Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremonia e inaugurimit të përfundimit dhe vënies në punë të linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë:

I nderuar Kryeministër i Kosovës!


I dashur mik dhe gjithë delegacioni që sot ka mbërritur nga Kosova për këtë ngjarje të shënuar, që përbën realisht çeljen e një kapitulli të ri në rrugën e përbashkët të integrimit të hapësirës tonë, përmes një integrimi të gjithanshëm, duke filluar nga energjia e duke vazhduar në të gjithë sektorët.

Në 33 muaj bashkëpunimi intensiv mes Shqipërisë dhe Kosovës, sot mund të shohim me krenari sesa shumë kemi bërë, për të përafruar në çdo sektor qasjen tonë në pikëpamje ligjore dhe administrative dhe për t’i dhënë hapësirës tonë të përbashkët një bazë solide, një bashkim real energjish, forcash dhe potencialesh.

Besoj që nuk ka qenë pak, përkundrazi, ka qenë shprehje e një ambicieje të madhe për Shqipërinë dhe Kosovën, futja në rrugën e krijimit të një tregu të përbashkët bujqësor, të një sistemi të përbashkët arsimor, të një kalendari të përbashkët kulturor, të një sistemi të unifikuar procedurash doganore, e me radhë, në çdo fushë; nga turizmi te mjedisi, nga siguria tek tatimet. Por kjo që na ka mbledhur sot, këtu, është shenja më e fuqishme e vetëdijes tonë për këtë potencial të madh.

Përurimi më në fund i një projekti strategjik për zhvillimin e përbashkët dhe për bashkimin kombëtar, të parë me sytë e shekullit të ri, përbën pa as më të voglin dyshim, një arsye për të thënë sesa shumë kemi bërë dhe sa shumë mund të bëjmë së bashku.

Një projekt, i cili duhet të kishte përfunduar, - sikurse e nënvizoi edhe përfaqësuesi i qeverisë gjermane dhe i Bankës, - qysh në vitin 2011 dhe që përfundon sot, pasi me vullnet të përbashkët nisën punimet në fillim të vitit 2014.

Sot, krijojmë premisën themelore për një treg të përbashkët të energjisë, për një reduktim të konsiderueshëm të kostove dhe të humbjeve në rrjet.

Ne jemi të vetëdijshëm që si Shqipëria dhe Kosova nuk janë të vetëmjaftueshme në fushën e energjisë dhe asnjëri prej dy shteteve tona nuk ka rezerva të diversifikuara.

Nëse në Kosovë, 97% e energjisë vjen nga termocentralet, në Shqipëri, pothuajse e gjithë energjia prodhohet nga hidrocentralet. Mjafton pamja e dy anëve të kësaj medaljeje për të kuptuar se çfarë rëndësie strategjike ka që ne të punojmë pa reshtur​, që burimet e njëri-tjetrit t’i vëmë në shërbim të njëri-tjetrit e kështu, nga dy shtete me burime të padiversifikuara, kthehemi në një hapësirë me burime të diversifikuara, që funksionojnë në mënyrë komplementare me njëra-tjetrën, në shërbim të shqiptarëve në dy anët e kufirit dhe falë një koordinimi të plotë mes dy shteteve, në dy anët e kufirit.

Në Kosovë është e njohur botërisht se sistemi ka një kosto operacionale veçanërisht të lartë. Rrjeti varet ekskluzivisht nga termocentralet dhe mungesa e fleksibilitetit të sistemit e bën të pamundur, një raport racional ndaj ndryshimit të menjëhershëm të kërkesës.

Në Shqipëri, për herë të parë, falë kësaj linje vihemi në kushtet për të projektuar më mirë administrimin e tepricave apo mangësive sezonale, që jemi të gjithë dëshmitarë, diktohen nga kushtet klimaterike.

Ndërkohë, falënderoj parafolësin elegant që përfaqëson kompaninë e anës tjetër të kufirit, për nënvizimin e objektivit tonë të krijimit të bursës shqiptare të energjisë elektrike. Ne kemi filluar këtë proces. Nuk është një proces i lehtë, por vlen të nënvizohet sepse krijimi i kësaj burse shqiptare të energjisë elektrike do të na japë mundësinë të dy shteteve që të operojmë në mënyrë të përbashkët burimet dhe rrjetin e energjisë. Kosova ka rezervat më të mëdha të linjitit në rajon, ndërsa Shqipëria, dihet botërisht, ka rezervat më të mëdha të potencialit hidrolitik.

