Fjala e plotë e kryebashkiakut Veliaj në konferencën për shtyp

Kur Presidenti i Republikës doli dje në konferencë për shtyp mendova se ndoshta do të prononcohej për çështjet e gjakmarrjes, si një problem me peshë për vendin tonë. Mendova se, mos ndoshta si President, i cili gjithashtu drejton sigurinë kombëtare, do të prononcohej kundër ndërtimeve që SHQUP-i ka dhënë në Tiranë, si ai 100 metra në vijë ajrore nga diga e Liqenit që desh u shemb në Farkë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
 
Por, më zhgënjeu sërish! Në fakt, doli vetëm për veten e tij, për partinë e tij dhe për interesat e shpurës së atyre pak votave që e kanë emëruar President këtë zotëri, i cili është në ikje nga detyra. Doli vetëm për interesin e tij personal, siç ka bërë në këto 4 vite, dhe asnjëherë për interesin publik, asnjëherë për çështje kombëtare, asnjëherë për shqetësime reale të shoqërisë.
 
Nuk kishte si të ishte ndryshe pasi përpara disa orësh, Sali Berisha thirri nën armë, kundër Bashkisë së Tiranës, të gjithë ushtarët e tij. Ushtari më i bindur e pranoi sfidën dhe doli nën armë duke e kthyer Presidencën e Republikës në një zyrë shtypi të Partisë Demokratike dhe të interesave të SHQUP-it.
 
Ky nuk është unifikuesi i vendit, ky është përçarësi i vendit. Ka përdorur çdo mundësi publike vetëm për ta përçarë shoqërinë dhe në 4 vite kurrë nuk u ngrit mbi këtë qëndrim përçarës, për të qenë një herë bashkues dhe për të folur një herë për interesin publik. Ky njeri, lodrat e fëmijëve i trajton si një gjë shumë serioze, kurse gjërat shumë serioze i trajton si lodra të partisë së vet. Ky është keqkuptimi i madh i një presidenti të dështuar në vitin e fundit para se të lërë detyrën me turp nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë.
 
Megjithatë, presidenti në ikje harroi të përgjigjej për pyetjen për të cilën e kam sfiduar publikisht dhe vazhdoj ta sfidoj edhe sot. Pyetja qëndron: Çfarë mendon Presidenti i Republikës, ky dashnor i pemëve dhe i krasitjeve, ky armik i lodrave të fëmijëve, për 5 pallatet 17 kate me një fitim 220 milionë euro te diga e Liqenit? Jeton pak metra nga këndi i lojërave të fëmijëve, çfarë mendon për këtë ndërtim? Në qoftë se kishte një opinion kundra fëmijëve për parkun, a nuk duhet të ketë ky gjithollog edhe një opinion për ndërtimin për pallatin te diga?
 
Dje jeni njohur me faktet nga Bashkia e Tiranës. Është fakt që Lulzim Basha ka dhënë lejen pas moratoriumit për ndërtimin, pasi qeveria qendrore kishte ndaluar ndërtimet në të gjithë territorin e Shqipërisë. Çfarë opinioni ka Presidenti i Republikës për këtë shkelje?
 
Komiteti i Digave nuk e ka miratuar ndërtimin te diga për rrezikun që shkakton ndërtimi në atë zonë, siç u provua nga pallati që rrezikoi të shembej në Farkë, për të cilin Bashkia e Tiranës mbajti koston, bëri riparimet dhe shpëtoi jetën e qytetarëve. Çfarë mendimi ka Presidenti për këtë shkelje, për një leje që jepet kur Komiteti i Digave nuk miraton ndërtimin pikërisht në atë zonë të digës?
 
Bazuar mbi këto prova dhe fakte të pakundërshtueshme, ne kemi kërkuar një gjykim të drejtë në gjykatë. Gjykimi që na u ofrua nuk ishte i drejtë dhe ne kemi protestuar paqësisht, si çdo njeri që është viktimë e padrejtësisë në Shqipëri. Kësaj here viktimë e padrejtësisë në Shqipëri ishte Bashkia e Tiranës.
 
Pse e quaj padrejtësi? Së pari, marrim indicien se ndërtuesi ka thirrur kontraktorët të bëhen gati për të nisur nga puna. Sigurisht, kjo na shkakton habi se si mund të fillojë puna, kur gjykata ende nuk kishte dhënë datën e gjyqit. Do të thotë që dikush e dinte më përpara se do të kishim gjyq dhe se gjyqi do të jepte një rezultat që e çon ndërtuesin të thërrasë kontraktorët, vinçierët, kamionistët dhe prodhuesit e betonit, të fillojnë dhe të përgatiten sepse do të fillojë puna shumë shpejt.
 
Ajo që na bëri përshtypje prapë, ishte se seanca u caktua jashtë radhe. Si ka mundësi? Si ka mundësi që ne nuk marrim dot një datë për gjyqin e gjobës që Partia Demokratike duhet t’i paguajë qytetit për vandalizmin, vjedhjen e pusetave, shkuljen e pllakave, dëmtimin e fasadave të qytetit, kurse gjyqi për këto ndërtime vjen komplet pa radhë? Si ka mundësi që vetëm 1 javë përpara se të prishej radha, kjo dosje u mor nga fundi i listës së gjatë pritëse, ndërkohë që ka qytetarë të tjerë që kanë vite që presin një datë dhe presin një ditë gjykimi? Si ka mundësi që 1 javë përpara ndërrohet me vendim të Presidentit të Republikës trupa nga kolegji dhe caktohet me dorë trupa që do të gjykojë këtë çështje? Si ka mundësi që gjykata rrëzon në mënyrë të fshehtë, pa njoftuar palët, kërkesën tonë për konflikt interesi? Si ka mundësi që Presidenti i Republikës që nuk ka asnjë prononcim dhe mbetet pa fjalë, kur duhet të komentojë sesi të afërmit mund të gjykojnë njëri-tjetrin në gjykatë, për shuma kaq të mëdha?
 
Kam edhe pyetje të tjera për Presidentin.
 
Sa gjyqe bëhen në Shqipëri pa fakte? Në qoftë se kjo qenka rutinë, atëherë ne duam nga Kryetari i KLD të thotë: Sa gjyqe zhvillohen në Shqipëri pa pasur palët prezent, në fshehtësi të plotë nga qytetarët?
Sa prona qytetarësh tjetërsohen çdo ditë në fshehtësi, pa palë, pa datë dhe pa transparencë?
Sa qytetarë masakrohen çdo ditë në dyert e gjykatave se nuk paguajnë dot tarifat e markatës së drejtësisë?
Sa kriminelë janë liruar nga këto gjykata, mbi të cilën drejton Presidenti i Republikës, që janë rikthyer në shoqëri dhe kanë shkaktuar të tjera vepra kriminale, sapo janë liruar nga këto gjykata, që ky zotëri duhet t'i administrojë dhe t'i kthejë në binarë?
 
Dje, delegacioni i Bashkimit Evropian deklaroi se 4 nga 5 shqiptarë, pra 80% e popullsisë, i shohin gjykatat si institucioni më i korruptuar. Çfarë opinioni ka Presidenti i Republikës për këtë shifër drithëruese? Dje mendova se do të dilte për këtë, si reagim i faktit që BE-ja vlerëson që gjykatat shqiptare janë më të korruptuarat, nga gjitha institucionet e vendit. Ai nuk doli për këtë.
 
Dua të ftoj edhe gazetarët që janë këtu sot të shkojnë në dyert e asaj gjykate, në fakt siç isha unë për dy orë, dhe të shohin se sa njerëz sorollaten çdo ditë. Atë ditë takova njerëz nga Bilishti, që vinin çdo ditë dhe gënjeheshin për datat e gjyqeve. Takova njerëz nga Gjirokastra që vinin vetëm për një vërtetim, për një vendim shumë të thjeshtë, 2 minuta nga Gjykata Administrative, vetëm për çështje të pensioneve të tyre. Takova njerëz nga Hasi që vinin çdo ditë, të gënjyer e të gënjyer, duke lënë të gjithë paratë e tyre për të pasur një datë për gjykatën. Takova një zonjë nga Polonia, e cila ka vetëm një çështje administrative për njohjen e fëmijëve të vet, këtu në Shqipëri. Fluturoi nga Varshava vetëm që të marri një datë dhe t'i jepet një dokument, i cili vërteton mëmësinë e saj për fëmijët.
 
Këto janë histori njerëzore dhe therëse, për të cilat dikush duhet të shqetësohet. Nëse nuk shqetësohet Presidenti i Republikës, që në fakt i'u besua detyra të sillte në binarë gjykatat tona, atëherë, sigurisht, media dhe të zgjedhurit e tjerë të qytetit apo të shtetit, do të duhet të shqetësohen për një reformë reale në drejtësi.
 
E vërteta sot është shumë e thjeshtë. Në Tiranë po punohet 24 orë në ditë, me 3 turne, 7 ditët e javës, edhe të shtunë, edhe të diel. Qyteti po transformohet. Ka ende shumë për të bërë. Por, sot s'ka asnjë dyshim, as tek ata që nuk na votuan para 10 muajsh, që në këto 10 muaj u bë shumë më shumë se ç’u bë në 4 vitet e gërhimës së madhe. Qyteti është më i pastër, qyteti është më i ndriçuar, ka më shumë puseta, ka më shumë gjelbërim dhe shumë projekte që kanë mbetur pezull prej 25 vitesh sot po marrin udhë.
 
Sot, ama, prej kësaj pune, po shqetësohet shumë Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Bujar Nishani. Sot po përsëritet e njëjta gjë që u përsërit disa vite më përpara: Po bllokohet çdo projekt, po sabotohet çdo punë e mirë, po pengohet çdo përpjekje për ta nxjerrë Tiranën në dritë. Kjo e acaron Saliun, Lulin, Bujarin dhe gjithë shpurën e tyre.
 
Në këtë kontekst, kam edhe disa pyetje të tjera për Presidentin e Republikës:
 
1. A i ka thirrur Bujar Nishani gjyqtarët kyç për t'ju kërkuar të impenjohen kundër Bashkisë së Tiranës në çështjet që ata kanë në dorë?
2. A i ka thirrur Bujar Nishani prokurorët kryesorë për t'ju kërkuar të hapin çfarë do lloj çështje, vetëm që të pengohen punët publike në qytetin e Tiranës?
3. A e ka porositur Bujar Nishani SHISH-in, që të mobilizohet kundër Bashkisë me të gjitha mënyrat, për të njollosur punët në qytetin e Tiranës?
4. A është presion thirrja nga Presidenti i të gjitha institucioneve nën hyqmin e tij kundër Bashkisë së Tiranës, siç bëri dje?
5. A i ka kërkuar Presidenti i Republikës drejtuesve të KLSH-së, që të ketë një prezencë permanente në Bashkinë e Tiranës, edhe për punë e kantierë që ende nuk janë hapur e s'kanë filluar akoma, vetëm që mos të ecin punët në Tiranë?
6. A e ka caktuar shkartisjen e Kolegjit Zgjedhor Presidenti i Republikës, që këta gjyqtarë specifikisht t'i bien këtij gjyqi?
7. Edhe pse është alertuar nga këshilltarët e tij, a e ka aprovuar shkeljen e radhës së gjykimit në mënyrë nepotike nga njerëz me konflikt interesi të kësaj seance, edhe pse është alertuar, që këtu ka një shkelje dhe një konflikt interesi?
 
Këto janë pyetjet që duan të dinë njerëzit, nëse Presidenti i Republikës nuk do që të largohet me njollën e turpit nga viti i fundit i mandatit. Partia e Bujarit, Saliut dhe Lulit është ndëshkuar disa herë për këto sjellje në qytetin e Tiranës. Ju kujtoj se është partia që shkatërroi Zogun e Zi, në mënyrën më barbare të mundshme dhe partia që groposi Sheshin “Skënderbej”, një investim historik, që i duhet t'i rikthehemi me të tjera kosto shtesë në qytetin e Tiranës dhe që ktheu qytetin e Tiranës në një rotondë makinash.
 
E njëjta parti, të njëjtët njerëz, me të njëjtat funksione, kanë shkatërruar çdo punë të mirë që është bërë ndonjëherë në qytetin e Tiranës. Sigurisht, për njerëz që i rrisin familjet e tyre në Hollandë, shkatërrimi i Tiranës është një sport, është një hobi. Për disa të tjerë që kanë vendosur të zgjedhin të jetojnë në Tiranë, besoj se Tirana është lidhur me fatin e familjeve tona dhe të ardhmen e jetëve tona.
 
Me këtë përdorim që i është bërë Presidentit, ai ka vjedhur ëndrrën për drejtësi. Ai ka vjedhur aspiratën për një qytet që funksionon. Ai ka vjedhur shpresën për të ardhmen. Besoj që këtu, edhe unë, edhe ai, jemi dakord. Një hajdut i shpresave, i ëndrrave të shqiptarëve s'mund të jetë Presidenti ynë. Është e sigurt, nuk është presidenti im. Ndaj në ikje, teksa përgatit kthimin e tij në PD për të zëvendësuar Lulin, pas humbjes së radhës, ai bën edhe shërbimet e fundit ndaj partisë së tij.
 
Sali Berisha, Lulzim Basha, Bujar Nishani, mund të kontrollojnë përkohësisht GjinGjon-at e gjykatave, por nuk kontrollojnë dot gjykimin e opinionit publik për këtë tradhti ndaj qytetit dhe vendit tonë. Unë nuk besoj se ka një tradhti më të madhe se sa t'i vjedhësh vendit shpresën, aspiratën për drejtësi.
 
Dje, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, në fakt shkoi pak më larg. Ai tha se, nuk ka ndonjë diferencë të madhe, mes atyre që mbështesin korrupsionin dhe atyre që mbështesin aktet terroriste, madje korrupsioni ndonjëherë është edhe më i dëmshëm sepse shpërbën fillin që e mban shoqërinë tonë bashkë. Sidomos korrupsioni në gjykatat e vendit tonë. Ndaj, unë mezi e pres gjyqin, me treshen e tradhtarëve dhe me shpresë se ky short i bie ndonjë lloj GjinGjoni. Dua t'ju ftoj të gjithëve drejtpërsëdrejti në këtë gjykatë për t'i treguar gjithë publikut shqiptar se si funksionon drejtësia shqiptare dhe se si kjo parodi kriminale mund të ilustrohet në mënyrë perfekte me këtë gjyq, ndaj këtyre tradhtarëve të qytetit dhe të shtetit tonë.
 
Në emër të qytetit të Tiranës - jo të 70 votave politike për të bërë një President, por dikujt që është zgjedhur drejtpërdrejt, me rreth 170 mijë vota nga qytetarët - unë mbështes pa asnjë ekuivok, gjithë propozimet e SHBA-së, BE-së, që në Shqipëri të ketë drejtësi. Mos të kemi gjykata që janë markata, por të kemi gjykata që japin drejtësi.
 
Dua gjithashtu t'i garantoj të gjithë qytetarët e Tiranës, që jo vetëm nuk jam tutur për të vazhduar punën në shërbim të qytetit, por do të përkushtohem akoma më shumë që çdo projekt të përfundojë në afat, që çdo punë të zhbllokohet, që të mos humbasim ritmin që kemi kapur në Tiranë, që të ecim me po këtë shpejtësi, për të transformuar Tiranën dhe dua t'ju garantoj që pavarësisht këtyre andrrallave, e pavarësisht kësaj strategjie për të sabotuar qytetin, do të jem në krye të detyrës. Nuk do të lejoj në asnjë moment që të devijohem nga fokusi për ta bërë qytetin e Tiranës qytetin më shembullor në rajonin tonë.  
 
 
Pyetje: Kur do të plotësohet kërkesa juaj për ndryshimin e trupit gjykues në Gjykatën Administrative të Apelit dhe cili do të jetë hapi i radhës? Mendoni sërish për protesta?
 
Përgjigje: Së pari, dua të garantoj që, jo vetëm do të protestoj kur Bashkia e Tiranës është viktimë e padrejtësive, por do të bashkohem në protesta dhe lëvizje qytetare për reformën në drejtësi, për të gjithë qytetarët e Tiranës që kanë probleme me gjykatën. Jam këtu në një situatë ku, në dallim nga puna e mëparshme në ministri, shikoj në mënyrë flagrante se si qytetarëve u tjetërsohet brenda orës, brenda minutit, prona e tyre, e gjyshërve të tyre, prona e familjes së tyre dhe shkelje që nuk ua pret mendja.
 
Kështu që, do të protestoj kur Bashkia e Tiranës është viktimë. Dëgjoj njerëz që thonë, 'nuk është kjo forma'. Atëherë, cila është forma?! Fakti se tani kemi një datë, datën 18 të shqyrtimit për ndërrimin e trupës gjyqësore, do të thotë që e kemi kuptuar shumë mirë procedurën. Pra, caktohet një datë, 6-7 ditë përpara, 5 ditë përpara ne duhet të çojmë argumentet tona dhe më në fund e kemi këtë datë.
 
Pra, kur gjykata do, gjykata di. Pra, kur gjykata është nën vëzhgimin publik të një proteste paqësore të qytetarëve që e njohin ligjin, atëherë fakti që gjykata dha këtë datë dhe po harton këtë procedurë, do të thotë që paskemi pasur të drejtë. Do të thotë që gjykata e dika se kush është procedura, por zgjedh të fusë disa praktika, që janë praktika korruptive, të errëta, në mungesë totale të transparencës dhe nuk i kanë hije një vendi që do të behet anëtar i BE-së.
 
Për ata njerëz që duan dhe flasin si ekspertë të protestave, i krahasojeni protestën jashtë dyerve të gjykatës, ku arma e vetme ishte fjala, me protestën e këtyre që u ha barku për protestat, që dolën me pistoletë për të shqyer këndin e lodrave të fëmijëve dhe vandalizuar investimin publik. Nuk u hodh një letër në tokë në protestën tonë, nuk u kalua një moment gardhi në protestën tonë. Kështu që, besoj për qytetarët është si dita me natën dhe sidomos për qytetarët që e kanë mësuar nga kjo drejtësi, që thashë është markatë dhe jo gjykatë. Besoj kemi gjithë bekimin dhe uratën e këtyre që, përveçse shumë punëve të Bashkisë së Tiranës, të impenjohemi edhe në reformën në drejtësi.
 
Pyetje: Ju i bëtë disa pyetje Presidentit të Republikës, institucioneve të caktuara, përfshirë edhe SHISH, që po pengojën punët publike të Tiranës. Si mundet institucione të tjera dhe çfarë lidhje mund të ketë Presidenti me to që të pengojnë punët publike e Bashkisë Tiranës, sidomos të SHISH?
 
Përgjigje: Bëra pyetje mbi indiciet që unë kam. Sigurisht që informacionin që kam dua ta krahasoj me përgjigjet që jep Presidenti dhe dua që të prononcohet dhe të thotë nëse i thërret gjyqtarët, prokurorët, KLSH-në dhe SHISH-in për t’iu thënë që nuk keni asnjë punë tjetër veçse të merreni me Bashkinë e Tiranës? Tani në qoftë se kjo është e pavërtetë, le të dalë dhe ta thotë. Nëse është e vërtetë atëherë t’i shpjegojë publikut shqiptar pse të gjitha institucionet nuk merren me krimin, por merren me bllokimin e punëve të Bashkisë së Tiranës dhe besoj që pastaj dhe ne do të kemi fjalën tonë pasi Presidenti do të përgjigjet.
 
Pyetje: Tanimë ju jeni përballë një padie, ndoshta është e para ndaj jush si kryetar bashkie dhe ndoshta ka ardhur dhe për shkak të fjalorit tuaj duke e etiketuar Presidentin si lodër, a është kjo etike?
 
Përgjigje: President i Republikës është ai i cili qëndron brenda funksioneve të tij, i cili respekton ligjin, i cili ka shqetësim primar shqetësimet e qytetarëve dhe jo shqetësimet e veta private, jo shqetësimet personale, jo shqetësimet e partisë, jo si të impresionojë partinë që pasi të humbasin zgjedhjet, të kryesojë partinë. Pra në momentin që ngatërron axhendën sigurisht që ka ngatërruar detyrën. Në momentin që e ka kthyer Presidencën në një zyrë shtypi të PD-së, atëherë sigurisht që ky është një njeri për të ardhur keq. Se si Presidenti i Republikës reagon në mënyrë selektive për lodrat e fëmijëve dhe trajton si lodra seriozitetin dhe gravitetin dhe rëndesën madhore të pallateve që janë në digë dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve të Tiranës, ky njeri është komplet jashtë loje dhe ky njeri realisht ka probleme me të kuptuarin e misionit të vet. Unë besoj se do të na mallkojë historia nëse u themi mollëve portokall. Ne nuk mund të ngatërrojmë gjërat. Këto gjëra janë kështu siç janë.
 
Përgjigje: Është e provuar edhe përpara jush që kam qenë zyrtari i vetëm i kësaj mazhorance që është sforcuar t’i ofrojë një Presidenti respektin që i takon nga detyra, jo militantizmi i tij. E keni parë, keni qenë në të gjitha aktivitetet tona. Pabesia dhe thika pas shpine, mbas gjithë këshillave të njerëzve që më thoshin: Ky është një njeri i pagesë, ky nuk ka interes publik, ky është një njeri që nuk meriton të ketë mbështetje publike nga Bashkia e Tiranës. Sigurisht që, i kam injoruar duke menduar që është shumë e rëndësishme që në këtë shtetin tonë të kemi një sens serioziteti për disa figura që nëse edhe aksidentalisht po okupojnë pozita publike, ne ta kemi. Por ai zgjodhi që të mos ishte njeri i fjalës, të mos ishte njeri i besës, të përdorej për çështje dhe për çikërrima, të bashkohej në sulme për lodrat e fëmijëve. Për 2 javë lodrat do të hapen dhe qytetarët do të shikojnë që ku është e vërteta, që s’ka kafe, që nuk është prerë asnjë pemë dhe që do të kënaqen gjithë fëmijët e Tiranës. Ashtu siç do të shohin edhe lodrat kemi filluar në të gjitha lagjet e tjera, filluam tek Materniteti, filluam te “Mine Peza”.
 
Besoj se kur një President zgjedh të vetpërjashtohet nga funksioni i të qenit bashkues kombëtar, të vetpërjashtohet nga qëndrimi mbi palët, të vetpërjashtohet nga të qenit avokat i interesit publik, atëherë unë besoj që ‘derrit - dajë’ nuk kemi pse i themi.
 
Pyetje: Deklaratat tuaja janë cilësuar shpesh herë si presion ndaj sistemit të drejtësisë. A është kjo rruga e duhur për të vënë drejtësi dhe është hera e parë që përballeni me këtë sistem, që keni këto lloj dalje kaq “agresive”?
 
Përgjigje: Së pari, unë besoj se shqetësimin më të madh mund ta kemi me vendimet e sistemit. Në momentin që t’i më vë një të afërm të gjykojë një të afërm tjetër për një shumë 220 milionë euro, sigurisht kjo duhet thënë siç është. Ky është konflikt interesi dhe kjo nuk mund të bëhet. Në momentin që ky sistem fshehurazi ua bën këtë njerëzve që kuptojnë ligjin, unë vërtet nuk jam jurist, por kuptoj mjaftueshëm nga ligji që të them se një sistem i drejtë duhet të ketë palë në gjyq. Një sistem i drejtë duhet të lajmërojë kur është data e gjyqit. Një sistem i drejtë nuk duhet të vërë kushërinjtë kundër njëri-tjetrit.
 
Unë nuk jam si ai tjetri që rri e pret fatin e vet, shtrirë te divani, duke fjetur gjumë. Unë fatin tim e pres në këmbë, e pres në krye të detyrës, për sa kohë që i kam premtuar qytetarëve, dhe në fakt ndoshta edhe për këtë jam votuar, që atë projekt do ta kundërshtoj dhe do ta ndaloj. Nuk mund të dal gënjeshtar dhe nuk mund të bëj atë stilin tipik të politikanëve që kanë qenë në administratën e katër viteve të fundit në bashki, të cilët thoshin: Jo, e ka gjykata.
 
Jo, fatin tim e kontrolloj vetë dhe çdo shqiptar fatin e vet e ka në dorë. Nuk mund të presim që në një vend ku është kthyer në tender, Bashkia e Tiranës nuk ka mundësi, por është dhe e paligjshme, as nuk kam mundësi se si të faturoj pagesa gjyqtarësh.
 
Pyetje: Pse mendoni që jeni më i sulmuari nga Presidenti dhe opozita dhe cilat janë projektet konkrete që ju kanë penguar, nga indiciet që ju keni?
 
Përgjigje: Kam përshtypjen se ka të bëjë me kontrastin e madh që ka Bashkia e Tiranës sot me bashkinë që u drejtua në mandatin e kaluar. Ka të bëjë me faktin që po na ofrohet si kandidat për kryeministër një dështak spektakolar dhe humbja monumentale që ai kishte në Tiranë dhe ndotja e Tiranës, një Tiranë që vinte erë, një Tiranë që nuk kishte një kapak pusete, një Tiranë që nuk ndërronte një poç, një Tiranë që nuk mblidhte dot plehrat, sigurisht që nuk është një CV e mirë për të kandiduar për kryeministër.
 
Gjersa nuk po bënte dot një punë kaq të vogël, si mund të merresh dhe të menaxhosh dot të gjithë Shqipërinë, ta bësh të gjithë vendin si Tirana që kishim përpara 10 muajsh? Sigurisht që ka lidhje me këtë dhe sigurisht qe janë të shqetësuar që qytetarët po arrijnë të kuptojnë që kur ka dëshirë dhe kur ka vullnet, në Tiranë punohet dhe gjërat ecin përpara.
 
Jemi bllokuar në disa projekte, nuk dua këtu të bëj listën se janë të gjitha projektet që jemi duke i ndjekur. Një prej projekteve ku jemi bllokuar është Unaza e Vogël. Pasi kemi bërë shpronësimin, pasi ka një VKM, pasi pronarët të lidhur qartazi me ata që ishin deri dje në pushtet, kanë 2 milionë dollarë shpronësim për një ndërtesë që ka vite që nuk përdoret, për një ndërtesë që në fakt kishte të hipotekuar vetëm 1 kat, arritën të bënin me gjyqe, me çudira, katet shtesë. Për një ndërtesë që ishte gjithmonë ndërtesë biznesi, arritën ta kthenin me gjyq në ndërtesë banimi që të marrin kompensim në gjykatë. Pasi i bënë gjithë këto poshtërsi, tani prapë bllokojnë punimet.
 
I kam kërkuar gjykatës dhe gjithë institucioneve të drejtësisë, prokurorëve, kolegëve të tjerë që të mos na humbasin më kohë. Tirana ka humbur shumë kohë. Këto lojëra po i kuptojmë të gjithë. Kjo është e gjitha një përpjekje e organizuar për të bllokuar punën e Tiranës në çdo drejtim. 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Nga largimi i të rinjve, rrezikojmë të mbetemi edhe pa fuqi punëtore. Për bizneset, zgjidhje mbetet rritja e pagës mesatare në 1 mijë euro