Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e programit të bashkëpunimit me USAID‏

Faleminderit për këtë ftesë, që unë e vlerësoj si shumë të rëndësishme për faktin që ky bashkëpunim vjen në momentin më të duhur, kur vendi, megjithëse, - siç e tha edhe Sekretari i Shtetit, - është në drejtimin e duhur, ka nevojë për të ecur edhe më shpejt dhe në mënyrë të posaçme në luftën kundër informalitetit.

Më ka pëlqyer gjithmonë një shprehje e Oliver Wendell Holmes Jr. që thoshte: “Më pëlqen të paguaj taksat, sepse me to unë blej qytetërimin”.

Kam qenë e mbetem i bindur që sa më shumë dhe sa më shpejt, shqiptarët, të gjithë, të paguajnë taksat, aq më shpejt do të mund ta blejmë qytetërimin që të gjithë dëshirojmë për fëmijët tanë. E për këtë arsye është posaçërisht e rëndësishme që USAID, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve do të punojnë sëbashku gjatë këtij viti, për të përmirësuar më tej procesin e brendshëm të administrimit tatimor, duke adresuar çdo aspekt të tijin që ka nevojë të riorganizohet apo të ristrukturohet.

Kur i hodha një sy shënimeve që më kishte bërë stafi, më erdhi pak për të qeshur, sepse ky program do të zbatohet nga Financial Services Volunteer Corps, që është një organizatë e themeluar me nismën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, por që është në të njëjtën kohë  një partneritet publik – privat. Pra, Presidenti i Shteteve të Bashkuara e paska dhënë me koncesion këtë shërbim. (Miqve amerikanë, që janë këtu e që kanë ardhur nga larg, do t’u lutesha mos ta marrin përkthimin për keq, se është në kontekstin e debatit politik shqiptar.)

Është një partneritet publik - privat që ofron një asistencë shumë të çmuar, për të krijuar sisteme të shëndosha administrimi financiar në vende në tranzicion apo me tregje emergjente. Nëse flasim për strukturën tonë të administratës tatimore, është realisht një administratë në tranzicion, nga një fazë kaotike plot arbitraritet dhe korrupsion, në një fazë të re ku duhet të sundojë profesionalizmi, me shpirtin e bashkëpunimit të ngushtë dhe të respektit për sipërmarrjen.

Gjatë 25 viteve të fundit janë më shumë se 8500 ekspertë nga komunitetet financiare, ligjore dhe rregullatore ndërkombëtare që kanë marrë pjesë në 2700 misione të FSVC. E kjo e bën edhe më entuziaste mikpritjen tonë për miqtë amerikanë, që do të na ndihmojnë me siguri shumë, për të thelluar cilësisht reformimin e administrimit të sistemit të taksave, të cilin e kemi filluar në vitin 2013, por që jemi të vetëdijshëm  që kemi ende shumë për të bërë.

Kemi ende shumë për të bërë, sepse duhet të ndryshojmë cilësisht mendësinë e të gjithë inspektorëve të tatimeve dhe njëkohësisht të të gjithë atyre që janë pjesë e skuadrës që punon në qendër. Nëse do ta thosha në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pak të ekzagjeruar, - por jo shumë, - do të ishte se kemi trashëguar një administratë tatimore që punon pa tru. Punon vetëm me sy, me veshë dhe me forcë. Ndërkohë që përpjekja e nisur që në 2013 është që të kemi një administratë tatimore që punon në radhë të parë me tru dhe që fjalën kyç të vetën ka shërbimin ndaj sipërmarrjes, jo gjuetinë për sipërmarrësit.

Riorganizimi i  nisur ka sjellë një rritje shumë të konsiderueshme të të ardhurave. Faktikisht, nëse marrim në vlerë absolute vetëm 9 mujorin e vitit të shkuar, që ishte një vit jashtëzakonisht i vështirë për shkak të planifikimit të bërë me ambicie dhe me optimizëm të madh dhe konjukturës ndërkombëtare të çmimit të naftës, apo të konjukturës së brendshme të prodhimit të energjisë, gjithsesi patëm 34 milionë euro më shumë sesa në 2014 dhe 242 milion euro më shumë se në 2012, që ishte edhe viti më i mirë në  mbledhjen  e të ardhurave, përpara se ne të merrnim detyrën.

Nga ana tjetër të mos harrojmë që në 2013, ne trashëguam një borxh të fshehur prej 720 milionë dollarësh, që ishte një borxh pikërisht ndaj kompanive. Kompanive të keqtrajtuara nga administrata tatimore, por të abuzuara edhe nga qeveria, që iu kishte marrë 720 milionë dollarë, për të kredituar fushatën e vet elektorale. Brenda dy vitesh, ne shlyem këtë borxh 8 vjeçar, si një gur themeli për një marrëdhënie të re me sipërmarrjen. Nëse sot kemi një tregues të borxhit prej 69,9 %, po të përjashtojmë shumën e detyrimeve të prapambetura të shlyera, treguesi i borxhit është 64, 6 %.

Ajo që mbetet sfida e madhe dhe që e bën kaq të rëndësishme edhe  ditën e sotme dhe që e beri të pashmangshëm edhe praninë time këtu, për t’i dhënë maksimumin e mbështetjes këtij ndërveprimi, me praninë dhe mbështetjen e USAID, është operacioni kundër informalitetit. Falë këtij operacioni, ne kemi sot, 33% më shumë biznese aktive sesa kishim dy vjet më parë; Falë këtij operacioni, sot regjistrojmë 627 mijë të punësuar, ndërkohë që 2 vjet më parë kishim vetëm 471 mijë; Falë këtij operacioni, ne kemi mundur të bëjmë edhe disa hapa shumë të rëndësishëm për të lehtësuar biznesin e vogël dhe mund të bëjmë edhe hapa të tjerë për të lehtësuar më tutje sipërmarrjen.

Por ajo që mbetet e rëndësishme është që operacioni të shkojë deri në fund dhe të mos jetë vetëm ndëshkimor, patjetër edhe ndëshkimor, por edhe një proces transformimi rrënjësor, qoftë të vetë administratës tatimore, qoftë të marrëdhënieve me sipërmarrjen. Çka do të thotë se nga operacioni kundër informalitetit, përfituesi më i madh duhet të jetë vetë sipërmarrësi. Sipërmarrësi që paguan rregullisht taksat dhe që ka qenë prej vitesh i cenuar dhe kërcënuar nga konkurrenca e pandershme dhe nga marrëdhënia e paligjshme mes konkurrentëve të pandershëm dhe administratës tatimore.

Ne jemi shumë të vendosur ta çojmë përpara këtë operacion, jemi shumë të vendosur të ndëshkojmë çdo inspektuar apo drejtues të administratës tatimore që do të përfshihet, ashtu siç kemi ndëshkuar deri tani në veprimtari korruptive që i bien ndesh qëllimit, objektivave dhe frymës së këtij operacioni.

Nga ana tjetër, në radhë të parë, kjo mbështetje do të konsistojë në rritjen e kapaciteteve analizuese të administratës tatimore dhe të ekipit drejtues. Kjo është muzikë për veshët tanë, sepse është pikërisht këtu, edhe sfida jonë kryesore, që administrata të mund të analizojë imtësisht dhe mbi bazën e analizës të ndërtojë një marrëdhënie krejtësisht ndryshe me biznesin, - gjë që ka filluar, - jo të bazuar tek kontrollet e pafundme dhe shumë rëndom, të papëlqyeshme për biznesin, sepse normalisht pengojnë aktivitetin e biznesit, por bazuar tek analiza e riskut dhe tek konkluzionet e arsyeshme të analizës. Gjë që bën që fuqia kontrolluese e administratës të jetë shumë më e madhe dhe energjia për të kontrolluar të konsumohet në mënyrë shumë më të arsyeshme, duke mos u kthyer në një konsum të madh reciprok, qoftë për administratën, qoftë për biznesin.

Jam i bindur se ka akoma shumë rezerva. Të dhënat e muajit janar janë shumë inkurajuese, përsëri, por rezervat janë ende shumë të mëdha. Kam të gjitha arsyet të besoj se me asistencën e partnerëve amerikanë do të mund të shfrytëzojmë me shumë sukses, potencialin e madh që ka lufta kundër informalitetit, në rast se zhvillohet me zgjuarsi, integritet dhe profesionalizëm të lartë.

Nuk më mbetet tjetër, veçse t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri dhe t’ju shpreh të gjithë mbështetjen e qeverisë, timen, të ministrit të padekretuar të Financave dhe të administratës tatimore, për gjithë punën e përbashkët që tanimë do të nisë shumë së shpejti.

Shumë falemindenrit.   

 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Putin: Ukraina do marrë përgjigje të merituar për sulmin në rajonin Kursk