Fjala e plotë e kryeministrit Rama

Më vjen shumë mirë, sepse unë u interesova personalisht që të gjithë të kishin kufje për të dëgjuar përkthimin e fjalës së ambasadores, por 90% e të pranishmëve refuzuan kufjet, çka tregon besim të verbër ndaj Bashkimit Europian, që çfarëdo që thotë, ne mendojmë që është gjëja e duhur. Me një duartrokitje për fjalimin e ambasadores së Bashkimit Europian, se të të duartrokasin kur të kuptojnë gjuhën është gjë e madhe, por të të duartrokasin kur flet edhe në një gjuhë të huaj, kjo tregon sesa shumë Shqipëria do që të integrohet në Bashkimin Europian, por duhet t’ua mbushim mendjen.

 Ndërkohë, përtej shakasë, sot është vërtet dita për të treguar përmes një shembulli konkret se çfarë rëndësie jetike ka për zhvillimin dhe sigurinë e ekonomive familjare dhe ekonomisë tonë kombëtare marrëdhënia me Bashkimin Europian. Është falë solidaritetit të Bashkimit Europian për një fatkeqësi të madhe natyrore që ndodhi në këtë zonë dhe sigurisht, falë përpjekjes nga dita e parë e në vazhdim të të gjithë autoriteteve të qeverisë shqiptare, që përgatitën gjithçka në kohën e duhur, që ne rikthehemi këtë herë për të filluar kompensimin e drejtpërdrejtë financiar të çdo familjeje fermerë që është dëmtuar nga përmbytja.

Më kujtohet shumë mirë kur kam ardhur këtu herën e parë dhe e gjithë zona ishte nën ujë. Njerëzit ishin jashtëzakonisht të shqetësuar me të drejtë dhe të dëshpëruar. Ndaj u dukej me të drejtë e pabesueshme, kur unë u thosha që ky është momenti për të siguruar që të mos kemi dëme të tjera, për të garantuar ushqimit për çdo familje dhe ne do të kthehemi përsëri, edhe kur të ketë dalë dielli, se ne nuk do e bëjmë si ata që ishin përpara nesh, që vinin me çizme për të dalë në televizor dhe pastaj, kur dilte dielli, i linin të gjithë në mëshirë të fatit.

Është hera e parë dhe ky është fakt, që qeveria shqiptare i përgjigjet nga “A”-ja tek “ZH”-ja, detyrimit të saj për t’u qëndruar pranë njerëzve, familjeve, komuniteteve, të prekura nga një fatkeqësi natyrore si përmbytja dhe për të kompensuar një më një dëmet. Kompensuam çdo frymë të gjallë në bagëti dhe në shpendari, kokë më kokë. Filluam falë mbështetjes së Bashkimit Europian, një plan masiv investimesh për të rimëkëmbur infrastrukturën e shkatërruar të mbrojtjes nga përmbytjet. Ju jeni dëshmitarë që punimet vazhdojnë në këtë zonë përgjatë gjithë shtratit të Vjosës, aty ku janë identifikuar pikat më të dobëta dhe burimet më të prekshme të rrezikut nga përmbytja.

 Sot jemi këtu për t’i kthyer 3529 fermerë në përftues të drejtpërdrejtë nga ky solidaritet mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.

 A ju kujtohet atë kohë, ishin ca që dilnin në TV dhe thoshin “pse nuk e shpallin gjendjen e jashtëzakonshme” dhe sipas tyre, sepse “nuk duan t’ju dëmshpërblejnë, t’ju kompensojnë, duan t’ju lënë në shi dhe në breshër”. Sot po të kishte rënë shiu, do thoshin “nuk e shpallin gjendjen e jashtëzakonshme se duan t’ju përgjojnë”.

 Ne e kemi thënë që ditën e parë që e kundërta është e vërtetë. Ne, paralelisht me ndalimin e dëmeve të mëtejshme dhe me sigurimin e ushqimit për familjet në ato momente dramatike, kishim filluar punën me Bashkimin Europian për këtë plan masiv ndërhyrje.

 Unë e di shumë mirë që nëse ndonjë nga familjet në zonën e Nënshkodrës, që nuk janë kompensuar qysh nga përmbytjet e shumë viteve më parë, me siguri nuk ndihet mirë, sepse me të drejtë mund të thotë “edhe ne jemi përmbytur, pse ende nuk jemi kompensuar plotësisht”. Në fakt, e vërteta është që kompensimin e banorëve të prekur nga përmbytjet në zonën e Shkodrës e kemi çuar përpara ne dhe do ta përfundojmë ne. Unë i siguroj që të gjitha detyrimet që qeveria shqiptare ka ndaj tyre, për të gjithë dëmet  e konstatuara në atë kohë dhe të regjistruara, do t’i mbajmë një më një, brenda këtij viti.

 Por nga ana tjetër është një rast shumë i volitshëm për të bërë një krahasim shumë të qartë midis kësaj qeverie dhe atyre që e pararendën këtë shumicë qeverisë në drejtimin e vendit. Ja ku jeni ju, komunitetet e prekura në gjithë këtë territor, të cilët që nga dita e përmbytjes e deri më sot  e keni pasur qeverinë dhe autoritetet shtetërore, - që nga autoritet qendrore deri tek autoritet vendore, - vazhdimisht në dispozicion për ta shlyer këtë detyrim nga fillimi deri në fund, sigurisht duke marrë kohën e nevojshme, sepse gjërat duan kohën e tyre.  Nuk është një gjë e lehtë të nxjerrësh para nga xhepat e Bashkimit Europian. Për të nxjerrë para nga xhepat e Bashkimit Europian duhet seriozitet i madh, duhet përgatitje, duhet dokumentacion, duhen shifra të sakta, duhen të dhëna të besueshme dhe mbi të gjitha duhet partneritet i besueshëm.

 Sot, unë kam ardhur këtu bashkë me ambasadoren, bashkë me ministrat, kryetarin e bashkisë, prefekten dhe të gjithë të tjerët që janë qenë pranë jush, që nga dita e parë, për të filluar me këtë proces dhe për të bërë një korrigjim në këtë proces. Sepse janë disa familje të tjera që nuk janë përfshirë në listë, që kanë pretendimet e tyre. Unë i siguroj edhe të gjithë të tjerët që do t’i përfshimë në këtë proces, pasi të bëjmë verifikimin e duhur. Nuk ka kuptim që një program i tillë, kaq i rëndësishëm në moralin e vet, në dinjitetin e vet, në solidaritet e vet të cenohet nga gabime apo harresa të kësaj natyre.

 Sigurisht nuk mbetemi me kaq. Ne nuk jemi një qeveri që rrimë aty në pritje të përmbytjeve që të kompensojmë dëmet. Kemi shumë gjera të tjera të përditshme për të bërë dhe jemi shumë të fokusuar për t’i dhënë një përmasë të re marrëdhënies së shtetit me fshatin dhe për t’i krijuar një rrugë të re familjeve që jetojnë në fshat dhe që jetën e tyre  e mbështesin tek toka.

 Kemi filluar procesin e dhënies së titujve të pronësisë familjeve të fermerëve. Këtu në këtë shesh kemi qenë, kur e kemi nisur këtë proces dhe ai vazhdon. I kemi dhënë fund 20 e kusur vite barrë e rëndë psikologjike për qindra dhe mijëra familje që janë në fshat, që e kanë tokën në zotërim dhe nuk e trashëgojnë dot, nuk e dhurojnë, nuk e shesin, nuk e kapitalizojnë dot nëpër banka, sepse nuk është e tyre. I kemi dhënë fund, duke hequr të gjithë procedurat burokratike, duke vënë në dispozicion topografët nga shteti. Tani çdo familje duhet të bëjë vetëm dy gjëra shumë të thjeshta; Të sjellë në bashki aktin e marrjes së tokës në përdorim që në vitin ’91-n dhe e dyta, të bëjë kërkesë e të thotë kjo është prova që unë e përdor këtë tokë dhe kjo është kërkesa që unë dua të bëhem pronar i kësaj toke. Ndërkohë që të gjithë procedurën e bën bashkia falas, që nga topografët, dokumentet, hipotekimi.

Me programin e ujitjes së këtij viti, që është programi më i madh i qeverisë në sistemin për ujitjen dhe kullimin, ne fusim në çdo bashki të re, mijëra hektarë tokë buke në punë. Tokë buke që nuk punohej dhe mbetej djerrë, ose mbillej vetëm me jonxhë e asgjë tjetër, me shpresën se  Zoti do jepte një ndihmë, në vend të bordit të kullimit, -  ishte bërë Zoti drejtor i Bordit të Kullmit. Janë mijëra  e mijëra hektarë tokë buke që tani janë të garantuar që do të ujiten dhe që do t’i japin mundësi mijëra e mijëra familjeve që të punojnë tokën e tyre dhe të prodhojnë.

Përveç mbështetjes tradicionale nga Ministria e Bujqësisë, nga AZHBR, me subvencionet apo grantet në skema të ndryshme, kemi ndërtuar një fond garancie shtetërore për të mbështetur me 300 milionë euro në tre vjet, kreditimin me interesa të favorshme për të gjithë fermerët. Kushdo që do të investojë për të zgjeruar fermën e tij, për të ndërtuar një linjë agropërpunimi, për të ndërtuar një serë, për t’u bashkuar me 5 të tjerë dhe për të investuar në një kulturë apo në një kulture tjetër, mund ta bëjë këtë, duke marrë kredi. Sot, kjo është e gjitha zinxhir. Pronarë të tokës, pronarë të shtëpisë, d.m.th njerëz me kapital në dispozicion, njerëz që shkojnë në bankë dhe mund të kërkojnë kredi. Jo njerëz që u thotë banka “kush je” dhe u dinë vetëm emrin dhe mbiemrin, sepse nuk kanë tokë, nuk kanë shtëpi dhe janë në ajër.

Duke shtuar këtu, edhe përftimin e madh që kanë pasur të gjithë ata që kanë marrë NIPT-in. E kemi thënë shumë qartë se ata që marrin NIPT-in përfitojnë. Të tjerë ju thoshin mos merri NIPT-in, rrini informalë se do t’ju marrin taksa, ndërkohë që duke  e marrë NIPT-in, ju përfitoni nga subvencionet, nga grantet, edhe nga kreditë.

Është i gjithi një projekt që kërkon kohën e vet. Këtu jemi në Vlorë, në vendin e padurimit. Atdheu i padurimit është në Vlorë, prandaj u ngrit dhe flamuri në Vlorë. E prandaj, edhe në Vlorë është më e vështirë se kudo tjetër që  njerëzit të presin dhe të shohin rezultatet. Kjo është gjë e mirë. Edhe unë jam i paduruar më shumë sesa kryetari i bashkisë së Vlorës, se e kam dhe unë një dell nga Vlora e thellë, ky është nga Vlora e cekët. Kështu që e kuptoj shumë mirë këtë gjë, por nuk e kuptoj dot, nëse dikush thotë se “çfarë po bëhet për Vlorën” 

 Çfarë po bëhet për Vlorën?
Këtu dua t’i kërkoj ndjesë ambasadores, pasi jam edhe deputet i Vlorës dhe do të dal pak nga bujqësia.

 Për Vlorën po bëhen investime që nuk janë bërë 20 e kusur vite. Sigurisht që Vlora kërkon më shumë, sepse Vlora është shkatërruar, është bërë copë e cikë. Mbi të gjitha, për shkak se nuk ka pasur kurrë mbështetjen që ka merituar nga qeveria në Tiranë, Vlora nuk ka mundur dot të rimëkëmbë asnjë sistem.  E patë përmbytjen e tmerrshme që ndodhi në qytet dhe që ishte e gjitha rezultat i një bllokimi total të gjithë sistemit të kanalizimeve. Një sistem i rrënuar mbi të cilin nuk është investuar, sepse nuk ka pasur mbështetje dhe i cili është bërë krejtësisht i pamjaftueshëm për shkak të mbingarkesës nga ndërtimet, nga shtimi i popullatës, etj..

 Me kthimin e shpresës dhe fillimin e konturimit të Vlorës moderne, - kur erdhëm ne, Vlora ishte bërë si xhep fals, duhet të futeshe si fshehurazi, sikur hyn në shtëpi nga dritarja, mbaronte autostrada, futeshe nëpër ca kallama, prisje majtas për të dalë djathtas dhe dilje në qytetin më të rëndësishëm turistik të Shqipërisë, - sot, ne po përfundojmë hyrjen në Vlorën e re turistike.

Po ashtu, po rikonceptojmë tërësisht rrugën Trans-ballkanike, e cila ishte katandisur në një shteg kamionësh, balte dhe rrënojash. Do të jetë një hyrje e plotë turistike, që do të rrisë vlerën e gjithë pasurisë së njerëzve në të dyja anët e Trans-ballkanikes. Habitem me disa tregtarë dyqanesh që ankohen se duan ta parkojnë makinën te dera dyqanit dhe harrojnë që hapësira publike përballë dyqanit rrit vlerën e dyqanit. Njësoj siç ankoheshin tek rruga e Durrësit, në fillim kur isha kryetar bashkie, pse po shtrohet trotuari, pse po vihen kangjellat se po na pengohet biznesi dhe në fund, të gjithë u bindën që ishte e kundërta.

Ndërkohë, Lungomare po merr formë. Nuk është një projekt që mund të bëhej sa hap e mbyll sytë.  E financon Bashkimi Europian dhe Bashkimi Europian nuk e ka origjinën në Vlorë, nuk është i padurueshëm, është shumë i duruar, do kohën e vet.

Nga ana tjetër është rruga “Dhimitër Konomi” që do të çlirojë të gjithë trafikun tek Lunogmare. Për pak ditë fillon rruga e Poliklinikës, që është një tjetër rrugë copë-copë. Rrugën e Spitalit e mbaruam. Kemi edhe një duzinë tjetër projektesh që do të fillojnë të realizohen. Edhe zonën historike të Vlorës, që është një pazar oriental i mbaruar, pa asnjë lidhje me shekullin ku jetojmë dhe me ambicien e Vlorës, do ta rindërtojmë tërësisht. Po kështu, projekte brenda qytetit, për të marrë qyteti, frymë dhe për të marrë qyteti, veten.

Këtu, unë kam ardhur me dëftesat financiare të parave, që janë grantet e kompensimit për mbulimin e dëmeve dhe për të ruajtur dhe kapacitetet prodhuese. Janë 3529 familje, plus edhe 40-50 familje të tjera që do të përfshihen me siguri në këtë skemë dhe 200 biznese që do të  përfitojnë drejtpërdrejtë para për të vazhduar aktivitetin e tyre, duke kompensuar dëmet që u janë shkaktuar. Bashkë me ambasadoren dëshiroj të fillojmë shpërndarjen në mënyrë simbolike të këtyre çeqeve, që ju do t’i merrni të gjithë, edhe kur të ikin kamerat, sepse ne nuk jemi ajo qeveri, jemi kjo qeveria tjetër, që vijmë edhe jashtë kamerave.


***
Nis procesi i kompensimit të fermerëve të dëmtuar nga përmbytjet e muajit shkurt të  vitit të kaluar. Janë 3529 familjeve fermere dhe 200 biznese që përfitojnë kompensimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga përmbytja, në vlerë totale prej 7.110 milionë euro, kontribut i Bashkimit Europian. Sot përfituan dëftesat financiare të kompensimit, fermerë në Novoselë të Vlorës, në bazë të vlerësimit të dëmeve të pësuara.  

 Kompensimi i dëmeve ishte një angazhim i menjëhershëm i qeverisë pas përmbytjes, për mbulimin e dëmeve bujqësore dhe për të ruajtur kapacitetet prodhuese të tyre, i cili u përmbush falë bashkëpunimit me Bashkimin Europian. E pranishëm gjatë dorëzimit ishte edhe ambasadorja e Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin.     

 Novosela është ndër zonat e vendit e prekur disa herë nga përmbytjet. Dëmet që kemi pësuar në çdo përmbytje, thanë fermerë të zonës, kanë qenë të konsiderueshme në çdo përmbytje, por asnjëherë më parë nuk jemi kompensuar. Ndaj për ne, kjo është një ditë e veçantë, u shprehën ata.   

 “Është e para herë se ne jemi përmbytur disa herë. Listat janë bërë gjithmonë, por nuk na kanë dhënë asnjëherë.” – u shpreh Lavdoshi, një prej përfituesve të grantit të kompensimit. Edhe për Tatjana Velajn, kjo është “një ditë e gëzuar që arrijmë marrim këtë dëmshpërblim. Kemi pasur dhe herë të tjera dhe nuk jemi dëmshpërblyer.” “Ne kemi kaq vite që mbytemi, por asnjë nuk është kujtuar për neve të na dëmshpërblejë,” - tha Thanas Rista.

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Microsoft: Irani po intensifikon përpjekjet kibernetike për ndikim në zgjedhjet amerikane