Askush nuk mund të thotë se sot, kur Shqipërisë u duhen ende shumë stinë të tjera për t’u futur ne derën e BE, ky parlament mund të krenohet për nivelin e sjelljes dhe shkallën e përgjegjshmërisë, që ka manifestuar në gjithë këto vite.
Shqipëria ka sot domosdoshmërinë për një fillim të ri. Ky parlament duhet të pushojë së qeni arena e egër e dasisë shoqërore që prej këtu shpërndahet në çdo qytet dhe në çdo vendbanim të Shqipërisë. Shqiptarëve u duhet sot, këtu në Shqipëri, një Kuvend që flet, vendos dhe jeton me ta dhe për ta, kudo që jetojnë, në një kohë ndryshimesh dhe sfidash të jashtëzakonshme globale, kombëtare, ekonomike, sociale e kulturore. Njerëzve të zakonshëm të këtij vendi u duhet sot një shumicë parlamentare që nuk e siguron mbijetesën e vet në pushtet, duke kalëruar mbi kurrizin e tyre, që mjaft është kërrusur nën peshën e vendimeve dhe borxheve të marra në emër të tyre dhe për hesap të një pakice në pushtet. U duhet sot një opozitë parlamentare që nuk e lë bosh vendin e saj si alternative aktive e qeverisë, për t’u kyçur ne llogoren e vjetër të qitjes me baltën e shpifjes, gënjeshtrave, fyerjeve prej ku popullit nuk i ofrohet kurrgjë tjetër veç zinxhirit të së shkuarës.
U duhet sot shqiptarëve, padyshim, një qeveri që nuk mendon se si do të zgjidhet përsëri, duke mos trazuar ujërat e ndenjur, nën të cilat gëlojnë mikrobet e korrupsionit dhe gjallojnë kudo ferrat pengmarrës të prapambetjes, por që punon ditë –natë për të bërë zgjedhjet dhe zgjidhjet e duhura, jo për pushtetin e vet, por për të ardhmen e vendit.
Ne, “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, nuk jemi zgjedhur për t’u rizgjedhur me çdo çmim, por për të zgjidhur me çdo kusht këmbën e Shqipërisë nga zinxhiri i padrejtësive, borxheve, papunësisë, korrupsionit, injorancës, dhe për t’i dhënë këtij vendi mundësinë të ecë më shpejt dhe të rilindë si vend, si shtet, si shoqëri evropiane.
Ne nuk jemi zgjedhur që të qeverisim për vete, por t’u kthejmë njerëzve lirinë të mendojnë, punojnë, jetojnë, dukje krijuar kushtet që të drejtat e tyre të barabarta të ushtrohen në një mjedis mundësish të barabarta, për të shkolluar fëmijët, për t’u kujdesur për të sëmurët, për të punuar dhe për të fituar sipas meritës. Ne nuk jemi zgjedhur të prodhojmë mjaltë gënjeshtrash për t’i mbajtur njerëzit në llucën e prapambetjes, me gajretin e sukseseve imagjinare, por kemi ardhur në qeveri për të përdorur ilaçin, sado të hidhur të të vërtetave, të një gjendje të hidhur ekonomike dhe sociale që i’u imponua shqiptarëve nga keqqeverisja e shumë viteve.
Më lejoni t’u them atyre që nuk u zgjodhën më 23 qershor, të gjithë atyre që më 23 qershor nuk votuan për t’u zgjedhur ne, dhe ne të gjithë së bashku, si njerëz të së njëjtit vend dhe të së njëjtit gjak, si shqiptarë i detyrohemi sot Shqipërisë dhe gjeneratave të tjera, një fillim të ri. Një fillim të ri, ku kundërshtitë mes nesh të mos jenë pengesa e të djeshmes, por shtysa e re drejt së nesërmes. Ku dallimet mes nesh të mos jenë arsyeja për t’i ndenjur me kurriz njëri-tjetrit, por shtysa për t’u ballafaquar hapur, në respekt të njëri-tjetrit. Ku rivalitetet mes nesh të mos jenë burim konfliktesh për pushtet, por shumëfishimi i pushtetit tonë të përbashkët, mbi fatin e përbashkët të kombit tonë. Kombet, njësoj si njerëzit, duhet me patjetër të vendosin si duhet të sillen me vetveten, si duan të shihen nga të tjerët rreth e rrotull dhe ende më tutje, si duan të gjykohen nga historia. “Si çdo burrë dhe grua, vendet duhet ta vendosin vetë sa të gatshëm janë për rastet që u jep historia” i tha Presidenti Klinton, Kongresit Amerikan në adresimin e parë të presidencës së tij historike.
Vendi ynë sot ka nevojë për një drejtim të ri. Unë sot kam privilegjin t’u prezantoj shqiptarëve një plan të ri për t’i dhënë vendit një drejtim të ri. Punësim real, jo rritje e papunësisë; Taksim i ndershëm, jo taksë e sheshtë; Liri dhe konkurrencë e garantuar për sipërmarrjet, jo monopole dhe dhunim i biznesit të ndershëm; Shërbime publike sipas nevojës dhe jo sipas xhepit; Zhvillim i qëndrueshëm rural, jo braktisje e fshatit në fatin e vet; Mjedis i pastër dhe trashëgimi kulturore e mbrojtur, jo ndotje dhe shkatërrim hap pas hapi; Shtet i denjë europian, jo një vend pa shtet, me pasiguri për individët dhe pronën, në mes të Evropës. Këto vija ndarëse me të shkuarën ishin boshti i zotimit tonë para shqiptarëve si “Aleancë për Shqipërinë Evropiane” për të rilindur Shqipërinë duke ecur më shpejt në një drejtim të ri.
Mbi këto vija ndarëse ishin të renditura edhe zotimet për të cilat 1 milion shqiptarë na e besuan ne drejtimin e vendit në kushtet e një krize të thellë të moralit të qeverisjes, të modelit të derisotëm të zhvillimit ekonomik dhe social, të shtetit të gjunjëzuar nga korrupsioni dhe paaftësia për t’u shërbyer qytetarëve. Mbi këto vija ndarëse është ngritur edhe projekti i buxhetit të ri që duke nisur nga 1 janari garanton kthesën e vendit, në drejtimin e ri, në drejtimin e duhur, në drejtimin e rimëkëmbjes së ekonomisë, ripërtëritjes së shoqërisë, rivendosjes së demokracisë, ribashkim të Shqipërisë me Evropën.
Buxheti i viti 2014 nuk është një buxhet elektoral, siç ishte buxheti i vitit që sapo mbyllet, por është një buxhet i përballjes hapur sy më sy me krizën ekonomike dhe katrahurën financiare që kemi trashëguar. E megjithatë, ky buxhet është më i madh se buxheti elektoral i këtij viti dhe nuk është një buxhet krize, por një plan i qartë kthese ekonomike dhe sociale.
Buxheti i vitit 2014 nuk është një buxhet elektoral, investimesh për të prerë shirita dhe për të thirrur “përpara, rrugë, rrugë, rrugë”, duke zhytur vendin në borxhe dhe duke e katandisur qeverinë në një “sudepazar”, por është një buxhet i shlyerjes të borxheve ndaj atyre që po lëngojnë dhe po njësoj atyre që po falimentojnë në mirëbesim të qeverisë që iku. E megjithatë, ky buxhet është më i madh se buxheti elektoral i këtij viti, me investime direkte dhe indirekte në ekonomi, të cilat do të rivënë në lëvizje makinën e bllokuar të ekonomisë shqiptare dhe do të garantojnë rifillimin e rrugës së rritjes ekonomike për Shqipërinë dhe për familjet shqiptare.
Buxheti i viti 2014 nuk është një buxhet elektoral sa për të hedhur lumin e zgjedhjeve të radhës me një listë të gjatë shakash të përparimit, siç do ta quante Noli buxhetin e fundit të qeverisë që iku, duke e lënë pas në mëshirën e fatit shërbimet publike sociale, por është një buxhet për të kapërcyer hendekun e madh që qeveria e ikur hapi mes Shqipërisë dhe të ardhmes.
E megjithatë, ky buxhet është më i madh se buxheti elektoral i këtij viti, në mbështetje të komuniteteve, çdo bashki e komunë, duke nisur nga Bashkia e Tiranës do të ketë vitin e ardhshëm më shumë para nga buxheti se sa ky vit; Në mbështetje të arsimit dhe të shëndetësisë, që po ashtu do të kenë më shumë para nga buxheti i këtij shteti sesa ky vit; Në mbështetje të njerëzve në nevojë për të cilët, jo vetëm do të ketë më shumë para se këtë vit, por nuk do të ketë më mospagesa ndaj invalidëve dhe familjeve në ndihmë ekonomike, që ndryshe nga çdo vit tjetër do të marrin rregullisht çdo muaj, lekët që ju takojnë me ligj dhe me zakon.
“Me ose pa vetëdije të gjithë mendojnë për ekonominë. Duke u bashkuar në parti politike ose duke hedhur votën qytetarët tregojnë indirekt dhe qëndrimin e tyre, ndaj elementëve thelbësorë të teorisë ekonomike.” - thotë ekonomisti i njohur Ludvig Von Mises.
E pra, 1 milion shqiptarë treguan qartësisht qëndrimin mes tyre ndaj taksës së sheshtë, e cila në praktikë i mori frymën shtresës se mesme, dërrmoi biznesin e vogël, varfëroi më shumë më të varfrit dhe taksimit të ndershëm, që do të hyjë në fuqi në 1 janar për t’i dhënë forcë ekonomisë familjare shqiptare dhe për të vënë drejtësi në ndarjen e barrës së taksave mes njerëzve dhe bizneseve të këtij vendi.
Ky buxhet është akti solemn i korrigjimit të padrejtësisë që detyroi për vite të tëra infermieren të paguante më shumë taksa se sa ministri i Shëndetësisë; mësuesen dhe policin të paguajë më shumë taksa sesa ministrat e tyre; shoferin e kryeministrit të paguante më shumë taksa se sa vetë kryeministri. Kujt s’i vjen për shtat ky akt apo kujt e kundërshton këtë akt me argumentet e vjetra të pushtetit të humbur, i kujtoj se këtë akt e kanë firmosur me votë 1 milion shqiptarë dhe ky Kuvend ka thjesht detyrën ta ratifikojë me votën e vet në respekt të popullit sovran.
Me këtë akt korrigjohet, gjithashtu, padrejtësia që detyroi për vite të tëra, furrën e bukës të nxirrte nga arka e vet e mbijetesës më shumë lekë për shtetin sesa një fabrikë çimentoje, nga kontoja e madhe e përfitimeve të veta. Kafenetë e lagjeve të paguanin më shumë taksa se sa hotelet në qendër të Tiranës. Foletë e vetpunësimit familjar me biznes të vogël të jepnin në buxhetin e shtetit më shumë se ç’jepte në raport me të ardhurat e veta, çdo kompani e madhe.
I kam falënderuar me zemër, me përulësi shqiptarët, ditën që na dhanë besimin qeverisë së vendit, por sot në ditën e paraqitjes së buxhetit të parë të “Aleancës për Shqipërisë Evropiane”, pas tërë atyre që më kanë parë sytë në librin e shqyer të llogarive të shtetit, dua t’ju përulem shqiptareve edhe më thellë. Sepse duke e mbyllur rrugën e rrënimit me murin e 1 milion votave, të papushtetshmit i dolën zot shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë, në orët e fundit përpara shkatërrimit të dytë financiar, pas atij të piramidave, prej duarve të papërgjegjshme të të pushtetshmëve.
Pa ato 1 milion duar, të cilat i hapën rrugën një politike të re ekonomike dhe financiare që mishërohet sot, në frymën dhe në gërmën e këtij buxheti kthese dhe rimëkëmbje për Shqipërinë, shtëpia jonë do të përfshihej më herët se vonë nga flakët e borxheve dhe të dhimbjeve të shkaktuar prej një politike të vjetër dhe delirante në pushtet, e cila për pak e hodhi këtë popull për së dyti në një greminë financiare duke zgjedhur qorrazi për së dyti, bejtet e gjeneral Rrapushit, në vend të ndihmës së FMN.
