Fjala e plotë e Kryeministrit Rama në inaugurimin e Muzeut Marubi

Sonte, këtu përmbyllet një rrugëtim i gjatë, i rrezikshëm deri në zgrip të ekzistencës, i një thesari tragjikisht të injoruar për dhjetëra, e dhjetëra e dhjetëra vite. Një rrugëtim që nisi në brigjet e Italisë 160 vjet më parë, kur një burrë misterioz me emrin Pietro Marubi ngjiti shkallët e anijes për të kapërcyer Adriatikun dhe për të emigruar drejt brigjeve përballë, këtu në Shkodër, ku u shfaq në jetën e qytetit si zotnia i çuditshëm, me arkën e zezë me tri këmbë në shpinë. I cili me atë arkë hynte dilte nga dera e një dugaje, që mori emrin fort të çuditshëm “Dritëshkronja”.

Nuk ka asnjë të dhënë që “signor Pietro”, emigranti nga Italia, një revolucionar karbonarist, i ikur prej atyre anëve për shkak të persekutimit, të ketë hasur ndonjë vështirësi për të bërë letrat këtyre anëve tona dhe për t’u kthyer në “zoti Pjetër”, i pari i një dinastie dritëshkruesish shkodranë, të cilët mblodhën në kutinë e zezë me tri këmbë, thesarin e kujtesës pamore të kohërave shqiptare që jetuan.

Askush po ashtu nuk di ta thotë çfarë e shtyu signor Pietro-n të shndërrohej në zoti Pjetër, në një vend si ky, prej ku Italia është parë gjithnjë me adhurim dhe italianët janë mirëpritur gjithnjë si kushërinj të parë. Por çka dimë është se virtuozi Kel Marubi nuk është djali në gjak, por biri në dritë i Pjetër Marubit.

Ismail Kadareja thotë se ishte një rast shumë i rrallë, kur i zoti i një ndërmarrjeje, në vend t’i vinte ndërmarrjes emrin e vet, mori emrin e ndërmarrjes. Babai në gjak i Kelit ishte një malësor, Rrok Kodheli, i cili zbriti në Shkodër dhe çoi në dugajën e zotit Pjetër, djalin e tij Matij. Por 19 vjeç, Matija vdiq nga një sëmundje e rëndë dhe ai, Rroku, këmbënguli që ta zëvendësonte me një tjetër djalë, 15-vjeçarin Mikel.

Dhe Mikeli ishte ai që më pas u bë pas u bë Kel Marubi i famshëm, që njërin ndër 5 fëmijët e vet, Gegën, e çoi në Francë në moshën 17 vjeçare. Mendojeni pak, sesi e çoi në Francë; Falë miqësisë që kishte me Vëllezërit Lumière. Dhe e regjistroi si studentin e parë të huaj në shkollën e parë fotografike në botë, shkollën e vëllezërve Lumière në Paris.

Gega u kthye me më shumë dituri teknologjike se i ati që kishte lënë këtu dhe në fakt ishte Gega që e nxori syrin e aparatit përtej pozave apo atyre që pozonin, tek peizazhet dhe tek natyra përreth.

Në 1937-ën, Ahmet Zogu e fton Gegën, bashkë me një grup fotografësh, për 25-vjetorin e Pavarësisë, për kremtimet e asaj feste. Ndërkohë që Gega ishte i pari shqiptar fotograf që kishte marrë një fletë nderi në panairin e “Fiera del Levante” dhe më pas medaljen e arit në Panairin e Selanikut. Bash në atë vit, kur ai shkon në Tiranë, me ftesë të Mbretit Zog, çel dhe ekspozitën e parë personale fotografike në historinë e vendit tonë.

Në 1949-ën, studioja e famshme shtetëzohet dhe po atij viti i përket një fotografi e jashtëzakonshme e njërit prej 5 të famshmëve të Shkodrës, që ishin Gegë Marubi, Shan Pici, Dedë Jakova, Pjetër Rraboshta dhe Angjelin Nenshati dhe ky i fundit i fotografon kolegët e tij, në një foto që është ngrirja përfundimtare e Gegë Marubit, i cili mbylli aparatin dhe nuk fotografoi më.

Në 1970-ën, Gega dorëzon fondin tek partia dhe në 1984-ën vdes. Pak ditë përpara se të vdiste, i beson një mikeje, një pjesë deri atëherë të fshehtë dhe të panjohur nga askush të koleksionit, të cilën ia kishte mbajtur të fshehtë edhe vetë partisë, nudot. Nudot e bëra këtu në Shkodër midis viteve 1927 dhe 1940.

