dhe ai që do të jetojë në mënyrë të ndershme me prodhimin e tokës ta ketë këtë mundësi, por dhe për të siguruar që edhe më të rinjtë që lindin në fshat, që i kanë prindërit fermerë, të mos mendojnë vetëm si të ikin e ta braktisin fshatin dhe për pasojë edhe Shqipërinë, kur nuk arrijnë dot të gjejnë diçka më të mirë në qytet, për shkak se shikojnë se prindërit e tyre torturohen nga mëngjesi deri në darkë dhe në fund, ajo që fitojnë është vetëm mbijetesë.

Ndërkohë, e vërteta është që askund, përveçse këtu, nuk ka njerëz që jetojnë në fshat të varfër, sepse në fshat prodhohet ushqimi i popullit. Prodhuesit e këtij ushqimi janë, nga njëra anë, të mbështetur fuqimisht dhe nga ana tjetër, garantë të mirëqenies së tyre.

Sfida është si ta kthejmë familjen fermere nga një familje që lufton për mbijetesë në një familje që bëhet minimalisht biznes i vogël, si çdo biznes i vogël në qytet, pra, që siguron të ardhura përtej minimumit. Kjo është plotësisht e mundur. Për këtë arsye, ne jemi angazhuar në krijimin e një linje financimi të posaçme. Një linjë financimi që ka në bazën e vet garancinë shtetërore, pra, kemi ndërtuar një Fond Kombëtar Garancie për Bujqësinë, për t’i dhënë mundësi fermerëve që të mund të marrin kredi, të cilat janë kredi të buta e të garantuara nga shteti, duke përdorur bashkinë dhe shtetin vetë si ndërmjetës mes fermerëve dhe bankave.

Kudo në botë, kjo është një rutinë, kurse këtu është një rrugë e pashkelur më parë. E gjitha ka qenë një histori shumë e lodhshme, - për të mos thënë më shumë, - subvencionesh të shpërndara si lëmoshë lart e poshtë, pa asnjë strategji, pa asnjë plan afatgjatë, por thjesht shtyje ta shtyjmë. Qeveria jepte këtë lëmoshë për ta shtyrë dhe njerëzit e merrnin atë, për ta shtyrë. Vinte viti tjetër dhe prapë nga e para,  shtyje ta shtyjmë. Buxheti i shtetit për sektorin, sado të rritet nuk i përballon dot nevojat e mëdha që ka sektori. Nuk i përballon dot as Gjermania me buxhetin e vet. Për këtë arsye ka buxhetin e vet, ka fondet europiane, ka linjat e financimit private nëpërmjet bankave, nëpërmjet agjencive të ndryshme të kreditimit për bujqësinë, që iu japin mundësi fermerëve që të kenë shumë zgjedhje dhe shumë zgjidhje, jo thjesht të presin me mendimin “do më vijë, s’do më vijë 5-lekëshi për ta shtyrë dhe këtë vit”.

Sigurisht që nga ana tjetër do duhet të reformojmë sektorin, edhe duke reformuar mënyrën e të parit të gjërave në fshat. Nuk mund të vazhdohet më tek e tek, nuk funksionon. Duhet të nxisim bashkimin për interes, jo bashkimin e dikurshëm për imponim dhe ideologji, por për interes.

Nëse unë nuk do isha dëshmitar i realiteteve të ndryshme në Shqipëri ku kjo ndodh, mbase nuk do guxoja as ta përmendja këtë të vërtetë, por, faktikisht, aty ku njerëzit në fshat bashkohen dhe ka plot raste në Shqipëri që bashkohen, prodhojnë secili më vete, por shesin të gjithë sëbashku. Duke shitur të gjithë sëbashku, kanë komplet një situatë tjetër, pasi ndërveprojnë me njëri-tjetrin, nuk bëhen pre e grosistëve që vijnë i godasin tek e tek, duke ulur çmimet në maksimum. Pastaj, duke lënë një pjesë të prodhimit rrugëve, dalin nëpër tregje të tjera, nuk janë vetëm të varur nga tregu i rrugës, dil rrugëve e shit prodhimin, por dalin nëpër tregje jashtë. Kështu, pak nga pak strukturoren si një sipërmarrje e madhe e përbashkët. Këtë gjë duhet të bëjmë.