Buxheti i ri u hartua në bashkëpunim të ngushtë me FMN dhe me BB, si dhe me ndihmën e paçmuar të një skuadre këshilltarësh botërisht të njohur, e cila asiston qeverinë e re për çështjet ekonomike dhe sociale. Ky buxhet edhe falë marrëveshjes së re me Fondin Monetar Ndërkombëtar është shprehja konkrete e një ndryshimi themelor në kulturën qeverisëse të këtej vendi. Një qeveri e zhytur në borxhe dhe në detyrime ndaj të tjerëve nuk mund të kërkojë nga askush përgjegjësi për detyrimet që burojnë nga marrëdhënia e qytetarit apo sipërmarrjes me shtetin.
Një qeveri që nuk paguan punët dhe shërbimet që merr nga biznesi, duke u sjellë si pushtet informal dhe brutal me biznesin, as mund të ulë informalitetin në ekonomi, as mund të luftojë evazionin fiskal, as mund të garantojë rendin ligjor dhe ekonomik.
Një qeveri që nuk paguan dritat, duke filluar nga kryeministria tek ministritë e me radhë institucionet shtetërore, nuk ka sy e faqe t’u thotë të varfërve, qytetarëve të zakonshëm apo bizneseve – ‘të mos vjedhin dritat dhe të paguajnë rregullisht faturat’. Dhe kur vjen dita që një qeveri jo vetëm të mos i paguajë, por t’ua vjedhë paratë e ndihmës ekonomike dhe të asistencës sociale, familjeve në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuar, kjo quhet “ditë e zezë”, pas të cilës nuk ka më diell, por vetëm errësirë sociale. E pra, në këtë errësirë e gjetëm ne ngrehinën e qeverisjes dhe nga kjo errësirë e padurueshme, e papranueshme, e pafalshme do të dalim përmes buxhetit të vitit 2014.
Ky buxhet është akti kuptimplotë i fundit të marrëzisë së një kulture qeverisëse turpëruese për vendin, i një etike qeverisëse njollosëse për shoqërinë, i një sjelljeje qeverisëse shkatërruese për ekonominë dhe financat e një vendi. Ky akt kuptimplotë e nxjerr qeverinë në dritën e përgjegjësive të veta. Në këtë buxhet plot 350 milionë dollarë, janë shprehje e kësaj përgjegjësie të lartë që qeveria e re merr, duke shlyer një pjesë të konsiderueshme të borxheve të trashëguara për punët dhe për shërbimet e papaguara ndaj kompanive prej qeverisë që iku. Këtu është vendi dhe momenti për të nënvizuar se e gjithë kjo përgjegjësi merret drejtpërdrejtë për të mbështetur kompanitë, pra biznesin e madh dhe për ta nxjerrë sipërmarrjen nga balta ku e la qeveria e vjetër. Kështu, nëse nga njëra anë kompanitë do të paguajnë tatim fitimin jo më 10 %, por 15 % duke nisur nga 1 janari, vendim në konformitet të plotë me premtimin tonë elektoral se kush fiton më shumë do të paguajë më shumë, pra do të rrisin me 60 milionë dollarë kontributin e tyre për buxhetin, nga ana tjetër do të marrin po nga buxheti, 5 herë më shumë, plot 350 milionë dollarë. Të cilat, as i morën dot ndonjëherë, as kishin për t’i marrë kurrë, nëse kultura e vjetër qeverisëse e trajtimit të biznesit si skllav i pushtetit nuk do të ishte përmbysur me votën e 23 qershorit për t’ia lënë vendit kulturës së re të partneritetit me sipërmarrjet.
Duke shlyer këto borxhe të turpshme dhe turpëruese për një qeveri, përveçse vendosim në vend dinjitetin e qeverisë së Republikës së Shqipërisë, ne sigurojmë kthimin në punë me pagesën e prapambetur të mijëra njerëzve të zakonshëm që punojnë në qindra kompani të bllokuara nga ky zinxhir borxhesh. Sigurojmë rifillimin e punës të shumë kompanive dhe lehtësimin e tyre të konsiderueshëm nga laku i kredive që kanë marrë nëpër banka në mirëbesim të qeverisë së ikur.
Sigurojmë po ashtu, uljen e kredive të këqija të bankave dhe rifillimin e kredidhënies së bllokuar, jo nga mungesa e likuiditetit, por nga detyrimet zinxhir të biznesit ndaj bankave që hallkën e vet të parë e kanë m’u tek qeveria e Republikës së Shqipërisë. Po t’u shtojmë këtyre 350 milionë dollarëve që injektohen në ekonomi edhe 750 milionë të tjera, të cilat do të hyjnë përmes investimesh dhe projektesh të reja, ne realizojmë me këtë buxhet stimulin më të madh që i është bërë ndonjëherë ekonomisë shqiptare në rrugë direkte nga buxheti prej 1,1 miliardë dollarësh.
Ja pra, kjo është marrja e përgjegjësisë reciproke mes biznesit të madh dhe qeverisë, ku të dyja palët kontribuojnë në kthesën e ekonomisë kombëtare familjare që e kemi projektuar me planin tonë të ri.
E, nëse biznesi i madh siguron kështu mbrojtjen e interesit të vet legjitim, qeveria jonë siguron kthesën, që dua ta përcaktoj këtu me fjalët e një demokrati të madh, presidentit amerikan të paktit të ri social Franklin Rusvelt, i cili në pikënisjen e rrugëtimit historik për rimëkëmbjen e ekonomisë nga një krizë dërrmuese tha këto fjalë: “Testi i progresit tonë nuk është nëse do t’i shtojmë më shumë pasurisë së atyre që kanë shumë, por nëse do të sigurojmë sa duhet për ata që kanë tepër pak.”
S’ka dyshim se ne do të bëjmë gjithçka që më të pasurit të mos pengohen të shtojnë pasurinë e tyre, falë bizneseve të tyre, sepse problemi ynë, i të majtës së shekullit të ri të cilën ne e mishërojmë me pasion edhe në projektin e buxhetit e ri, nuk janë të pasurit, por është varfëria. Prandaj ne do t’i përkushtohemi me reforma të thella strukturore dhe zbatim këmbëngulës të tyre, luftës kundër informalitetit, evazionit, luftës kundër pabarazisë në treg dhe në tenderë, kundër traditës së ulët të trajtimit të disa biznesmenëve si të nënës dhe të shumicës dërrmuese si të njerkës. E, le të jemi deri në fund të vërtetë. Këtë e kam për ata që në emër të biznesit të madh ngritën zërin lart ku ndër rritjes në 15 % nga 10 % të tatimit të fitimit të tyre. Ajo që ka paguar në fakt deri dje, nuk ka qenë as 10 as 15 %, por mesatarisht 22 %, sepse të shkretët, nuk kanë paguar vetëm për shtetin, por edhe për pushtetin që ju mori shpirtin me gjoba arbitrare dhe me ryshfete të denja vetëm për pushtetet antidemokratike të kastave familjare, siç ishte tipikisht kasta e përzënë me 1 milion vota më 23 qershor.
Pra, shkurt dhe qartë, nëse deri dje paguanin 10 % për shtetin dhe mesatarisht 12 % për kastën e familjes në pushtet, nga 1 janari do të fitojnë një ulje reale prej 7 % të shumës që në fund të vitit iu rezultonte se iu kishte ikur nga xhepi.
Ndërsa së bashku përmes Këshillit Ekonomik Kombëtar ku biznesi i madh përfaqësohet dhe dëgjohet çdo muaj me një dinjitet dhe nderim që nuk e ka patur kurrë më parë, si dhe përmes mekanizmave të rinj të bashkëpunimit mes qeverisë dhe sipërmarrjes, ne do të punojmë ngushtësisht për të luftuar shfaqjen e korrupsionit dhe të sjelljes tradicionale abuzive të administratës doganore dhe tatimore.Së bashku, do t’u tregojmë të gjithë abuzuesve se koha e dhunimit psikologjik të biznesit për të nxjerrë nga arka e kompanive paratë për shefin dhe paratë për gjeldetin taksidar ka perënduar.