Fjala e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Dua të hap këtë takim të sotëm me një lajm të mirë. Ne sapo kemi kaluar buxhetin në Bashkinë e Tiranës prej 120 milionë dollarësh, tejet ambicioz, ndoshta më i madhi në historinë e qytetit. Kjo, jo vetëm se Tirana është 25 herë më e madhe, por edhe pse nevojat e akumuluara në katër vitet e fundit janë jashtëzakonisht të mëdha e ndoshta nuk përmbushen të gjitha ambiciet tona, por edhe nevojat e qytetit.
 
Kjo është arsyeja pse ne jemi sot në një bashkëpunim dhe fillim të ri me UNDP, për të organizuar në Tiranë, në datën 20 janar, një konferencë të partnerëve që do të quhet “Tirana Smart City 2016-2026”. Fakti që po mendojmë për një periudhë 10 - vjeçare do të thotë që po mendojmë përtej një mandati dhe nuk jemi të fokusuar tek zgjedhjet e ardhshme se sa jemi të fokusuar në gjeneratën e ardhshme të Tiranës, që të gjithë ëndërrojmë dhe të gjithë qytetarët e Tiranës meritojnë.
 
Arsyeja pse e quajmë “Smart City” është se kemi nevojë për një qytet inteligjent, jo vetëm për faktin që qytetet tona duhet të kenë akses në informacion dhe të zgjidhin në mënyrë më inteligjente shumë prej proceseve, por kur flasim për një qytet inteligjent, një qytet që menaxhon jetën, cilësinë e ajrit, të ushqimit, transportit, cilësinë e shkollave, cilësinë e shëndetit publik, cilësinë e shumë prej proceseve që në fakt konturojnë jetën tonë dhe cilësinë e jetës sonë në qytetin e Tiranës.
 
Ky është një aktivitet i pari në këtë lloj, një konferencë e partnerëve që përfshin donatorë, të gjithë ambasadat dhe gjithë agjencitë e zhvillimit që janë përfshirë në Tiranë, përfshin komunitetin bankar. Pra të gjithë bankat që janë të interesuara të futen në marrëdhënie për të financuar projekte të Bashkisë së Tiranës. Gjithashtu kjo konferencë përfshin të gjithë sektorin privat, investitorë të ndryshëm që janë të interesuar të përfshihen në projekte të partneritetit publik – privat. Ndaj edhe e quajmë një konferencë unike të partnerëve.
 
Sigurisht, ne nuk do të heqim dorë nga detyrimet që i takojnë Bashkisë dhe kjo është arsyeja se pse ne kemi kaluar në buxhetin tonë, që për disa operacione bazë siç është pastrimi i qytetit, ndriçimi i qytetit, shkollat, kopshtet, çerdhet e qytetit, Bashkia e Tiranës ka marrë përsipër t’i kryejë me buxhetin e vet. Por, shumë prej gjërave që ne kemi ambicie t’i realizojmë, nuk i përballojmë dot vetëm me mundësitë modeste që ka Bashkia e Tiranës.
 
Ne patëm një situatë në 100 ditët e para ku pilotuam se çfarë do të thotë të pranosh fushat ku nuk ia del dot vetë dhe të kërkosh ndihmë nga sektori privat. Ky ishte projekti ynë “Adopto një çerdhe”, ku siç e themi me humor në Bashkinë e Tiranës: “lypja e ka faqen e zezë, por pa gjë nuk të lë!”. Kjo është një lypje më institucionale, këtu po lypim ndihmë dhe partneritet kryesisht jo vetëm për të riparuar 31 çerdhet, por për të riparuar dhe sjellë në një gjendje dinjitoze në qytetin e Tiranës, infrastrukturën në 24 njësitë e qytetit tonë.
 
Ne do të kemi në këtë sipërmarrje, të ftuar, rreth 200 partnerë që përfaqësojnë trupin diplomatik, agjencitë e zhvillimit, bankat, sektorin bankar, bankat e zhvillimit, BB, BERZH dhe banka e agjenci të tjera, shumë Fonde Zhvillimi nga vende të Gjirit ose nga vende të tjera të botës që duan të financojnë projekte në Shqipëri. Gjithashtu të ftuar do të jenë një pjesë e madhe të sektorit privat që ka shprehur interes të futet në partneritet publik-privat, për investime të cilat Bashkia nuk mund t’i përballojë, por që mund të ofrojë në formë partneriteti, duke bashkëpunuar me sektorin privat.
 
Ne parashikojmë që në total, gjatë ditës së konferencës të prezantojmë 100 projekte për Tiranën të cilat variojnë nga projekte të infrastrukturës deri tek projekte të kulturës apo turizmit. Për vlerën totale të projekteve që ne do të prezantojmë në konferencën e partnerëve dhe donatorëve, ne do të informojmë në ditët në vijim. Në datën 20 janar, Bashkia e Tiranës do të organizojë disa sesione, ku për grupet e interesuara të partnerëve do të prezantojnë secilin prej projekteve.
 
Një prej tyre do të jetë terminali multimodal i transportit. E kemi reduktuar vlerën e projektit, e kemi zhveshur nga interesa të pallateve apo qendrave komerciale, duke e trajtuar si një terminal jashtëzakonisht të nevojshëm për qytetin e Tiranës ku do të ftojmë partnerë nga komuniteti privat që të bëhen palë me Bashkinë për të realizuar këtë investim.
 
Ne kemi tashmë një terminal të përkohshëm në ish-parkun e Doganës, një mënyrë për të mësuar që si në çdo qytet tjetër transporti mbaron në hyrje të qytetit, nga qytetet e tjera e më pas fillon transporti urban. Së shpejti do të kemi edhe një terminal të përkohshëm për trafikun që vjen nga lindja në Sauk dhe duke ndaluar trafikun edhe nga perëndimi, e veriu në sheshin e Doganës, tek sheshi “Shqiponja”. Kemi mundësuar që fillimisht, kulturalisht të mësohemi se trafiku ndërqytetas do të përfundojë në hyrje të Tiranës, për t’i lënë më shumë hapësirë qytetit që tashmë e ka trafikun e rënduar.
 
Këto janë zgjidhje të përkohshme dhe disa nga projektet siç janë terminalet do të ofrohen si zgjidhje të përhershme në këtë konferencë të partnerëve. Ne kemi nevojë të jashtëzakonshme për të përmirësuar trafikun në qytet. Trafiku në qytetin tonë është jashtëzakonisht i rënduar. Ne kemi sot një qendër të kontrollit të trafikut urban në Tiranë që ka përmasa modeste duam ta zgjerojmë këtë operacion, duam të shtojmë rreth 11 kamera më shumë, në kryqëzimet që janë më problematike të cilat ne nuk i mbulojmë dot me përllogaritjen dhe komandimin që u bëjmë semaforëve për të lehtësuar trafikun.
 
Ju jeni të vetëdijshëm se sado korsi të shtojmë dhe sado ta lehtësojmë trafikun, gjithmonë do të shtohen makinat, ndaj një pjesë e madhe ka të bëjë me mënyrën se si ne udhëtojmë në qytet. Kur distancat janë të shkurtra, nuk ka asnjë arsye pse të marrim makinën, megjithatë njerëzit kanë një alibi, thonë për sa kohë nuk ka korsi biçikletash detyrohemi të marrim makinën. Kjo është arsyeja pse ne do të propozojmë një projekt i cili do të shtojë në Tiranë 55 km linearë korsi të dedikuara për biçikletat. Për të gjithë qytetarët që kanë përqafuar frymën e Bashkisë për një transport më të shëndetshëm, me më pak ndotje dhe më ekologjik, ne t’i përgjigjemi me këtë investim për të hequr edhe alibinë e fundit që mund të ketë mundësi alternative të transportit se sa orët e pafundme në trafikun e Tiranës.
 
Ne duam të krijojmë një platformë online për taksat dhe gjithë detyrimet e Bashkisë, ashtu siç ndodh në çdo vend të civilizuar. Kultura që kemi trashëguar, ku me orë të tëra u merren biznesit dhe qytetarit që pret në radhë, kur të gjitha këto shërbime mund t’i bëjë online është një ndër shërbimet që ne do paraqesim në këtë konferencë për financime dhe ndihmë nga donatorët.
 
Ne sot kemi 68 kryqëzime të kontrolluar nga semaforët, siç i keni parë në disa rrugë kryesore, në bulevardin qendror dhe kemi filluar vendosjen e semaforëve led. Ishte gjithashtu një dhuratë. Ju e dini që në këto 6 muaj të parë kryesisht kemi mobilizuar donacione për Bashkinë e Tiranës për të përballuar disa kriza, por nuk mund të mbahet një shtëpi me miell hua, ashtu edhe një Bashki nuk mund të mbahet me semaforë apo çerdhe hua gjithë kohën. Kjo është arsyeja pse ne projektin e semaforëve dixhitalë duam ta vendosim edhe në 27 kryqëzime të tjera, për t’u siguruar që kemi një qytet i cili ka sinjalistikën e nevojshme për të përballuar fluksin e madh të qytetarëve dhe shoferëve që qakullojnë çdo ditë.
 
Ne kemi një projekt shumë ambicioz të bulevardit të ri të Tiranës i cili tashmë ka pësuar modifikimet që kemi premtuar, ka një park qendror, ka një rehabilitim të lumit të Tiranës që do të kthehet po ashtu në një park të lumit të Tiranës por kemi nevojë që ajo zonë të bëhet atraktive, për biznesin, sipërmarrjen, delegacionet e huaja dhe për të gjithë jetën publike. Kjo është arsyeja pse kemi marrë një vendim, që Bashkia e Tiranës përveç selisë qendrore ceremoniale që është kjo ku gjendemi sot, do të ketë një seli administrative ku 28-29 zyrat që janë të shpërndara në qytet dhe që torturojnë qytetarët me zig-zage të vazhdueshme, Bashkia do të transferohet në bulevardin e ri, po kështu edhe disa seli ambasadash. Por, ne duam që të ftojmë investitorët që të konsiderojnë bulevardin e ri si një vend për të zhvendosur sipërmarrjet e tyre dhe çliruar dendësinë e jashtëzakonshme dhe trysninë që kemi në qytetin aktual dhe qendrën aktuale të Tiranës.
 
Kemi folur me kolegen e PNUD, me të cilën kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer gjatë kohës që kemi punuar në MMSR. Çështja e romëve ka qenë një çështje jashtëzakonisht shqetësuese. Unë mirëkuptoj të gjithë ata që shpenzojnë miliona për të shkruar raporte bërë statistika, shkruar dokumente këshillimorë, i vlerësoj jashtë mase. Por, në këtë fazë i dimë statistikat, i dimë dokumentet këshillimorë dhe gjithë sugjerimet. Në këtë fazë, na duhet ndihmë konkrete për çështje të strehimit dhe të banesave të komunitetit rom. Ndaj dhe mesazhi që ne do të japim për donatorët është faleminderit për të gjithë studimet, konferencat dhe seminaret, jemi tashmë të mbikonferencuar për këtë çështje, na duhet ndihmë konkrete dhe praktike. Ashtu si edhe ne kemi bashkëpunuar me PNUD gjithmonë për t’i adresuar konkretisht gjërat dhe jo për t’u futur nëpër studime që nuk i lexon askush dhe në raporte që nuk inpaktojnë jetën e njerëzve në terren.
 
Kjo është arsyeja se pse në këtë konferencë ne do të paraqesim disa projekte, sesi ne mendojmë të zgjidhim çështjen e strehimit në mënyrë konkrete me banesa apo me komunitete banimi të këtyre banorëve që janë po aq në nevojë në Tiranë, ashtu siç meritojnë të trajtohen , njësoj si gjithë të tjerët.
 
Ne kemi disa projekte për parkimet nëntokësore. Ju e keni vënë re që me dy, tashmë i kemi dhënë drejtim. Nuk kam ndërmend që të kalojë 4 vjet dhe të fle mbi projekte dhe të flas për vizione imagjinare që s’ndodhin kurrë. Ndaj kemi filluar që ditën e parë të marrim vendime konkrete. Përveç dy parkingjeve nëntokësore, që tashmë kanë filluar procedurat edhe në ish-stacionin e Trenit, në Bulevardin e Ri, edhe te Parku Rinia nuk do të pritet asnjë pemë dhe do të riparohet parku siç ishte. Për t’u siguruar që qendra e Tiranës ka hapësirën e nevojshme për parkim, do të jenë edhe 7-8 projekte të tjera, të cilat ne do t’i hapim për partneritet publik-privat. Ashtu si çdo qytet modern dhe jo histerik i zgjidh problemet me qetësi duke kuptuar se nëse nuk kemi zgjidhje më të mirë dhe nëse nuk kemi territor tjetër në Tiranë atëherë do të përdorim këto zgjedhje inteligjente, që i përdor çdo qytet modern, aty ku të gjithë shqiptarët kërkojnë ta bëjnë Tiranën si jashtë shtetit.
 
Kjo është arsyeja se pse në këtë konferencë do paraqesim të gjitha format e parkimeve nëntokësore, ashtu siç kanë qenë në të gjithë administratat e kësaj bashkie, por në dallim nga të tjerët, ne kemi kurajo që gjërat që themi t’i bëjmë dhe jo t’i lëmë vizione që nuk ndodhin kurrë. Kjo është arsyeja se pse dua të ftoj të gjithë komunitetin e sipërmarrjes, që ka interes në bashkëpunime të tilla , që të afrohet pranë konferencës dhe të shpreh interes konkret për mënyrën si ta zhvillojmë këtë çështje të parkimit.
 
Kemi ambicie shumë të madhe për parqet në Tiranë, siç e keni vënë re bashkë me aktivistë, por edhe me kolegë të tjerë. Ne kemi promovuar herë pas here disa aktivitete në Parkun e madh të Djatit, në Parkun e Kasharit, kanë qenë aktivitete sporadike për t’i dhënë njerëzve një shije se çfarë potenciali ne kemi shumë pranë.
 
Për të gjithë ata partnerë ose donatorë që do të bashkohen në këto projekte ekologjike, për t’u siguruar që Tirana nuk dyndet e gjitha në Parkun e Liqenit të Tiranës, por edhe në hapësirat ku shplodhen, apo argëtohen, ne do të paraqesim fushat e investimit dhe propozimet konkrete që kemi edhe për Parkun e Vaqarrit, për Parkun e Kasharit dhe për transformimin e ballokonit të Dajtit, gjithashtu edhe një park urban për qytetin e Tiranës.
 
Ne kemi një ambicie për të ndihmuar bizneset dhe sipërmarrjet rinore. Kjo është arsyeja pse sërish partneriteti është unik sepse ka pasur, nga përvoja ime në ministri, disa nga projektet më të suksesshme për punësimin e të rinjve dhe për të zhvilluar aftësitë e të rinjve. Por, sigurisht kjo nuk mjafton. Shumica e të rinjve kërkon një hapësirë për ta zhvilluar biznesin e tyre, mundësisht një qera të paguar nga bashkia ose nga një nga donatorët, mundësisht internetin, ndriçimin dhe shpenzime të tjera të paktën për një fazë, 6 muaj deri në 1 vit, sa biznesi i të rinjve të ketë fuqi të eci vet në terren. Kjo është arsyeja se pse ne do të paraqesim për investime edhe dy inkubatorë të biznesit për të rinjtë që kanë talent, duke i mbuluar kostot paraprake në sipërmarrjen e tyre që të përfshijmë 100 biznese rinore në këtë propozim.
 
Ne duam të ngrejmë një qendër të artizanëve në Tiranë. Ashtu siç po krijojmë një mundësi tek Pazari i Ri, ashtu siç po krijojmë një hapësirë tjetër në fund të rrugës pedonale, të njëjtën gjë ne duam ta bëjmë në disa pika të ndryshme të Tiranës, siç është tregu çam, për të krijuar hapësira që qendrat e artizanëve të stimulojnë ata që prodhojnë me duart e tyre një pjesë të traditës edhe të kulturës së Tiranës, ashtu siç funksionon në çdo qytet, ku të gjithëve na pëlqen të vizitojmë. Kjo do të bëjë që të fuqizohen fillimisht produktet lokale përpara atij të importit, sidomos të artizanëve dhe të atyre që jetojnë me produktin e duarve të tyre.
 
Ne kemi një ambicie për të krijuar një zonë të teknologjisë dhe të zhvillimit ekonomik. Ne duam që të kemi disa ikubatorë të sipërmarrjeve të teknologjisë së informacionit. Sot e gjithë bota po shkon drejt teknologjisë së informacionit, po fuqizohen të rinjtë që punojnë softëare, pra një punë që nuk kërkon shumë bazë materiale, por kërkon inteligjencë. Mëkat që shumë prej të rinjve tanë punojnë për kompani të huaja dhe me këto aftësi fare mirë mund të punonin në distancë nga Shqipëria nëse ne do të kishim një teknologji të informacionit dhe ky është një projekt, të cilin ne do ta paraqesim në Konferencën e Partnerëve.
 
Dua gjithashtu të fokusohemi tek disa pjesë që nuk janë të rëndësishme për të gjithë qytetarët, por ne i konsiderojmë pjesë e rëndësishme e strategjisë tonë ekonomike afatgjatë. Është pjesa e kulturës dhe e turizmit. Tirana nuk është vetëm qendra dhe kryeqyteti i Shqipërisë, është qendra dhe kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve dhe një pjesë e madhe e shërbimeve që Tirana ofron, jo vetëm për qytetin, por për të gjithë Shqipërinë. Kjo do të thotë që shumë prej ideve që kemi për zhvillimin e kulturës, me teatrot, me ekspozitat, qyteti sot nuk i përballon të gjitha këto nevoja. Kjo është arsyeja se edhe disa propozime , si për rehabilitimin e kalave, si për rehabilitimin e disa pasurive natyrore, si shpella e Pëllumbasit , apo disa projekte të tjera , mund të kthehen në asete ekonomike për qytetin do të jetë pjesë e prezantimeve në këtë konferencë.
 
Lista është shumë e gjatë. Jnë 100 projekte që ne do të prezantojmë atë ditë. Nga këto 100, disa i përzgjodha nga lista e gjatë, sa për t’ju dhënë një shije se përse po e organizojmë këtë konferencë.
 
Dua të shpjegoj arsyet se pse ne kemi përzgjedhur të bashkëpunojmë me PNUD-in, me këtë sipërmarrje. Unë e di që aktorët e zhvillimit janë të shumtë. Ashtu siç ka shumë aktorë, në çdo vend tregu në Shqipëri, si në tregun politik, si në tregun mediatik, si në tregun e biznesit, ka dhe shumë aktorë në tregun e zhvillimit të operatorëve që ofrojnë asistencë në zhvillim. Unë besoj se ka disa faktorë pse ne zgjodhëm që të kemi një partner strategjik, PNUD-in.
 
Së pari, eksperienca e kaluar, kemi pasur një eksperiencë jashtëzakonisht të suksesshme në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë me një bashkëpunëtor, i cili e ka fokusin tek puna dhe jo tek fjalët e tepërta. Ju e dini fare mirë, ne nuk kemi kohë për të humbur. Kjo është arsyeja se pse kam qenë jashtëzakonisht i impresionuar në bashkëpunimin që kemi pasur me PNUD-in në ministri, në ngritjen e rrjetit të zyrave të punës, që në një kohë rekord u ngrit në të gjithë Shqipërinë, falë këtij bashkëpunimi. Kemi patur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm në hartimin e disa strategjive kyç, që sot po implementohen në Shqipëri, si ajo e mbrojtjes sociale edhe sigurisë sociale.
 
Kemi pasur disa bashkëpunime të shkëlqyera në çështje të rinisë, unë besoj që një shoqëri e provuar, është një shoqëri e garantuar. Për sa kohë që ne e kemi provuar që ky bashkëpunim funksionon, ne jemi shumë entuziastë për çfarë mund të bëjmë më shumë me këtë bashkëpunim fantastik që kemi.
 
Ka një arsye të dytë, që është jo më pak e rëndësishme. PNUD-i ka qenë katalizatori i gjithë ndihmës ndërkombëtare për reformën e pushtetit vendor dhe ndarjen e re administrative dhe kush më mirë se bashkautorët e kësaj reforme dhe ata që grumbulluan, koordinuan gjithë energjinë mbështetëse për reformën administrative, produkt, i cili është edhe kjo bashki dhe kjo administratë, edhe këto projekte. Besoj nuk mund të kishim një partner më adapt, strategjik për të organizuar këtë konferencë të partnerëve dhe donatorëve.
 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Mbappe debuton me gol! Reali fiton Superkupën e Europës ndaj Atalantës, 'Galaktikët' trimfuan 2-0