Kjo gjë ndodh sot në Shqipëri, në realitete që janë shembull për t’u marrë, por duhet që bashkitë t’i fusim fuqimisht në veprim, siç është futur Bashkia e Durrësit për të ndërtuar këto procese që sjellin krijimin e këtyre bashkimeve të vogla e pastaj, me ambicien për të bërë bashkime më të mëdha, kooperativa, quajeni si të doni, pak rëndësi ka. Rëndësi ka që të krijojmë këto kushte, në mënyrë që te kemi mundësi financimi.

Sot, nëse këtu, nevoja është për një pikë grumbullimi, këtë nevojë askush nuk e plotëson dot vetë dhe nuk ka për momentin, këtu, një sipërmarrës, një investitor që ta marrë përsipër ta bëjë pikën e grumbullimit dhe t’ju shërbejë të gjithëve.

Kjo mundësi e re që ne krijojmë është që sëbashku, fermerët mund ta ndërtojnë një pikë grumbullimi duke u bashkuar dhe duke aplikuar sëbashku me bashkinë për t’u financuar nga kjo linjë financimi, për ta ndërtuar pikën e grumbullimit dhe për ta administruar sëbashku. Mund të jenë administrime të përbashkëta, të bashkisë dhe të fermerëve, mund të jenë administrime krejtësisht private nga vete fermerët, por kjo është krejtësisht e mundur, nuk ka asgjë që e pengon. E vetmja gjë që e pengon është të vazhdojmë të qëndrojmë në rrugën e të kaluarës dhe të rrimë të presim që këto gjëra t’i bëjë dikush tjetër. Nuk ka kush i bën tjetër, duhet t’i bëjmë ne, sëbashku.

Unë kam vetëm një problem. Këtu ky popull vuan për një ambulancë. Dikur ka pasur ambulancë, ishte e detyrueshme të kishte atëherë.

Kryeministri Rama:
Fshati nuk është vetëm toka, puna, prodhimi, shitja etj., por është edhe pjesa tjetër që ka të bëjë me shërbimet. Ne kemi bërë një reformë shumë të thellë të sistemit të urgjencë dhe brenda pranverës së ardhshme, ju do të jeni vetë dëshmitarë që nuk do ketë më probleme të kësaj natyre. Sepse kemi organizuar të gjithë flotën e ambulancave, që do të thotë që, nëse deri sot, prej kaq shumë vitesh, autoambulancat ishin të atashuara pranë spitaleve rajonale, - me numrin e telefonit të spitalit, që herë e kapnin e herë s’e kapnin, herë merreshin vesh e here nuk merreshin dhe distancat mund të ishin të ndryshme nga spitali në një vend apo një vend tjetër, - sot Shërbimi Kombëtar i Urgjencës do të jete një shërbim i unifikuar dhe i drejtuar nga qendra në Tiranë.

Qendra do ketë një sistem tërësisht elektronik, një tru elektronik me ekranet në të gjithë Shqipërinë. Të gjitha autoambulancat janë të pajisura me GPS dhe do ketë një numër unik urgjence (112), nga i cili do i përgjigjen kujtdo, sepse nuk është një linjë telefoni e zakonshme, por është një linjë që kalon përmes kompjuterëve. Ambulancat do jenë të shpërndara në territor, në mënyrë që çdo pikë ku autoambulancat do jenë të përqendruara, të mund të mbulojnë një rreze ku përfshihen 25 mijë banorë, në një hark kohor 10 – 15 minuta. Kjo është skema e re.

E vetmja gjë që mbetet për t’u bërë dhe që ka filluar të ndërtohet, është truri elektronik i shërbimit, i cili do të jetë në punë brenda pranverës së ardhshme. Pastaj nuk do ketë më asnjë problem të kësaj natyre, sepse organizimi i sistemit është komplet ndryshe. Gjithçka do jetë e kontrolluar në mënyrë kompjuterike, nga momenti i marrjes së thirrjes tek dhënia e komandës për autoambulancën më të afërt, që të niset në vendin nga u mor thirrja, tek ndjekja në ekran e lëvizjes së autoambulancës dhe tek marrja e raportit për shërbimin.

Edhe sot që flasim, kjo funksionon për të gjithë ato ambulanca që janë në aktivitet, por pengesa është që akoma janë të lidhura drejtpërdrejtë më spitalet. Kjo pengon që sistemi të funksionojë plotësisht.

Kështu që unë të jap fjalën që mbas pranverës se ardhshme, kjo punë nuk do jete më problem, as për ty dhe as për askënd tjetër. Të kuptoj në shqetësimin që ke, por ju jeni njerëz që më mirë se shumë nga ata që rrinë e bërtasin në parlament, apo shkruajnë nëpër ato mediat e kazanit, e dini që asgjë nuk bëhet pa punë dhe çdo punë e mirë kërkon mundimin e vet dhe kohën e vet. Një histori 20 e ca vjeçare rrumpalle, me gjithfarëlloj plagësh dhe problemesh, nuk mund të mbyllet sa hap e mbyll sytë. Gjithë ato plagë kërkojnë një kurë të thellë dhe kërkojnë durimin për t’i kuruar pak nga pak.

Kemi vetëm tre vjet që kemi marrë përsipër që ta transformojnë krejtësisht shtëpinë tonë të përbashkët. Një shtëpi që e gjetëm me borxhe të mëdha, në prag të falimentimit të plotë e në prag të kolapsit energjetik, një shtëpi që nuk merrej vesh ku hyje e ku dilje dhe kush bënte çfarë, të gjithë për vete, Zoti për të gjithë. Tani, pak nga pak po vëmë disa rregulla dhe nuk kemi bërë ndonjë mrekulli, por thjeshtë po ndërtojmë një bazë mbi të cilën të ngrihen ashtu siç duhen institucionet e një shteti normal. Nuk bëhet shtet sa hap e mbyll sytë, as vetëm duke u ankuar dhe duke kujtuar se çfarë kemi hequr. Këto i dimë të gjitha, por kërkon reforma, kërkon durim të madh. Reformat nuk janë festa, nuk janë as dasma. Reformat janë operacione të dhimbshme, janë kura të dhimbshme, janë ilaçe të hidhura, nganjëherë shumë të hidhura, por duhet t’i përballojmë, në qoftë se duam që historia e 20 e ca viteve të mos vazhdojë edhe 20 e ca vite.

Bujqësia ka 5-6 hallka, kullimin, plehërimin, farërat. Ke farat çalon puna. Po s’u bënë të gjitha këto hallka, vadite sa të duash, megjithëse uji është e para.

Kryeministri Rama:
Uji ishte e para. Uji po bëhet dhe që tek farërat, tek kimikatet, kullimi është bashkë me ujit, ato po bëhen dhe këtu i ke. Tek farërat dhe tek kimikatet, ne jemi të vetëdijshëm që akoma nuk kemi dhënë zgjidhjen e duhur, sepse shumë njërëz bien pre e lloj-lloj firmave që shesin një farë dhe pastaj kur e sheh në prodhim, del diçka tjetër. Edhe kësaj, ne po i japim një zgjidhje.

Ka 25 vjet që nuk u bënë gjërat me teorinë “nuk është momenti, ta shohim vitin tjetër”. Kjo histori duhet të mbaronte dhe kjo histori ka mbaruar. Ne nuk kemi marrë votën që të ulemi në karrige dhe të themi ta shtyjmë apo ta lëmë atë për vitin tjetër. Të vazhdojmë historinë e vjedhjes së energjisë elektrike se na duhen ca vota këtu e ca vota atje, ndaj vidheni energjinë elektrike, se ka disa budallenj të tjerë që e paguajnë edhe për ju; Vazhdojmë nëpër universitete të marrin të gjithë nga një copë letër, të bëhen të gjithë jurist. Punë e madhe se del që paratë e prindërve ikën kot edhe ajo diploma është letër pa vlerë, le të hapim dyert e universiteteve me nota pesë, katër, edhe me tresha, të futen të gjithë aty dhe të shohim e bëjnë.

Kjo histori shkoi shumë gjatë dhe ata që lindën në vitin kur ndodhi ndryshimi, sot janë 25-26 vjeç dhe janë viktima të gjithë kësaj zvarritje dhe kësaj historie ku secili që mori votën qëndroi aty vetëm për të shtyrë ditët në karrigen ku ishte.

Unë nuk kam ardhur këtu për këtë punë, por për të bërë reforma, bashkë me të tjetër, jo vetëm. Kështu që reformat janë e vetmja gjë që nuk mund të lihen më mënjane.

Edhe kjo histori e bujqësisë është një histori që nuk mund të vazhdonte më, siç vazhdoi 20 e ca vjet. Është e paimagjinueshme të diskutojmë në Shqipëri ujin. A thua se jemi Izraeli! Izraeli nuk ka ujë dhe ka sistemin vaditës nga më të mirët në botë. E marrin ujin nga deti, se nuk ua ka dhënë perëndia, as natyra, ia heqin kripën, e fusin nëpër sistemin e tyre dhe e çojnë me pika tek çdo bimë. Ne e kemi ujin kudo dhe veçse kur përmbytemi, se nuk kemi kanale kullimi dhe ngelemi pa bukë, se nuk kemi kanale vaditëse. Kjo nuk mund të vazhdojmë më kështu.

Ai kanal që është duke u bërë tani ka qënë bërë njëherë para 10-15 vitesh. Liqenet kanë qenë dhënë me koncesion. Nuk mund të shkoje as të peshkoje, sepse dilte burri i huaj thoshte dil matanë. Këtu ka qenë një shoqatë, ku kemi pas qenë disa familje dhe kjo nuk funksionoi. Tani të bësh reformën kështu, 2 dynym këtu, 2 dynym atje, nuk ma merr mendja se ky ligj 7501 nuk është në rregull, për mua flas.

Kryeministri Rama:
Ligji 7501 është një ligj që është bërë që në ditën 1 dhe ai ligj nuk është zbatuar asnjë ditë, sepse e morët tokën, por nuk kishit tokë, thjesht e merrje në përdorim. Ne do t’i japim të gjithëve certifikatat e tokës dhe do t’i bëjmë pronarë me 7501, nuk ka tjetër. Pastaj, çështja e 2 dynym këtu, 3 dynym atje është një çështje që nuk ka nevojë të bëjmë ndonjë shpikje të madhe. Zgjidhet siç e kanë zgjidhur shqiptarë si ti e si unë në zona të tjera. Ka zona të Shqipërisë ku nuk duan ta dinë fare se sa dynym kam unë dhe sa dynym ke ti, por bashkohen bashkë dhe unë te dynymët e mi, ti te dynymët e tu, ama farën, kimikatet, prodhimin dhe shitjen e kemi bashkë. Nuk mund të mbjellim unë te dynymët e mi qepë, ti te dynymët e tu bamje dhe pastaj dalim tek rruga, kapim ndonjë kamion ose një veturë që po ndalon dhe po na merr qepët e bamjet. Kjo është mbijetesë, nuk është bujqësi. Ndërkohë që jo ideologjia, jo urdhri nga lart, por interesi na bën të dyve që të bashkëpunojmë dhe të pyesim se çfarë duhet të bëjmë të dy bashkë dhe gjithë të tjetër rreth e rrotull që të fitojmë më shumë. Kjo është pyetja, çfarë duhet të bëjmë që të fitojmë më shumë.

Ne duhet të mbjellim një nga produktet që është më i përshtatshëm për zonën dhe për të cilin, ne të sigurojmë treg. Për ta mbjellë, duhet të bashkëpunoni për fara. Nuk mund të përdorni ti një farë tjetër dhe ai një farë tjetër, sepse nuk mund ta grumbullosh që ta shisni sëbashku. Në shitje të jeni bashkë dhe nga shitja, ti do marrësh çfarë ke prodhuar tek dy dynymët e tu, ai do të marrë çfarë ka prodhuar tek dy dynymët e tij.

Mbi të gjitha, në momentin kur ne jemi pronarë, kemi të drejtë të themi po i shes këto 2 dynymë dhe tjetri ka të drejtë të thotë po ia blej edhe këtyre të tjerëve dhe po i jap përqindje. Pra, bëjmë një treg normal. Përndryshe, 25 vjet duke ardhur vërdallë, siç thotë ajo shprehja, duke gjëmuar bishtin. Nuk na kërkohen shpikje. Ne thjesht duhet të ndjekim logjikën e modeleve më të mira. Kështu i bëjnë të tjerët, kështu i bëjnë shqiptarët si unë e si ti  në Sarandë, në Korçë, në Berat e Lushnje. Nuk e kanë fare problem sa dynym kam unë dhe sa ke ti, por kur prodhojnë, bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. E kjo krijon forcë. Forcë interesi, forcë në treg.

Nëpër Shqipëria, për shkak të punës, kam parë gjëra që nuk do i besoja, po të mos i shihja vetë. Fshatra të thellë, ku janë bërë njerëzit bashkë dhe kanë një blegtori ekselente. Fshatra ku njerëzit janë bërë bashkë e sheshin deri në Izrael, në SHBA, në varësi të çfarë prodhojnë. Bimë medicinale shiten në SHBA. Pak, por në atë pak, që për ne është shumë, ka vend në atë treg. Por si mund të bëhet kjo, po nuk u bë ajo që po themi.

Si mund të financoni rritjen e prodhimit, nëse nuk keni certifikatë pronësie, nuk keni një plan, nuk keni një argument për ata që financojnë? BE nuk të jep asnjë lek, nëse nuk ke një projekt të besueshëm. Paratë aty janë, por për t’i marrë, duhet të kesh projekt e argumente bindës në projekt. Jo çdo lloj projekti financohet. Ajo që do të bëjmë ne është që thjesht dhe vetëm të jemi nxënës të mirë të praktikave më të mira, që janë gati. Nuk kemi çfarë shpikim. 

Përsa i përket kanalit, ky kanal këtu ka lënë pa vaditur mijëra familje dhe është bërë problem, për vite të tëra, për gjithë skemën e prodhimit. Sot është 28 kilometra, 7 kilometra kanali kryesor dhe 21 kanalet dytësore dhe faktikisht është zgjidhur problemi i ujitjes. Ne erdhëm me kryetarin e bashkisë, para disa kohësh, tek rezervuari.  Rezervuari ishte plot me ujë, por askush nuk merrte ujë në atë rezervuar, sepse ishte bllokuar një saraçineskë 3 milionë lekë të vjetra. 25 vjet, kush ka qënë tek komuna nuk ka pasur as mendjen, as mundësinë, a kushedi si e ka pasur hallin dhe një zonë e tërë vuante për ujë. Aty me siguri gjuanin peshk.

Këto janë gjëra shumë të thjeshta, por që duan një punë të madhe dhe duan para. Se ku ta gjesh, t’i bësh të gjitha. Ne fillojmë në fund të tetorit, një projekt në zonën e Myzeqesë, ku kalojmë komplet në një gjeneratë tjetër vaditjeje, vaditje me sistem hidraulik. Uji në arë duhet të shkojë, siç shkon uji në shtëpi, me sistem hidraulik, me matës e ku çdo pikë ka vlerë. Mirëpo fillimisht ta zgjidhim këtë problem, që të gjithë të kenë ujë njëherë. Pastaj me sistemin hidraulik të fillojë një skemë komplet tjetër, ku njerëzit të marrin aq ujë sa kanë nevojë, për aq ujë sa kanë nevojë të bëjnë pagesën e tyre minimale dhe kur nuk ka nevojë, e mbyllin dhe e mbajnë në rezervuar. Ujin e kemi me bollëk, por ngelemi se nuk ka ujë në rezervuar.

Unë jam një element i kësaj zone. I kthyer nga mërgimi dhe sëbashku kemi krijuar këtë shoqëri. Kuptohet që problemet janë të shumta, siç i ka një biznes, i ka dhe qeveria. Ne si biznes kemi një problem në infrastrukturë. Është një problem i zgjidhshëm, sepse nuk ka probleme të pazgjidhshme. Ne si biznes kemi nevojë për 1600 metra rrugë për të mbërritur në desitnacionin tonë, ku bëjmë një lodhje për të shkuar në Europë, Zvicër dhe Kinë. Unë tani duhet ta ndërpres pjesën time dhe dua të t’ia lë pak fjalën për ortaken sime italiane, sepse 50 përqindëshi im përfundoi.

Unë kompletoj atë që po thoshte ortaku im, sepse së fundmi kemi përmbledhur një kontratë me një korporatë gjermane pas 5 vjetësh kultivimi këtu në zonë gjithçka financuar në nivel privat, fillojmë këtë vit një projekt për të parën ECO-zonë të Shqipërisë, ku projekti është në 50% të financuar nga ne, në mënyrë private. Projekti operativ parashikon ekspansionin e kultivimit bujqësor dhe qëllimi final është krijimi i një zonë në Shqipëri që është e para. Unë nuk mund të bëj gjë tjetër veç se të përsëris atë që ju tha ortaku im. Kemi nevojë absolutisht që të kompletohet kjo copë rrugë, sepse duhet të vazhdojmë të prezantohemi në nivel ndërkombëtar, për atë që jemi.

Kryeministri Rama:
Dy gjëra mund të them pas këtyre ndërhyrjeve. Besoj se e para është e një bashkëqytetarit tuaj që jeton këtu me ju. Shumë që kanë mikrofon në Shqipëri kanë qejf të flasin vetëm për shqiptarët që ikin dhe jo për shqiptarë që vijnë. Një ndër shumë shqiptarët që janë kthyer dhe që ka bërë, me sa kuptoj, një zgjedhje jo nga dëshpërimi, por nga kurajoja dhe fuqia e ëndrrës për të prodhuar këtu, për të eksportuar këtu dhe për të krijuar mirëqenien e tij dhe familjes këtu. Pra, është e mundur. Nëse rrimë e presim që të ndodhi një mrekulli, mrekullitë, - kur vjen puna për këto që flasim, jo për mrekulli që janë në fuqi të Zotit, - i bëjnë njerëzit, nuk ndodhin. Ne i kemi të gjitha mundësitë që me tokën, me ujin, me klimën, eksperiencën, me pozitën gjeografike që kemi, të mund të bëjmë sukses në bujqësi. Kur them ne, nuk flas për ne qeveria, por ne shqiptarët që jetojmë në fshat. Patjetër që thelbi është të bashkojmë forcat, duke bashkuar interesat, jo duke u bashkuar për parti e për imponim nga shteti, por duke bashkuar interesat.
 
Nga ana tjetër, unë jam shumë i vetëdijshëm që jo 1600 metra rrugë këtu, por ka kilometra rrugë kudo në Shqipëri në zonën e fshatit që kanë nevojë për t’u ndërtuar apo rindërtuar. Ne i kemi filluar nga duhet të ishte filluar 25 vjet më përpara, nga qendrat e zonave të banuara, qendrat e qyteteve. Faktikisht, Durrësi, nën drejtimin e Vangjush Dakos, është një shembull që projekti i transformimit të infrastrukturës nuk është thjesht hidh asfalt aty ku ka gropa, por është një projekt transformimi social, që vjen si rezultat i një transformimi urban që shtrihet nga qendra drejt periferive. Ne kemi qenë dhe përsëri do shkojmë të shohim një tjetër aks shumë të rëndësishëm në shërbim të bujqësisë. Qendra dhe shumica dërrmuese e infrastrukturës në Durrës është bërë. Po bëhet edhe infrastruktura e plotë e plazhit, që ishte faqja e zezë, pa kanalizime 20 e ca vjet. Flasim për plazhin, që sjell të ardhura kryesore nga turizmi në Shqipëri, jo vetëm në Durrës, pa kanalizime. Po ndërtohet më në fund, ujësjellësi i Durrësit. Sigurisht ky proces do shkojë duke u shtrirë dhe çdo vit do të ketë gjithmonë e më shumë impakt edhe në zonën e bashkisë që ka fshat, duke krijuar një zhvillim të integruar urban dhe social.

Kudo, kujtdo me të drejtë i duket se janë vetëm ato 1600 metra, por nuk janë vetëm ato. Për buxhetin e shtetit e buxhetin e bashkisë janë ato e tjera e tjera dhe shumë njerëz kanë të drejtë të thonë se tre vite më parë votova Rilindjen, tani unë jam këtu dhe këto 1600 metra, që ishin gjëja e parë që prisja të më sillte Rilindja, janë akoma të pabëra. E vërtetë, por po kaq e vërtetë është që secili duhet të kuptojë  se siç është shtëpia e dikujt, edhe kjo është shtëpi e përbashkët që ka shumë gjëra, por nëse duam t’ia dalim, ka edhe një radhë gjërash që duhen bërë, duke filluar nga më e madhja dhe duke shkuar tek më të voglat, që për ju që flisni është më e madhe se qendra e Durrësit, më e madhe se rruga e Kombit, më e madhe se çdo infrastrukturë tjetër që në nivel lokal apo kombëtar kanë rëndësi madhore.

Patjetër dhe me siguri që ne edhe aty do të ndërhyjmë për t’ju mbështetur juve dhe për të mbështetur zhvillimin e zonës. Koncepti ynë në ndërtimin e rrugëve rurale është i lidhur me zhvillimin bujqësor, jo rrugë për rrugë, por rrugë që stimulojnë zhvillimin e bujqësisë dhe stimulojnë tregtinë në zonën rurale dhe nga zona rurale në qendër dhe nga qendra më tutje, në Tiranë apo eksport. E dëgjova me shumë vëmendje. Nuk hyj tek ata që thonë “po, këtë e ke të bërë”, sepse kam ardhur këtu para 4 muajsh dhe dua të vij përsëri dhe nuk dua që kur të vij, të fshihem, jam dhe shumë i gjatë. Kështu që po ta them drejtpërdrejtë që jam shumë i vetëdijshëm për problemin në përgjithësi, tani e mora vesh konkretisht. Të jesh i sigurt që është shqetësimi ynë i përditshëm, mos të them që nuk më zë gjumi natën, se si të bëjmë më shumë dhe se si t’ua çojmë sa më shumë njerëzve përpara syve, transformimin.

Një nga problemet kryesore këtu është uji i pijshëm. Wshtë turp që në Shqipëri të mos ketë ujë të pijshëm. Një problem tjetër ose më mirë me thënë kjo është për pushtetin vendor më tepër, aktivitetet kulturore sportive. Është fati më i madh që zona e Manzës e ka të paprekur zonën e futbollit. E ka të paprekur, jo të paprekur fare se është cunguar, është bërë treçerekëshe nga ajo që  ka qenë, ka dhe mundësi një variant tjetër, për të bërë një stadium dhe i përmbledh të gjitha këta zonat, duke filluar nga Ishmi deri në Maminas që janë një zonë me tradita për këtë gjë, por nuk u bë. Ka shkolla që janë akoma pa kuadër fizkulturë.

Kryeministri Rama:
Që të jesh i qartë, stadium në Manzë nuk bëj. Unë përgjithësisht premtoj të gjithë gjërat që  mendoj që mund të bëhen dhe mund t’i bëj dhe ato premtime që kemi bërë, të jeni të sigurt që do bëhen. Lëre se çfarë thotë kazani. Unë po ju them që më ka gjet belaja me këtë punën e stadiumeve, se kudo ku shkoj duan stadium. Mirëpo pyetja është shumë e thjeshtë, kush e ka radhën, stadiumi i Manzës apo stadiumi i Vlorës, mbas këtij të Tiranës? E ka i Vlorës. Po mbas atij të Vlorës? Unë nuk mendoj që do t’i vijë radha Manzës për stadium, kështu që edhe ndeshjen në Durrës.

Përsa i përket ujit, lajmi i mirë është që më në fund, mbas 20 e ca vitesh është në ndërtim, ka filluar puna dhe po ndërtohet ujësjellësi dhe sistemi i kanalizimeve të Durrësit. Ju do të thoni, sa do presim? Do të prisni sa të mbarojë ndërtimi i ujësjellësit. Kjo është një plagë e madhe. Deri në maj nuk do të bëhet, se nuk është ujësjellës elektoral. Ujësjellësin elektoral e bënte tjetërkush, që ta tregonte gotën, por jo ujin. Ujësjellësi do të ndërtohet në afat dhe do të ndërtohet mirë. Ka filluar puna dhe do të mbarojë, por ajo që nuk u bë për 25 vjet nuk mund ta bëjmë deri në maj. Jo se nuk kemi dëshirë. Kush është ai kryeministër ose kryetari bashkie dhe nuk ka dëshirë që të gjitha t’i bëjë menjëherë, por nuk bëhen. Po të ishte ashtu, pyetja ime është pse nuk i bën edhe ti, një kat tjetër shtëpisë. Çfarë përgjigjeje do të më jepje; nuk dua, apo nuk  kam lekë? Po ky shtet, ku i ka gjithë këto lekë, për të bërë gjithë këto stadiume?

Përsa i përket rrugicave të rrugëve të parcelave, ky është një prioritet i bashkive dhe Vangjushi ka filluar me rrugët e parcelave. Ka shumë zona ku po punohet, por edhe kjo do fondet dhe kohën e vet, se nuk është diçka që bëhet për të kaluar radhën, e bën sot për të ardhur në punë dhe nesër është e bllokuar.

Ne po bëjmë mbase jo gjithçka duhet, por gjithçka mundemi. Kjo është e sigurt. Po kthehemi përsëri tek reformat. Ne po bëjmë reforma që të tjerët para nesh jo nuk i filluan, por as nuk i menduan ndonjëherë se mund t’i fillonin. Dhe ja ku jemi sot. Ti thua kuadrot e fizkulturës. Ne nuk kishim më fizkulturë në shkollë. U hoq dhe në atë shkollën e fizkulturës në Tiranë jepeshin diploma pa u paraqitur fizikisht. Nuk kishte nevojë të shkoje dhe merrje diplomën si sportist, pa të parë fare. Ka filluar një ndryshim rrënjësor për sportin në shkollë. Ka akoma mangësi, duhen pritur disa vite që të plotësohet gjithë numri i nevojshëm i pedagogëve të edukimit fizik, jo një që është muzikat jep dhe edukimin fizik. Imagjino që këtu, një mësues i edukimit fizik jepte muzikë. Edhe kjo është diçka që është vënë në vijë, por të mbjellësh sot e të kërkosh të korrësh sot e ta shesësh sot dhe në darke të kesh edhe ushqim nga ajo që ke mbjellë, por edhe lekët nga ajo që ke shitur, kjo nuk ndodh dot. Unë mendoj që ne kemi mbjellë dhe po fillojmë të korrim, në rrugën e duhur. Ka plot gjëra që duhet shumë kohë, ka gjëra të tjera që duan më shumë para, por sigurisht që rruga është e duhura. Çdo kthesë tjetër është një iluzion.

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Gratë e PD-së së Sali Berishës dhe Rajmonda, gruaja e Aleks Nikës, vrarë me 21 janar 2011