Fjala e Kryeministrit Rama në takimin e pervitshem me trupin diplomatik‏

Mirë se erdhët në këtë mbrëmje tradicionale të fundvitit, ku për së pari dëshiroj të më lejoni një urim të sinqertë për Krishtlindjet, të gjithë atyre ndër ju që e kanë dhe këtë festë dhe Vitin e Ri 2016, të gjithëve pa përjashtim. Qoftë një vit i mbarë, me gëzime dhe shëndet për ju, familjet tuaja, të gjithë njerëzit që kanë rëndësi në jetën tuaj! Qoftë po ashtu, një vit i mbarë për vendet dhe popujt tuaj, ndaj të cilëve Shqipëria ruan ndjenjat e miqësisë së mirë dhe të cilëve ne u dëshirojmë vetëm më të mirën!

Viti që po lëmë pas, i cili përkoi me 70-vjetorin e fundit të Luftës së Dytë Botërore, nuk shënjoi për botën tonë, siç të gjithë ne, besoj, do ta kishim shpresuar, një kohë të kthjellët zhvillimesh entuziaste, por një tjetër kohë paqartësish shumë të mëdha. Me gjithë përpjekjet e ndriçuara, të cilat kulmuan në fund të këtij viti me përpjekjen globale të Samitit të Klimës në Paris, demoni i luftës dhe i përçarjes së përbotshme vijoi t’i zhvilloi trajtat e veta pa të ardhme, por që të ardhmen e gjithsecilit sot, po e mbështjellin me vranësira terri, të mbushur me premisat e terrorit.

Në një kontekst përgjithësisht të ngrysur, Shqipëria është përpjekur të vazhdoi të udhëhiqet nga forca e shembullit dhe ekuilibri i saj. Tek ato procese themeltare, si rrugëtimi i përbashkët në histori i popujve nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara, apo ndërtimi i integruar i bashkësisë europiane dhe përpjekja unitare e NATO-s për mbrojtjen e paqes dhe demokracisë, ne shohim pa asnjë lëkundje, një shpresë që nuk gënjen.

Vendi ynë nuk lëkundet nga referencat dhe përkatësitë e tij qartësisht europiane. Kjo përkatësi përjashton çdo qëndrim të dyzuar. Pol qëndrueshmërie në rajonin Adriatiko-Jonian të Europës Juglindore dhe Mesdhetare, Shqipëria numërohet sot si një nga anëtarët më të vjetër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, saktësisht prej 14 dhjetorit 1955, që punon pa reshtur për paqen kolektive. Besoj me të drejtë, ne e përkujtuam 60 vjetorin e pranimit tonë në OKB, si dëshmi e qëndrueshmërisë së Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon dhe më gjerë.

Shumë të dashur miq!

Detyra parësore e një diplomati dhe sidomos e një kreu përfaqësie, është njohja e historisë. Kështu, të paktën, këmbëngul që prej fillim shekullit të XVIII, një njohës i shquar i zanatit tuaj, Abraham de Wicquefort, në librin e  tij “L’Ambassadeur et ses fonctions”.

Për herë të parë në 25 vite, prej rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ne kemi nënshkruar këtë vit, një dokument politik që përbën tanimë gurin e themelit të bashkëpunimit dhe të bashkërendimit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke u fokusuar në tre plane:

Partneritet për çështjet globale;

Partneritet për çështjet rajonale;

Partneritet për axhendën dypalëshe, dialogun politik, sigurinë, forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe shkëmbimet arsimore dhe kulturore.

Besoj që ky gur themeli në marrëdhënien tonë të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara përbën një pikë të palëvizshme referimi për të gjithë ne dhe për cilindo që kërkon të kuptojë pozicionin dhe qasjen tonë në të tria planet.

Përtej aspektit dypalësh, nënshkrimi i këtij dokumenti të partneritetit strategjik dhe përvijimi i një plani veprimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është njëkohësisht, edhe fryt i një kulture politikbërëse, të cilën ne dëshirojmë me të gjithë vullnetin dhe dijet tona ta zhvillojmë dhe ta forcojmë vit pas viti.

