Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Programeve të punësimit 2016

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Programeve të punësimit 2016:

Fjala më e vlefshme sot, edhe sesa fjala ime, ishte fjala e sipërmarrësit që na ka mikpritur këtu, një person që përfaqëson një ndërmarrje, e cila është realisht një laborator i mirëfilltë artizanal, ku punohet me cikël të mbyllur nga konceptimi i modeleve tek montimi i produkteve të ndriçimit në mjediset e ndryshme.

Dëshmia e tij është edhe thelbi i problematikës së sotme të vendit tonë me punën dhe me punësimin. Vende pune ka, nevoja për punë ka, por nuk ka profesionistë, zanatçinj, që t’i përgjigjen këtyre nevojave. Këtu në këtë sipërmarrje, nevojës për elektricistë, për frezatorë, tornitorë, axhustatorë, për montues panelesh dhe ndriçues, nuk mund t’i përgjigjen persona të papunë që nuk e kanë haberin nga zanati, apo që kanë një diplomë për jurist.

Më ka ardhur shumë zor kur kam parë një profesor, mendimtar i shquar, i cili e kishte shqyer gojën deri në atë pikë sa të thoshte se ç’janë këta, domethënë ç’jemi ne që u kërkojmë shqiptarëve që të kenë zanate, apo të punësohen çirak tek privati, ndërkohë që shqiptarët kanë diploma. Ky është problemi dhe kjo është ajo që kemi mbjellë në vite të tëra, të një farse dhe pabesie të pashoqe që u është bërë prindërve në radhë të parë, që janë investitorët e kursimeve të tyre për të shkolluar fëmijët dhe fëmijëve në radhë të dytë, të cilëve iu hapën pa asnjë lloj pengese sinjalistike, autostradat e shpejtësisë së lartë për të hyrë në universitete, ku kishte vend për t’u parkuar që të gjithë dhe në fund u mbeti në dorë, në të shumtën e herës, një diplomë që nuk ka asnjë vlerë. Një diplomë që thotë se je jurist, por që sipas të gjithave gjasave mund të jesh edhe gjysmë analfabet.

Le të kthehemi pak në të shkuarën. Nëse politika dhe rendja qorrazi pas votave, duke ndërmarrë një rrugë kaq qorre, sa rruga e eliminimit të të gjithë sistemit të arsimit profesional dhe e krijimit të një sistemi piramidal universitetesh, nuk do ta kishte bërë këtë krim, por do të kishte bërë të kundërtën dhe 25, 20, 15, 10 vjet më parë do të kishte reformuar sistemin e arsimit profesional dhe do të kishte lidhur arsimin profesional me ndërmarrjen, sot jo vetëm që ne do ta kishim shumë më pak këtë problem, pra, një pjesë të këtij problemi do ta kishim zgjidhur, por do të ishim edhe një vend ku forca e kualifikuar e punës do të krijonte premisa për shumë më tepër investime private, vendase dhe të huaja.

Është e lehtë të thuash pse shkojnë investimet në Maqedoni, por a e dini që Maqedonia ka investuar me këmbëngulje dhe me vite të tëra, për të pasur zanatçinj! Ndërkohë, pyetja ime është tjera: Si ka mundësi që në 20 vite, kur diheshin dhe dihen se kush janë burimet e rritjes dhe zonat strategjike në ekonomi se ku do të investohej paraja, duke filluar nga energjia, nafta dhe mineralet, ne nuk nxorëm dot asnjë inxhinier të ri, pa folur pastaj për teknikë të mesëm. Faktikisht, po të shikojmë kompanitë e huaj që punojnë me energjinë dhe naftën, teknikët e mesëm dhe inxhinierët i kanë ose të huaj, ose kur kanë mundur të kapin ndonjë nga ata teknikë që kanë mbetur me kokrra të kohës sëEnverit, që kanë mbetur si ai ushtari japonez që nuk e kishte marrë vesh se kishte mbaruar lufta, sepse të gjithë të tjerët kanë ikur në Kanada dhe punojnë inxhinierët tanë në Kanada.

Ndërkohë që këtu ne jemi mbushur me juristë dhe prandaj, edhe drejtësia këtu ka ecur më mirë se të gjitha të tjerat. Kemi numrin më të madh të juristëve për metër katror në botë. Në çdo shtatë metra gjen një jurist. Këtu është i vetmi vend ku thonë “jam i papunë, taksixhi apo roje, por jam edhe jurist”.

Nga ana tjetër është fakt që ne kemi një mundësi të madhe të zhvillimit të eksporteve në bujqësi, në blegtori, pa llogaritur faktin që kemi një mundësi absolutisht të sigurt të zhvillimit të këtij sektori, për të rritur kapacitetet prodhuese në vend. Por çfarë ndodh? Nuk gjendet kasap në Korçë. Është një fabrikë, që unë kam pasur nderin ta vizitoj, e shkëlqyer, e teknologjisë së lartë dhe e gatshme për të krijuar zinxhir vendesh pune, pasi nuk bëhet fjalë vetëm kush punon atje, por edhe sa të tjerë janë punësuar indirekt, për të sjellë në këtë ndërmarrje, produktin bazë. Zhvillimi i kësaj fabrike është i penguar nga fakti se nuk ka kasapë. Juristë ka, por atij i duhen 50 kasapë dhe jo 50 juristë. Juristët mund ta bëjnë kasapin kur bëhen gjykatës, por nuk e bëjnë dot kur kanë përpara mishin për ta prerë dhe për ta paketuar.

Faktikisht, në zyrat e punës së vendit tonë, sot janë 26 mijë e 800 e disa dhjetëra vende pune, saktësisht. Sigurisht nuk janë vende pune për gjykatës apo avokat, nuk janë as vende pune që zgjidhin problemin si të kesh një rrogë dhe të mos shkosh në punë, çka është një problem që përbën një nga aspiratat kryesore të shumë parazitëve dhe dembelëve, që rrinë ankohen gjithë ditën duke thënë s’ka punë dhe kur i jep punën, thonë: Pse këtë vend pune do të bëj unë!

Unë nuk besoj të ketë ndonjë vend tjetër, mbase ka, por e shoh të vështirë që në Europë të ketë ndonjë vend tjetër ku vijnë prindërit nga 70, 75, 80, 85 vjeç, nga ana e anës në Tiranë dhe trokasin nëpër dyer, për të kërkuar punë për djalin 40 vjeç. Kur i pyet se pse nuk vjen vetë djali, të thonë se është shumë i mërzitur. Por, nëse i pyet më tej se me çfarë jeton djali, të thonë me paratë e mia si prind!

Në këtë pamje, të paktën përsa na takon, nuk ka vend për pesimizëm, sepse kemi filluar të marrim kthesën, kemi bërë një reformë që u kundërshtua me të madhe nga gjithfarë opozitarësh dhe filozofësh dhe që faktikisht ka hapur një rrugë të re. Sot kemi një dyfishim dhe jam i bindur që në këtë vit shkollor do të kemi dyfishim të dyfishimit të numrit të të rinjve që shkojnë në shkolla profesionale, të cilët e kanë kuptuar se të marrësh zanat nuk do të thotë thjesht të kesh mundësi të bëhesh punëtor, por mund të bësh edhe ti, biznesin apo kompaninë tënde. Nëse Gjermania është shembulli që ne e shohim për të gjitha, edhe në këtë pikë, Gjermania është një shembull absolutisht i shkëlqyer për një të vërtetë të thjeshtë, se duke pasur një arsim profesional më të zhvilluarin dhe lidhjen mes shkollës dhe ndërmarrjes më të fortën, ka edhe numrin më të madh të personave që nga arsimi profesional bëhen sipërmarrës të vegjël. Domethënë, jo thjesht që të shkojnë të punojnë në fabrikë, por edhe punësohen përmes iniciativës së lirë.

Në zonën e Korçës ka 5 mijë kërkesa për punë, të regjistruara, - natyrisht të papunë ka më shumë, por ne flasim për ata që kërkojnë punë, se ata që s’kanë punë dhe çojnë babin në Tiranë për të kërkuar punë në shtet, është histori më vete. Nga këto 5 mijë kërkesa për punë janë 6 mijë vende të lira punë në Korçë, të të gjitha llojeve. Natyrisht ka punë edhe në fason, patjetër, por unë ndiej neveri për ata njerëz, të cilët e përbuzin atë punë dhe për ata profesorë që thonë se, pse punë për shqiptarët janë këto?!

Unë kam parë shqiptare dhe shqiptarë që punojnë në këto punë dhe jetojnë me punën e tyre të ndershme dhe në fund të ditës kontribuojnë për familjen e tyre. Në respekt të tyre, unë neveris këtë opinion kaq të mjerë, sipas të cilit, shqiptarët nuk mund t’i ndyjnë duart me punë kaq të rëndomta. Ndërkohë që shqiptarët janë një popull që ka kapërcyer kufijtë dhe kur ka vajtur matanë kufirit, nuk kanë vajtur as tek dera e deputetit, as tek dera e partisë, as tek dera e kushërinjve, por kanë vajtur dhe kanë bërë punët më të vështira. E ja ku janë sot! Janë të integruar, të respektuar dhe nëse do të marrësh ustallarë në Greqi për ndërtim, janë më të kërkuarit dhe më të aftët. Ky është realiteti.Kurse këtu, rruga më e lehtë duket të jetë që punën të ta gjejë në shtet mamaja; babai 75 vjeç që vjen në Tiranë, bashkë me historinë e tij familjare dhe lidhjet me partinë; kushëriri; deputeti apo shteti etj.. Ne nuk mundet dot të akomodojmë këtë kërkesë. Kjo është një kërkesë që nuk ka lidhje fare as me aspiratën për të ndërtuar një shtet që funksionon, as me aspiratën për të krijuar mundësi punësimi për të gjithë.

Programet e punësimit, nuk janë të mjaftueshme, por janë disafish më të larta, qoftë në financim, qoftë dhe në rezultate, sesa ishin deri 2 vjet e gjysmë përpara dhe që do të vazhdojnë të rriten pa as më të voglin dyshim. Por ajo që ne kemi bindje është se duhet të rrisim bashkëpunimin me sipërmarrjen, duhet të rrisim ndërveprimin me sipërmarrësit. Po ashtu duhet të rrisim kapacitetet infrastrukturore, logjistike dhe njerëzore të sistemit të arsimit profesional. Duhet të bëjmë një arsim profesional që të jetë i lidhur si mishi me kockën me ndërmarrjet. Nuk jam kundër ëndrrës për të t’u bërë parukier, por ky është vetëm një aspekt, sepse, nëse do të kemi parukierë, siç kemi juristë, do të bëhemi berberhania e planetit dhe të vijnë të gjithë këtu që të zbukurohen, po flas për forcimin e lidhjes së arsimit me nevojat e sipërmarrjes. 

Në botën ku ne duam të integrohemi, në Europën që e ne e shikojmë me admirim dhe të cilës ne duam t’i bashkohemi, në Gjermaninë sociale dhe jo vetëm në Britaninë konservatore, nuk mund të vazhdosh të trajtohesh me mbështetje financiare si i papunë, nëse fizikisht je i gatshëm për punë dhe nëse të është ofruar një punë. Nuk mund të thuash “jo, këtë punë nuk e dua”, “unë nuk shkoj në fason, në sipërmarrjen e përpunimit të mishit apo të paketimit të frutave dhe të zarzavateve”, apo “unë nuk shkoj recepsionist” dhe të vazhdosh të marrësh para nga kontributet e taksave të atyre që e pranojnë punën e ofruar. Ata që e pranojnë punën e ofruar dhe që janë shtuar në Shqipëri, - le të thonë ç’të duan sehirxhinjtë, profesorët, kontestatorët, opozitarët, - në 2013, në borderonë e shtetit shqiptar, punonjës që paguheshin dhe paguanin taksa ishin 430 e ca mijë, ndërsa sot janë mbi 600 mijë.

Sigurisht nuk janë të gjitha vende të krijuara rishtas, janë edhe vende të formalizuara, por quhen vende të reja pune me standardet  që ka Europa për vendet e punës. E të gjithë këta njerëz që paguajnë taksa, nuk i paguajnë taksat nga puna e tyre që të mbajnë parazitë, pa punë, me paratë e tyre. Përsa kohë je i papunë, je fizikisht në rregull dhe shteti nuk të ka ofruar një mundësi, është detyra e shtetit të të mbajë. Në momentin që shteti të ka ofruar një mundësi, është detyra jote ta pranosh, ose nuk ka më shteti detyrë të të japë para, që t’i të rrish në FB, në kafe, të vësh baste me paratë e mamasë dhe të babait, apo të hedhësh letra dhe të shohësh filxhan se kur do të bëhet Shqipëria si Amerika dhe se kur në këtë Amerikën tënde do të bëhet deti kos dhe t’i do të hash qyl. Kjo është një ëndërr në beze që shteti nuk mund ta financojë.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen