Fjala e Kryeministrit Edi Rama në
ceremoninë e Çeljes së Muzeut në Korçë

Fort të nderuar miq të pranishëm!

Hirësi, imzot Johani!

Është një emocion i veçantë brenda emocionit të madh të çeljes së dyerve të një Muzeu, pranua juaj këtu. Jam i bindur që Bashkia e Korçës do t’i vërë edhe kornizën e munguar kësaj vepre të jashtëzakonshme, duke i dedikuar një vend të veçantë në hapësirën e këtij Muzeu, njeriut, pa të cilin Korça nuk do e kishte këtë koleksion të mahnitshëm, Theofan Popës.

I nderuar Lorenc!

Në fakt, nëse ka një njeri që meriton të duartrokitet sonte, ai je ti, drejtori i dikurshëm dhe i sotëm i Muzeut, sepse pa ty dhe pa atë grup të vogël njerëzish të përkushtuar që e mbrojtën koleksionin edhe gjatë flamës së vitit 1997, ne sot mund të kishim një Muze, por nuk do kishim një koleksion.

Respekt dhe mirënjohjen më të thellë për këtë punë, për të cilën jam i sigurt se të gjithë brezat e këtij qyteti nuk do të të harrojnë asnjëherë!

Shumë i dashur Piter!

Kryetari i bashkisë është i bindur që maksimumi që mund të ketë një njeri në jetë është të jetë gjerman, po ti nuk je gjerman, ti je australian. Kryetari i Bashkisë duhet të kuptojë që jo të gjithë duan të jenë gjermanë. Ka dhe që nuk janë dhe janë me krenari ata që janë. Por le t’ia lëmë lapsusit tënd, vetëm faktin që nuk je ti tamam siç janë australianët. Sidoqoftë është një lapsus që ka dhe një justifikim tjetër, sepse gjysma më e mirë e Piterit është gjermane.

Shumë faleminderit Piter për këtë kontribut shumë të çmuar që ti jep për Korçën në mënyrë të veçante dhe posaçërisht, edhe për t’i dhënë këtij Muzeu, atmosferën magjike që të gjithë do zbulojnë në hapësirat e tij. Njëkohësisht komplimente edhe arkitektëve të godinës, të cilët duhet, - besoj, - të ndihen të kënaqur edhe me kontributin e dashamirësve të projektit që erdhi në formën e një transformimi që i ka bërë shumë mirë fasadës. Kështu që Alket, jeta është proces dhe në proces ka nga ato të papritura, që duket sikur vijnë për keq, por në fakt vijnë vetëm për mirë.

Në këtë ditë, që është një ditë e shënuar jo vetëm për Korçën e ku na takon të celebrojmë jo thjesht Muzeun, por edhe një punë që unë besoj, do të shënohet si një punë e jashtëzakonshme në këto 25 vite bërë nga Ministria e Kulturës, nën drejtimin e ministres Kumbaro.

Sot, më në fund, një trashëgimi e vyer mbrohet dhe është në dispozicion të publikut, ndërkohë që edhe studiohet në kushte optimale. Në koleksionin e këtij Muzeu Kombëtar të Artit Mesjetar, që nuk mund të ishte askund tjetër përveçse në Korçë, janë të identifikuara rreth 150 vepra të punuara nga një numër i madh piktorësh, ikonografë dhe freskografë, që kanë lënë gjurmët e tyre në historinë e këtij vendi, një ndër ta edhe Onufri.

250 objekte dhe ikona ekspozohen për herë të parë në Muzeun e ri. Ajo që vlen të nënvizohet është se ekspozohen në të gjithë parametrat më bashkëkohorë në të gjitha pikëpamjet, duke i dhënë një dimension të ri raportit tonë me trashëgiminë kulturore të ekspozuar në hapësirat urbane.

Falë përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Korçës u bë e mundur që në tetor të vitit 2014 të rifillojë një punë e nisur nga një kryetar bashkie, që këtu në Korçe ka lënë gjithmonë gjurmën e tij, Niko Peleshit, i cili me një kurajo, që në fakt nuk e karakterizon, një kurajo prej të marri, sepse Niko ka kurajo, por jo prej të marri, nisi të ndërtonte këtë Muze në vitin 2007 me një fond modest, të siguruar në bashkëpunim me qeverinë e Greqisë. Mirëpo fondi mjaftonte vetëm për të nisur punën, ndërkohë që shumë punë të nisura nga Niko, këtu në Korcë nuk u përfunduan siç Niko do të donte, sepse për fat të keq kishte një qeveri në Tiranë që i shihte ndryshe dhe i mendonte ndryshe gjërat. Në atë kohë, kur Niko nisi punën për Muzeun, paraardhësi im tha se ky Muze duhej mbyllur njëherë e përgjithmonë si një atavizëm i të shkuarës. Pastaj natyrisht u shfaq me mendje tjetër dhe tha se Muzeu do të ndërtohej brenda një viti. Në fakt kaluan shumë vite dhe ai që u nis për të qenë Muzeu mbeti një hapësirë me disa kolona dhe pa çati, ku njerëzit e këtij qyteti e dinë, u kthye madje dhe në mjedis problematik.

Historia tanimë është histori.

Sot, ne do të çelim dyert e këtij Muzeu Kombëtar, që është pjesë e një qasjeje të re për ta rilindur jo trashëgiminë tonë kulturore, por raportin e respektit me të. Sot, edhe pse jemi një vend që nuk i ka të pakufizuara mundësitë financiare dhe kemi kaluar përmes një faze shumë të vështirë për të dalë nga një krizë e thellë dhe e gjithanshme në çdo sektor, edhe pse na është dashur të shlyejmë qindra miliona dollarë borxhe të prapambetura apo të fshehura ndaj të tretëve, ne kemi bërë për trashëgiminë kulturore dhe e them me plot gojën, aq sa nuk është bërë për 25 vjet, të marra së bashku.

Mos harrojmë se në të njëjtën kohë, kur ne nisëm punën tonë në detyrë, jo vetëm ky Muze, në tentativë priste dorën e qeverisë, së bashku me koleksionin që, siç e thashë në fillim, mbrohej me stoicizëm nga pak njerëz këtu në Korçë po dy qytete muze të Shqipërisë, Gjirokastra dhe Berati kishin hyrë në listën e zezë të UNESCO-s për trashëgiminë botërore në rrezik dhe konsideroheshin si “pasuri në zhdukje”.

E gjithë situata e trashëgimisë kulturore mund të konsiderohej e tillë, nëse do zbatoheshin kriteret vlerësuese të UNESCO-s, sepse jo vetëm koleksionet apo objektet ishin shumë të dëmtuara, por në një proces rrënimi të vazhdueshëm. Faktikisht, sot Gjirokastra dhe Berati nuk janë më në listën e zezë të UNESCO-s. Ndërkohë që qeveria ka investuar vëmendje, dije dhe para për të filluar një proces të pakthyeshëm, shpresoj dhe besoj, të ripërtëritjes së tyre.

Për herë të parë, pas 20 e kusur vitesh u bë inventari i monumenteve dhe për herë të parë u krijua lista kombëtare e monumenteve të kulturës, gjë që ky vend jo vetëm nuk e kishte, por në mungesë të kësaj liste kombëtare të monumenteve, të ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore të raportit të shtetit me trashëgiminë kulturore, shumë objekte faktikisht janë dëmtuar deri në zhdukje dhe shumë pjesë të koleksioneve të çmuara të këtij vendi janë grabitur e barbarizuar deri aty ku as imagjinata nuk të çon dot.

Kemi filluar një proces transformimi përmes partneriteteve të ndryshme për disa pika kyçë të trashëgimisë, ku përmend me krenari pazarin e vjetër të Korçës, i cili nga një fantazmë në mes të qytetit, sot është transformuar në një zonë që me siguri do të sjellë në vazhdim një impakt ekonomik në rritje për Korçën dhe do të jetë një nga nxitësit kryesorë të njerëzve për ta vizatuar këtë qytet.

Pesë vjet me radhë, Muzeu Arkeologjik i Durrësit, një nga pikat me të cilat mund të krenoheshim për trashëgiminë tonë kulturore, qëndroi i mbyllur dhe degradoi, ndërkohë që 2800 objektet e tij u lanë tërësisht në mëshirë të fatit. Sot, Muzeu Arkeologjik i Durrësit është riçelur dhe objektet e koleksionit të tij janë restauruar plotësisht.

Ndërkohë është vazhduar me zgjerimin e listës së monumenteve të kulturës. Kemi 170 monumente të përfshira në këtë listë, që nuk ishin më parë në asnjë lloj inventari dhe regjistri  të Institutit të Monumentit të Kulturës dhe natyrisht ishin të kërcënuara të zhdukeshin, për t’i hapur rrugë zhvillimeve të ndryshme në realitete të ndryshme urbane të vendit.

Një operacion i mirëfilltë emergjence për të shpëtuar vendbanimet tradicionale, objektet e kultit apo monumentet më në rrezik ka sjellë si rezultat që sot kisha e Ristozit në Mborje, Muralja në Kishën e Shën Mërisë, kisha e Shën Pjetrit në Vithkuq, kisha e Shën Thanasit në Karavasta, banjat romake në Durrës, hyrja në Kalanë  e Gjirokastrës, vetë kompleksi i sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë, ura Goricës dhe Velabishtit në Berat, Amfiteatri i Durrësit, kalaja e Lezhës, Manastiri i Shën Mërisë në Apoloni, Xhamie e Ethem Beut në Tiranë, Xhamia Mbret në Berat, Pazari i Krujës, i Korçës dhe ai i Tiranës, për të mos përmendur të tjera, janë tanimë pjesë krenare e trashëgimisë sonë kulturore.

Për herë të parë, ne hapëm një proces të përbashkët me Kosovën, për të ndërtuar një itinerar të përbashkët dhe në rrugën e përbashkët të historisë së trashëgimisë kulturore. Sot padyshim nuk mund të themi se kemi kryer misionin tonë, përkundrazi, është një mision që është vetëm në fazën e vet të parë, pasi janë ende të shumta objektet, monumentet, koleksionet që mund të tregohen si në nevojë për dorën e shtetit dhe për dritën e syve të publikut.

Ajo që është me rëndësishmja është se sot asnjë monument, asnjë objekt, asnjë koleksion, asnjë vendbanim tradicional nuk rrezikon të zhduket dhe nuk është i kërcënuar që nga harresa të jetë pre e rrënimit dhe padyshim, si pjesë e rrënimit, edhe të atij zhvillimi që nuk konsideron pikërisht këtë pasuri të jashtëzakonshme, që nuk zëvendësohet dot nga asnjë lloj zhvillimi, sado spektakolar, i sotëm.

Dua edhe një herë të falënderoj me shumë mirënjohje të gjithë ata, të cilëve nuk u përmenda emrin, por që janë protagonistë të mbrojtjes të këtij koleksioni fantastik, i cili , më lejoni t’ju them, është padyshim koleksioni më i madh që është i mbledhur në një muze për Artin Bizantin në rajonin tonë. Kjo dhe për shkak të historisë, sepse në rajon ka padyshim koleksione të jashtëzakonshme, por ato nuk e kaluan procesin e zbritjes në ferr, që kaluan koleksionet tona të Artit Bizantin dhe gjenden në objektet  e kultit, përgjithësisht. Por besoj që është edhe koleksioni më i madh në Europë i Artit Bizantin, i mbledhur në një muze të vetëm.

Kështu që jam i bindur që kushdo që do të vijë në Korçë nga nesër, do të ketë një arsye të fortë më shumë, që është ky Muze fantastik. Ndërkohë që për korçarët, ashtu si dhe ndërhyrjet e tjera të bëra në këtë drejtim, Muzeu nuk do të jetë vetëm një kartëvizitë krenarie për atë që kjo zonë ishte dikur, por do të jetë edhe një tjetër instrument i fuqishëm i rritjes ekonomie dhe i rritjes së cilësisë së jetës sociale të këtij qyteti.

Me shumë respekt dhe domosdoshmëri në fakt, dua ta them fjalinë e fundit, duke i shprehur vlerësimin më të lartë, Niko Peleshit, i cili sot është me të drejtë njeriu më i lumtur, pasi pa se si një  vepër e nisur nga një kurajo e marrë, kur ai kishte humbur të gjitha shpresat, me siguri, sot është kthyer në një vepër që tregon normalitetin e një vendi të vetëdijshëm për vlerat e veta, të përfaqësuar nga një qeveri që, meqë jemi përballë priftërinjve, ka mëkatet e veta, se pa mëkate nuk ka asnjë qenie që merr frymë, por padyshim ka virtytin e të qenit në lartësinë e ambicies së Shqipërisë së gjeneratës tjetër.

Shumë faleminderit!

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Robert Berisha uron publikisht vajzën e tij 16-vjeçare për ditëlindje! Ndan foton e dy motrave së bashku