Fjala e Kryeministrit  Rama në ceremoninë
e pritjes së Ekipit Kombëtar të Futbollit në COD

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e pritjes së Ekipit Kombëtar të Futbollit në COD:Drejtoria Informacionit
 
 
Vëllezër kuqezinj!

I dashur Gianni!

I nderuar President i Federatës Shqiptare të Futbollit!

 

Është një privilegj i jashtëzakonshëm për mua që, së bashku me veteranët e fanellës kuqezi ndër vite, këtu të pranishëm, t’ju uroj me mirënjohjen më të madhe këtë kthim të paharrueshëm në atdhe, pas misionit tuaj në Francë, ku latë pas, falë edhe lojtarit të 12-të të kësaj Kombëtareje, tifozerisë fantastike kuqezi, imazhin e bukur të një Shqipërie kurajoze, luftarake, krenare dhe europiane në përkatësinë shpirtërore dhe në sjelljen qytetare.

 

Jo vetëm kjo sallë, por as një stadium nuk do të mund ta nxinte brenda, sot, lojtarin e 12-të, ndërkohë që, besoj, e kam dakordësinë tuaj, për ta përshëndetur prej këtu, me një duartrokitje, çdo fans të Kombëtares që ishte pranë jush në Lens, Marsejë dhe Lion.

 

Kjo e djemve të Kombëtares, që janë mësuar të duartrokiten, por jo të duartrokasin, ishte një duartrokitje për secilin dhe secilën prej dhjetëra e dhjetëra mijëra shqiptarëve, të moshuar, të rinj, burra, djem, gra, vajza, fëmijë, të cilët, për të qëndruar pranë jush në fushat e dueleve tuaja më të vështira, e morën rrugën drejt Francës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës e nga çdo vend tjetër i Europës e përtej kufijve të kontinentit tonë, gjithashtu.

 

Patëm në këtë europian të parë të historisë tonë, një skuadër të vërtetë dhe një publik të mrekullueshëm, që me entuziazmin, ngjyrat, qytetarinë e vet, e bëri Francën të ndryshojë në vetëm pak ditë, perceptimin e saj shumëvjeçar, jo dhe aq pozitiv për shqiptarët. Publiku kuqezi i dhuroi festës së madhe të futbollit europian edhe mijëra imazhe të bukura që bënë xhiron e botës. Madje, edhe qershia mbi tortën e festës,  vajza që nëpër rrjetet sociale mori më shumë pëlqime në konkursin e bukurisë në shkallët e stadiumit të Francës, ishte një fanse kuqezi.

 

Faleminderit nga zemra të gjithë atyre!

 

Por në radhë të parë, faleminderit juve, luftëtarëve të misionit kuqezi në Francë! Sepse pa shembullin frymëzues të shpirtit tuaj të paepur të garës në fushën e blertë, lojtari ynë i 12-të nuk do të kishte shkëlqyer kaq mrekullisht. Sado herë ta përsëris këtu për ju, fjalën faleminderit, nuk do të jetë dot mjaft! Ajo që ju keni dhënë në këtë europian për Shqipërinë dhe shqiptarët, kudo ku rrojnë, shkon shumë përtej futbollit. Edhe pse e di shumë mirë që asnjëri prej jush nuk është dhe nuk do të jetë ndoshta dhe për shumë kohë i qetë nga atë që morët, që Shqipëria mori, nga verdikti final i fushës.

 

E di mirë që filmi i ndeshjeve kthehet e rikthehet mbrapsht në mendjen e secilit nga ju, te goli i marrë në minutat e mbingarkuara të fillimit të ndeshjes me Zvicrën, kur tensioni i debutimit të parë në histori ishte në qiell; tek dy rastet vetëm me portierin në po atë ndeshje, tërësisht të barabartë; tek fundi i pamëshirshëm i ndeshjes heroike me Francën dhe tek ai “dreq” goli i dytë që rezultoi i rëndë sa një mal, kur filluan llogaritë e golaverazhit; tek rastet për të dyfishuar rezultatin me Rumaninë dhe deri tek goli i dytë i Turqisë që na preu krahët, apo ajo shtylla e djeshme e Hungarisë, që na e mbylli përfundimisht rrugën për të shkuar më tej.

 

Por siç i thashë Presidentit Duka mbas eliminimit, kush nga ju, kush nga ne nuk do ta kishte pranuar me gëzimin më të madh, përpara se të nisej për në Francë, këtë film që sot ju kthehet e rikthehet në mendje me dhimbjen e moskualifikimit. Madje më falni, por që të jem i sinqertë deri në fund, shyqyr që nuk e parashikuam dot që ju mund të ishit aq të jashtëzakonshëm, sa u treguat dhe pjesëmarrja e Shqipërisë kaq fantastike sa ishte, se kushedi sa më e lartë do ishte premioja që do na e kishit marrë edhe pa u nisur akoma për në Francë. Edhe Kaçe do ishte kthyer me veturë nga Franca. 

 

Prandaj djema, asnjë pishman pse u kthyet sot për një gol diferencë, por vetëm krenari që e gëzuat dhe e bëtë të ndihet kaq krenar kombin tonë, shtetin tonë, mbarë popullin, me këtë skuadër që dukej si e lidhur me gjak dhe e barabartë mes të barabartësh në çdo ndeshje.

 

“Tani po, tani mund të them që e kam skuadrën time!” tha Gianni pas fitores me Rumaninë. E pastaj shtoi se kjo skuadër është gati për të përballuar grupin super të vështirë të botërorit.

 

Gianni, o xhan, faleminderit mik i shtrenjtë! Ti je një azurro i vërtetë në fushë, ku hyn në radhë të parë për të mos marrë gol dhe një kuqezi i vërtetë në zemër, - shqiptar, jo milanist, - ku gjen forcë dhe atëherë kur duket se është konsumuar edhe pika e fundit e gjakut.

 

Të jam, të jemi mirënjohës, sepse krijove një skuadër të vërtetë dhe bëre me skuadrën tënde, me skuadrën tonë, një histori suksesi që për Shqipërinë dhe për shqiptarët është një shembull frymëzues për çka mund të bëjmë ne njerëzit e këtij vendi, nëse gjejmë brenda nesh forcën e vizionit të duhur, kurajën e lidershipit, shpirtin e skuadrës dhe mbi të gjitha, fuqinë për t’u ringritur së bashku, kur rrëzohemi përgjatë rrugës së mundimshme drejt një ëndrre.

 

Do ta kem gjithnjë peng që ngurrova ta nxjerr iphone-in tim nga xhepi dhe nuk e filmova fjalimin tënd para skuadrës në dhomën e zhveshjes, pas rrëzimit të minutave të fundit në Elbasan me Serbinë. Ndihem keq sa herë e mendoj, sepse, për shkak të atij ngurrimi, historia e futbollit shqiptar nuk do ta ketë në arkivin e vet të kujtesës atë fjalim, me zërin e ngjirur dhe lotët në sy, që do t’i vlente edhe çdo universiteti, biznesi, organizate, si leksion lidershipi, frymëzimi, besimi në përballimin e një momenti tmerrësisht të vështirë. Ishte fjalimi nga nisi ringritja që hapi rrugën e këtij europiani fantastik, ku roli yt i takon tanimë, faqes më të ndritur të historisë së futbollit tonë.

 

Krenar për ty, për të madhin Tramezzani dhe të gjithë ekipin e bashkëpunëtorëve të tu!

 

Faleminderit Lorik, kapiteni tashmë legjendar i Shqipërisë së madhe të futbollit! E di vëllai im, sesa keq e ke përjetuar atë karton të kuq që të ndaloi të hyje në fushën e shtëpisë tënde të dytë në Marsejë, si kapiten i shqiptarëve kundër francezëve. Por besomë, pamja jote e përkushtuar totalisht ndaj skuadrës, nga stoli i rezervave në ndeshjen e tretë, ka vlejtur sa një mijë fjalë për lidershipin tënd në këtë skuadër, të cilës iu bashkove në fushë me aq pasion në ndeshjen me Rumaninë, saqë dukej sikur e kishe ndeshjen tënde të parë të jetës. Ti do të mbetesh gjithnjë kapiteni, njësoj si në ditë të këqija dhe në dita të mira për Kombëtaren. Ti ishe forca e madhe shembullit, përkushtimit total për fanellën kuqezi dhe fuqia tërheqëse drejt fanellës kuqezi për të tjerë, më të rinj, të talentuar, që në vend të Gjermanisë, Zvicrës, Suedisë, zgjodhën Shqipërinë. Gjithmonë krenar për ty Lorik!

 

Faleminderit të gjithë ju vëllezër kuqezinj, një e nga një, që nga  kolosët e mbrojtjes tek luftëtarët e mesfushës, deri tek të palodhurit  e sulmit; Nga Berisha im më i dashur, tek Armando i bekuar i golit të parë në historinë tonë në finalet e një europiani dhe deri tek të gjithë rezervat që, hynë apo jo në fushë, janë pjesë e pandashme e suksesit të kësaj skuadre. Gjithmonë krenarë për ju!

 

Një duartrokitje edhe për babain në pritje, që me të drejtë zgjodhi sot të ishte pranë nënës së bebit të tij, Elsi Hysës.

 

Faleminderit natyrisht, edhe Armandos tjetër, Armandos së kualifikimit të parë në historinë e futbollit shqiptar, Presidentit të Federatës sonë së futbollit! Punë e shkëlqyer zoti President dhe mos e mbaj më kokën mbrapa. E di që je i bindur që do ta rrihnim Wells-in, po të mos ishit kthyer sot për një gol diferencë, por ji i bindur se asgjë nuk e zvogëlon aspak përmasën e jashtëzakonshme të kësaj historie të bukur suksesi që është pa as më të voglin diskutim, edhe historia jote e suksesit. 

 

Miqtë e mi!

 

Ne kemi nisur ndërtimin e Arenës Kombëtare dhe ju premtoj se do të keni këtu në shtëpi, një ndër stadiumet më të bukur të Europës, për të vazhduar të gëzoni shqiptarët, t’i frymëzoni ata në rrugën tuaj, e cila edhe unë si Gianni jam i bindur, me siguri do të na dhurojë sadisfaksione të tjera. Në hyrje të Arnës Kombëtare do të vendoset një pllakë me të gjitha emrat tuaj, ku do të shkruhet se kjo Arenë i dedikohet Kombëtares Kuqezi të Euro 2016.

 

Ne do të vazhdojmë të investojmë për sportin në shkollë dhe komunitet dhe për modernizimin e mëtejshëm të infrastrukturës së futbollit në Shqipëri. Ata që na thoshin “ç’na duhen stadiumet, se ne nuk kemi bukë”, kur ne ndërtuam në kohë rekord për eliminatoret e këtij europiani, Elbasan Arenën, që Kombëtarja të mos i bënte ndeshjet e shtëpisë në emigracion, sot e kanë marrë përgjigjen, më të qartë se kurrë. Falë jush!

 

Ata që nuk e kanë kuptuar akoma përgjigjen, apo që na hidhen në fyt sa herë që ne bëjmë një projekt të ri për sportin, kanë të gjithë keqardhjen, por nuk mund ta kenë mirëkuptimin tim. Të investosh për sportin, do të thotë të investosh për shëndetin, për kulturën fizike dhe kulturën e bashkëjetesës shoqërore, njëkohësisht. Ndërsa, kur vjen fjala posaçërisht tek futbolli, do të thotë përveç tyre, të investosh padyshim, edhe për fuqizimin shpirtëror dhe ekonomik të një bashkësie dhe të një vendi.

 

Sot, përpara se të vija në aeroport, kam marrë një e-mail:

 

“Përshëndetje zoti Kryeministër. Do të doja të ndaja me ju një histori shumë të shkurtër, por interesante, që më ndodhi. Kam ca muaj që mundohem të vendos kontakt me një kompani të huaj gjermane, me shumë emër në fushën e biznesit tim. Pasi dërgova disa e-mail-e për kërkesë bashkëpunimi, duke u prezantuar kush jemi dhe çfarë bëjmë, nuk munda të marr asnjë përgjigje. Me këmbëngulje bëra përpjekjen e fundit të hënën dhe thashë nuk do t’i shkruaj më, po nuk kthyen përgjigje edhe këtë radhë. Por, për habinë time, këtë radhë kthyen përgjigje, duke më lënë një konferencë call për sot. Dhe sot filloj e i pyes nëse e njohin, e kanë dëgjuar, apo e kanë vizituar ndonjëherë Shqipërinë. E dini ç’më thanë? Jo, por tani, ne i kemi parë të tre ndeshjet e Shqipërisë dhe popullin e saj në stadiume dhe rrugë dhe ne e kemi kuptuar Shqipërinë, prandaj jemi gati ta vizitojmë, me dëshirën për të investuar. Nga fillimi deri në fund të bisedës doli shumë e qartë për mua, zoti Kryeministër, se arsyeja që kishin pranuar të komunikonin dhe bashkëpunonin pas thuaje 6 muajsh heshtjeje ndaj e-mail-eve të mia ishte thjesht përshtypja e përcjellë nga Kampionati Europian. Ndryshe, unë sot do të kërkoja kompani të tjera. Faleminderit dhe mirënjohje për jetë, djemve të Kombëtares. Manjola” Manjola është në fund dhe nuk është dixhitale.

 

Ne do të vazhdojmë investimin në sport dhe do të vazhdojmë të ecim vendosmërisht, krah për krah me Federatën, krah për krah me presidentin, në rrugën e krijimit të partneriteteve me sipërmarrjen private, siç po bëjmë me Arenën Kombëtare, siç janë bërë në fakt, të gjitha stadiumet e rinovuara të Francës.

 

Ajo çka kemi investuar në vetëm 33 muaj në raport me të shkuarën është kolosale, por ajo çka kemi harxhuar në raport me këtë dhuratë të paçmueshme dhe me të gjitha efektet e pallogaritshme pozitive, që Kombëtarja solli për vendin tonë me këtë dhuratë, është mëse minimale.

 

Faleminderit për prezencën e tyre këtu dhe të gjithë të ftuarve të nderit në këtë ceremoni, veteranëve kuqezi. Të cilëve u shpreh të gjithë respektin tim për gjithçka dhanë në rrugën e traditës së kësaj Kombëtareje që nuk lindi nga hiçi. Një duartrokitje edhe për ta!

 

E në mbyllje, një falënderim plotësisht i merituar edhe për “rezervat” e lojtarit të 12-të të Francës, fansat kuqezi në sheshet e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, në klubet dhe shtëpitë e tyre, këtu dhe nëpër botë, që i përcollën Kombëtares në distancë të gjithë energjinë pozitive të një kombi të tërë. Dua ta mbyll këtë ceremoni mirëseardhjeje, për t’ju lejuar të kaloni në pjesën më të bukur të kësaj pasditeje të paharrueshme për të gjithë ne dhe t’i bashkoheni lojtarit të 12-të në sheshin “Nënë Tereza”.

Mirënjohje gjithmonë dhe gjithmonë krenar për ju! Shumë faleminderit.​

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre