Fjala e Kryeministrit Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS

Zgjedhjet e zhvilluara nga Asambleja Kombëtare, ditën e shtunë, ishin një tjetër zhvillim pozitiv i demokracisë përfaqësuese në parti. Për herë të parë Asambleja jonë është një trupë ku çdo njësi vendore e Shqipërisë është proporcionalisht e përfaqësuar.

Kjo ripërtëritje harmonike e këtij forumi si rezultat i reformimit të mëtejshëm strukturor të Partisë Socialiste është një premisë shumë pozitive për të ecur me sukses në rrugën tonë aspak të lehtë përpara. E falenderoj Asamblenë për mbështetjen që i dha në parim listës së Kryesisë, si dhe strukturës së re të sekretariatit ekzekutiv.

Falenderoj dhe njëherë me mirënjohje për gjithçka ka dhënë si anëtar i kryesisë për 25 vjet me radhë, si dhe me shumë respekt për xhestin e tij kuptimplotë të tërheqjes nga lista e propozuar prej meje për t’i hapur rrugën më të rinjve, shokun tonë Namik Dokle. E falenderoj, po ashtu, për mbështetjen e çmuar që kam gjetur tek Namiku, sidomos në momente të vështira në detyrën time si Kryetar i PS.

Po ashtu mirëpres me shumë respekt përzgjedhjen e bërë nga Asambleja Kombëtare. I uroj të gjithë anëtareve dhe anëtarëve të Kryesisë së re që të jenë në lartësinë e përgjegjësisë më të madhe të forumit më të lartë udhëheqës të partisë, në këtë fazë reformash me rëndësi historike për vendin, e cila përkon dhe me sfidën e konfirmimit të mandatit tonë qeverisës vitin e ardhshëm.

Puna e Kryesisë do të fillojë zyrtarisht të hënën e ardhshme, pasi sekretariati ekzekutiv të ketë përgatitur mbledhjen çelëse, por ndërkohë unë kërkoj që të mos humbasim asnjë minutë me vijimin e procesit të anëtarësimeve të reja, si dhe përgatitjet e Dialogut të ri me Shqipërinë, të cilët duhet të nisin nga baza e partisë për t’u materializuar në një draft komunikimi me publikun qytet më qytet, lagje më lagje me çdo komunitet dhe me çdo individ.

Kemi hapur gjatë këtij mandati kantierin më të madh të reformave dhe kemi nisur punën më serioze për të bërë shtet në këto 20 e kusur vite. Reformë të nivelit të dytë të qeverisjes me shndërrimin rrënjësor të hartës administratave territoriale; Reformë të pronës me një zgjidhje konkrete pas çerek shekulli premisa, vetëm për më shumë ngatërresa; Reformë të sistemit fiskal me një korrigjim fiskal shumë të dhimbshëm, por të domosdoshëm për të rivendosur ekonominë në ekuilibër dhe për t’i hapur rrugë rritjes së qëndrueshme ekonomike; Reformë të sistemit energjetik me një përpjekje të gjithanshme që u bë përpjekja e vetë shoqërisë për të kaluar nga një sistem i falimentuar praktikisht, në një sistem që krijon kushte për të gjeneruar mirëqenie; Reforma e sistemit të pensioneve, në prag të një kolapsi të sistemit për shkak të deficitit të papërballueshëm, duke rivendosur sistemin mbi themele që garantojnë vazhdimësinë e tij; Reformë në sistemin e ndihmës ekonomike, duke rritur ndihmën ekonomike për ata që janë realisht në nevojë për ndihmë ekonomike dhe duke pastruar skemën nga korrupsionin dhe abuzivizmi i jashtëzakonshëm i trashëguar për vite të tëra; Reformë në sistemin arsimor në të gjithë nivelet; Reformë të sistemit shëndetësor po ashtu; Reformë të sistemit të forcave të rendit publik; Reformë të administratës publike; Reformë të sistemit të shërbimeve publike. Të gjitha këto reforma në proces që do të kërkojnë me patjetër edhe kohën e tyre për të dhënë të gjithë frytet e dëshiruara. Ashtu sikundër përgatitemi për të filluar reformën tjetër të madhe, atë të ujit, e cila do të jetë edhe ajo një sfidë e jashtëzakonshme, por e domosdoshme për një vend që zotëron pasuri të mëdha ujore dhe faktikisht ende sot ka probleme të mëdha me të gjitha format e përdorimit të ujit. Por, sigurisht, të gjithë këto reforma aq sa janë të rëndësishme dhe historike, aq janë të lidhura pazgjidhshmërisht me reformën në drejtësi.

Sot marrim një tjetër fakt në zinxhirin e fakteve që e bëjnë gjithnjë e më të qartë për gjithnjë e më shumë njerëz mungesën e vullnetit të Partisë Demokratike për të bërë Reformën në Drejtësi, në kohën e duhur dhe me të gjithë thellësinë nevojshme.

Masës së drejtë të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë brenda mundësive institucionale, sipas rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, për të mos lejuar për dhjetë ditë, atë që bëri thirrje për marrjen e armëve që të jetë pjesë e punimeve të kuvendit, - PD i është përgjigjur me 10 ditë bojkot të punimeve të Kuvendit. Pra, në solidaritet të plotë me thirrjen “merrni armët që të mbrohemi nga Reforma në Drejtësi”.

Nga ana tjetër e gjithë përpjekja për të kriminalizuar qeverisjen, për të kriminalizuar shumicën qeverisëse, për të kriminalizuar çdo përpjekje, çdo reformë, çdo vendim, çdo veprim, çdo gjë që qeveria bën apo ndërton, i është shtuar edhe nevoja e brendshme gjithmonë e më therëse për të penguar me çdo kusht Reformën në Drejtësi.

Prandaj edhe intensiteti i tensionit artificial, siç e kemi thënë, vjen duke u rritur dita ditës dhe përpjekja në kërkim të alibive dhe justifikimeve vjen duke u bërë gjithmonë e më e dëshpëruar. Nga ana tjetër, në sfond e pandarë qëndron përpjekja për të krijuar një atmosferë mbytëse përmes dezinformimit të përditshëm lidhur me ekonominë. Jo rastësisht javën e kaluar kur ju bëra një paraqitje të vizitës historike në Shtëpinë e Bardhë, lash mënjanë, ashtu sikurse ju thashë, takimin me Presidentin e Bankës Botërore, që ishte një takim shumë inkurajues dhe pas të cilit Presidenti u shpreh publikisht se Shqipëria është një vend kampion në rrugën e reformave.

Është një rrugë reformash e vlerësuar lart nga BB, FMN dhe nga të gjithë ekspertët mendjehapur të ekonomisë, në radhë të parë për atë që ne kemi shmangur, kolapsin financiar të shtetit, në fund të 2013, kur nëse nuk do të kishim ndërmarrë të gjithë atë veprim agresiv për të ndalur hemorragjinë, do të ishim ekspozuar përpara pamundësisë për të paguar rrogat dhe pensionet në fundin e nëntorit 2013.

Ky është një fakt i njohur nga të gjithë ata që e kanë njohur gjendjen dhe i fshehur me kujdes nga ana jonë në atë kohë për të mos krijuar panik.

Në ndërkohë jemi në kushtet kur ekonomia sot ka një perspektivë rritjeje prej 3.4% që është e barabartë me më shumë se sa trefishimin e rritjes së trashëguar në momentin kur ne morëm detyrën të qeverisim Shqipërinë.

Gjatë vitit 2015 u rritëm me 2.62 % dhe mund të ishim rritur më shumë, nëse për shkak të konjukturës ndërkombëtare dhe nëse në radhë të parë prej çmimit të naftës dhe të mineraleve, nuk do të kishim pësuar një goditje që u bë e plotë edhe për shkak të përmbytjeve të mëdha në tremujorin e parë të vitit që lamë pas.

Sidoqoftë, ajo që mbetet me shumë rëndësi për t’u theksuar është që ndryshe nga gjithë procesi i rritjes në të shkuarën, ashtu siç e nënvizon BB burimi kryesor i rritjes ka ndryshuar. Nuk janë më dërgesat e emigrantëve, nuk janë më ndërtimet kuturu në të gjithë Shqipërinë, por janë investimet e huaja dhe vendase, të cilat dëshmojnë për transformimin hap pas hapi të vetë modelit tonë ekonomik.