Kjo është shkurtimisht historia. Ndërkohë që ajo që vlen përtej kronologjisë është përgjigja e pyetjes, pse Pietro Marubi erdhi në Shkodër dhe pse saga e Marubëve nuk mund të kishte asnjë skenë dhe asnjë sfond tjetër, përveçse Shkodrës në këtë anë të Adriatikut.

Shkodra ishte metropoli i parë ekonomik i një Shqipërie ende thellësisht otomane. Shkodra ishte një qytet i guximshëm tregtar, që në atë kohë shkëmbente marrëdhënie tregtie me Kosovën, me Malin e Zi, me Serbinë, me Venecian dhe me Triesten dhe tregjet e tyre si një treg me famë. Shkodra ishte një hapësirë e një gjeopolitike intensive dhe një shtëpi konsullatash të rëndësishme. Në kohën kur erdhi Pietro Marubi këtu, edhe ambasadorët Vlahutin dhe Donald Lu do ta kishin zhvilluar këtu aktivitetin e tyre intensiv konsullatë më konsullatë dhe parti më parti.

Shkodra ishte habitat i përsosur mes ujërash, fushash dhe rrethinash malore. Shkodra ishte pikëtakimi më pjellor mes kulturave dhe trajtave të ndryshme të besimit në Shqipëri. Por Shkodra ishte dhe vend shkollimi dhe edukimi, dhe të mos harrojmë se bashkë me Durrësin ishte më e vjetra. E në fund të fundit, Shkodra ishte ajo që Migjeni e quan “dashunorja e shekujve”.     

Nga ana tjetër ka një pyetje tjetër, si ka mundësi që arka e zezë që mblidhte pa pushim fytyrat e njerëzve të kësaj hapësire, nuk u dogj bashkë me Pjetër Marubin dhe bijtë e tij në dritë nga fanatikët sepse nuk duhet të harrojmë se në atë kohë Shkodra ishte pjesë e një perandorie ku imazhi, riprodhimi i imazhit të njeriut kosiderohej mëkat. Në fakt, jo vetëm askush nuk ngriti dorën në emër të moralit kundër mëkatit ndaj Marubve, por shkodranët u dashuruan me Marubët, me artin e tyre. Katolikë, ortodoksë, myslimanë, bektashinj, burra e gra, nga më të pasurit, deri nga më të vobektët, qytetarë nga ata prej shekujsh në zemër të Shkodrës, apo malësore mbi e nën Shkodër, zejtarë dhe bujq, njerëz ndër festa e ndër morte, burra në luftë e në gjaqe, zonja më një bukuri tronditëse dhe me vështrime si nga një botë tjetër, hyjnë të gjithë me radhë përmes syrit të arkës së zezë, në këtë arkiv të jashtëzakonshëm të kujtesës pamore. Pra, përfytyrojeni se sa do të mund të dinim ne se si ishin, si dukeshin, si rrinin, si visheshin njerëzit e asaj kohe, nëse kjo dinasti nuk do të kishte ekzistuar. Dhe është e pamundur të mos mrekullohesh kur mendon se 160 vjet më parë me një bashkëkohësi të jashtëzakonshme në rang europian filloi këtu, në këtë vend të krijohej arkivi i kujtesës vizuale përmes gjurmëve të dritës në një pllakë qelqi. Fiks në të njëjtën kohë, në sinkron kur kjo ndodhte në Paris apo diku tjetër në Europë dhe fiks që në hapin e parë të lindjes së fotografisë. Ndër rreth 500 mijë negativë fotografike që trashëgojmë sot mund të shikojmë portretet e prijësve, mund të shikojmë kush ishin dinjitarët, mund të numërojmë çetat e luftëtarëve të lirisë, flamurin kombëtar të valëvitur për herë të parë. Mund ta shohim po përmes këtyre negativëve dokumente themeltarë të shtetit. Fytyrat, veshjet, qëndrimet e udhëtarëve, që vijnë nga larg. Peizazhet, skenat e festave, jetën qytetase, por ka dhe diçka akoma më të fortë pikërisht se ndoshta më e brishte dhe më njerëzorë dhe krejtësisht në kontrast me atë kohë. Gjithë pamja e interierëve, e ceremonialeve, e pozave familjare, pjesëmarrja e të gjithëve përballë arkës së zezë me një sinqeritet, gati-gati naivitet mahnitës, si në një skenë pa mbarim teatri ku që nga burrat më të shquar deri tek fëmijët kanë të njëjtin vështrim; të gjithë si fëmijë përballë aparatit. Apo gratë dhe zonjushat me cigare të pandezura, si për të përçuar një mesash, me shikim ëndërrues dhe me një erotizëm të zbuluar aq sa kushdo ta shohë, por askush mund të mos e thotë. Është e pamundur që të shohësh çka kanë mbledhur në arkën e tyre Marubët dhe ti shmangesh pyetjes: “Si paskemi qenë?”  Sepse ndryshe nga ç’na është thënë se kemi qënë, në fakt zbulojmë se kemi qënë europiane, me po ato dëshira, me po ato pasione, me po ato banda muzikore, me po ato biçikleta, me po ato veshje, me po atë elegancë që do sodisnim habitshëm fotografitë e të njëjtës kohë të perëndimoreve të largët, me po ato teka të modës, të sqimës, me kapelet, me bukletat me stërhollimet me joshjet, me intimitetet , me gjithë jetën emocionale të një Shqipërie tjetër. Të një Shqipërie vërtetësisht njerëzore që u mblodh në arkën e zezë, e paprekur nga çdo retushim ideologjik.

E në fakt bota që na kanë lënë Marubët dhe gjithë nxënësit e tyre shkodranë i ngjan një database ideale, në të cilën mund të bëhet çdo kërkim, çdo hulumtim, çdo udhëtim në Shqipërinë “si ka qënë”, pa qënë i marrë përdore nga historianë që tregojnë të vërtetën e tyre apo pa qënë në pozitën e vështirë të të parit të vendit tënd, përmes syve të të huajve.

E me të drejtë dikush i ka quajtur Marubët staticienë gjeniale të asaj epoke. E në fakt Marubët ishin gjithçka që komunizmi nuk ishte. E komunizmi ishte gjithçka që Marubët nuk mund të ishin. Kadareja thotë pak a shumë që syri i aparatit të tyre u mbyll kur filloi të shpërfaqej panorama e komunizmit, tamam si sytë e njeriut që mbyllen se nuk duan të shikojnë një mënxyrë. E ne të gjithë jemi dëshmitarë, ne pasardhësit e zotit Pjetër, jo të “signor Pietro”-s, të fotografisë së famshme të Kel Marubit me Enver Hoxhën në ballkon, të origjinalit dhe pastaj të fotografisë së retushuar nga partia, ku në origjinal Enver Hoxha shfaqet në ballkon me një grup shokësh dhe në fotografinë zyrtare shfaqet vetëm e në vend të shokëve është muri.

Si mundet dinastia e Marubëve të vazhdonte përballë gomës së retushimit që fshinte kujtesën. Në ‘90 Marubët u rikthyen, por u rikthyen në  një formë shumë të çuditshme, ndërkohë që thesari vazhdoi rrugëtimin e tij të rrezikshëm drejt degradimit dhe me rrezikun që të asgjësohej. Ata u rikthyen mes botimesh sporadike, u rikthyen dhe në mjedise publike. Më kujtohet kur unë u bëra ministër kulture vendosa fotografi të zmadhuara me herë të Marubëve, në mjediset e Ministrisë së Kulturës dhe efekti ishte njësoi siç citon në librin e tij të njohur të quajtuar “autoportret” fotografi i madh Man Ray, kur përshkruan takimin e parë me personalitetin e famshëm të arteve të viteve ‘20 Gertrude Stein.  “Zonja Stein dhe Alice B. Toklas u ulën të dyja në kolltuqe të mbuluara me çorga që ngatërroheshin me fustanet e tyre. Dhoma ishte  plot me mobilie masive të llakosura prej Italie dhe Spanje. Mbi to  mund të shihje xhingla-mingla porcelani apo vazo me lule lëndinash. Një kryq i madh ndante dy radhë dritaresh. Mu sipër tyre veçse, në një mur të bojatisur thjesht vareshin tablotë Cézanne, Matisse, Pratt dhe Picasso. Në pamje të parë këto tablo dukeshin fare pak të pajtueshme me dekorin dekadent poshtë tyre. Me siguri, Gertrude Stein donte të provonte që bashkëjetesa mes dy elementëve ishte e mundur. Këto tablo revolucionare le të themi, puqeshin jo fort keq me mbeturinat.  Kështu puqeshin jo fort keq, në çdo mjedis ku ekspozoheshin në mënyrë spontane, tablotë revolucionare të fotografive të Marubëve. Dhe ishin revolucionare dhe mbeten revolucionare, sepse janë përtej çdo perdeje ideologjike, janë përtej çdo perdeje që ngre, ka ngritur, apo do vazhdojë të ngrejë përpara syve tanë një shkollë, apo një shkollë tjetër, apo një shkollë tjetër të të parit të botës dhe të të kuptuarit të fotografisë.

Si përfundim, ja ku erdhëm në momentin kur kemi kryer një inventar të plotë në një hambar prej gati 500 mijë negativësh, pa folur për objekte, dokumente, regjistra, telegrame, aparate fotografikë, dëshmi fantastike të historisë së fotografisë në vendin tonë. Kemi dixhitalizuar më shumë se 100 mijë fotografi.

E nisëm me muzeun virtual, para se të vinim tek ky muze real. Me muzeun në rrjet, si një hapësirë pa kufi për t’i krijuar mundësi të gjithë bashkëkombësve të hedhin sytë në këtë mrekulli të panjohur.

Ndërsa këtë godinë e gjetëm bina bosh, të djegur, me një dry të madh e të ndryshkur në derë dhe me një oborr pas që ishe i mbushur me ferra. Ndërkohë një pjesë e oborrit, siç ndodh rëndom, ishte “tokë e zanun” mu në mes të Shkodrës  dhe nën hundën e të gjithëve, në një godinë të blerë nga shteti.

Dhamë fjalën që do të riktheheshim, kur të kishim ndërtuar një shtëpi të denjë për thesarin që vazhdonte të përpëlitej dhe që në fakt, sot është i shpëtuar falë një grushti njerëzish. Një grushti njerëzish, emrat e të cilëve mund të mos merren vesh kurrë, por që janë po kaq të rëndësishëm, sa të gjithë personazhet e botës së Marubëve, sepse janë nga ky qytet, gra, burra, vajza e djem, që pavarësisht se nuk kishin asnjë mbështetje dhe asnjë mundësi reale, e shpëtuan thesarin nga lagështira, pluhurat, nga asgjësimi.

Nga ana tjetër, kjo është një punë e përbashkët, një bashkim forcash mes shumë partnerëve. Ministra përmendi njërin prej partnerëve, unë do të shtoja Bashkimin Europian, se përmes fondeve IPA, Fondi Shqiptar i Zhvillimit u bë kontributor kryesor në këtë përpjekje, do të shtoja qeverinë zvicerane, PNUD-in. Patjetër që do të rinënvizoja se të gjitha këto forca të bashkuara nuk do të kishin bërë asgjë, nëse nuk do  të ishte ai grusht njerëzish që e mbajti në zemër dhe në krah, me mish e me shpirt, me shumë sakrifica, përmes shumë pengesash, thesarin, për ta sjellë deri këtu.

Marubët ishin pionierë, kishin një vokacion për të qenë të parët. Unë dua shumë të shpresoj që edhe muzeu i tyre do të jetë i pari i një gjenerate të re muzeumesh. Shumë shpejt, ne do të inaugurojmë një tjetër muzeum të ri, Muzeumin e Artit Mesjetar në Korçë, për një tjetër thesar që njësoj si thesari i Marubëve u braktis dhe u la në mëshirën e fatit. Thesar të cilin ne e kemi rivënë në kontroll dhe do ta ekspozojmë në kushtet më të mira europiane. Ashtu sikundër, edhe muzeu i rihapur i arkeologjisë në Durrës është një shembull.

Të tjera ide do të çojmë përpara dhe gjithmonë me dëshirën që të mos dukemi keq në sytë e atyre për të cilët ndërtohen muzeumet. Jo në sytë e atyre që i vizitojnë, por në sytë e atyre re që janë arsyeja. Besoj që sot, zoti Pjetër, i biri i tij “në dritë”, Kel Marubi, Gega, i fundit i dinastisë që u largua nga kjo botë me hidhërimin e thesarit të humbur, do të prehen përfundimisht të qetë. Këtu në zemër të Shkodrës, thesari është përfundimisht i sigurt dhe i hapur për të gjitha gjeneratat e këtij qyteti dhe të këtij vendit dhe për të gjithë ata që vijnë nga larg dhe këtu do të shikojnë se Shqipëria e europianëve, e myslimanëve dhe e të krishterëve, Shqipëria europiane e luftëtarëve të dikurshëm dhe e studentëve të sotëm nuk është një utopi, por është një realitet që neve na duhet vetëm ta kalojmë nga fotografia në jetën e përditshme të atdheut tonë.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Spahiu thirrje: Rama dhe Kurti të fillojnë bashkimin e Shqipëri-Kosovë në një shtet kombëtar