Tani do të bëj një lidhje mes grevës së urisë së punonjësve të shkarkuar arbitrarisht nga puna dhe komisionit hetimor të drogës. Mos u cudisni, se do t’ua shpjegoj psenë. Janë shumë të lidhura, madje janë e njëjta gjë.
Jo vetëm në politikë, por sidomos në politikë, një gjë që nuk e ndalon dot, bëj sikur e lejon dhe je dakord me të. Për të arritur në këtë përfundim nuk ka nevojë për ndonjë inteligjencë të madhe. Mjafton një sens minimal prakticiteti. Por Edi Rama me sa duket edhe këtë nuk e ka. Këtë nuk mund ta them për kryetarin e parlamentit, le të tingëllojë si kompliment. Dhe kjo është një arsye më shumë se përse Shqipëria nuk e meriton këtë kryeministër.
Cfarë ndodhi dje? U bënë përpjekje të stërmundimshme për ta bllokuar grevën e urisë. Rezultati, greva vazhdon, por tanimë kryeministri është dyfish i akuzuar. Një herë se shkeli ligjin, duke i shkarkuar arbitrarisht dhe duke mos I rikthyer në punë, dhe më kryesorja, se u dhunoi një ndër të drejtat e tyre më elemenare. Të drejtën për të protestuar dhe për të bërë grevë.
E njëjta gjë po ndodh sot me komsionin hetimor për drogën. Nuk dua të merrem me argumente kushtetuese dhe ligjore, se janë thënë e stërthënë këto ditë nga shumë prej kolegëve e mi. Është jashtë cdo dyshimi se hetimi parlamentar është një instrument i opozitës për të kapërcyer barrierat që mund t’i ngrejë ekzekutivi. Duke rrëzuar kërkesën tonë, qeveria tregon se ka frikë nga cdo rrëmim i të vertetave, duke pranuar indirekt se është e implikuar. Nder më të madh nuk mund të na bënte.
Sepse, edhe pse komisioni nuk do të ngrihet, hetimi nuk mund të ndalet. Por ndërkohë opozita ka një argument më shumë se Edi Rama ka arsye të forta për të fshehur të vërtetën, sic kishte paralajmëruar pikërisht ajo vetë. Dhe për këtë shkak, ky kryeministër, përvecse i papërgjegjëshëm, tregon se është edhe I pazoti.
Po pse them unë se hetimi nuk mund të ndalet? E thjeshtë fare. Ne si opozitë e kemi treguar këtë kohë se kemi gjetur fakte dhe prova për shtimin dramatik të trafikur të drogës në këto muaj, edhe pa pasur në dispozicion komisionin hetimor. E thamë në parlament, dhe ngjarja ndodhi në Divjakë pikë për pikë vetëm dy javë më vonë. Por edhe sikur opozitës t’i bjerë frymëzimi dhe t’i mbarohen burimet e pashtershme, që ka brenda mazhorancës, hetimi sërish do të vazhdojë.
Se do ta vazhdojë punën policia italiane, që dje kapi në Katania 1.6 ton marijuanë, sasi ekuivalente me 6 milion euro, nëse do të shitej në tregun e shumicës, dhe dyfishin e kësaj shume, nëse do të shitej me pakicë. Një ditë më parë rrreth një ton drogë u kap në Selanik, dhe javën e shkuar përfundoi me sukses një operacion i madh në Gjermani. Dhe kjo është një histori që do të vazhdojë, pavarësisht se cfarë bëjmë ne, në këtë sallë dhe jashtë saj.
Edhe sikur ne, opozita, Partia Demokratike kryesisht, të dorëzohemi, gjë që nuk kemi ndërmend që ta bëjmë për asnjë cmim, nuk kanë ndërmend ta bëjnë këtë forcat e sigurisë së vendeve fqinje me Shqipërinë, të cilat kanë përgjegjësi për të ruajtur integritetin e shteteve të tyre nga ky vërshim droge, që u vjen prej nesh, nga deti nga ajri dhe nga toka.
Ndaj edhe pyetja ime është e thjeshtë? Një gjë që nuk e pengon dot, pse nuk bën sikur e lejon, sepse të paktën do të ishte një gjest për të kruijuar idenë, se nuk je i përzier apo i vënë me shpatulla tek litarët.
Edi Rama, as këtë nuk është i zoti ta bëjë. Dhe, qofsha I gabuar, por se c’kam një ide që edhe tërheqjen nga pengimi i grevës së urisë, kryeministri duhet ta ketë bërë me sugjerim të Ilir Metës, i cili me siguri që e ka marrë në telefon dhe i ka thënë po “lëri le të rrinë atje, se nuk na prishin ndonjë punë të madhe” .
Sot një koleg i mazhorancës më tha se kur ata ishin në grevën para kryeministrisë, tre vjet më parë, organizimi ishte shumë më i mirë. E di, i thashë, ju ishit në cadër me 5 yje atëherë, kurse këta hallexhinjtë nuk i kanë ato kushte. Fjala vjen, sikur të kishin cadrën e ditëlindjes së Ilir Metës, e cila u ngrit madhështore për vetëm për një ditë, edhe greva do të kishte qenë më dinjitoze, edhe qeveria do të kishte rezultuar më humane.
Por, të kthehemi tek komisoni hetimor. Ky nuk është i pari që ju refuzoni. Por cfarë do t’u gjente ju nëse do t’i miratonit të gjitha kërkesat tona? Jua them unë. Do të na kishit vënë në vështirësi, se nuk do të gjenim dot deputetë për t’i mbuluar të gjitha cështjet, se kemi kërkuar shumë. Por tek e fundit, ne opozitë jemi, nuk kemi punë tjetër. Aq më tepër, të ndodhur në kushtet e një refuzimi permanent dhe të një arrogance të paparë dhe të padëgjuar më parë.
Rrëzimi i këtij komisioni, është një provë tjetër se Edi Rama drejton, në rastin më të mirë, një qeveri të paftë për ta ndalur narko-trafikun, dhe në rastin më të keq, një qeveri të kapur prej gryke nga mafia e kokainës dhe e marijuanës. Në të dyja rastet ka vetëm një rrugë, të largohet.
Të jem i sinqertë, në muajt e parë pas humbjes së zgjedhjeve, kam qenë në ankth të madh për vijimin e debatit politik në Shqipëri dhe për rolin e opozitës, pas asaj humbjeje të rëndë, që kishim pësuar më 23 qershor. Sepse kisha frikë se do të kishim përballë një kryeministër, që do të vinte në seancë për të respektuar opozitën, të paktën formalisht, edhe sikur ajo t’ia fuste kot. Një kryeministër, që do të fliste pak dhe do të vepronte shumë, dhe që mbi të gjitha, që do të luante pjesën e të moderuarit, në kushtet e një esktramazhorance, e cila të jepte konfortin e vijimit të qetë të qeverisjes. Sepse është jashtë cdo logjike normale që konfliktit politik t’i fryjë pikërisht ai që është në majën e piramidës së pushtetit.
Por në shtator u qetësova dhe mora frymë lirisht, Edi Rama. Erdhe me pushkë në krah dhe i shpalle luftë frontale opozitës. Na the se “cfarë nuk kanë parë dhe dëgjuar këto mure në këto 8 vjet, dhe se tani ishte radha jote”. Duke treguar se ambicien e ndezur për t’u ngjitur në atë post nuk e kishe si një mision ndaj atyre, që të kishin votuar, por një lloj basti apo qëllimi personal. Personale e bëre edhe qeverinë, ndaj edhe sot je në pikën më të ulët të mështetjes edhe brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Saqë në kulmin e debatit politik, mezi të janë gjendur pranë vetëm nja 3 apo 4 deputetë, kurse të tjerët heshtin apo kthejnë krahët. “ Prit, prit se nuk ke parë gjë akoma”, në këtë pikë.
Dhe që atë ditë shtatori sjellja jote politike ka ndjekur ritimin e rritjes së zogjve të korbit. Por për fat të keq, e gjitha kjo është në proporcion të drejtë me rrënimin e këtij vendi. Sepse nëse Edi Rama e konsideron qënien në atë detyrë si sfidë personale, qëllimi ynë, qëllimi i cdo politike normale, është të përfaqësojmë, ata që na kanë votuar.
Zoti kyeministër,
Shqipëria, që ti drejton prej 9 muajsh, është shndërruar me shpejtësi në parajsën e trafikut të drogës, dhe kjo nuk është një akuzë e zakonshme e kundërshtarëve të tu politikë, por një realitet rrëqethës. Por nuk është vetëm ky “suksesi” i Rilindjes tënde. Gjatë këtyre 9 muajve ju sule me tërbim të pashoq të gjitha institucioneve, që nuk vareshin prej teje, duke dëshmjar, se kapja e shtetit ishte qëllimi yt i vetëm politik. Por në një shtet të kapur, ku lulëzon droga, është fare e qartë për të gjithë se kush e bën ligjin. Dhe ne nuk mund t’ia lejojmë mafias që të bëhet zot në këtë vend.
Të nderuar kolegë,
Vetë rendi i ditës i kësaj seance është ilustrimi më i mire i babëzisë për të përpirë cdo institucion. Kemi AMA-n, kemi ILDKP-në, kemi shkurtimin e kompetencave të Presidentit, dhe në fund, si qershinë mbi tortë, kemi refuzimin e kërkesës së opozitës për të hetuar. Pra, kemi një tërbim ndaj cdo segmenti të shtetit, ende të papushtuar, dhe arrogancë ekstreme ndaj opozitës. Kurse në sfond, vetëm 200 metra jashtë kësaj salle, kemi grevën e urisë së disa qytetarëve të dhunuar dyfish prej qeverisë tënde.
Kjo është Shqipëria, që ti ke katandisur në vetëm 9 muaj, që nga fjalimi i parë në parlament, e deri më sot. Ndaj edhe kërkesa jonë për dorëheqjen tënde nuk është më e parakoshme.
Ti duhet të ikësh se nuk përfaqëson më as 1 milion shuplakat, që të mbëshetën më 23 qershor. Ata nuk duan që t’i rrisin fëmijët e tyre në një vend të helmuar nga droga. Por ti duhet të ikësh edhe për një arsye tjetër. Sepse 1 milion shqiptarët, që e votuan këtë mazhorancë, nuk janë në konflikt me pjesën tjetër, me ato 650 mijë që kanë votuar opozitën, ashtu sic je ti, me ne. Të dyja palët duan një Shqiipëri më të mirë, më të pastër, më të painkriminuar, më të pakorruptuar, sesa c’ishte para 23 qershorit.
Ti duhet të ikësh edhe se nuk përfaqëson më as këtë mazhorancë deputetësh, që ende të mbështet në parlament, ndaj edhe je në vështirësi cdo të enjte, por edhe në ditët e tjera të javës. Ti duhet të ikësh se je i dobët me të fortët, dhe i fortë me të dobëtit, dhe kjo nuk është veti e burrave të shtetit.
Edi Rama, je i vetmi kryeministër në botën demokratike që e thua me zë të lartë se je votuar për të udhëhequr, dhe jo për të qeverisur. Ndaj edhe vendi është në pikë të hallit. Por edhe pse demokraci ende e brishtë, në Shqipëri e kanë mësuar tashmë se vota nuk është cërtifikatë për t’u bërë udhëheqës, se e kemi të hidhur historinë me ata, por një kontratë e përkohshme për të shërbyer ndaj atyre, që të kanë zgjedhur.
Por ti duhet të ikësh edhe për arsye tjetër. Sepse e ke ndezur me shumë dëshirë dhe pasion luftën me opozitën, dhe përsa kohë kjo e fundit nuk ka ku të shkojë më shumë se kaq, je ti duhet të ndjekësh rrugën tënde.