Është një rritje investimesh vendase dhe të huaja, si dhe një rritje e kërkesës së brendshme që mbështetet, sipas BB nga reforma e pensioneve, nga reforma fiskale, reforma në energji, reforma në përmirësimin e ndjeshëm të parametrave të sigurisë, reforma administrative territoriale dhe që sigurisht do të marrë një shtytje të re nga reforma në drejtësi, e cila e kalon në një dimension krejt tjetër të gjithë përpjekjen reformiste dhe të gjithë bazën e zhvillimin të ekonomisë dhe të bashkëjetesës shoqërore në vendin tonë.

Nga ana tjetër, është vetë BB që nënvizon se ky është një ndryshim i mirëpritur. Pra, struktura e rritjes, krahasuar me të shkuarën kur konsumi përbënte burimin kryesor të rritjes ekonomike.

Jemi në kushtet kur kemi një konsolidim të rëndësishëm fiskal dhe në kushtet kur kemi shtuar me 2% peshën e të ardhurave në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar. Sigurisht që, nuk është mjaftueshëm. Synojmë për më tepër, por është një kapërcim i rëndësishëm që tregon për rritjen e kontributeve të taksapaguesve dhe për uljen e informalitetit. Uljen e informalitetit që vazhdon intensivisht dhe që na ka dhënë si të ardhura nga tatimet dhe doganat në tremujorin e parë të 2016-s, të parin kapërcim të planit në 5 vitet e fundit dhe një rritje 3.3% krahasuar me planin, ndërkohë që është një rritje 17.3%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit të shkuar.

Shifrat, jo gjithmonë u thonë shumë njerëzve dhe jam shumë i vetëdijshëm për këtë, aq më tepër në kushtet kur ekonomia nuk është në lulëzim, por është thjesht në një proces ripërtëritës që ne do të donim ta kishim edhe më të shpejtë, por kjo nuk varet vetëm nga ne, varet edhe nga një konjukturë shumë e vështirë rajonale dhe ndërkombëtare. Por, shifrat kanë rëndësinë e tyre sidomos për të mos rënë pre e shakaxhinjve të përparimit, të cilët opinionet i shesin për fakte dhe përmes opinioneve të shitura si fakte, kërkojnë të peshkojnë në të gjithë ujërat e turbullta të pakënaqësisë apo të dëshpërimit të më të varfërve.

Shakaxhinjtë e përparimit thonë se në Shqipëri është rritur borxhi, ndërkohë që e kundërta është e vërtetë. Në Shqipëri borxhi publik, sot është krejtësisht nën kontroll. Nëse borxhi publik u rrit kur ne morëm në dorë qeverisjen e vendit, u rrit pikërisht për të përballuar impaktin vrastar për financat dhe për njerëzit të kolapsit me të cilin do përballeshim në fund të vitit, nëse nuk do ishim në gjendje të fillonim shlyerjen e menjëhershme të detyrimeve dhe të vazhdonim të mbanim të paprekur faturën e rrogave dhe pensioneve. Në rast se ne nuk do kishim bërë këtë operacion që ndali hemorragjinë, që i ktheu mbrapsht 700 milionë dollarë kompanive dhe të gjithë atyre që duhet të merrnin mbrapsht nga shteti, paratë që u takonin për shërbimet që i kishin bërë shtetit, sot do kishim një borxh publik prej 65.8%. E kemi sot borxhin publik më të lartë, pikërisht sepse kemi marrë të gjithë këto masa. Mjafton të shohim grafikun se ku do shkonte borxhi, në rast se nuk do ishte bërë reforma dhe në rast se nuk do të ishin marrë këto masa dhe se ku është sot, borxhi.

Sot, ne kemi hyrë në vitin e parë kur borxhi fillon të ulet dhe pa reformën, borxhi në vitin 2020 do të prekte tavanin e 90%. Me reformën, borxhi në vitin 2020 do shkojë drejt 60%-it. Ashtu sikundër, këtë vit kemi vitin e parë me deficit primar pozitiv, plus 0.3%, çka do të thotë se Shqipëria sot nuk harxhon më shumë sesa ka. Një tjetër element jashtëzakonisht ky i rëndësishëm i këtij ndryshimi rrënjësor që është bërë në themelet e ekonomisë.

Përsa i përket shërbimit të borxhit duhet të kemi parasysh se në vitin 2014 kemi paguar 3 miliardë më pak interesa nga borxhet, krahasuar me vitin 2013 dhe në vitin 2015 kemi paguar 5 miliardë më pak interesa nga borxhet, krahasuar me vitin 2013.

Ashtu sikundër ka një shifër tjetër shumë të rëndësishme; Për çdo 100 lekë të marra borxh, qeveria jonë ka investuar 194, ndërsa qeveria e mëparshme për çdo 100 lekë të marra borxh investonte vetëm 141.

Kush ka pak vëmendje lidhur me këto shifra, që janë njësoj si shifrat e llogarive të një shtëpie, të një familjeje, e kupton fare mirë që sot financat e shtëpisë tonë të përbashkët janë nën kontroll, që sot borxhi është ne kontroll dhe kthesa në uljen e borxhit është realiste dhe mbi të gjitha që ulja e borxhit nuk i është faturuar për asnjë moment, qytetarëve, në formën e mungesës së investimeve, apo në formën e prerjes së rrogave, apo të pensioneve. Përkundrazi! Në kulmin e një korrigjimi të rëndë dhe të dhimbshëm fiskal, ne kemi ulur taksat, kemi garantuar që biznesi i vogël të ketë për herë të parë në histori zero taksa, kemi garantuar që ata që punojnë në fshat të kenë rimbursim 20% për prodhimin e tyre të shitur formalisht, kemi garantuar që 97% e shqiptarëve të kenë sot, më pak taksa se ç’kishin në vitin 2013.

Ka edhe një shifër tjetër që është shumë rëndësishme. Shakaxhinjtë e përparimit vijnë vërdallë duke thënë se në Shqipëri kanë rënë investimet e huaja dhe po ikin kompanitë nga Shqipëria. Në fakt, e vërteta është ndryshe. E vërteta është se në vitin 2015 Shqipëria ka pasur volumin më të madh të investimeve të huaja, historik, në raport me vetveten, duke përjashtuar vetëm vitin kur në investimet e huaja u përfshi privatizimi skandaloz i hidrocentraleve. Shifra e investimeve të huaja për vitin e shkuar është shifër e pastër investimesh, pa përfshirë privatizime.

Investimet e huaja direkte në vitin 2015 përbëjnë 8.5% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, që na vendos vetëm të dytët në rajon, pas Malit të Zi, i cili ka një volum të konsiderueshëm investimesh në turizëm. Investime që, jam shpresëplotë, do të shkojnë duke u rritur në volum edhe në vendin tonë, pas një pune të jashtëzakonshme për të korrigjuar imazhin skandaloz të Shqipërisë, për të krijuar komunikim real me kompani serioze turistike, për të pastruar situata skandaloze të titujve të pronësisë dhe për t’i vënë në dispozicion kompanive të mëdha, shanse investimi në turizëm.

Përsa përket ikjes së kompanive, asnjë kompani nuk ka ikur nga Shqipëria, përveç një kompanie në fushën e naftës. Arsyeja e ikjes nuk ka qenë aspak e lidhur me klimën e biznesit dhe me histori të tjera si këto, por ka qenë e lidhur me çmimin e ulët dhe me një marrëveshje shumë të pafavorshme të vetë kompanisë me një tjetër kompani, që fatkeqësisht rezultoi të ishte një mashtrim. Mashtrim i trashëguar përpara vitit 2013.

Punësimi mbetet një sfidë e madhe. Është një sfidë e madhe për Shqipërinë, por është një sfidë e madhe për rajonin, një sfidë e madhe për Europën. Por ajo çka duhet thënë pa asnjë ndrojë është se asnjë vend tjetër në rajon nuk ka bërë atë që kemi bërë ne për punësimin; qoftë për aspektin e formalizimit; qoftë në aspektin e krijimit të vendeve të reja të punës.

Në asnjë vend tjetër në rajon nuk ekziston shifra e shumëduartrokitur nga Banka Botërore, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, e rritjes së numrit të punonjësve të regjistruar në Republikën e Shqipërisë. Është një rritje e jashtëzakonshme, ndërkohë që ka dy elementë shumë të rëndësishëm;

Elementi i parë është se ka një rritje të konsiderueshme të numrit të atyre që marrin mbi 300 mijë lekë të vjetra në muaj, pra pagën më të ulët.

Nga ana tjetër ka një rritje të numrit të punonjësve që marrin rrogë në sistemin privat. Nëse deri përpara dy vitesh, sektori publik kishte një peshë shumë të madhe në kontributin me rroga, sot, pesha e sektorit publik ka rënë 27%. Çka tregon se ekonomia private po spotohet, dita-ditës, nga zona e zezë dhe gri në zonën formale. Kjo përbën edhe një arsye të fortë, për të besuar se do të kemi një rritje të konsiderueshme të investimeve të huaja.

Ne presim kurorëzimin e një sërë investimesh të mëdha strategjike në fushën e energjisë, ku është bërë një punë e madhe për të pastruar gjithë territorin legjislativ, por, mbi të gjitha, territorin e perceptimit negativ për Shqipërinë dhe për t’i hapur rrugë ardhjes së disa kompanive të mëdha serioze të naftës e të gazit, pasi është e mbyllur me qeverisjen tonë, historia e fantazmave që marrin dhe barbarizojnë pasuritë tona natyrore, siç ndodhte deri në vitin 2013.

Po ashtu, në turizëm shpresojmë të kurorëzojmë disa investime të rëndësishme me kapital vendas, por, mbi të gjitha, me kapital të huaj.

Edhe në fushën e transporteve jemi duke punuar shumë intensivisht, për të kurorëzuar një investim shumë të rëndësishëm strategjik dhe shpresojmë që në një kohë shumë të afërt do të jetë në duart e parlamentit.

Njëkohësisht, po punojmë intensivisht me partnerët në rajon, për të çuar përpara disa plane të mëdha investimesh, që edhe ato kanë kohën e tyre dhe kërkojnë të gjitha përgatitjet e tyre.

Nga situata ku e morëm vendin, të pretendonim më shumë se kaq, do të ishte vërtet e ekzagjeruar, pasi na është dashur të bëjmë shumë më shumë se ç’na takonte, sidomos në pastrimin e territorit nga gjithë negativiteti i akumuluar prej qeverisë së mëparshme në raport me të huajt dhe nga ana tjetër, në përgatitjet e domosdoshme për t’i vendosur projektet në një shtrat të ri. Vetë ligji për investimet strategjike, që është një bazë shumë e mirë, por që është një bazë e re, ka kërkuar shumë kohë për përgatitje dhe sigurisht kërkon kohën e vet për t’u maturuar si një instrument besimi i investitorëve.

Është e lehtë të flasësh për investime të mëdha, por të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se investimet e mëdha kanë një kohë maturimi shumë të gjatë, që nga momenti i prezantimit të interesit deri në momentin e realizimit. Ne kemi bërë çmos për ta shkurtuar këtë kohë. Jemi shumë besimplotë se tani do të fillojmë të shikojmë disa rezultate konkrete që do t’i hapin rrugë disa kantiereve shumë të mëdha për përmasat e vendit tonë dhe jashtëzakonisht të rëndësishme për ekonominë tonë të vogël, që besojmë se nën impaktin e këtyre kantiereve do të ketë një shtytje tjetër në drejtim të rritjes.

Të gjitha këto nuk ishin një prezantim në vetvete, por nevoja që me këtë bazë të dhënash dhe sigurisht të artikuluar dhe të detajuar sektor për sektor, ne të shtrijmë trasenë e Dialogut të ri me Shqipërinë, duke e filluar këtë dialog, në radhë të parë, nga një bashkëbisedim i hapur dhe i drejtpërdrejtë me të gjithë bazën e partisë, në të njëjtin proces ku do të vazhdojmë të intensifikojmë rritjen e mëtejshme të anëtarësime.




 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Zjarri përfshin Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës, e vështirë të ndërhyhet nga terreni! Në operacion edhe 50 forca të ushtrisë