E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja AtifeteJahjaga,
Të nderuar deputetë, përfaqësues të popullit të Kosovës,
E nderuara ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Jacobson,
I nderuari përfaqësues i i BE-së në Kosovë,
Të nderuar pjesëtarë të Korit diplomatik në Kosovë,
Të nderuar qytetarëtëRepublikëssëKosovës:
Më lejoni që para jush dhe para qytetarëve të Kosovës, të paraqes Parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës për katër vitet e ardhshme!
1.
Në katër vitet e ardhshme Kosova do të qeveriset nga koalicioni qeverisës i dy partive më të mëdha në vend, së bashku me komunitetet jo shumicë. Ne kemi përgatitur Programin Qeverisës, të cilin do ta aprovojë qeveria që sot do ta zgjedhni dhe po të njëjtin do t’ua prezantojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Koalicioni qeverisës është ndërtuar duke pasur parasysh dhe duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të shprehur me votë të lirë, si dhe detyrimin kushtetues për themelimin e institucioneve legjitime të vendit, funksionale dhe gjithëpërfshirëse.
Koalicioni zotohet të punojë shumë për forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, për shtetin e së drejtës, dhe trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve të Kosovës përpara ligjit.
Po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës është e vetëdijshme për domosdonë që të punojë shumë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë dhe mbi këtë bazë do të fokusohet në forcimin e sektorit privat, tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe krijimin e sa më shumë vendeve të reja të punës. Vetëm nëpërmjet forcimit të ekonomisë së tregut e të bazuar në sundimin e rendit dhe të ligjit, institucionet dhe shoqëria jonëdo të arrijnë zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe social.
Qeveria e Republikës së Kosovës përherë merr në konsideratë vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të përqafuar dhe për të mbrojtur vlerat më të mira civilizuese perëndimore, synimin për të përmbushur të gjitha standardet dhe reformat e domosdoshme për anëtarësimin e Kosovës në BE, OKB, NATO, OSBE, dhe organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe ruajtjen e kultivimin e marrëdhënieve speciale me SHBA-të.
Më lejoni të theksoj përkushtimin tonë që të zhvillojmë vendin, duke siguruar dhe kultivuar bazat e prosperitetit dhe të kohezionit social.
Qeveria e re do të bashkëpunojë dhe do t’i kultivojë marrëdhëniet me shoqërinë civile, me organizatat e tjera joqeveritare dhe me komunitetin e biznesit.
Qeveria zotohet të respektojë diversitetin etnik, fetar dhe parimet e një shteti qytetar dhe sekular.
Ne shprehim përkushtimin për fqinjësi të mirë dhe dialog reciprok me shtetet fqinjë të Republikës së Kosovës, me synimin e forcimit të paqes dhe të stabilitetit në rajonin tonë.
Jemi të vetëdijshëm për rëndësinëe vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe angazhimin për arritjen e marrëveshjeve të reja, në përputhje me interesin tonë shtetëror.
Ne shprehim përkushtimin për tëndërtuar një shtet që ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët dhe që lufton pa asnjëkompromis korrupsionin, krimin e organizuar dhe të gjitha llojet e ekstremizmave që mund tëdëmtojnë shoqërinë dhe shtetin tonë.
Po ashtu, zotohemi të promovojmë vlerat e lirisë, të tregut të hapur dhe të konkurrencës, si vlera fondamentale të shoqërisë sonë dhe të shtetit tonë të ri.;
2.
Synim parësor i Qeverisë së Republikës së Kosovës është qëtë ndërtojë një qeverisje efektive, kompetente dhe të përgjegjshme, që do të forcojë besimin e qytetarëve të Kosovës dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë për vitalitetin e Kosovës si shtet i ri dhe i pavarur; të forcojë demokracinë qytetare, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të secilit; të promovojë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien nëpërmjet ekonomisë sociale të tregut; të sigurojë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të promovojë shoqërinë e dijes; të ndërmarrë politika që e rrisin cilësinë e jetës, që ofrojnë mundësi të barabarta për qasje në arsim e shëndetësi cilësore, në jetën sociale dhe në shërbimet publike përgjithësisht.
Në bazamentineProgramit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në filozofinë e saj vepruese janë vlerat demokratike evropiane, si: respekti për traditën, liria, drejtësia dhe toleranca, transparenca, liria e të shprehurit, liritë individuale dhe kolektive, që paraqesin fundamentin e shoqërisë moderne evropiane të Kosovës.
Në të gjitha politikat e saj, Qeveria do të promovojë dhe forcojë vizionin për Kosovën shtet i pavarur, demokratik dhe i integruar në strukturat euroatlantike. Qeveria ime do të angazhohet fuqishëm për funksionim të pavarur të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, duke krijuar kushte për ngritje të efikasitetit të tyre.
Programi qeverisës i Qeverisë së Republikës së Kosovës përqendrohet në këto shtylla kryesore: (I) Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, punësimi dhe mirëqenia; (II) Sundimi i ligjit dhe shteti ligjor; (III) Axhenda evropiane dhe politika e jashtme; (IV) Arsimi, shkenca, kultura, sporti dhe zhvillimi rinor; dhe (V) Shëndetësia moderne.
3.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të dashur qytetarë të vendit tim,
Shtyllë e parë e Programit të Qeverisë për katër vitet e ardhshme do të jetë Zhvillimi ekonomik, punësimi dhe mirëqenia.
Zhvillimi ekonomik, promovimi i punësimit dhe rritja e mirëqenies do të bazohen në iniciativën private, konkurrencën dhe tregun e hapur, si forcat kryesore që sigurojnë prosperitet ekonomik. Roli i Qeverisë do të jetë në ofrimin e kornizës institucionale, brenda së cilës zhvillohen aktivitetet ekonomike, me qëllim të sigurimit të kohezionit të brendshëm të ekonomisë dhe të shoqërisë.
Qeveria do të angazhohet fuqishëm për integrimin e Kosovës në tregjet rajonale dhe globale. Do të përmirësohet mjedisi për gjenerimin e ideve ndërmarrëse, për tërheqjen e investimeve të jashtme dhe për promovimin e punësimit, duke siguruar, në të njëjtën kohë, shfrytëzim racional të resurseve për brezat e tanishëm dhe të së ardhmes. Zhdukja e varfërisë do të jetë objektiv qendror i politikave ekonomike dhe sociale.
Qeveria do të punojë shumë për të gjeneruar rritje të qëndrueshme ekonomike, e cila siguron stabilitet makroekonomik, fiskal dhe social, si dhe reformë strukturale ekonomike, me qëllim qëprodhimi vendës, promovimi i eksportit dhe i dijes të mundësojnë gradualisht zvogëlimin e deficitit tregtar.
Orientimet e lartpërmendura do të bazohen në parime fundamentale buxhetore: (i) qëndrueshmëri buxhetore dhe stabiliteti makrofiskal në fushën e menaxhimit të financave publike; (ii) koherencë në mes të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, duke ndjekur politikën e ngarkesave të ulëta tatimore në interes të zhvillimit të sektorit privat.
Do të mbështesim sektorin privat dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në veçanti. Do të aplikohet një sistem i thjeshtë tatimor. Do të rriten kapacitetet e Administratës Tatimore të Kosovës për të kaluar mbledhjen e TVSH-së në brendi të Kosovës, e jo në kufi. Do të bëjmë përshkallëzimin e TVSH-së. Do të ulet pragu i regjistrimit të bizneseve në TVSH-së dhe do të përgjysmohet norma e tatimit në qarkullim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Do të nxiten investimet duke aplikuar pushimet e përkohshme tatimore.
Bujqësia do të ketë prioritet. Do të rritet buxheti për bujqësi, duke orientuar mbështetjen më shumë drejt prodhimit bujqësor. Ne do të mbështesim kamatat për kreditë bujqësore, si formë e veçantë e zhvillimit bujqësor. Do të zgjerojmë sistemin e ujitjes për të zvogëluar kostot e prodhimit bujqësor. Do të mbështesim ngritjen e pikave grumbulluese të produkteve bujqësore dhe blegtorale. Për të përmbushur standardet evropiane, do të investohet në sigurinë e ushqimit. Do të kujdesemi për ruajtjen e tokave bujqësore, lumenjve, pyjeve dhe tëujërave.
Në të ardhmen do të rritet efikasiteti i shpenzimeve publike, duke ju dhënë përparësi shpenzimeve kapitale që të prodhojnë efekte maksimale për ekonominë dhe përfitime të barabarta për të gjithë qytetarët. Do të kujdesemi që deficiti buxhetor të respektojë rregullën fiskale, ndërkaq dotë rriten përfitimet për të gjithë ata që përfitojnë nga fondet publike në përputhje me rritjen ekonomike të vendit dhe me normën e inflacionit. Do të aplikohet plotësisht prokurimi elektronik dhe do të implementohet projekti i E-Qeverisjes në të gjitha nivelet dhe sektorët.
Korniza ligjore që prek bizneset do të vlerësohet në baza të rregullta për efektet e saj. Roli i komunave në ofrimin e lehtësirave të të bërit biznes do të rritet, përfshirë dhënien e tokave me qira për investitorë. Regjistrimi i bizneseve do të decentralizohet plotësisht tek autoritetet lokale. Do të heqim çfarëdo monopoli që është krijuar nga sektori publik, përfshirë monopolin e furnizimit me arka fiskale.
Në infrastrukturë, prioritet do të kenë investimet në hekurudha për të funksionalizuar rrjetin hekurudhor dhe për ta integruar atë në rrjetin rajonal dhe ndërkombëtar të hekurudhave. Do të përgatitet projekti për lidhjen hekurudhore me Shqipërinë. Do të punohen në projektimin dhe ndërtimin e stacionit intermodal në mes të Prishtinës dhe Fushë Kosovës.
Do të rishikohet baza ligjore lidhur me ndërmarrjet publike qendrore dhe lokale. Disa nga ndërmarrjet publike do të menaxhohen nga ministritë përkatëse dhe do të pavarësohen nga buxheti i shtetit duke vendosur një menaxhment profesional. Për secilën ndërmarrje do të vendosen indikatorët kryesorë të performancës.
Sa i përket Agjencisë së Privatizimit dhe ndërmarrjeve shoqërore, do të vendoset afat kohor kur duhet të përmbyllet procesi i privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore. Do të përgatitet një strategji kombëtare, e cila do të aprovohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për përdorimin e fondeve të grumbulluara nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore. Do të rishikohet baza ligjore për të ngritur efikasitetin e trajtimit të kërkesave të kreditorëve potencialë. Po ashtu, do të ndërmerret një auditim i rasteve të privatizimeve me spin-off special lidhur me përmbushjen e kushteve të kontratës.
Mobilizimi i të gjitha fondeve që ka Kosova për të financuar zhvillimin ekonomik, përfshirë fondet nga diaspora, nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe fondeve të tjera do të jetë një burim i rëndësishëm i fondit zhvillimor të Kosovës. Do të krijohen incentiva tatimore për mobilizim të kursimeve nga diaspora. Do të fuqizohet roli mbikëqyrës dhe pavarësia e Bankës Qendrore. Do të punohet intensivisht për të siguruar që Banka Qendrore e Kosovës të bëhet pjesë përbërëse dhe anëtare e barabartë e Bankës Qendrore Evropiane. Ne do të krijojmë parakushtet që normat e interesit në vend të bien në numra njëshifrorë.
Për të tërhequr investimet e jashtme, ne do të ri-dizajnojnë paketën fiskale për investitorët e huaj, duke u fokusuar në sektorët ku kapitali dhe ekspertiza vendëse është e pamjaftueshme. Do të fuqizohet e drejta e dhënies së tokës në shfrytëzim nga komunat. Do të nxiten sidomos investimet nga diaspora shqiptare. Orientimi do të jetë në veçanti tek investimet e jashtme me orientime eksportuese.
Do të krijohet fondi investiv për financimin e bizneseve vendëse dhe bujqësisë me kushte të volitshme kreditore. Mjetet për këtë fond zhvillimor do të sigurohen nga mjetet e grumbulluara nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore.
Do të investohet në ngritjen e infrastrukturës që mundëson zhvillimin e turizmit duke ndërtuar rrugë dhe shtigje deri në lokacione të caktuara. Do të rivalorizohen potencialet turistike të Kosovës bazuar në standardet ndërkombëtare.
Projektet kryesore në infrastrukturë përfshijnë: funksionalizimi i plotë i sistemit hekurudhor, lidhja e hekurudhave me rrjetin rajonal, përfundimi i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, projektimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-pika kufitare për Bujanovc, përfundimi i rrugës për Pejë dhe asaj për Mitrovicë, rruga Prishtinë-Podujevë si dhe magjistralja nga Qafa e Duhlës në drejtim të Ferizajit dhe pastaj në drejtim të Gjilanit.
Në fushën e energjisë, do të sigurojmë shfrytëzim optimal të burimeve energjetike që ka Kosova, si një e mirë publike edhe për brezat e ardhshëm, duke përmbushur kriteret evropiane mjedisore. Brenda katër vjetësh të qeverisjes, do të sigurohet energji stabile dhe cilësore për amvisëri dhe biznese. Do të ndërtohet Termocentrali Kosova e Re dhe do të unifikojmë tregun energjetik me Shqipërinë për të arritur komplementaritet.
Në sektorin e minierave, do të aplikohet qasje strategjike në shfrytëzimin e pasurive minerale. Vendimet për të ardhmen e minierës së Trepçës dhe minierave të tjera të rëndësisë strategjike do të bazohen në strategji të qartë, që reflektojnë interesat ekonomike dhe shtetërore të Kosovës. Në gjashtëmujorin e parë të qeverisjes do të përgatitet strategjia për Trepçën dhe ligji për Trepçën si pasuri nacionale.
Lidhur me furnizimin me ujë, do të përgatitim strategjinë për ujërat. Do të mundësohet që rreth 90% e popullsisë të kenë qasje në rrjetin me ujë të pijshëm. Në qendrat e mëdha urbane, që paraqiten si ndotës të mëdhenj të ujërave dhe lumenjve, do të fillojë implementimi i impianteve. Do t’i dyfishojmë sipërfaqet që do të ujiten, ndërsa do të fillojmë investimet madhore duke ndërtuar akumulime.
Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të telekomunikacionit që nga paslufta është penguar shumë, si pasojë e problemeve me statusin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Do të punohet më shumë në këtë sektor për të liberalizuar tregun dhe ofruar shërbime cilësore me çmime të ulta, në përputhje me rrjedhat në tregjet ndërkombëtare, përfshirë sigurimin e kodit telefonik shtetëror. Do të sigurohet një menaxhim më i mirë i PTK-Valës për të rritur vlerën e saj të tregut përpara se të privatizohet.
Qeveria angazhohet për një solidaritet ndërshoqërorë, nëpërmjet politikave ekonomike ri-shpërndarëse të të ardhurave. Qeveria do të angazhohet që asistenca sociale që ofron shteti për më të varfrit të sigurojë që familja, me mjetet që merr, të plotësojë nevojat elementare. Do të eliminohen në maksimum pengesat që dekurajojnë kompanitë t’i marrin femrat në punë, si dhe do të nxitet punësimi i personave të moshuar që ende nuk kanë arritur kohën e pensionimit. Politikat sociale do të sigurojnë stabilitetin financiar dhe qëndrueshmërinë e skemës së kontributeve të obligueshme pensionale si dhe do të promovojmë skemat e kursimeve vullnetare. Qeveria beson që duhet ndërtuar një sistem i mirëqenies, i cili objektiv primar e ka riaftësimin e personave që varen nga asistenca sociale.
Do të vazhdojë të rritet ndihma për invalidë, familje të dëshmorëve, veteranëve dhe kategorive të tjera të luftës. Qeveria do të vazhdojë bashkëpunimin me shoqatat, të cilat përfaqësojnë kategoritë e dala nga lufta, pasi këto kategori përbëjnë një pjesë të ndjeshme të shoqërisë së Kosovës. Qeveria do të fillojë zbatimin e ligjit për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta, i cili ligj gjithashtu do të amandamentohet në përputhje me kërkesat përkatëse.
Sistemi pensional do të avancojë më tutje për të gjitha kategoritë, pensionet bazike, kontributdhënëse, për personat me aftësi të kufizuar, pensionistët e “Trepçës”, ata të ish-pjesëtarëve të TMK-së dhe të FSK-së. Do të vazhdojmë nënshkrimin e marrëveshjeve në sferën e pensioneve me vendet ku kanë punuar shtetasit e Kosovës. Këto marrëveshje do të sigurojnë për realizmin e të drejtës në pension për të gjithë ata që kanë punuar në shtetet tjera. Do të ofrojmë kudjes të veçantë për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, si personat me aftësi të kufizuara, fëmijët e braktisur e pensionistët.
Qeveria do të zhvillojë politika aktive sociale që promovojnë ndërmarrësinë, për ta zvogëluar varësinë nga skemat sociale, nëpërmjet ndërmarrësisë tek të rinjtë dhe femrat. Në zonat rurale në veçanti, do të ofrohen mundësi për zhvillim intensiv në bujqësi dhe stimuj të tjerë në fushën e kreditimit bujqësor. Kujdes i veçantë do t’u kushtohet punëtorëve që ndikohen nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, në mënyrë që ata të mos bëhen barrë e asistencës sociale.
4.
Është jetike që në shtetin e Kosovës të sundojë ligji. Ky është parim bazë mbi të cilin do të punojë Qeveria e Republikës së Kosovës.
Shteti i Kosovës duhet të forcohet për qytetarët e tij, t’i mbështesë ata në përpjekjet e tyre për të siguruar të ardhura, jetë të qetë dhe të sigurt. Forcimi i shtetit ligjor dhe sigurimi i kohezionit të brendshëm socio-ekonomik, do ta ndihmojë shumë konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Duke besuar se sundimi i ligjit është përcaktues për cilësinë dhe qeverisjen e mirë, Qeveria do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit, korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe aktiviteteve te lidhura me dukurinë e terrorizmit, krimit ekonomik, trafikimit të qenieve njerëzore dhe formave dhe llojeve të tjera të kriminalitetit. Kjo luftë mund të realizohet vetëm me njerëz që kanë duar të pastra dhe që janë të përgjegjshëm.
Qeveria synon që sistemi i drejtësisë dhe i sigurisë në Kosovë të jetë funksional, profesional, i depolitizuar, i integruar dhe i shtrirë në tërë territorin e vendit, nëpërputhje me standardet evropiane në fushën e ligjit dhe tësigurisë. Sistemi i drejtësisë dhe i sigurisë duhet të jete në shërbim të të gjithë qytetarëve. Qeveria e Kosovës e vlerëson si shumë të rëndësishme punën e organeve që merren me sundimin e ligjit dhe sigurisë së brendshme dhe të jashtme dhe angazhohet për fuqizimin e tyre, në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve.
Qeveria do të angazhohet për reformimin dhe fuqizimin e vazhdueshëm të organit të akuzës, si parakusht për luftimin efikas dhe efektiv të kriminalitetit. Qeveria është e përkushtuar për një prokurori të pavarur dhe të paanshme, me qellim që, pa kompromis, t’i luftoje të gjitha format e kriminalitetit, duke mbrojtur vlerat më vitale të qytetarit dhe tëshoqërisë.
Në sektorin e drejtësisë ekzistojnë sfida të shumta, të cilat do të trajtohen me përkushtim të madh nga Qeveria. Konsiderojmë se me kornizën e re institucionale sistemi i drejtësisë kërkon një stabilitet në mënyrë që të konsolidohet dhe të koncentrohet në përmirësimin e cilësisë, efikasitetit dhe të performancës. Sfidë tjetër është edhe marrja e përgjegjësive ekzekutive nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX. Qeveria e Kosovës do të angazhohet që të mbështesë institucionet e pavarura gjyqësore në trajtimin e numrit të madh të rasteve të grumbulluara dhe përmirësimin dhe përpunimin e të dhënave dhe tëmenaxhimit të rasteve.
Me qëllim të përmirësimit të gjendjes në sistemin e drejtësisë në përgjithësi, Qeveria do të punojë shumëqëtë zbatojë reformat e nevojshme për zhvillimin e një sistemi gjyqësor që do të jetë transparent, duke siguruar funksionalizim te plotë të reformës gjyqësore në pajtim me ligjet e aplikueshme dhe krijimin dhe përmirësimin e infrastrukturës fizike të gjykatave, me qëllim të plotësimit të nevojave që dalin nga reforma.
Qeveria e Kosovës do të angazhohet për sigurimin e parakushteve dhe administrim më efikas të sistemit të ekzekutimit të sanksioneve penale. Do të vazhdohet me ngritjen e kapaciteteve të reja infrastrukturore në Shërbimin Korrektues dhe Sprovues të Kosovës dhe rindërtimine atyre ekzistuese, me ngritjen profesionale të stafit korrektues dhe sprovues dhe ndërmarrjen e masave në risocializimin e të dënuarve, me krijimin e institucioneve të veçanta për ekzekutimin e masave edukuese korrektuese për të mitur në pajtim me Kodin e Drejtësisë për të Miturit. Do të rritet funksionalizimi i Burgut të Sigurisë së Lartë dhe i dy qendrave të reja të paraburgimit (në Prishtinë dhe Gjilan) dhe aplikimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike për të dënuarit si dhe funksionalizimi i objektit për të mitur me masë edukative.
Mbrojtja dhe respektimi i lirive dhe të drejtave themelore është shtylla kryesore në funksionimin normal të një shteti demokratik. Në fakt, nga kjo varet drejtpërdrejt zhvillimi politik, ekonomik dhe juridik i një shteti. Në Kosovë të drejtat e njeriut dhe liritë garantohen me ligj. Qeveria do t’i vendosë të drejtat e njeriut lart në axhendën e saj politike; Qeveria do të jetë e përkushtuar në respektimin e të drejtave civile, politike, ekonomike dhe sociale të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga përkatësia e tyre nacionale, etnike, fetare,racore apo gjinore, ashtu siç janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligje. Në këtë kuptim, Qeveria e Kosovës do të zbatojë ligjet aktuale, dhe do të vazhdojë të përditësojë strategjitë për të drejtat e njeriut, duke siguruar qasje afatgjatë në këtë drejtim.
Barazia e qytetarëve para ligjit, gjykimi i drejtë, mos diskriminimi, e drejta pronësore, liria e siguria, dinjiteti i njeriut dhe të drejtat e tjera qytetare janë themelet e rendit kushtetues e ligjor në Kosovë, prandaj Qeveria angazhohet fuqishëm për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe të drejtave. Në mënyrë specifike, Qeveria do të fokusohet në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave dhe barazinë gjinore me qëllim të avancimit të pozitës së gruas në shoqëri. Qeveria e Kosovës do të respektojë dhe zbatojë të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë, duke treguar përkushtim për integrimin e plotë të tyre në shoqërinë kosovare. Qeveria do të fokusohet në zbatimin dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve, të drejtave kulturore, të personave me aftësi të kufizuar, të komuniteteve, pastaj të drejtat e punës dhe të sindikatave, të drejtat e pronës, të drejtat e refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda në Kosovë, të parandalojë dhe të luftojë trafikimin me qeniet njerëzore, si dhe të ofrojë mbrojtjen dhe ndihmën e nevojshme viktimave të krimeve të dhunës (trafikimit më qenie njerëzore, dhunës në familje, krimit të organizuar etj).
Po ashtu, Qeveria do të punojë për mbrojtjene të dhënave personale, si dhe do të luftojë krimin kibernetik. Në mënyrë specifike, Qeveria do të sigurojë që rekomandimet e Ombudspersonit të adresohen në mënyrë adekuate.
5.
Të nderuar deputetë,
Për një shtet të ri, si Republika e Kosovës, politika e jashtme dhe procesi i njohjeve është jetik.
Për Qeverinë e Republikës së Kosovës politika e jashtme e Kosovës do të jetë vazhdimësi dhe reflektim i politikës së brendshme dhe në funksion të ruajtjes së sovranitetit, integritetit territorial, rendit kushtetues, lirive dhe të drejtave të qytetarëve të Kosovës brenda dhe jashtë vendit dhe garantimit të sigurisë së saj shtetërore. Forcimi i shtetit të Kosovës në dimensionin e brendshëm, do të ndikojë pozitivisht edhe në dimensionin e jashtëm. Sigurisht, një dimension i jashtëm i konsoliduar dhe efikas do të reflektohet njëlloj pozitivisht edhe në dimensionin e brendshëm, sidomos në rrafshin e investimeve apo të tjera aspekte.
Njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës do të mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës. Procesi i njohjes së Kosovës ka treguar se shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe një faktor i domosdoshëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon. Më së miri kjo demonstrohet nga fakti i njohjes formale të Kosovës nga të gjitha vendet fqinje (me përjashtim të Serbisë), shumica dërrmuese e shteteve nga rajoni dhe komunitetit Euro-Atlantik.
Qeveria e Kosovës do të mbetet fuqimisht e angazhuar për të lobuar për njohje ndërkombëtare nga ana e shteteve anëtare të OKB-së, me qëllim të forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe për të vendosur marrëdhënie diplomatike me shumicën e shteteve anëtare të OKB-së.
Kosova deri më tani ka arritur 108 njohje nga shtetet anëtare të OKB-së dhe në këtë mënyrë ka arritur qëllimin për të pasur më shumë se 100 vende që njohin Kosovën. Qeveria e Kosovës do të synojë dhe do të punojë qëgjatë mandatit të ardhshëm të arrijë njohjen e Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran nga 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së. Arritja e këtij synimi do të fuqizojë Kosovën si një anëtar i plotë dhe i barabartë i bashkësisë ndërkombëtare dhe do të jetë një kontribut i rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Gjithashtu, një shtysë e fuqishme drejt pranimit të saj formal si shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara.
Përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për të përfunduar njohjen ndërkombëtare do të përqendrohet në një komunikim diplomatik me shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, brenda Evropës dhe më gjerë. Kosova do të vazhdojë më përpjekjet saj proaktive për të bindur pesë vendet anëtare të BE-së se njohja e Kosovës është një vendim i drejtë dhe në interes të stabilitetit dhe unitetit evropian.
Qeveria e Republikës sëKosovës do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë dhe vazhdimin e dialogut, që do të synohet të finalizohet më njohjen e ndërsjellë e që do të mundësojë ndërtimin e paqes së qëndrueshme në mes të dyja vendeve dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike e të mira fqinjësore, në frymën evropiane.
Një nga synimet kryesore të qasjes së Kosovës në politikën e jashtme do të jetë forcimi i marrëdhënieve dypalëshe. Me rritjen e numrit të njohjeve, një prioritet vazhdon të mbetet vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Marrëdhëniet diplomatike fuqizojnë njohjen e Kosovës nga një shtet dhe forcojnë pozitën si një anëtar i plotë i bashkësisë ndërkombëtare. Gjithashtu, këto marrëdhënie kanë potencial për të sjellë përfitime të tjera të rëndësishme, siç janë investimet e huaja dhe shkëmbimet tregtare.
Përveç vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me vendet kyçe në kontinente të ndryshme, Qeveria e Kosovës synon të zhvillojë marrëdhënie përtej atyre tradicionale diplomatike, sikurse inicimin e konsultimeve të rregullta politike, nënshkrimin e marrëveshjeve për heqjen e regjimit të vizave, mbrojtjen e investimeve si një prioritet për të krijuar një bashkëpunim të mirë dhe bazë ligjore të konsoliduar.
6.
Ne do t’i trajtojmë me prioritet të lartë arsimin dhe shkencën.
Mbi këtë bazë, Qeveria e Republikës së Kosovës synon që të ndërtojë një shoqëri të dijes, të integruar në rrjedhat evropiane dhe me mundësi të barabarta për zhvillim personal. Në përputhje me këtë vizion, Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet të ndërtojë një sistem arsimor gjithëpërfshirës, që siguron kushte për formim cilësor dhe në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe të shoqërisë. Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet që të trajtojë sektorin e arsimit si një prioritet themelor për zhvillimin e vendit, angazhim që do te reflektohet edhe në peshën që do t’i jepet arsimit dhe shkencës në ndarjen e buxhetit vjetor qeveritar.
