Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e katërt ndërkombëtar për tranzitimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të energjisë:

Ky takim i katërt ndërkombëtar i ekspertëve do të shërbejë si një platformë e dialogut politik mes qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare.

Në këtë takim, ne vijmë me një bilanc pozitiv në sektorin e energjisë, pasi na u desh të parandalonim falimentimin e sektorit. Ne kemi bërë progres domethënës në sektorin energjetik. Prej disa kohësh, ne po bëhemi gjithmonë e më aktivë në tryezat e këtij lloji dhe gjithnjë e më të respektuar për punën që ne kemi bërë në reformimin e sektorit, por edhe për besueshmërinë që kemi krijuar në kuptimin që tashmë jemi një aktor i besueshëm, bazuar në potencialin tonë shumë të rëndësishëm dhe zhvillimin e sektorit energjetik.

Doja t’ju jepja vetëm dy shifra, thjesht për të krijuar një ide të asaj që po them. Tre vite më parë, Kompania jonë e Shpërndarjes së Energjisë shënonte 52% humbje në rrjet dhe nga viti 2007 në vitin 2013, kompania akumuloi 1 miliardë dollarë në borxhe, sepse njerëz dhe biznese e vidhnin energjinë, ose thjesht nuk paguanin për energjinë që përdornin.

Shifra tjetër, - edhe kjo me shumë rëndësi, - është që ne arritëm të lidhim rreth 350 mijë marrëveshje të reja midis Kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë dhe konsumatorëve, bazuar në mirëkuptimin që energjia duhet të paguhet dhe që borxhi duhet të paguhet. Kështu, për herë të parë, në vitin 2015, ne nuk e subvencionuam kompaninë e energjisë. Zakonisht, qeveria subvenciononte nga buxheti këtë kompani, për të kompensuar humbjet e energjisë, që shkonin diku tek 150 milionë dollarë në vit, çka është shumë për buxhetin tonë.

Për herë të parë, ne nuk patëm nevojë të paguanim asnjë qindarkë dhe kjo, sepse kompania pati një administrim të ri dhe gjithashtu një qasje të re të njerëzve, bazuar në këtë mirëkuptim. Në këtë mënyrë arritëm të kemi sot një bilanc pozitiv.

Nga ana tjetër jam shumë krenar që jam këtu, sëbashku me dy menaxherë të shquar, menaxherin e Kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë dhe menaxherin e Kompanisë së Transmetimit, që kanë bërë një punë fantastike. 3 vjet më parë, ne ishim shumë larg nga të qenit një vend i shekullit të 21-të përsa i përket menaxhimit të infrastrukturës së transmetimit. Sot kemi një qendër fantastike të kontrollit dhe të menaxhimit të sistemit të transmetimit.

Ky takim këtu, pas takimeve në Ashgabat, në Bruksel dhe Pekin na bën shumë krenarë dhe vjen në një moment vendimtar, kur krizat gjeopolitike komplekse rrezikojnë sigurinë energjetike dhe po kërcënojnë të krijojnë pasoja afatgjata në sigurinë energjetike të Europës dhe vendeve të Mesdheut.

Jemi të vetëdijshëm që pas krizës së gazit në vitin 2009, fakti që Bashkimi Europian ka vendosur në krye të axhendës së tij diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të energjisë është absolutisht shumë i rëndësishëm.

Krijimi i Korridorit Jugor të energjisë është një hallkë kyçe në strategjinë europiane për eliminimin e varësisë energjetike nga rajone gjeopolitikisht të paqëndrueshme. Por në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme të thuhet se siguria energjetike në Bashkimin Europian nuk mund të realizohet pa garantuar një Mesdhe të qëndrueshëm politikisht dhe ekonomikisht, nga ku kalojnë 65% e rrugëve të naftës dhe gazit për Europën.

Gjithashtu, të gjithë e dimë se për shkaqe gjeopolitike, Rusia dhe disa prej vendeve eksportuese në Lindjen e Mesme nuk janë më në gjendje të eksportojnë të njëjtën sasi energjie drejt Europës. Në mënyrë të ngjashme, prodhimi britanik i naftës në Detin e Veriut ka nisur të ulet vazhdimisht, në mënyrë të ngadaltë, por të qëndrueshme, që prej vitit 1999 dhe prodhimi norvegjez i naftës e gazit njeh gjithashtu rënie të pandërprerë që prej vitit 2001.

Kjo rënie e përgjithshme ndodh në kushtet kur në Bashkimin Europian, konsumi mesatar i energjisë është rritur me 2% çdo vit, gjatë 20 viteve të fundit. Dhe, nëse numrat që më ka dhënë Ministria janë të saktë, në vendet e Mesdheut, deri në vitin 2030, kërkesa për energji pritet të rritet me 40%, ndërsa në disa prej tyre do të dyfishohet. Gjithashtu, popullsia pritet të rritet me 30%.

Pra, kuadri i përgjithshëm duket mjaft i trishtë, por në të njëjtën kohë është shumë e qartë se ka alternativa dhe mënyra sesi është projektuar diversifikimi është mënyra e duhur.

Në këto kushte, gazsjellësi TAP është një projekt i jashtëzakonshëm, mbi të cilin bazohet strategjia e Unazës Jugore të energjisë. Ky gazsjellës do të rrisë në mënyrë drastike sasinë e gazit në dispozicion për tregun europian të energjisë, duke lejuar njëkohësisht shumë vende europiane që të mos jenë më të varura nga një burim i vetëm për gazin natyror.

Zgjatimi i planifikuar i këtij gazsjellësi, për të bashkuar BE-në përtej basenit Kaspik, në Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme, do të zgjerojë numrin e përfituesve në dhjetëra vende, të shtrirë në tre kontinente.

Më lejoni të prek dhe aspektin tjetër të kësaj historie, sepse për ne është shumë i rëndësishëm. Ne besojmë fort se, përveç projekteve madhorë, është e domosdoshme që ne të thellojmë së më shumë bashkëpunimin rajonal.

Procesi i bashkëpunimit midis Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, i nisur në Berlin tre vjet më parë, ka krijuar mundësi të reja për të thelluar bashkëpunimin energjetik në rajonin tonë. Bashkëpunimi energjetik është një nga shtyllat kryesore të këtij Procesi. Ndaj, pjesë e këtij bashkëpunimi janë dy shtrirjet e TAP-it përgjatë bregdetit Jon, që do të shkojë deri në Kroaci dhe në pjesën lindore nëpërmjet Kosovës. Ne jemi shumë të angazhuar për të dyja këto projekte dhe po punojmë fort që të gjejmë mënyrën për t’i financuar.

Nga ana tjetër jemi shumë të lumtur që më në fund kemi linjën e interkonjeksionit me Kosovën. Duhet të zgjidhim një problem që ka mbetur pezull midis Kosovës dhe Serbisë në lidhje me këtë, por gjatë takimit në Paris me homologun serb pati përparim në këtë drejtim dhe jam shpresëplotë se brenda këtij viti çdo gjë do të zgjidhet. Kjo është ajo që më tha.

Kjo linjë është një shembull i shkëlqyer i përfitimeve që sjell bashkëpunimi rajonal. Paralelisht, qeveria shqiptare ka filluar procesin për krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike. Ne besojmë fort se krijimi i kësaj burse do të hapë një kapitull të ri në operimin e përbashkët dhe po ashtu, edhe ne operimin rajonal.

Synimi ynë është që kjo nismë të shtrihet shumë më gjerë në të gjithë rajonin, për të krijuar një bursë unike rajonale që do të lejojë të gjitha vendet të përfitojnë energji me çmimet më të favorshme në treg. Në këtë kuadër është garantuar financimi për linjën e tensionit të lartë midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, një autostradë energjetike që do të lidhë përmes vendeve tona, Turqinë me Italinë dhe Europën Qendrore.

Është shumë e rëndësishme të theksohet se BE-ja e konsideron bashkëpunimin rajonal dhe integrimin e tregut energjetik në Mesdhe si shtylla shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik në këtë zonë, në dekadat e ardhshme.

Më lejoni ta mbyll me një citim nga një artist kinez, që i përshtatet shumë mirë këtij takimi dhe shpresoj dhe me ato që thashë. Është një artist i mirënjohur, i cili ka thënë: “Mund të mësojmë më shumë mbi vetveten, vetëm duke thelluar këndvështrimin për botën që na rrethon”.

Shumë faleminderit për këtë mundësi për t’ju dëgjuar dhe për t’ju përshëndetur të gjithëve. Shpresoj shumë se përtej kësaj hapësire, të ndriçuar në mënyrë artificiale, do të keni mundësinë të shijoni dritën natyrale në bregdet, që nuk është shumë larg. Nëse do mundeni, shkoni, sepse energjia është shumë e rëndësishme dhe një arsye shumë e rëndësishme për të ardhur në Shqipëri, por bukuria e këtij vendi është një arsye akoma më e fortë. Ndaj kthehuni me të afërmit, me miqtë tuaj, jo për të folur për të ardhmen, por për të shijuar të tashmen. Sepse shpesh ndodh që duke folur për të ardhmen, harrojmë të jetojmë të tashmen.

Shumë faleminderit!

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Mandati i Xhaçkës, më 27 gusht mblidhet jashtë sesionit Këshilli për Legjislacionin