Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e Kuvendit në 7 maj

Një shpjegim shumë të thjeshtë. Shtyrja e ligjit, që sapo u shqyrtua, ka vetëm një qëllim për të marrë 6 muaj kohë, për të bërë dëgjesat e nevojshme, për të sjellë në këtë parlament projektin që i jep fund një historie sa dramatike, për njerëzit që kanë pritur më kot 20 e kusur vite të gjejnë zgjidhje lidhur me pronën, aq edhe qesharake për ata që kanë pasur mundësi t’i gjejnë këto zgjidhje në 8 vjet të shkuara dhe jo vetëm nuk kanë gjetur zgjidhje, por edhe e kanë bërë lëmsh, lëmsh, lëmsh.

Ka disa fakte të thjeshta që besoj e bëjnë më të thjeshtë për njerëzit për të kuptuar se çfarë ka ndodhur nga viti 2004 kur është miratuar një ligj me konsensus deri në vitin 2013 kur qeveria, që dha premtimin solemn se do t’i jepte fund kësaj historie, dhe që kishte dhe në përbërjen e vet dhe një parti që është investuar fuqimisht 20 e kusur vite me demek, për familjen, pronën dhe Zotin, nuk bënë absolutisht asgjë tjetër, -se nuk jam dakord me Bashkimin (Finon) që tha se nuk keni bërë asgjë, - se në fakt e kanë bërë dhe kanë bërë vetëm çorap.

Në këto vite ligji ka qenë objekt 14-herë ndërhyrjesh dhe ndryshime ligjore, që pastaj janë shënuar në inventarin e tyre si potencë ligjvënëse. 14 herë ndryshime ligjore! Që do të thotë mesatarisht çdo 6 muaj në tetë vjet këta vinin në parlament dhe ndryshonin atë që kishin për të ndryshuar gjashtë muaj më parë, duke kërkuar çdo gjashtë muaj zgjidhje jo për pronarët, por për interesat e tyre.

Pjesë e kësaj historie është edhe ajo historia e çmimeve në zonën e famshme industriale, ku e vërteta është se më parë çonin sekserët që t’u blinin fshatarëve të shkretë tokën për një copë bukë, pastaj ngrinin çmimet e tokës me vendime qeverie që kush donte të investonte në zonat industriale ta blinte tokën nga sekserët e këtyre. Kjo është arsyeja pse në nëntë zona industriale apo ekonomike, që kanë shpallur, sot ka vetëm ferra dhe absolutisht asnjë lloj investimi. Jo vetëm kaq, por 31 nene janë miratuar në ligjin e 2004 dhe në tetë vjet 24 prej tyre kanë ndryshuar, që do të thotë që ligjit të 2004-ës nuk i kanë mbetur më as nam as nishan. Të gjitha ndryshimet e bëra në tetë vjet kanë sjellë më shumë kaos më shumë korrupsion dhe më shumë rrumpallë në lidhje me pronat dhe në marrëdhëniet pronarëve me shtetin. Kështu që, s’ka më asnjë arsye që ky ligj të ekzistojë. Për këtë arsye ne, brenda gjashtë muajve të ardhshëm do të sjellim në parlament projektin e ri që i jep realisht një zgjidhje reale mbi një problematikë që është akumuluar në 20 e kusur vite që nuk e krijuam ne, por na e lanë peshqesh këta në gjithë atë pako të madhe peshqeshesh që i lanë Shqipërisë pasi ikën me turp në 23 qershor.

Janë disa të dhëna të tjera që flasin qartë, më shumë se sa mund të flasim ne këtu dhe se ç’mund të komentojmë ne këtu. Atë që e quanim padrejtësisht “arkivë”, ne e gjetëm si një dosje deposh. Një depo pa inventar, një depo pa rafte, pa sirtarë, ku dokumentet e pronave të shqiptarëve bashkëjetonin me minjtë dhe me lagështirën. Asnjëherë nuk thanë se sa dosje kishte ajo depo. S’kishin si ta thonin edhe po të donin sepse depoja ishte si magazinë e një ushtrie të kapitulluar shumë kohë më parë. Një herë thoshin janë 5 mijë pastaj thoshin janë 7 mijë. Por, fakti është se nuk ka asnjë dokument, asnjë raportim zyrtar të tetë vjetëve të shkuara ku të jetë i renditur numri i këtyre dosjeve. Nga depoja nuk dolën as 5 mijë, as 7 mijë, por dolën 9 mijë e treqind dosje, të cilat janë sistemuar dhe presin vendimmarrjen administrative pas një inventarizimi të kryer me një mund shumë të madh në atë lloj magazine që ishte një nga shëmbëlltyrat e turpshme të shtetit shqiptar. Shtet i bërë copë-copë!

Sot për më tepër nuk ka më dosje që janë të përzgjedhura për t’u shqyrtuar apo jo sipas klientit të radhës. Të gjitha dosjet e identifikuara kanë dalë automatikisht për shqyrtim në sektorët përkatës dhe më tej vijon sipas të gjitha procedurave administrative.

Si mundet tani të pranojmë që po flasim seriozisht apo po debatojmë seriozisht, nëse në 23 vjet u krijua depoja dhe pastaj u la pas një numër i paidentifikuar asnjëherë saktësisht vendimesh, që ka rrjedhur nga procesi 23 vjeçar.

Sot, për herë të parë, kemi një regjistër elektronik të vendimmarrjes në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave. Janë regjistruar 49 mijë vendime të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe strukturave që derivojnë prej tyre, për të cilat është disponuar me vendime kthimi apo kompensimi pronash në të gjithë territorin. Pa llogaritur këtu faturën e tmerrshme, të trashëguar për ekzekutim vendimesh nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. E cila, ka dhënë vendime pas vendimesh, por faktikisht ajo që ne gjetëm ishte një boshllëk total pa asnjë data-bazë të dhënash të vendimeve që presin të shpërblehen apo kompensohen nga shteti për pronat e njohura pronarëve.

Në këtë parlament është premtuar solemnisht dhe zakonisht parazgjedhjeve, zgjedhjeve të radhës, llogaritja e faturave për kompensimin. Por kurrë asnjëherë nuk filloi llogaritja e një fature. E vetmja faturë që i vinte parlamentit ishte fatura që i sillte nga Partia Republikane, që mund të thuhet me plot gojën, që ishte thjesht dhe vetëm, një shprehje e orvatjes së dëshpëruar për të mos mbetur në rrugë furgoni i tyre elektoral. Një faturë, që do të ishte e papërballueshme për më shumë gjenerata se çka anëtarë Partia Republikane.

Nga ana tjetër, janë 26 mijë vendime për kompensim, 26 mijë vendime të vëna në, rresht që nga viti 1993. Sot, faktikisht, ajo që është bërë, është që të gjitha këto vendime janë përputhur me hartën e territorit dhe janë përputhur me kadastrën e i përgjigjen përputhshmërisht pamjes së territorit dhe gjendjes së territorit për nga pronarët ekzistues, që figurojnë në hipotekë apo për nga hapësirat që i disponon ende shteti shqiptar. Shkurt fjala, aty ku ju thoni se keni ruajtur pronat e shqiptarëve, aty ku ju thoni se keni inventarizuar dosje që përmbanin tituj për fitimin e të drejtës së pronës, aty ku ju thoni se keni bërë hatanë për të vënë në vend padrejtësitë, që i numëroni që nga Enver Hoxha e deri tek qeveritë e mëparshme të Partisë Socialiste, në fakt, keni lënë thjesht dhe vetëm një tjetër gjurmë të paaftësisë së plotë qeverisëse që ju karakterizoi 8 vjet. Përtej paaftësisë qeverisëse keni lënë gjurmën e plotë të raportit tërësisht të pamundur që ju keni me shtetin. Raportit tërësisht të pamundur që ju keni me kuptimin e institucioneve dhe me nevojën e institucioneve. Raportit tërësisht të pamundur që ju keni me të ardhmen, sepse ju jeni dhe do të mbeteni e shkuara. 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Preç Zogaj: ‘Mosmarrëveshja’ si testament i orientimit perëndimor të Shqipërisë