Po ashtu, suksesi i përbashkët rajonal i kryesisë së Shqipërisë në SEECP dhe forca tërheqëse e Vienna Economic Forum, që krijoi një pikë graviteti në rajonin tonë duke u mbledhur të gjithë në Tiranë, dëshmojnë se përtej së qënuri një dritare e hapur mbi Adriatik dhe mbi Perëndim, Shqipëria dhe rajoni mund të udhëhiqen nga kultura e gjithëpërfshirjes dhe mund të kthehen në një familje popujsh me shumë banesa, por nën një strehe të përbashkët.

Unë besoj se vetëm si i tillë, vendi dhe rajoni ynë, aq i pasur me potenciale, mund të shfaqen të aftë të bashkëpunojë me partnerë ekzigjentë dhe të zhvillohen në mënyrë ekzigjente. Ky është realiteti ku edhe Kina e shumë mundësive na hap dyert e një bashkëpunimi të shumanshëm, jo vetëm në raport me Shqipërinë, por me të gjithë rajonin.

Vijimësia e Nismës së Europës Qendrore dhe Lindore, që me një vullnet për t’u admiruar, Kina e durimit të virtytshëm po e mban shtrënguar fort rreth një dinamike të domosdoshme ndërveprimi, është për ne, një dëshmi më shumë se të gjithë sëbashu në këtë rajon jemi në daç të dënuar, në daç të destinuar prej gjeografisë, prej historisë dhe prej potencialeve tona, të jemi partnerë të besueshëm dhe aktorë gjeo-ekonomikë të besueshëm.

Renditja e përpjekjeve tona për të qenë plotësisht partnerë të aleatëve dhe të Bashkimit Europian, nuk mund të përkufizohet nga një asociim i jashtëm, apo nga një kontribut i përciptë. Kontributi në luftën kundër terrorizmit, angazhimi gjithmonë e më konkret në kuadrin e Aleancës Atlantike, rivlerësimi në rritje i aftësive ushtarake në përpjesëtim të drejtë me rolin dhe misionin tonë në këtë kuadër, mishërojnë një vizion dhe një strategji afatgjatë në shërbim të proceseve integruese, paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Nuk ka asnjë dyshim se vizita e Kancelares Merkel, në korrik të këtij viti, si edhe Konferenca e Vjenës, që janë fryt i një vizioni udhërrëfyes dhe i një dinamike sa asociuese, aq dhe pedagogjike për Ballkanin, ishin për ne momente të posaçme inkurajimi në procesin i integrimit. Një proces sado i lëkundur, i sulmuar apo i qesëndisur, nga brenda vetë Europës së bashkuar, por edhe nga të tjerë jashtë saj, që është në fakt e vetmja forcë mobilizuese dhe i vetmi instrument që ne kemi në dorë, për të realizuar objektivin e patjetërsueshëm të një  ardhmërie të ndarë me të gjithë.

I shpreh përsëri mirënjohjen Kancelares, për angazhimin e saj personal për çeljen e një procesi historik për rajonin, që tanimë është pagëzuar dhe njohur nga të gjithë si Procesi i Berlinit, nisur një vit më parë dhe për shtysën e vazhdueshme që i ka dhënë këtij procesi. Ashtu sikundër për mbështetjen ndaj Shqipërisë, në funksion të shtytjes përpara të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, natyrisht, mbi bazën e meritës dhe të progresit, të përftuara së pari në stabilitetin e brendshëm, në forcimin e institucioneve demokratike dhe në transparencën ekonomike dhe financiare.

Këto prioritete janë indikatorët më të rëndësishëm edhe të asaj që sot është një përkatësi europiane në të gjitha planet, jo sepse ato do të jenë nesër, një çek i bardhë në një integrim të imagjinuar, me overdozë optimizmi, por sepse janë pikërisht instrumentet që më shumë na përshtaten dhe më shumë na shërbejnë, për të qenë shtetndërtues në vendin tonë, përpara se të jemi pjesëmarrës në kantierin e ndërtimit europian.

Progresraporti i publikuar në mes të muajit nëntor e vlerësoi me nota pozitive, shumë inkurajuese për ne,  përpjekjen e pandërprerë të qeverisë sonë në kuadrin e reformave shtetndërtuese. Ne jemi krenarë që ky ishte Progresraporti më i mirë, i paraqitur ndonjëherë gjatë një viti për Shqipërinë, ashtu sikundër vijojmë të jemi edhe më kërkues ndaj vetes, me bindjen se kemi ende shumë për të bërë dhe mundësitë i kemi të pakufishme.

Njëkohësisht jemi krejt të qartë e të kthjellët, se reforma në drejtësi mbetet një parakusht për hapjen e negociatave për anëtarësim. 90% e shqiptarëve besojnë se në Shqipëri nuk ka drejtësi. Mbi 80 % janë ata që pohojnë me plot gojën se sistemi i drejtësisë është i korruptuar, ndërkohë që këtu në sallë jemi 100% dakord që në Shqipëri as drejtësi nuk ka dhe nga ana tjetër, korrupsioni përcakton vendimet e drejtësisë.

Prandaj jam dhe besoj jemi të gjithë të vetëdijshëm, se pa i çuar rrathët e tërmetit të reformave nën këmbët e sistemit të drejtësisë, nuk do të garantojmë dot, themelet e ngrehinës moderne të shtetit demokratik që po përpiqemi dita-ditës të ndërtojmë, të cilat pa këtë reformë do të mbeteshin kështjella rëre që dallga e parë e rrëmbyer, i kthen në hiç.

Manifestimet pakënaqësisë së menjëhershme që çdo qasje reformuese dhe çdo proces transformues rrënjësor provokon në një trup të shëndetshëm. por të gërryer nga pakujdesia, neglizhenca, abuzimet dhe antalgjikët përgjumës për vite me radhë, unë i lexoj si shenja vitaliteti dhe sensibilizimi në një udhëkryq ku sot ndodhet vendi, midis inercisë së të shkuarës ku reformat u shtynë në vazhdimësi për mandatin e ardhshëm dhe bindjes sonë në të tashmen, se nuk ka më asnjë minutë për të humbur dhe reformat duhen çuar përpara me vendosmëri, duke përballuar të gjitha kostot e të gjitha dhimbjet, të cilat nuk mund t’i ndajmë me gjeneratën tjetër.

Ndonëse shpesh ankohen, qytetarët e këtij vendi, në shumicë dërrmuese, aderojnë në dinamikën e reformave, mbështesin përpjekjen për t’ju rikthyer në disponim shtetin e munguar për vite e vite të tëra, të drejtat e detyrimet në raport me ligjin, me pronën dhe të ardhurat e tyre, aksesin në shërbime publike të denja e të pakorruptuara, luftën ndaj informalitetit shkatërrues, mundësinë për t’i ushtruar të gjitha të drejtat që u jep ligji në kuadrin e një procesi gjyqësor të paanshëm, të pacenuar në integritet dhe garant të barazisë në trajtimin e të gjithë qytetarëve.

Jemi munduar të mësojmë sa më shumë nga eksperienca e qeverive të mëparshme dhe një ndër gjërat që kemi mësuar është se oportunizmi politik dhe manovrat taktike për të shtyrë zgjidhjen e problemit tek legjislatura tjetër, nuk sjellin asnjë përfitim afatgjatë, përkundrazi, krijojnë dhe ushqejnë premisat për mosfunksionim të shtetit dhe për nënshtrimin e institucioneve ndaj konjukturave politike të momentit.

Ne kemi ardhur në qeveri për të bërë reforma dhe do të qëndrojmë në qeveri duke bërë reforma.

Kështu, në periudhën e fundit të këtij vitit, ne ndërmorëm edhe operacionin e parë serioz në 25 vjet, për të goditur informalitetin. Një fenomen që e paraqet Shqipërinë në burimet e besueshme statistikore, si vendi ku “të ardhurat mund të jenë deri 50% më të larta, për shkak të ekonomisë së paformalizuar”.

Dhe unë mund ta them sot me bindje e viti 2016, për Shqipërinë do të jetë një vit kthese në raportet mes ekonomisë dhe ligjit, ashtu sikundër viti 2015 ishte viti i një kthese historike në raportet mes qytetarëve dhe përftimit të shërbimit të energjisë elektrike.

Ne përgatitëm buxhetin për vitin 2016 dhe është hera e parë në historinë e një qeverie gjatë këtyre 20 e disa viteve, që energjia nuk ishte problemi numër 1 në përgatitjen e buxhetit dhe që qeveria nuk u detyrua të linte mënjanë një shumë gjithmonë e më të madhe parash, siç ndodhi deri një vit më parë, për të mbuluar gropën e hapur nga vjedhjet dhe humbjet në sistemin e furnizimit me energji të konsumatorëve. Po ashtu, viti 2016 është viti që do të shënojë fillimin e uljes së borxhit publik, pas një sërë vitesh të gjata rraskapitëse dhe me rritje të borxhit, ndërkohë që për herë të parë, ne do të kemi vitin e ardhshëm, një deficit primar pozitiv.

Investimet e huaja presim që të jenë këtë vit, në shifrën e tyre më të lartë.

Nga ana tjetër, reforma administrative-territoriale shënoi gjatë vitit që po mbyllet, një kapërcim historik, të cilin ne duhet ta kthejmë në një kapërcim cilësor në territor, në funksion të forcimit të ekonomisë vendore dhe të cilësisë së jetës së komuniteteve, duke mbështetur fuqimisht bashkitë e reja që u krijuan nga kjo reformë, e cila në thelb, ndër të tjera, është edhe reforma më e madhe antikorrupsion që është bërë në Shqipëri.

Sigurisht, korrupsioni mbetet një problem serioz, por, nga ana tjetër, unë besoj se në këto dy vjet është hera e parë që qeveria e vendit tonë i qaset kësaj sëmundjeje sistemike me recetën e ilaçet e duhura, me reformat që modernizojnë shtetin, që ndërtojnë sisteme, të cilat e bëjnë të pamundur korrupsionin. Sot paradite, për të dhënë një shembull, është zhvilluar testimi i dytë kombëtar “Mësues për Shqipërinë”, ku kanë marrë pjesë të gjithë mësuesit dhe mësueset që dëshirojnë të kontribuojnë në shërbimin tonë publik arsimor. Përmes këtij portali, ne kemi ndërtuar faktikisht, themelet e një sistemi që do ta zhdukë plotësisht korrupsionin në arsimin, korrupsionin në emërimet apo largimet e mësuesve, që ka bërë ligjin deri dy vjet më parë. Sepse nuk është më një drejtor, një drejtori apo një vendim subjektiv që vendos mbi cili mësues do të rekrutohet dhe cili mësues do të largohet mbi baza politike, mbi baza klienteliste, apo thjesht mbi bazën e ryshfetit. Por është aftësia e treguar nga gjithsecili, përmes këtij testimi dhe rankimi që buron nga ky testim, plotësisht i sekretuar, që përcakton edhe radhën e rekrutimit, sa herë që hapet një vend i lirë.

E njëjta gjë mund të thuhet për çdo sektor ku ka ende korrupsion, ku ka ende një betejë të ashpër që vazhdon dhe një përballje që jo gjithmonë është e suksesshme nga ana e qytetarëve apo nga ana e shtetit, për shkak se mungon jo vullneti, por mungojnë ende institucionet që të jenë në gjendje të garantojnë mospërfshirjen dhe të pamundësojnë përfshirjen e nëpunësve në procesin e korruptimit.

Ky vit është një vit që mbyllet me një shifër historike përsa i takon sigurisë dhe rendit publik. Kemi më pak se gjysmën e vrasjeve, krahasuar me çdo vit të tranzicionit të marrë një e nga një. Ashtu sikundër, lufta kundër drogës dhe trafiqeve ka marrë proporcione të panjohura më parë dhe ka shënuar rezultate që deri dy vjet më parë as nuk mund të imagjinoheshin. Gjithashtu, pa as më të voglin dyshim, Policia e Shtetit, e cila është rikthyer në krye të detyrës, siç ka ende shumë për të bërë që të jetë policia e një shteti të denjë, pjesë e Bashkimit Europian, është çliruar sot nga fenomeni i korrupsionit endemik, duke e bërë faktikisht, më shumë sesa të vështirë, mundësinë e korruptimit të drejtpërdrejtë të një punonjësi të saj, nga një qytetar i kapur në shkelje të rregullave dhe të ligjit.

Vitin e ardhshëm fillon një fazë tjetër në procesin e reformës në shëndetësi. Kalojmë në fazën ku shërbimi shëndetësor tek mjeku i familjes do të jetë falas. Nuk ka dyshim që edhe shëndetësia është një sektor i prekur rëndë nga korrupsioni, sepse është një sektor ku për vite me radhë nuk u ndërtua dot, asnjë sistem që të garantonte një marrëdhënie të hapur, transparente dhe funksionale mes njerëzve në nevojë për shërbim dhe shërbimit shëndetësor kombëtar.

Vitin e ardhshëm, një tjetër projekt me rëndësi strategjike për vendin tonë, ai i regjistrimit të të gjithë shqiptarëve, në funksion, nga njëra anë, të krijimit të një regjistri kombëtar për të gjithë shqiptarët që jetojnë brenda ose jashtë vendit dhe nga ana tjetër, të krijimit më në fund pas 25 vitesh, të një sistemi normal adresash, do të vendosë një tjetër bazë të rëndësishme për funksionimin e shtetit demokratik.

Parlamenti miratoi me konsensus një ligj për të cilin u punua gjatë, u debatua gjatë dhe po aq gjatë edhe u përfol për keq, Shqipëria. Ligjin e njohur me nofkën famëkeqe të “dekriminalizimit”, që zyrtarisht quhet ligji për integritetin e figurës së cilitdo që pretendon të zgjidhet. Unë besoj që është një hap shumë i rëndësishëm përpara, nga njëra anë, për ta bërë të pamundur përfshirjen në trupat përfaqësuese dhe vendimmarrëse të shqiptarëve në nivelin më të lartë legjislativ, apo edhe në nivelet e përfaqësive vendore dhe po ashtu, për ta bërë të pamundur përfshirjen në funksionin publik, në shërbimin civil dhe në administratën shtetërore të individëve me precedentë kriminalë.

Unë besoj po ashtu, se ky ligj është i rëndësishëm edhe për të ndarë në mënyrë më të qartë, politikën e reformimit dhe të vetëpastrimit shoqëror, përmes instrumenteve demokratikë dhe politikën e kriminalizimit, e cila është zhvilluar si një kancer prej 25 vitesh, e cila është instrument i importuar nga e shkuara. Një instrument i përdorur si arma bazë e Partisë famëkeqe të Punës dhe e diktaturës komuniste, për të asgjësuar çdo kundërshtar, për të eliminuar çdo kundërshti, për të diskretituar çdo ide, çdo projekt, çdo vendim, çdo shfaqje që binte ndesh me vendimin unik, totalitar. Fatkeqësisht, më shumë se çdo vend tjetër, ndoshta për shkak se më shumë se në çdo vend tjetër, në Shqipëri u jetësua një diktaturë barbare, Shqipëria e këtyre 25 viteve ka vuajtur pasojat e saj në kuptimin e kulturës politike dhe të marrëdhënieve me tjetrin, me kundërshtarin, me oponentin, apo thjesht me atë që shfaqet si i ndryshëm.

Fatkeqësisht, për shkak të kësaj kulture, unë besoj se kemi lënë rrugëve shumë energji dhe kemi humbur shumë kohë. Kam shkëputur një thënie që më ka pëlqyer shumë, e një mendimtari të mençur, e cila e përshkruan më së miri atë që i shkakton shoqërisë, ajo që unë e quaj politika e kriminalizimit këtu në Shqipëri, por ajo që në tërësi mund të quhet si pamundësia e shoqërisë për t’u përballuar me thashethemet. “Një thashethem është një kancer shoqëror, është shumë e vështirë ta përmbash dhe mos lejosh që të ndryshkë trurin e njerëzve. Sidoqoftë, rreziku real është që shumë njerëz i gjejnë thashethemet si diçka të gëzueshme. E kjo është pjesa që krijon edhe infeksionin dhe në këto raste, kur thashethemi është i gatshëm të bëhet i vërtetë, është absolutisht shumë e vështirë të kuptosh se ku fillon informacioni dhe ku mbaron thashethemi.” Faktikisht, ne jemi në këto kushte dhe është edhe për këtë arsye, me një rëndësi të madhe themelore, ajo që bëmë me votën për ligjin e integritetit.

Edith Durham shkruante dikur se në rënkimet e saj, Shqipëria ishte brenga e Ballkanit. I madhi Fernand Braudel shprehej se midis Perëndimit e Lindjes, Shqipëria ishte hallka më e dobët e Europës. Sot e  gjithë ditën, në një distance të barabartë midis Romës dhe Stambollit, Shqipëria gjendet po aty, por, falë gjithë ndryshimeve të mëdha historike, si shprehje e një aspirate të paepur për të konsoliduar stabilitetin dhe bashkëpunimin, përmes një vizioni bipolar ambicioz midis “Veriut” dhe “Jugut”, një shfaqje e të cilit është sot edhe jetëzimi i projektit TAP.

Aq e fortë është kjo aspiratë, sa rrezaton përtej kufijve politikë të Shqipërisë, duke u bërë udhërrëfyese edhe për shqiptarët e përtej kufirit. Në dritën e kësaj aspirate të fortë shtetformuese dhe europiane duhen parë, besoj unë, edhe luhatjet e Kosovës përballë krizave politike, që e dimë të gjithë, asnjë shtet rishtar nuk i ka kaluar pa plagë dhe sakrifica.

Rruga e vështirë drejt përvojës demokratike, jam besimplotë se do ta bëjë Kosovën e peripecive të sotshme, një shtet të rrënjosur në institucione të sprovuara nga koha dhe vullneti demokratik i popullit të Kosovës. Për këtë arsye, ky është për Kosovën, një moment i vështirë, por edhe një moment vërtetësie. Dhe prej vëllezërve tanë në Kosovë, ne presim pa lëkundje dhe padyshim, që të jenë në lartësinë e duhur për këtë moment kaq të rëndësishëm dhe për ardhmërinë e Kosovës, në kuadrin e një rajoni që synon me forcë integrimin në Bashkimin Europian.

Prandaj dhe dua të shpreh kënaqësinë që më në fund, pas kaq shumë ngurrimesh të pakuptimta dhe heshtjesh fajtore, Bashkimi Europian vendosi të hedhë një hap më tutje drejt liberalizimit të vizave, që shpresoj do të plotësohet si hap një orë e më parë, për t’i dhënë fund absurdit më të madh të Europës së sotme, që është një popull shumë i vogël, i vetmi në gjithë hartën e kontinentit tonë, i mbajtur peng i izolimit që krijon viza.

Ashtu si në këtë proces konsolidimi, Shqipëria është në krah të Kosovës, po ashtu, ne jemi të bindur se këmbëngulja jonë që absurdi i izolimit të Kosovës, në pamundësi të lëvizjes së lirë, duhet të marrë fund një orë e më parë, jo thjesht për Kosovën, por për vetë Europën. Është një turp që Europa nuk mundet ta mbajë për një kohë ende më të gjatë dhe është një izolim, pasojat e të cilit nuk i përjeton vetëm populli i Kosovës sot, por mund t’i përjetojë rajoni dhe më gjerë nesër.

Besoj që rajoni asnjëherë nuk ka qenë në një pozitë më të mirë sesa pozita e sotme dhe asnjëherë nuk ka qenë më i sfiduar për të shkuar përpara sesa është sot. Për këtë arsye, unë jam besimplotë se viti i ardhshëm do të shënojë përparime të mëtejshme në bashkëpunimin rajonal dhe se nismat e ndërmarra në fushën e bashkëpunimit rinor, intensifikimi i marrëdhënieve të gjithanshme me Serbinë, mbështetja e suksesshme ndaj kandidaturës së Malit të Zi në NATO, elaborimi i partneritetit strategjik me vende ngushtmërisht të lidhura me rajonin si Italia dhe Turqia, në radhë të parë,  na vënë në një pozicion shumë të favorshëm, për të synuar edhe më shumë vitin e ardhshëm.

Në këtë kapërcim vitesh, vendi ynë është i gatshëm dhe do të jetë në çdo moment i gatshëm, të përballojë krah partnerëve, çdo sfidë dhe të mbajë të gjithë përgjegjësinë që i takon në rajon dhe më gjerë, për të vazhduar të jetë ai model vëllazërimi njerëzor, që këtu në Tiranë, u përshëndet aq hirshëm dhe në mënyrë aq të paharrueshme nga Papa Françesku.

Gëzuar festat e fundvitit të gjithëve ju! Qoftë viti 2016, të paktën më i mirë se viti 2015! Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Situata e zjarreve ende kritike, 29 vatra të rëna gjatë 24 orëve të fundit! 15 ende aktive, problematike ato në Tomor, Prespë dhe bjeshkët e Dibrës