E pra, ajo që na ka dhënë Zoti apo natyra, - për ata që s’besojnë në Zot, - është e jashtëzakonshme në këtë aspekt. Një pasuri ku mjafton që të kemi vizionin e duhur, të përcaktojmë qartë idetë e duhura e të ecim përpara me vullnetin e duhur, për të sjellë një transformim epokal, në funksion të sigurisë energjetike, në funksion të rritjes ekonomike dhe në funksion të rritjes së mirëqenies të njerëzve tanë, duke e kthyer gjithë këtë pasuri, në një pasuri që jo vetëm nuk shkon dëm, siç ka ndodhur deri së fundmi, por përkundrazi prodhon mirëqenie.

Me këtë linjë ne krijojmë kushtet, që jo vetëm të jemi të integruar me njëri-tjetrin dhe jo vetëm të kemi mundësinë e një politike të përbashkët energjetike duke shfrytëzuar komplementaritetin e burimeve të diversifikuara, por së bashku, ne të jemi shumë më të fuqishëm dhe të integruar në tregun europian të energjisë.

Edhe Shqipëria, dhe Kosova, janë pjesë e procesit të Berlinit dhe në Samitin e Parisit është shumë e rëndësishme, për ne, që të prezantohemi me suksesin e këtij projekti dhe në të njëjtën kohë së bashku të ecim përpara për të çuar më tutje, projektin tonë shumë ambicioz për krijimin e një tregu rajonal energjetik.

Në këtë kuadër, qeveria e Shqipërisë ka gjetur veshët e duhur dhe është dëgjuar në procesin e Berlinit, duke garantuar financimin për linjën tjetër të interkonjeksionit me Maqedoninë, në gjurmën që shkon nga Bitola në Resen, në Ohër, në Strugë, në Elbasan dhe në Fier. Duke siguruar kështu, një variacion të plotë opsionesh dhe kalimin nga një epokë izolimi të plotë në një epokë tërësisht të re ku, duke disponuar gjithë këtë variacion që vjen nga gjithë këto linja lidhjeje, të mund ta administrojmë shumë më mirë fatin tonë.

Kjo autostradë e re energjetike që fillon me Maqedoninë pritet të përfundojë brenda vitit 2018 dhe do të mundësojë lidhjen e Turqisë, Bullgarisë, Maqedonisë me Shqipërinë dhe më tej, me Italinë dhe Europën Qendrore. Ky investim është edhe më i madh dhe sipas studimit të Komisionit Europian do të krijojë 315 milionë euro shtesë në Prodhimin e Brendshëm Kombëtar të Shqipërisë dhe do te ketë 800 mijë përfitues të drejtpërdrejtë, pa llogaritur dhjetëra mijëra biznese.

Krahas linjave të interkonjeksionit, ne duam dhe jemi shumë të vendosur të çojmë përpara lidhjen e Kosovës me gazsjellësin TAP, i cili e vendos Shqipërisë në qendër të korridoreve strategjike të kalimit të energjisë. Degëzimi me Kosovën shkon në drejtim të përmbushjes së misionit tonë, të qeverisë tonë dhe të qeverisë së Kosovës, për tregun e përbashkët energjetik me funksione të plota. Aktualisht, qeveritë tona po hartojnë një studim fizibiliteti për këtë projekt dhe kosto paraprake parashikohet 200 milionë euro.

Ndërkohë që paralelisht, Shqipëria është intensivisht e përfshirë dhe këtu, edhe njëherë tjetër, jo për formalitet, por për hir të vërtetës, dua të nxjerr në pah lidershipin e ministrit të Energjisë, lidhur me ndërtimin e gazsjellësit Adriatiko-Jonian që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi, Bosnjën dhe Kroacinë, si një investim kyç në axhendën e përbashkët të bashkëpunimit rajonal.

Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se në këtë drejtim, ne nuk jemi në pritje por, përkundrazi, po eksplorojmë mundësi të  ndryshme të financimit të këtyre dy investimeve themelore. Natyrisht, për ne shqiptarët, peshorja anon në rashë të parë nga degëzimi me Kosovën, por në funksion të tregut rajonal sigurisht që korridori tjetër ka një peshë shumë të madhe.

Thënë të gjitha këto, do më lejoni të rikujtoj s ky ishim 33 muaj më parë. Projekti i interkonjeksionit, që sot ka përfunduar, ishte i vdekur. Ndërkohë, energjia elektrike në këtë vend ishte kërcënimi më i madh për stabilitetin financiar të vendit, përveçse, në vetvete, sektori ishte i kërcënuar nga një kolaps i plotë, me një kompani të vjedhur dhe thuajse të falimentuar, që thithte çdo vit nga buxheti i shtetit 150 milionë euro mesatarisht, plus për t’u mbajtur në këmbë dhe për të mos e kaluar Shqipërinë në black out.

Sot flasim për gjëra tërësisht të paimagjinueshme deri 33 muaj përpara. Sot flasim për modernizim, për integrim mbarëshqiptar dhe rajonal, për bursë shqiptare të energjisë elektrike, për një dispeçeri kombëtare dhe një sistem të ri kontrolli, e fjalës së fundit të teknologjisë, që ne e çelëm vetëm para pak javësh. Sot flasim për Unazën e Jugut, një tjetër investim madhor që zgjidh përfundimisht problemin e mbingarkesës në rrjetin e jugut të përfunduar.

Sot flasim për një rritje të ndjeshme të besimit të investitorëve të huaj në këtë sektor. Mjafton fakti më i fundit, vazhdimi i eksplorimeve të kompanisë SHELL, një gjigand me të ardhura vjetore 33 herë më të larta se Prodhimi i Brendshëm Kombëtar i Shqipërisë, që për eksplorimin e ri ka sjellë në Shqipëri, një sondë të kategorisë më të fundit përsa i përket teknologjisë dhe fuqisë së shpimit.

Sot flasim për një axhendë, “Europa 2020”, ku Shqipëria nuk është më thjesht e vetëm pjesë në letër si vend, por tërësisht i diskretituar si aktor potencial, por, përkundrazi, një lojtar serioz në një fushë oportunitetesh të mëdha dhe në një fushë domosdoshmërish të mëdha, duke filluar që nga siguria energjetike.

Ajo që vlen në mbyllje të thuhet është se hapësira e përbashkët energjetike është edhe shtylla që do të mbajë të gjithë çatinë e tregut rajonal ballkanik, i cili në një të ardhme të afërt do të jetë pjesë e rrjetit europian, si rrjeti më dinamik dhe më efecient i energjisë në botë.

Në mbyllje, i dashur Kryeministër, shumë faleminderit për ardhjen tuaj sot. Sigurisht që gjeografikisht, ky projekt sot përfundon dhe ky sistem sot vihet në punë në Shqipëri, por kjo është një punë e përbashkët, një sistem i përbashkët dhe gjithçka që ka të bëjë me këtë autostradë na takon plotësisht të dyja palëve, shqiptarëve këtej dhe andej kufirit, i takon dy qeverive. Kështu që sot jeni më shumë se asnjëherë zot shtëpie me të drejta plotësisht të barabarta në hapësirë këtu, sepse gjithçka që u bë e mundur për këtë projekt, u bë e mundur falë vullnetit tuaj dhe të qeverisë tuaj nga ana tjetër e kufirit, pa të cilin do të ishte e pamundur që ne sot t’i jepnin  përfundimisht drejtim kësaj autostrade të  re energjetike.  E cila ka për sektorin e energjisë një vlerë të barabartë, jo vetëm simbolike, por një vlerë të jashtëzakonshme ekonomike dhe politike me Rrugën e Kombit .

Edhe njëherë, faleminderit të gjithëve dhe shumë respekt për organizatorët, që kanë pasur mirësinë të mendojnë edhe për çadrën. Pak ditë më parë, tek eventi për vazhdimin e eksplorimeve të SHELL-it ishim totalisht nën mëshirën e diellit dhe ju siguroj se nuk ishte eksperienca më e bukur e mundshme. Jam i bindur që çadrat u vunë për të respektuar Kryeministrin e Kosovës. Shumë faleminderit se me këtë rast rrimë në hije edhe ne të tjerët.

Shumë faleminderit.  

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre