Fjala e ministrit Tahiri në Durrës per procesin e "Popullimit" 

​Detyra numër një është t’ua shpjegojmë dhe t’ua bëjmë të ditur njerëzve ç’ka ndodhur deri më sot. Shqiptarët kanë dëgjuar fabula pa fund për “Shqipërinë në moshën e Internetit“, për “Shqipërinë digjitale”, për “Shqipërinë e zhvilluar si vend i dytë në Europë pas Gjermanisë”. 

Por shqiptarët duhet të dinë (dhe kjo është detyra jonë!) që sot Shqipëria është si një magazinë pa inventar. Si një shtëpi pa inventar. Si një biznes pa inventar.
Ju të gjithë e dini shumë mirë. Ju drejtoni njësitë vendore, punoni në zyrat e Urbanistikës e të Gjendjes Civile – dhe është detyra jonë e përbashkët t’u bëjmë me dije shqiptarëve se sot ka një pjesë të Shqipërisë që është tërësisht në errësirë për shkak të mungesës së adresave. Dhe për shkak se është në errësirë e bën (thuajse) të pamundur për institucionet që t’u shërbejnë qytetarëve me cilësi ashtu siç duhet.

Sot ka një numër shërbimesh që qytetarët me të drejtë i presin. Por që bëhen shumë më të vështira për shkak se nuk ka adresa. Pra kjo Shqipëria në errësirë sot është pa adresë e pa dijeni të institucioneve. Dimë njerëzit por nuk dimë ku janë (e kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, përveçse ato më të prapambetura të botës së tretë). 
Kur ndërkohë ky është guri i themelit për funksionimin e gjithanshëm të institucioneve, por mbi të gjitha për t’u dhënë shërbim qytetarëve, ashtu siç e meritojnë: shërbim në kohë, mundësisht në shtëpi, pa vonesa e pa korrupsion).

E gjitha kjo është një trashëgimi e hidhur për Shqipërinë e vitit 2015-2016. Por është një detyrë themelore e përbashkët e jona për të bërë ç’është e mundur të rikuperojmë kohën këto 20 e kusur vite ku institucionet mundohen të japin shërbim e të hedhin dritë, pa ia dalë mbanë, në këtë Shqipërinë e errësirës që përmenda më parë.Ju të gjithë e dini që nuk ka njeri të mos dijë inventarin e shtëpisë a biznesit të vet. 

Nuk ka as magazinë pa inventar. E nuk mund të ketë shtet që nuk di ku banojnë qytetarët e tij. Ndaj këtë prapambetje fatkeqe në 20 e kusur vite ne po mundohemi, me shpejtësi maksimale, ta zhbëjmë, duke ndrequr gjithçka që nuk ka funksionuar gjatë kësaj kohe, e duke u munduar që çdo shtetasi t’i vemë adresën . Në mënyrë që shteti të ketë dijeni ku banojnë qytetarët e vet dhe që shteti të mos ketë asnjë mundësi të justifikohet për mosdhënien e shërbimit me pretendimin se “Nuk dimë ku banojnë”.
Në Qarkun e Durrësit janë mbi 100 mijë shtetas që nuk kanë adresë të deklaruar. 100 mijë qytetarë në Qarkun e Durrësit që shteti nuk e di se ku banojnë. Në listat tuaj, në regjistrat shtetërorë të Gjendjes Civile figurojnë me ato kodet që ju i dini shumë mirë e me të cilët jeni familjarë “888”, “999”, “000”, e kështu më radhë. Këto janë kode shifrore, por në fakt në jetën reale janë njerëz. 

Janë numra në regjistra, por janë njerëz në jetën reale të cilët shteti nuk i di ku janë, ku banojnë.
Dhe ju e dni, sa herë vijnë zgjedhjet e njëjta histori është me listat zgjedhore. Njerëz me kod “888”, “999”, të cilët shteti nuk i di ku banojnë. Jo më të bëhet fjalë t’u japësh shërbim. E as që bëhet më pas fjalë që këtë shërbim të kesh mundësi t’ua japësh në shtëpi.

Kjo është fatale, për sa kohë dëmton ose e kthen në të pamundur mundësinë që këtyre njerëzve shteti apo institucionet t’u gjenden ashtu siç meritojnë. 
Dhe janë njerëz që paguajnë taksa, që në shumicën dërrmuese respektojnë ligjit, që nuk i kanë askujt e asnjë institucioni borxh, që paguajnë detyrimet dhe meritojnë mbi të gjitha dinjitet e sigurisht shërbime – dhe janë jashtë çdo radari shtetëror. Janë në errësirë totale sepse shteti as nuk di se ku banojnë.
Ne po mundohemi (dhe ky proces është ekzaktësht për këtë) të zhdukim Shqipërinë në errësirë, të regjistrojmë të gjithë njerëzit dhe adresat e tyre (pra të bëjmë “Popullimin” e regjistrave), në mënyrë që mos t’i përgjigjemi më me hamendje apo përafërsi pyetjes “Sa jemi dhe ku banojmë?”. Qoftë dhe në Qarkun e Durrësit e në çdo cep të Shqipërisë.E nisëm këtë proces me një hap teknik, të padukshëm për shumicën e qytetarëve por themelor. 

Ju bëj me dije se regjistrat e Gjendjes Civile mbaheshin në një databazë kompjuterike pa asnjë sistem sigurie. Zoti na ka ruajtur deri më sot që nuk ka ndodhur ndonjë fatkeqësi me databazën e regjistrave të Gjendjes Civile në Shqipëri.

Imagjinoni një kompjuter që mund të kishte një problem çfarë do dhe ne do ishim shteti i vetëm në botë që nuk do kishte më asnjë regjistër për të gjallët apo për të vdekurit në këtë vend. Do ishim pa histori. Do ishim shtet pa popull, me njerëz, por pa popull. Në vitin e parë e nisëm duke bërë back up-in ose sistemin e sigurisë për regjistrin e  Gjendjes Civile. 

Pavarësisht se nuk ndodhi ndonjë fatkeqësi, sot të paktën nuk jemi të papërgatitur në rast se do të ndodhë diçka me regjistrin e Gjendjes Civile. Të paktën e dimë që kemi një sistem të fort sigurie që garanton pa prekshmërinë e këtij sistemi. 

Kjo mund të duket teknike por nëse do të ndodhte një fatkeqësi e çdo lloji, do gjendeshim në errësirë totale dhe nuk dinim kush është kush. Nuk do dinim asgjë për të gjallët dhe nuk do dinim asgjë për të vdekurit. 

Pra kemi bërë një hap themelor përpara që na mori pak kohë, e nisëm nga zero por na mori pak kohë, për të përcaktuar fillimisht garancitë për sistemin aktual që kemi, për regjistrin e  popullsisë. Dhe ndërkohë po ndërtojmë një regjistër adresash të cilin e trashëguam gjysmak. 
Pra ne dimë diçka për një pjesë të popullsisë ku banon ndërkohë që pjesa tjetër është tërësisht në errësirë. Ne na duhet të bëjmë çfarë është e mundur që këto dy regjistra të jenë një. 
Ne na duhet që zyrat e Gjendjes Civile në çdo njësi, zyrat e urbanistikës në çdo njësi, pushteti vendor së bashku me prefektin dhe çdo instancë e pushtetit qendror, të ndihmojë që shtetasit, qytetarët në qarkun e Durrësit posaçërisht, të jenë të gjithë të regjistruar dhe të gjithë të kenë, jo vetëm të dhënat në regjistrin civil por edhe të dhënat e adresës. 

Kjo do të shtojë mundësinë që qeverisja vendore, pushteti qendror t’i shërbejnë qytetarëve. Kjo do të shtojë mundësinë që shërbimi të jetë cilësor. Kjo do të shtojë mundësinë, që shteti të dijë për qytetarët e vet, të dinë për pasurinë e paluajtshme, të dinë për qarkullimin civil, të kenë dhe të ofrojë më shumë siguri. 
Kjo do të thotë që dhe drejtësia të bëhet drejtësi. Ka raste të pafundme kur gjyqe, veçanërisht gjyqe civile, dështojnë me dashje për shkak edhe  të korrupsionit pse në seanca gjyqësore, në më të shumtën qytetari nuk paraqitet se nuk gjehet, ky është motivi. 

Nuk paraqitet se nuk dihet ku është, nuk paraqitet se nuk ka adresë, nuk paraqitet se nuk gjehet. Kjo ka shërbyer si motiv edhe për të zgjuar apo për të nxitur, apo për të ushqyer korrupsionin edhe në sistemin gjyqësor. Dhe drejtësia nuk bëhej drejtësi pikërisht edhe për këtë shkak. Ne do t’i zhdukim të gjitha këto motive. Ne duhet domosdoshmërisht në kaq kohë sa kemi, me një axhend shumë intensive, të bëjmë gjithçka është e mundur për të regjistruar adresat e çdo shtetasi dhe sigurisht që do gjejmë gjatë rrugës pasaktësi që ende sot nuk i dimë. 

Pra nëse dimë që në këtë qark janë mbi 100 mijë shtetas që nuk kanë të regjistruar adresën, rrugës do mësojmë që ka plot shtetas të tjerë që kanë adresë të gabuar. Pra kanë një adresë në regjistër por në fakt jetojnë diku tjetër. 

Në Durrës, në qark apo edhe në ndonjë qark tjetër, pra në një qytet tjetër. E gjitha kjo në një sistem të integruar të dhënash dhe mbi të gjitha në një përpjekje të integruar të pushtetit vendor dhe pushtetit qendror për të rregulluar dhe ndrequr njëherë e mirë të dhënat me adresat. I gjithë ky proces është procesi i popullimit ndaj shumë shpejt, së bashku dhe me institucionet e tjera dhe veçanërisht me pushtetin vendor do fillojmë procesin e trokitjes derë më derë. 
Do i shkojmë çdo shqiptari në derë për të verifikuar të dhënat e gjendjes civile dhe për të regjistruar adresën. Dhe vetëm në përfundim të këtij procesi  do të kemi një regjistër të saktë dhe unik, të populluar me të dhëna të sakta, për kush banon, ku. 

Dhe vetëm në këtë moment ne do jemi një shtet modern me gurin e themelit në vend aty ku duhet, për të garantuar qytetarët shqiptar shërbime cilësore dhe për t’i dhënë mundësinë institucioneve të japin shërbimet që i takojnë qytetarëve shqiptar.  Kjo është një detyrë jo e vogël. 

Kjo është një detyrë themelore që kërkon energji pa fund, kërkon vëmendje pa fund, kërkon angazhimin e të gjithë ju, kërkon sigurisht bashkëpunimin e qytetarëve, kërkon përpjekje intensive për të bërë të mundur që në përfundim të këtij procesi, ne mos të kemi asnjë njollë errësire në Shqipërinë tonë. 
Mos të kemi asnjë qytetar që nuk e dimë ku banon. Është kjo arsyeja pse paralelisht Ministria e Punëve të Brendshme bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme po bëjnë regjistrimin e shtetasve shqiptar që jetojnë jashtë Shqipërisë, emigrantët. Në mënyrë që të dy proceset bashkarisht të ofrojnë pasqyrën më të saktë, të vendndodhjes, vendbanimit të qytetarëve shqiptar. 

Sot në rajon dhe në Europë jo e jo, nuk ka një shtet të vetëm që pyetjes sa jemi dhe ku banojmë i përgjigjemi me përafërsi, apo i përgjigjen me hamendje. Kemi mbetur vetëm ne, kjo për shkak të rrëmujës njëzetë e kusur vjeçare, dhe nuk kemi arritur ende në dy dekada, të kemi një regjistër të saktë. Kur ndërkohë e kaluara ka ofruar shembuj sesi regjistroheshin dhe bagëtitë, jo më njerëzit. 

Ne na duhet të rekuperojmë kohën që kemi humbur, ne na duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur, që duke filluar që nga zyrat e Gjendjes Civile, duke filluar me zyrat e Urbanistikës, duke filluar me instancat e tjera të pushtetit vendor, prefekturës sigurisht, me institucionet e tjera në qark dhe pastaj institucionet qendrore, të bashkojmë të gjitha të dhënat për t’i dhënë përgjigje përfundimtare, “kush banon, ku”, në Bashkinë e Durrësit, por dhe në të gjithë Qarkun pa asnjë dallim. 
Në mënyrë që kurrkush të mos ketë më asnjë justifikim për shërbimet e munguara ndaj qytetarëve, pse jo dhe për drejtësinë e munguar ndaj qytetarëve. E gjitha fillon këtu. Ky është guri i themelit për të garantuar shërbime cilësore. Njohja, dijenia shtetërore për qytetarët dhe për vendbanimin e tyre.

Është projekt mjaft i vështirë, kërkon fokus dhe vëmendje shumë të rëndësishme prej jush, kërkon që kryetarët e bashkive  të jenë në krye të këtij procesi, kërkon që instancat përkatëse në çdo bashki, çdo njësi administrative, të jenë në krye të këtij procesi  dhe ta ndjekin mbi baza ditore. 
Kërkon që veçanërisht zyrat e Gjendjes Civile të bëjnë punë kolosale për ndreqjen e problematikave. Kërkon që zyrat e Urbanistikës të bëjnë një punë kolosale për ndreqjen paraprake të adresave. Kërkon që të mos ketë asnjë rrugë, asnjë shesh në Qarkun e Durrësit që nuk ka  një emër.
Sot ju e dini shumë mirë, qytetarët e dinë akoma më mirë; u referohen të dhënave rrethanore, kur vjen puna te adresa, dhe jo rrugëve sipas emrit që kanë. Se ka rrugë që nuk kanë as emër, ka adresa që nuk kanë adresë.  

Është shumë e rëndësishme që ky proces të popullohet ashtu siç duhet dhe në përfundim të procesit intensiv të trokitjeve derë më derë te çdo qytetar, ne të kemi të dhëna të sakta. Do na duhet të shkojmë më shumë së një herë në çdo adresë, edhe atëherë kur nuk i gjejmë qytetarët, të kthehemi përsëri, të shkojmë deri kur të kemi të dhëna denifitive, për “kush banon ku”. Vetëm kështu mund të kemi një inventar të saktë shtetëror për qytetarët, të cilëve shteti iu detyron shërbime me cilësi në kohë dhe pa korrupsion.

Ndaj unë do doja t’ju falënderoja për gjithçka keni bërë deri tani në këtë proces në fazën e parë, tani vjen faza e dytë, që është faza më e rëndësishme, faza e verifikimit të të dhënave në terren dhe faza e popullimit të dhënave në sistem. 

Është faza themelore për këtë proces. Deri më sot ngritëm infrastrukturën bazë për të populluar të dhënat. Nga sot e tutje punën e kemi me qytetarët, nga sot e tutje punën e kemi në territor, punën e kemi derë më derë me qytetarët shqiptarë. 

Për  të trokitur një herë, dy herë, dhjetë herë, deri kur të kemi të dhënat e sakta për “kush banon, ku”.  Vetëm kështu këta 100 mijë që sot janë në errësirë në Qarkun e Durrësit, do jenë qytetarë me dinjitetin që meritojnë në Republikën e Shqipërisë, dhe me shërbimet që meritojnë nga shteti shqiptar, nga institucionet në Qarkun e Durrësit. Dhe po e njëjta gjë për qytetet e tjera. 

Në Qarkun e Durrësit ky është një fenomen shumë më i theksuar për shkak të lëvizjeve demografike, shumë më i theksuar për shkak të  lëvizjeve migratore, por shumë e rëndësishme është që ne të kapim kohën.

Ndaj duke ju falënderuar  edhe njëherë për çfarë keni bërë, ju uroj punë të mbarë dhe suksese në fazën e dytë të këtij projekti dhe jam shumë i bindur që në një kohë shumë të shkurtër do bëjmë një sukses për të cilin historia do rezervojë vendin e vet. Sepse do i japim më në fund Shqipërisë inventarin e merituar, për gjithçka ka munguar në këto kohë, duke ditur më në fund sa dhe ku jemi dhe duke u dhënë më në fund qytetarëve shqiptarë shërbimet që meritojnë dhe dinjitetin që meritojnë.

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel