Fjala e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj, Milva Ekonomi:

Takimi i sotëm përkon me një vjetorin kur qeveria Shqiptare ndërmori një iniciativë, së bashku me BERZH-in, për të krijuar Këshillin e Investimeve, në kuadrin e gjithë reformave të ndërmarra për përmirësimin e klimës së investimeve në vendin tonë dhe për të vendosur një dialog komunikimi me biznesin. Unë mendoj se angazhimi për të filluar këtë lloj strukture të re, të bërë funksionale, arriti në një kohë kur reformat strukturore të ndërmarra nga qeveria po thelloheshin, po bëheshin më shumë serioze dhe ekonomia jonë po hynte në një fazë të thellë transformimi. Ky transformim nuk përkonte vetëm me ndryshimet që po ndodhnin në Shqipëri, por vinte dhe nga Ballkani si një i tërë.

Kështu që shpejtësia me të cilën duhet të punonim ne në Shqipëri, për të përmirësuar klimën e investimeve dhe të dialogut me biznesin nuk ishte vetëm një nevojë kombëtare, por po kthehej dhe si një domosdoshmëri e kooperimit rajonal.

Ne si vend kemi një mundësi për të përshpejtuar ritmin e futjes në botën europiane të të bërit tregti, të të bërit sipërmarrje e të zhvillimit ekonomik, sepse kemi një vendndodhje strategjike të mirë, kemi një popullsi relativisht të mirë të edukuar dhe gjithashtu kemi pasur mundësi të aksesojmë me shpejtësi, jo shumë të lartë, tregjet e Bashkimit Europian deri më sot. Ndaj dhe kemi shumë nevojë që të rrisim mënyrën e të bërit tregti, të rrisim mënyrën e të bërit ekonomi dhe të përmirësojmë gjithmonë e më shumë të gjithë legjislacionin tonë të sipërmarrjes, për të lehtësuar rritjen ekonomike të vendit.

Prandaj është shumë e rëndësishme që të gjitha gjërat që po merren përsipër sot për të sjellë këtë klimë të mirë bashkëpunimi me biznesin të gjejmë një formë që të dialogohet më qartë, që të dialogohet më mirë dhe të gjithë shqetësimet që ka biznesi sot të përcillen në një formë të organizuar dhe të reflektohen në gjithë drejtimet e punës që ndërmerr qeveria për të krijuar rritjen ekonomike dhe besimin në të bërit biznes.

Sot është dita ime e tretë e punës në këtë ministri, por ndërkohë kam ndjekur nga afër takimet që ka zhvilluar Banka Botërore dhe Zyra Ndërkombëtare e Këshillimit Financiar, IFC, lidhur me të gjitha mundësitë që i janë afruar Shqipërisë për të pasur një përmirësim të frymës së konkurrueshmërisë në rajon dhe për të bërë një biznes, për gjithë sipërmarrjen dhe për gjithë legjislacionin që ofrohet, sa më efektiv.

Ndërkohë, në të gjithë këto iniciativa që janë ndërmarrë dhe që ju jeni tashmë të familjarizuar me to, është treguar që nga administrata shtetërore, nga ajo që merret me çështje që lidhen me prodhimin, që merren me financat, që lidhen me sektorin bankar apo me sektorin legjislativ, përpjekjet për të përmirësuar klimën e biznesit po rriten e po shtohen përditë. Dhe, zgjidhjet legjislative kanë të bëjnë edhe me disa faktorë të tjerë që shkojnë, përshembull, në mundësinë që biznesi të ketë një entitet ku ai mund të tregojë shqetësimet e veta, ku mund të marrë zgjidhjet e shqetësimeve, të ketë një entitet i cili merr përsipër të iniciojë të gjitha investimet strategjike që do të ndërmerren nga qeveria në bazë të ligjit për investimet strategjike. Gjithashtu, është krijuar dhe një tjetër eksperiencë disa vjeçare në vendin tonë. Ne jemi pjesëmarrës aktivë të Anketës së përvitshme që bëhet mbi bazën e një metodologjie të përcaktuar nga Banka Botërore që duhet “Të bësh Biznes” ose “Doing Business” dhe natyrisht mënyra se si operojmë në këtë aktivitet është shumë e rëndësishme për të gjithë ata që janë aktorë dhe për të gjithë ata që janë jo vetëm aktorë bërës por edhe aktorë përfitues të shërbimeve dhe mënyrën se si ato dialogojnë me njëri-tjetrin. Kështu që, gjatë kësaj periudhe është punuar fuqimisht edhe për të ngritur këtë frymën e hapjes së respondentëve dhe njohjes së respondentëve me këto iniciativa që janë iniciativa të reja dhe në ndjekje.

Unë besoj se ky forum do ta përmbushë dhe më së miri detyrën e vet lidhur me disa aksione që vijnë dhe nga mbledhjet e kaluara siç është aksioni për të ulur shkallën e informalitetit në vend. Janë disa rekomandime që kanë dalë në takimet e mëparshme të cilat janë marrë tashmë nga administrata shqiptare dhe po përpunohet një plan masash dhe aksioni për të ndërhyrë realisht në realitet në informalitet dhe për të zgjidhur situata ku mund të ketë nevojë për deregulim të tregut. Dhe një nga momentet e rëndësishme të deregulimit të tregut është momenti kur QKR dhe QKL po bashkohen bashkë në një entitet të vetëm që është Qendra Kombëtare e Biznesit. Gjithashtu, iniciativa të tjera që kanë të bëjnë me uljen e numrit të autorizimeve, mbi të cilat duhet të punojnë ente të caktuara që bëjnë biznes, ka nevojë të rishikohen dhe lehtësojnë jetën e zakonshme të biznesit, qoftë ai huaj apo vendas në Shqipëri.

Ndërkohë besoj që Këshilli është një nga ato mundësi fantastike ku biznesi ka shumë mundësi të sjellë me vete llojet e shqetësimeve dhe t’i strukturojë ato në një formë të tillë që mund të jenë të diskutueshme lehtësisht me të gjithë administratën shqiptare dhe të nxisë iniciativa.

Unë ju falënderoj shumë që më keni bërë pjesë të këtij forumi. Do të vazhdoj të punoj me ngulm për të qenë një forum i suksesshëm dhe padyshim që dua të falënderoj Sekretariatin e Këshillit që në këto ditë të para ka qenë afër meje për të arritur në këtë takim të sotëm, të angazhuar më parë dhe të bërë gati për të gjithë diskutimet që do të vijnë.

Ju faleminderit.
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi