Fjala e nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa në Komisionin Hetimo

Të nderuar anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar,
 
Së pari, përpara se të vijoj me sqarimet e mija rreth konstatimeve paraprake që ju keni hasur gjatë punës tuaj, dëshëroj të paraqes një kërkesë paraprake procedurale të cilën mendojmë se ju duhet ta vlerësoni përpara se të vijohet me themelin e konstatimeve. Konkretisht,
 
Unë dhe z. Lelçaj sot akuzohemi për shkelje të ligjit që kanë të bëjnë kryesisht me veprimtarinë e KLD si një organ kushtetues kolegjial. Po kërkohet shkarkimi ynë sepse kemi vepruar në një mënyrë të caktuar kryesisht të detyruar nga situata në të cilën ishte sistemi gjyqësor dhe vetë KLD në momentin e marrjes së detyrës nga ana jonë. Ne sot mendojmë se po akuzohemi për një punë që në fakt KLD-të paraardhëse nuk e kanë bërë, megjithë detyrimin ligjor që kanë patur.
Në këtë kontekst nuk mund të anashkalojmë faktin se pikërisht Kryetari i këtij komisioni të nderuar, z. Armando Subashi ka qenë anëtar për 5 vite i KLD, konkretisht nga data 20.5.2004 deri në datë 11.06.2009.

Gjatë kësaj periudhe janë bërë nga KLD shumë emërime e transferime apo edhe promovime gjyqtarësh, përfshi këtu edhe emërime të Drejtuesve të Gjykatave, në fakt me një procedurë aspak transparente dhe të pakrahasushme me procedurën e ndjekur nga KLD aktuale, për të cilën po akuzohemi ne. Konkretisht:
Nuk është bërë asnjë vlerësim etiko-profesional i gjyqtarëve, megjithëse ka qënë detyrim ligjor. (referou procesverbaleve të mbledhjeve së datës 20.5.2004, datës 27.9.2005, datës 11.11.2005, dates 09.2.2006, datës 28.3.2006, datës 18.10.2006, datës 18.4.2007, datës 21.4.2008, datës 28.5.2008 dhe datës 08.7.2009 )
Ka pasur shumë raste kur gjykatat kanë qënë pa kryetar të emëruar për disa vite rresht. (referou procesverbalit të mbledhjes së dates 20.5.2004 ku z. Ilir Panda e pohon dicka të tillë; procesverbalit të datës 11.11.2005 ku z. Panda pohon se gjykata e rrethit Durrës ka mbi dy vjet që drejtohet nga zëvendëskryetari i saj si edhe procesverbalit të datës 09.2.2006 ku z. Sokol Çomo në fjalën e tij e konfirmon këtë fakt).

Nuk ka funksionuar Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave për Gjyqtarë, megjithëse ishte gjithashtu një detyrim ligjor. (referou procesverbalit të mbledhjes së datës 09.2.2006 ku z. Sokol Çomo në fjalën e tij e konfirmon këtë fakt).

Janë transferuar gjyqtarë në shumë raste të evidentuara pa u bërë asnjë verifikim nga asnjë lloj komisioni. (referou procesverbalit të mbledhjes së datës 27.9.2005 ku rezulton se zoti Subashi duke qenë anëtar KLD, konkuron për tu transferuar (promovuar) në gjykatën e rrethit Durrës por nuk fiton; procesverbalit të mbledhjes së datës 28.3.2006 që i përket vendimit të KLD nr.189, 28.3.2006 për transferimin e 5 (pesë) gjyqtarëve; -----)

Janë promovuar gjyqtarë nga gjykata e shkallës së parë në ato të apeleve në shumë raste të evidentuara, pa u bërë asnjë lloj vlerësimi apo pikëzimi paraprak i kandidaturave. (referou procesverbalit të mbledhjes së datës 28.3.2006 që i përket vendimit të KLD nr.189, 28.3.2006 për promovimin e 3 gjyqtarëve).

Janë emëruar kryetarë gjykatash të paktën në 34 raste të evidentuara, pa u bërë as edhe një vlerësim etiko-profesional për ta. (referou procesverbalit të mbledhjes së datës 20.5.2004 ku janë emëruar kryetarët në 4 raste; procesverbalit të mbledhjes së datës 11.11.2005 ku është zgjedhur kryetari i gjykatës së rrethit Durrës pa u paraqitur madje as kërkesa formale me shkrim nga ndonjë kandidat; procesverbalit të datës 18.10.2006 ku janë emëruar 4 katër kryetarë; procesverbalit të mbledhjes datë 18.4.2007 ku janë emëruar 2 dy kryetarë; procesverbalit të mbledhjes 21.4.2008 ku janë emëruar 17 kryetarë; procesverbalit të mbledhjes datë 28.5.2008 ku janë emëruar 5 kryetarë; procesverbalit të datës 08.7.2009 ku është emëruar një kryetar.).

Nuk është bërë asnjëhërë verifikimi i konfliktit të interesit të antarit të ri të zgjedhur në momentin kur KLD ka verifikuar mandatin e tij. (Referou procesverbalit të mbledhjes së datës 28.3.2006 të cilës i përket vendimi i KLD nr.189, 28.3.2006, ku është verifikuar mandati i z. Artan Gjermeni dhe zj. Altina Xhoxhaj).

Është konstatuar një rast kur megjithëse anëtar i KLD, z. Subashi ka konkuruar për t’u transferuar në një gjykatë karriere, konkretisht në gjykatën e Durrësit, pa asnjë procedurë vlerësimi paraprak nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatuyrave për gjyqtarë. Pra duke pasur një konflikt interesi, të paktën në dukje. (referou procesverbalit të mbledhjes së datës 27.9.2005 ku rezulton se zoti Subashi konkuron për tu transferuar në gjykatën e rrethit Durrës por nuk fiton).

Është konstatuar një rast kur KLD ka emëruar pa asnjë konkurim kryetar gjykate një anëtarin e tij. (referou procesverbalit të mbledhjes së dates 20.5.2004 ku është zgjedhur Kryetari i Gjykatës së Apelit Shkodër).

Është vonuar për shumë kohë emërimi i studentëve që kanë përfunduar shkollën e magjistraturës (referou procesverbalit të mbledhjes së dates 24.12.2008 ku është rrëzuar dhe shtyrë propozimi i Ministrit të Drejtësisë për shpalljen e 10 vendeve vakant për magjistratët që kanë mbaruar studimet në vitin 2008. Kryesisht fq 49, 65, 97, 98 dhe 102).
Janë shpallur vende vakante në gjykata pa propozimin e Ministrit të Drejtësisë (referou procesverbalit të mbledhjes së dates 24.12.2008 ku janë shpallur dy vende vakante në gjykatën e Apelit Tiranë, pa propozimin e Ministrit. Fq 103 – 106). 

Në këto kushte, duke i vlerësuar se veprimet apo mosveprimet për të cilat ne po akuzohemi sot, janë pasojë direkte e veprimeve apo mosveprimeve të kryera nga KLD e mëparshme dhe për rrjedhojë edhe nga z. Subashi, mendojmë që anëtarësia e z. Subashi në këtë komision hetimor është e papërshtatshme dhe vjen në kundërshtim me një nga elementët thelbësor të procesit të rregullt ligjor, që është ai i paanësisë së gjykimit.
 
Po ashtu: është një fakt i ditur botërisht se edhe anëtari tjetër i këtij komisioni të nderuar, z. Spartak Braho është në fakt në të njëjtat kushte. Kjo për arësye se z. Braho para disa muajve dhe konkretisht në korrik të këtij viti në thëniet e tij publike në media ka shfaqur bindjen e tij personale për personin tim. (shiko: gazeta Koha Jonë, datë 12.7.2014, fq2.); (gazeta “Sot”, datë 12.7.2014 fq.1 dhe vijuese); (gazeta “Tema”, datë 12.7.2014); (gazeta “shekulli” datë 12.7.2014); (gazeta “shqip” po ajo datë) etj. Pra z. Braho ka dhënë publikisht mendimin e tij negativ për z. Çefa të cilin po e gjykon sot, cka nuk garanton paanësinë e tij në këtë process hetimor parlamentar.
 
Për këto arsye, duke pasur bindjen se dy anëtarët e sipërpërmendur të këtij komisioni hetimor nuk plotësojnë kushtin e “paanësisë” në gjykimin e tyre ndaj nesh, kusht që është një kërkesë thelbësore e procesit të rregullt ligjor, kërkojmë përjashtimin e tyre nga ky komision hetimor.
 
Kjo kërkesë mbështetet në nenin 42 të Kushtetutës, që garanton parimin e procesit të rregullt ligjor ; në nenin 4 pikat 1 dhe 2 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, që përcaktojnë se Komisionet Hetimore funksionojnë mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe se zbatojnë rregullat e Kodit të Procedurës Penale; si dhe në nenet 15, 17 shkronjat e) dhe ë) të Kodit të Procedurs Penale, që urdhërojnë largimin nga procedimi të subjektit, që ka marrë pjesë më parë në procedim dhe që gjendet në kushte serioze njëanshmërie. Kjo kërkesë bazohet gjithashtu edhe në jurisprudencën e bollshme të Gjykatës tonë Kushtetuese dhe konkretisht në vendimet 18/2003, 29/2006, 20/2007 dhe 12/2008.
 
 
Së treti, në mbështetje të pretendimit tonë se procedura e shkarkimit tonë nga detyra përpara mbarimit të mandatit të përcaktuar në kushtetutë dhe për rrjedhojë edhe veprimtaria e këtij komisioni të nderuar hetimor është antikushtetuese, konsiderojmë se do ju vijë në ndihmë një mendim i një kolegu tonë jurist, i cili është sot me një karrierë të admirueshme. Mendimin e tij për këtë cështje më lejoni ta citoj fjalë për fjalë:
 
Në vazhdim të arsyetimit të mësipërm, mendoj se edhe vetë ligji, pra ndryshimi që i është bërë ligjit, nuk ka fuqi prapavrepuese. Besoj se të gjithë e dimë këtë gjë. Përjashtimisht nga ky rregull absolut dhe shumë i vjetër bëjnë vetëm rastet kur vetë ligji me dispozita të caktuara parashikon të kundërtën. Ndryshimi i Ligjit dhe konkretisht i nenit 1 të tij, nuk mund të prekë marrëdhëniet juridike të krijuara, apo proçedurat që janë ndjekur për emërimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë………………….

Unë mendoj që nuk mund te bëhet ndërhyrja e mandateve kushtetuese për efekt të ndryshimit të ligjjit përkatës. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është organ kushtetues dhe anëtarët e tij kanë mandate kushtetues, ushtrimi i të cilit është baza e funksionimit të shtetit të së drejtës, parim i sanksionuar që në fillim të Kushtetutës tonë…………….

Anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi janë zgjedhur mbi bazën e ligjit përkatës të kohës, duke respektuar dispozitat ligjore përkatëse të asaj kohe. Ato janë mandate të fituara në mënyrë të rregullt dhe nuk mund të cënohen. Këtë qëndrim ka mbajtur edhe vetë Gjykata Kushtetuese në vendimin që po diskutojmë (është fjala për vendimin 14/2006), pra pikërisht në këtë vendim, në një pjesë të arsyetimit të saj thuhet: “ndërprerja e menjëhershme e mandatit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vjen në kundërshtim me Kushtetutën, e cila në nenin 147/1 të saj ka parashikuar se anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë qëndrojnë në detyrë për 5 vjet”………………….

Mendoj se Kuvendi ka vendosur gabim për shkarkimin dhe emërimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë…………….

Kuvendi ka vendosur të shkarkojë dy anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Duke parë me kujdes Kushtetutën, unë personalisht nuk gjej asnjë dispozitë ku t’i jepet kompetenca ose e drejta kushtetuese Kuvendit, për të shkarkuar një anëtar të Keshillit të Lartë të Drejtësisë. Kushtetuta i ka dhënë Kuvendit vetëm të drejtën për tu zgjedhur ose emëruar 3 anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pa dhënë asnjë kriter ligjor apo rregull të caktuar me karakter procedural për këtë gjë. Specifikimet dhe kriteret më të detajuara në këtë drejtim i ka dhënë ligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë……………………..

Pra, është e qartë që pa u shprehur KLD-ja, nuk mund të veprojë asnjë institucion tjetër. Çdo nismë tjetër për deklarimin përpara afatit për mbarimin e mandatit, është e jashtëligjshme dhe anti kushtetuese. Përfundimisht mendoj që është KLD-ja ajo që vendos për vazhdimin e mëtejshëm të mandateve të anëtarëve të vet, ose jo në rastet e parashikuar shprehimisht ne ligj. ………………..
 
Përfundimisht, mendoj se dy anëtarëve, Sokol Çomo dhe Pranvera Strakosha, nuk u ka mbaruar mandati si anëtarë të Këshilli të Lartë të Drejtësisë.
 
 
Të nderuar anëtarë të komisionit hetimor, më lejoni Ju lutem, t’Ju sqaroj se fjala që sapo lexova është thënë në mbledhjen e KLD të datës 20.7.2006 nga anëtari i asaj kohe i KLD dhe sot Kryetar i këtij komisioni hetimor z. Armando Subashi. Të plotë fjalën e tij e gjeni në faqen 50 - 57 të procesverbalit të asaj mbledhje.
 
 
Si përfundim, duke pasur në konsideratë faktin se veprimtaria e këtij komisioni hetimor, arriti tashmë të hedhë dritë mbi punën e madhe të bërë nga KLD aktuale në raport me KLD e mëparshme, standartet e larta të vendosura tashmë prej mbi dy vjet në procesin shumë delikat dhe të rëndësishëm të rekrutimit dhe promovimit të gjyqtarëve në Shqipëri si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që qëllimi për të cilin ky komision është ngritur është haptazi antikushtetues, jam i mendimit që veprimtaria e tij duhet të përfundojë menjëherë, për të mos krijuar kështu një precedent të rrezikshëm për shtetin e së drejtës në Shqipëri.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Disiplina ‘masakron’ Laçin, presidenti i kurbinasve 15 ndeshje larg stadiumeve! E pësojnë AF Elbasani e Bylis