Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën me temë "Bujqësia e rritjes dhe e zhvillimit/Sfida dhe potenciale"

“Përshëndetje të gjithëve!

Në radhë të parë përshëndetje dhe mirënjohje për Profesor Hausmann edhe skuadrës së tij.

Për të bërë një marrëveshje të qartë fjale, se fjala studentë ne, shpeshherë, na kujton universitetet me diploma false, por këtu bëhet fjalë për një grup të rejash dhe të rinjsh që në Universitetin e Harvardit bëjnë Masterin, pas një eksperience në punë. Janë njerëz me eksperienca shumë të spikatura, me pozicione të larta administrative në vende të ndryshme të botës. Ndërkohë që, ky bashkëpunim është pjesë e një zinxhiri bashkëpunimi që ne kemi ndërtuar me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar, që drejtohet nga Profesor Hausmann, për të adresuar me politika të reja dhe me një qasje të re disa çështje kyçe të zhvillimit të vendit, duke filluar nga problemi i madh i energjisë dhe duke vazhduar pastaj me radhë, me burimet e rritjes ekonomike.

Një nga këto burime të reja rritjeje ekonomike, sigurisht, është bujqësia. Duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se ka mbaruar një epokë ku të ardhurat vinin nga një rritje e cila bazohej tek dërgesat e emigrantëve, në një masë të konsiderueshme; tek boom-i i ndërtimeve, si një industri e tranzicionit e ngritur mbi nevojën e madhe për hapësira të reja banimi; tek marrja e dhunshme nga ana e qeverisë e parave të kompanive, një lloj kreditimi i dhunshëm i qeverisë, përmes kontratash të papaguara dhe shërbimesh të papaguara. Këto të 3-ja ishin burimet kryesore të një rritje ekonomike, që nuk mundet më të bazohet në këto burime dhe të një modeli që, siç ne e kemi identifikuar kohë më parë, kishte shteruar. Për të nxitur një rritje të re dhe të qëndrueshme ekonomike, duhet të investojmë në burime të reja rritjeje, duke racionalizuar shfrytëzimin e pasurive tona, nga energjia, tek nafta, tek mineralet, tek turizmi e deri tek bujqësia, për të cilën jemi mbledhur këtu sot.

Së dyti, bindja jonë është se modeli i marrëdhënieve mes shtetit dhe fshatit në gjithë këto vite, i bazuar tek subvencionet në formën e lëmoshave për mbijetesë, jo në formën e investimeve për të krijuar zinxhirë vlerash, është një model thjesht dhe vetëm mbijetese, që nuk na çon asgjëkund. Se në qoftë se nuk na ka çuar në 20 e kusur vite, nuk kuptohet se pse do të na çojë në 20 e kusur vite të tjera, në qoftë se do të vazhdojmë në të njëjtën formë.

Ne kemi ndryshuar rrënjësisht qasje, gjë që është parë dhe është kuptuar dhe do të kuptohet gjithmonë e më shumë nga sipërmarrja e fshatit. Ne duam të nxisim sipërmarrjen, bazuar tek vlera që krijohet dhe krijon vlerë. Jo bazuar tek ideologjia e lëmoshës. Prandaj, nga një anë ne e rritëm me 70 % fondin e mbështetjes për bujqësinë dhe nga ana tjetër, ne kërkuam që vetë fermerët të angazhoheshin për të aplikuar me projekte, ku kriteri bazë i vlerësimit ishte jo thjesht urdhëro paratë dhe bëj këtë gjë, por çfarë kjo gjë do të sjellë më pas, çfarë do të gjenerojë më pas, për të arritur që të nxisim prodhimin, punësimin, eksportin, duke krijuar një cikël të mbyllur dhe duke krijuar shembuj suksesi që të gjenerojnë sukses, gravitete të reja që të gjenerojnë fusha magnetike për të përfshirë të tjerë në një proces zinxhir.

Ky është plani!

Sigurisht, që ne jemi të vetëdijshëm që pavarësisht gjithë dëshirës dhe vullnetit tonë, buxhetet tona shtetërore do të jenë gjithmonë të pamjaftueshme përballë kërkesës për rritje, në rast se kërkesa nuk do të përballohet me zinxhirë vlerash që do ta prodhojnë rritjen brenda për brenda sistemit. E për ta mbyllur, doja të thosha këtë, që nga njëra anë kemi disa rezultate të prekshme, për të cilat një fermer më tha një fjalë që më mbeti në mend. Sepse kemi rritje shumë të dukshme të eksporteve dhe kemi një gjallërim të ndjeshëm në territor, por s’mund të themi që kjo që ka ndodhur është rezultat i drejtpërdrejtë i kësaj politike të re për të cilën ne po flasim. Sepse ne po investojmë tek kjo politikë e re, tani. E ai fermer më tha: “Thjesht duke na hequr shtetin si pengesë, thjesht duke na larguar nga territoret tona administratën e taksidarëve dhe barrierat burokratike të korrupsionit nëpër dogana, na keni dhënë krahë; Thjesht duke na kthyer dinjitetin si sipërmarrës në fshat, që deri dje kemi qenë të detyruar t’i përulemi çdo lloj presioni të korrupsionit për të marrë para, që të marrim frymë, na keni bërë që të fillojmë të nxitojmë”. Patjetër që, kjo nuk mjafton, por është shumë e rëndësishme që ne të jemi shumë të vetëdijshëm se më shumë rregulla, nuk do të thotë më shumë rend ligjor. Na duhen më pak rregulla dhe na duhet më shumë iniciativë dhe më shumë mbështetje, me një sens të përbashkët të rendit ligjor. Në mënyrë që, nga njëra anë të heqim barrierat, qenësitë që pjellin korrupsion e zvarritje dhe nga ana tjetër, të krijojmë mundësitë për të krijuar zinxhirë vlerash.

Qasja e re dhe bashkëpunimi me skuadrën e Havardit na ka ndriçuar edhe në disa prej aspekteve që deri më sot duken si të pazgjidhshme. Duke filluar që nga problemi i tokës, për zgjidhjen e të cilit ne duhet të ndjekim rrugë alternative që lidhen me krijimin e interesit që buron nga zinxhiri i vlerave dhe jo me formën apo metodën klasike të formalizimit, që derisa nuk ka sjellë dot rezultat, nuk ka çfarë rezultati të sjellë më tutje. Formalizimi do të vijë nga interesi i drejtpërdrejtë që do të prodhojë suksesi, jo nga shtimi i ligjeve dhe i rregullave, i barrierave burokratike dhe i pengesave për zhvillim. Shembujt e suksesit në territor flasin qartësisht për këtë. Në këtë periudhë kemi parë shumë histori të bukura njerëzish, që pa asnjë mbështetje na kanë dhënë provën se me pak mbështetje dhe me shumë liri për veprim, bujqësia shqiptare mund të transformohet realisht në një burim të madh rritjeje ekonomike, në mirëqenie për fshatin dhe padyshim, edhe transformim të raporteve në deficitin tonë tregtar.

Edhe njëherë, me shumë mirënjohje për skuadrën e Profesor Hausmann që ka një karakteristike shumë të posaçme për ne që jemi mësuar me vite të tëra me donatorë, me seminare, me strategji, me specialistë, me ekspertë, me ekspertizë, me profesorë, me mastera, etj., etj., që nuk është e bazuar puna e kësaj Qendre për Zhvillim Ndërkombëtar tek numri i strategjive në letër dhe as tek numri i seminareve, por tek shembujt e suksesit. Si të ndërtojmë shembuj suksesi që të kthehen në gravitete të reja, për të gjeneruar pastaj kostelacione të reja për sukses.

Shumë faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

KFOR-i, EULEX-i dhe Policia monitorojnë situatën në Varage të Zubin Potokut, pas shpërthimit në kanalin e ujit Ibër-Lepenci