Programi qeverisës për fushën e arsimit dhe të shkencës synon reformat strukturore në arsim,rritjen e pjesëmarrjes dheqasjen e barabartë në arsim, sigurimin, garantimin dhe rritjes e cilësisë së arsimit, menaxhimine institucioneve të arsimit, integrimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, promovimine shkencës dhe të hulumtimeve, ndryshimin e skemës së financimit dhe rritjen e financimit të arsimit dhe shkencës.
Po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të rrisë buxhetin për institucionet publike të kulturës, Teatrin Kombëtar të Kosovës, Qendrën Kinematografike të Kosovës, Filarmoninë e Kosovës, Baletin e Kosovës, Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” etj., në mënyrë që të rritet krijimtaria artistike dhe që publikut t’i ofrohen programe të pasura dhe me vlera kulturore. Krahas pasurimit të programit të tyre, buxheti do të orientohet edhe në promovimin e krijimtarisë së tyre në vende të ndryshme të botës. Atyre do t’u garantohet funksionimi profesional, autonom dhe apolitik, si dhe shtrirja e vendimmarrjes.
Qeveria e Republikës sëKosovës do të rrisë buxhetin për aktivitete tashmë tradicionale që kanë edhe karakter ndërkombëtar, siç janë festivale të ndryshme të filmit dhe të muzikës. Po ashtu, nëpërmjet subvencionimeve të ndryshme do të mbështeten artistët e pavarur për krijime të ndryshme dhe mbështetje për prezantim të tyre në skenën e kulturës ndërkombëtare.
Qeveria e Republikës së Kosovë do t’i kushtojë një rëndësi të veçantë botimit dhe qarkullimit të librit. Do të rritet buxheti për librin dhe po ashtu do të mbështeten aktivitete të ndryshme botuese që kanë për synim promovimin dhe prezantimin e krijuesve tanë letrarë.
Kinematografia është një fushë e rëndësishme për promovimin e kulturës së vendit tonë, prandaj Qeveria do t’i kushtojë vëmendje të veçantë duke rritur buxhetin për prodhim të filmave dhe për lidhjen e bashkëpunimit me qendra simotra të vendeve të tjera, me të cilat Qendra Kinematografike e Kosovës mund të nënshkruajë marrëveshje për projekte të bashkëpunimit dhe të bashkëprodhimit të filmit.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të plotësojë infrastrukturën ligjore në fushën e kulturës dhe do të punojë në reformimin e saj, duke e përfaruar atë me praktikat më të mira ndërkombëtare, të vendeve të rajonit, si dhe të Bashkimit Evropian. Prioritet do të jenë hartimi dhe miratimi i Strategjisë për Kulturë, si dhe Ligji për Sponsorizime dhe Donacione, si dy dokumente mjaftë të rëndësishme për zhvillimin e jetës kulturore në vend dhe prezantimin ndërkombëtar të saj.
Kultivimi i relacioneve të veçanta kulturore me Shqipërinë dhe me vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët do të thellohet. Tashmë, Kosova dhe Shqipëria kanë krijuar Kalendarin e Përbashkët Kulturor. Qeveria do të vazhdojë të angazhohet në zbatimin e këtij kalendari, duke e pasuruara atë përvitshëm edhe rritjen e buxhetit për aktivitet e përbashkëta, që organizohen përgjatë vitit në kuadër të tij.
7.
Shtyllë tjetër tepër e rëndësishme e programit do të jenë politikat që do të garantojnë përmirësim të dukshëm të shërbimeve shëndetësore.
Gjatë këtij mandati, do të synojmë ndërtimin e një sistemi shëndetësor efikas, të mbështetur në resurse të qëndrueshme njerëzore dhe me një financim adekuat të qëndrueshëm, që siguron qasje të barabartë në shërbime cilësore dhe kostoefektive shëndetësore për të gjithë qytetarët. Që të arrihet kjo, reforma e sistemit shëndetësor do të jetë e vazhdueshme duke promovuar politikat për përmirësimin e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve bazuar në nevojat e popullatës dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkësisë Evropiane, për t’u siguruar qytetarëve shërbime shëndetësore të krahasueshme me popujt e rajonit dhe më gjerë.
Nën këtë prizëm, reforma e sistemit shëndetësor do të konsistojë në funksionalizimin më të mirë të sistemit shëndetësor me qytetarin në qendër të vëmendjes, ngritjen e efikasitetit të institucioneve shëndetësore në të gjitha nivelet, përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore, shfrytëzimit optimal të resurseve profesionale në dispozicion nëpërmjet integrimit të shërbimeve shëndetësore në të tri nivelet e kujdesit shëndetësor, si dhe zhvillimin e kapaciteteve menaxheriale në kuptim të rritjes së përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies së strukturave menaxheriale.
Baza kryesore mbi të cilën do të mbështeten reformat e sistemit shëndetësor do të jetë fillimi i funksionalizimit të sigurimeve shëndetësore nga viti i ardhshëm. Megjithatë, duke pasur parasysh faktin se funksionalizimi i plotë i këtij sistemi kërkon kohë, Qeveria në 2 vitet e para do të rrisë ndjeshëm financimin e sistemit shëndetësor publik duke synuar ngritjen e shpenzimeve publike për shëndetësi për kokë banori në nivelin e mesatares së vendeve të rajonit.
Me prioritet të lartë qeveria do të angazhohet në zbatimin e reformës përmbajtësore dhe gjithëpërfshirëse në sektorin e shëndetësisë, të bazuar në Strategjinë sektoriale të Shëndetësisë 2014 - 2020 dhe moton e Bashkësisë Evropiane në sektorin e shëndetësisë “Politikat shëndetësore në të gjitha politikat”. Synim kryesor i kësaj reforme është sigurimi i qasjes universale në shërbime cilësore shëndetësore për të gjithë qytetarët dhe banorët e vendit, si dhe eliminimi i pabarazive gjatë shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore.
Ndryshimi i sistemit të financimit të sektorit të shëndetësisë, nga modeli i centralizuar buxhetor, në modelin e kombinuar të financimit nga buxheti dhe sistemi publik dhe privat i sigurimeve shëndetësore, që do të arrihet me themelimin dhe funksionalizimin e Fondit Publik të Sigurimeve Shëndetësore, qe përveç tjerash, do të mundësojë:
- Rritjen e buxhetit për Shërbimin Spitalor e Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) përfshirë: QKUK-në, spitalet e përgjithshme rajonale, dhe institucionet e tjera shëndetësore të nivelit dytësor dhe tretësor;
- Rritjen e Grantit Specifik të Shëndetësisë për komunat;
- Sigurimin dhe furnizimin 100% me barna dhe material shpenzues mjekësor nga Lista Esenciale e Barnave dhe Materialit Shpenzues, që do të përpilohet në pajtim me standardet përkatëse ndërkombëtare si dhe vlerësimit real të nevojave;
- Funksionalizimin e plotë të Sistemit të Informimit Shëndetësor (SISH)e.
***
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Besoj thellë se me përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës si tërësi dhe të çdo anëtari të saj, me funksionalizimin më të madh tëagjencioneve të pavarura dhe riorganizimin e tyre, me masat për përparimin e qeverisjes korporatave të kompanive publike do të sigurojmë një fillim të ri të qeverisjes së vendit, i cili do të jetë në të mirë tëçdo njeriu që jeton në Kosovë dhe do të sigurojmë një ndërlidhje të fortë me bashkatdhetarët tanë jashtë vendit.
Roli i Kuvendit të Republikës së Kosovës është shumë i rëndësishëm për realizimin e objektivave dhe synimeve tona zhvillimore e shtetndërtuese. Prandaj do të bashkëpunojmëngushtë me ju, me të gjitha komisionet dhe trupat punuese të Kuvendit, në mënyrë që të rritet transparenca dhe llogaridhënia nëprocesin e qeverisjes me vendin.
Do ta rrisin rolin e Kuvendit në procesin e dialogut, në mënyrë që të gjitha vendimet nga dialogu të jenë transparente dhe të pranueshme nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Në Kosovë, sot çdo fushëështëme prioritet; zhvillimi ekonomik, arsimi cilësor, shëndetësia cilësore, emancipimi kulturor, lufta kundër varfërisë së lartë, përkujdesa sociale; është me prioritet forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, evitimi i çdo lloj ekstremizmi që dëmton raportet e brendshme dhe bashkëpunimin me popujt dhe vendet e tjera.
Prandaj ne do tëpërqendrohemi në
- Zhvillimin e diversifikueshëm ekonomik, me rritje vjetore të normës së brutoproduktit vendor që siguron një herë stabilizim të papunësisë dhe në vijim uljen e papunësisë në vend;
- Përmirësimin e bilancit tregtar me jashtë, përmes nxitjes së prodhimtarisë vendore, sidomos asaj të ushqimeve;
- Forcimin e shtetit ligjor, në të gjitha segmentet e tij, për të mundësuar jetë të qetë e të sigurt për qytetarin, dhe siguri për investitorë të jashtëm.
Do të punojmë shumë që të shfrytëzojmë të gjitha resurset e këtij vendi, të ndërtojmë partneritet me institucionet financiare ndërkombëtare dhe me qeveritë e vendeve mike për ta mbështetë zhvillimin ekonomik dhe për ta ngrit cilësinë e jetës së qytetarëve.
Në fokus të qeverisjes sonë do të jetë qytetari, atij to ti japim llogari përmes jush dhe drejtpërsëdrejti.Ju faleminderit!
Marrë nga "RTK"
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)