Fjala e plotë e kryeminstrit Rama

Ne bëjmë shumë konferenca dhe seminare prej shumë vitesh dhe nuk janë të shpeshta rastet kur këto mbledhje vërtet ia vlejnë dhe janë edhe më të pakta rastet kur këto mbledhje të lënë ndonjë gjurmë. Por ky është një nga ato raste të pakta, kur një takim, më shumë sesa i brendshëm, por në nivel rajonal, ia vlen për të çuar përpara një proces historik, siç është Procesi i Berlinit që zhvillohet jo thjesht në nivelin më të lartë, bazuar në ndërveprimin mes autoriteteve më të larta të vendeve të rajonit dhe atyre të Bashkimit Europian, por edhe në nivele të tjera.

Besoj që vlera më e rëndësishme e këtij procesi është pikërisht ajo që ndodh në nivele të tjera, sepse ka një perceptim shumë të gabuar të procesit, kur bëhet fjalë për çfarë do të përfitojmë nga ky Proces. Shumëkush e sheh këtë proces si një mundësi për të marrë para nga Bashkimi Europian. E ka gabim!

Sigurisht që financimi i projekteve të mëdha të përbashkëta, që janë domosdoshmëri për këtë bashkëpunim të ri rajonal, është i domosdoshëm, por ne duhet ta harrojmë që Bashkimi Europian është bujar. Nuk është një organizatë bujare, madje do të thosha është një organizatë koprrace. Të besosh se mund të marrësh para lehtë nga Bashkimi Europian, do të thotë të besosh në një iluzion. Dhe kur them që është një organizatë koprrace, nuk e them në kuptimin keqësues, por për të nënvizuar që me Bashkimin Europian dhe në Bashkimin Europian ka mundësi të jashtëzakonshme, por ka edhe detyrime të jashtëzakonshme dhe duhen plotësuar më parë detyrimet, për të shfrytëzuar mundësitë.

Ne jemi të vetëdijshëm që ne na ka ndodhur, përsëri si ballkanas, të jemi pjesë e një paradoksi. Pikërisht kur ne u bëmë gati të sillemi si europiane, europianët janë gjithmonë e më konfuzë lidhur me Bashkimin Europian. Kjo paqe e ky bashkëpunim nuk na qëlloi në kohën më të mirë. Aq e vërtetë është kjo, sa mjafton të shikoni se çfarë ndodhi me krizën e refugjatëve. Vende jashtë Bashkimit Europian si Serbia u sollën shumë më mirë, në raport me vlerat europiane, sesa vende brenda Bashkimit Europian dhe nuk po përmend emra, se do të duhej të përmendja shumë.

Nga ana tjetër është domosdoshmëri që ne ta luftojmë e çmontojmë perceptimin që Procesi i Berlinit është një garë ku vendet vrapojnë se kush do marrë më shumë para nga Bashkimi Europian. Nuk është kështu, nuk funksionon kështu dhe nuk ka për të ndodhur kështu. Ne kemi vendosur një hartë përpara, për rrugën që do ndjekim dhe deri tani kemi qënë më të shpejtë sesa Bashkimi Europian. Kjo është normale. Ne kemi nevojë të vrapojmë, ata nuk e kanë të nevojshme të vrapojnë për ne. Ne vrapojmë për veten, me njeri-tjetrin. Ata janë në një situatë të ndërlikuar dhe sigurisht, mbështetja që i kanë dhënë Procesit është i një rëndësie historike të jashtëzakonshme, por paratë që duhen, për të financuar projektet e përcaktuara si prioritete, do të vijnë pjesë-pjesë dhe nuk do të jenë kurrë aq sa i imagjinon fantazia jonë kolektive.

Ka edhe një gjë tjetër, që është shumë e rëndësishme; ajo që ne mund të bëjmë pa para, për të prodhuar më shumë para. Dhe ajo që ne mund të bëjmë pa para, për të prodhuar më shumë para, është ajo që ne mund ta bëjmë dhe duhet ta bëjmë, pa pasur nevojë për Bashkimin Europian. Nuk është Bashkimi Europian që na pengon të liberalizojmë me shpejtësi marrëdhëniet tregtare, të rrëzojmë me shpejtësi barrierat jo-tarifore, ta kthejmë rajonin tonë në një zonë që funksionon si të ishte pjesë e Bashkimit Europian, pavarësisht se nuk është në Bashkimin Europian. Nuk është Bashkimi Europian që na pengon që ne të shkojmë përtej CEFTA-s dhe të bëjmë të mundur që prodhuesit, eksportuesit, tregtarët e të gjitha vendeve tona të mos kenë kufi dhe të mos kenë nevojë për aq palë dokumente, autorizime, licenca dhe vërtetime, saç janë kufijtë që duhet të kalojnë.

Nuk është shkencë e lartë për të konkluduar që, në rast se ne do të ecim me shpejtësi në këtë drejtim, do të jemi më të pasur, njerëzit tanë do të përfitojnë më shumë, vendet tona do të përfitojnë më shumë dhe ekonomia jonë do të rritet më shumë. E gjitha kjo do të ndodhë, pavarësisht se “sa” dhe “si” do të ecin projektet që lidhen drejtpërdrejtë me vullnetin dhe financimet europiane. Kjo do t’i japë çdo vendi të rajonit dhe vetë rajonit, një besueshmëri më të madhe, një seriozitet më të madh dhe do të na marrim me të drejtë më seriozisht.

Ne kemi filluar një proces me Kosovën dhe kemi parë të dyja anët e medaljes, kemi parë përfitime të ndjeshme. Eksportet tona me Kosovën, falë disa hapave që kemi ndërmarrë, për të rrëzuar barrierat administrative dhe për unifikuar procedurat, janë rritur 238% në vitin 2015. Po ashtu, eksportet e Kosovës me ne kanë pësuar një rritje simetrike. Parafytyroni sikur kjo të ndodhë me të gjitha vendet dhe sikur, pa asnjë paragjykim, ne t’i shkrijmë kufijtë për njerëzit, për mallrat dhe për çdo ndërveprim.

Nuk është aspak e vështirë të arrihet në konkluzionet që u bënë prezent nga Banka Botërore në takimin e shkuar në Vjenë, ku vetëm përmes një harte masash administrative dhe përmes një sërë marrëveshjes mes vendeve mund të çelet një kapitull i ri në ekonominë tonë kombëtare, respektivisht edhe rajonal. E ky ka qënë propozimi i Shqipërisë për takimin e radhës në Paris, për të cilin unë i jam mirënjohjes Bankës Botërore, që me gatishmëri pranoi të koordinoi këtë përpjekje mes të gjitha vendeve, përmes zyrave në çdo vend dhe falë lidershipit të Drejtores Rajonale të Bankës Botërore dhe të gjithë drejtorëve të zyrave të Bankës Botërore në çdo kryeqytet.

Jam i bindur që, nëse ne do t’ia dalim dhe besoj do t’ia dalim, të paraqitemi në takimin e  Parisit me një dokument të dakordësuar në nivelin teknik, që ta dakordësojmë në nivelin politik mes gjithë kryeministrave, për të çelur një proces rrëzimi të barrierave jo-tarifore dhe pengesave të panumërta burokratike mes vendeve, ne do të kemi një impakt të menjëhershëm në ekonomi, në tregti dhe në të gjithë procesin e ndërveprimit në nivelet e tjera.

Kemi arritur një gjë shumë të madhe që, në rast se unë takohem me kryeministrin serb, nuk është më lajm. Duhet t’i thërrasim dhe t’i presim gazetarët, jo siç ishte vetëm 2 vite më parë. Ky është normalizim i pabesueshëm, me sytë e dy viteve më parë. Por kjo është e kaluar. Koha e fotove historike iku. Tani është koha e ndërtimit të marrëdhënieve në të gjitha nivelet e tjera dhe e funksionimit normal të marrëdhënieve mes niveleve të tjera.

Mund të dakordësojmë shumë në nivelin politik, por mund të mbetemi në të njëjtën situatë të pandryshuar, nëse nuk krijojmë kushtet për bashkëpunim dhe dakordësim në nivelet e tjera, pra, nëse agjencitë dhe institucionet e tjera nuk funksionojnë me të njëjtin vullnet dhe nuk çelin rrugët e bllokuara nga burokracitë, ligjet, marrëveshjet e pamjaftueshme të të shkuarës.

 Në këtë aspekt ka një rëndësi themelore edhe mundësia për të mësuar nga njëri-tjetri, për të mësuar nga eksperiencat e njëri-tjetrit dhe për të parë se si gabimet e bëra tek tjetri të evitohen në secilin nga vendet tona, ashtu sikundër për të marrë eksperiencat më pozitive.

 Edhe ky hap për lejet elektronike të ndërtimit është një hap përpara që Shqipëria bën dhe që shkon në të njëjtin drejtim me vendet e tjera. Për ne ka qenë më e vështirë. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ka një trashëgimi shumë të rëndë në raport me bazën e të dhënave të pronës dhe në raport me bazën e të dhënave të territorit.

Territori i Shqipërisë, në këto 20 e kusur vite ka pësuar një transformim dramatik. Mjafton t’ju them se në këtë territor janë zhvilluar afro 400 mijë ndërtime pa leje, që i kanë zhvleftësuar plotësisht të gjitha strategjitë, planet, projeksionet e të ardhmes në letër dhe i kanë hedhur në lumë të gjitha paratë, milionat e miliardat, e shpenzuara për strategji, për plane e projeksione, pasi zhvillimi në territor ka qenë shumë më i shpejtë sesa aktivizimi i planeve. Në rast se do të bënim një muze të Shqipërisë së planeve të këtyre 25 viteve dhe të Shqipërisë reale, do të shikonim dy botë pa asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Do të shikonim që përqindja e zbatueshmërisë së strategjive dhe planeve në letër, të të gjitha natyrave, për zhvillimeve në territor do të ishte afër zeros.

 Ne trashëguam një bazë fillestare për funksionimin dixhital, por ishte njësoj si një zonë ndërtimesh pa leje, ku çdo sistem në një agjenci apo tjetër nuk ndërvepronte me tjetrin. Krijimi i bazës së ndërveprimit ka qenë sfida jonë e parë. Tani është një sfidë që vazhdon, duke shtuar komponentët e kësaj baze.

 Komponenti i lejeve të ndërtimit është një komponent i ri që shtohet dhe që u jep mundësi të gjithë atyre që duan të ndërtojnë të aplikojnë online dhe të përfitojnë nga sistemi, një përgjigje jo më vonë se 45 ditë. Sistemi është ndërtuar i tillë që e detyron administratën të përgjigjet, ose e vë përpara përgjegjësisë që të shpjegojë mospërgjigjen.

Në këtë aspekt është një tjetër shembull, nga miliona shembuj që mund të përdoren, se si është modernizimi që lufton korrupsionin dhe se si është krijimi i një sistemi të besueshëm që e bën korrupsionin të pafuqishëm si alternativë për qytetarin. Nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet, por janë sistemet që korruptojnë njerëzit. Nëse sistemet nuk janë të besueshme, atëherë është e kotë që të besojmë se korrupsioni mund të zmbrapset.

 Korrupsioni nuk është një fenomen as shqiptar, as ballkanik. Është krejtësisht e pavërtetë të mendosh se shqiptarët apo ballkanasit janë nga natyra më të korruptueshëm sesa gjermanët apo francezët. Le t’i sjellim 50 gjermanë nga administrata gjermane dhe t’i çojmë në disa pika të pa modernizuara të sistemit dhe të presim 41 ditë. 40 ditë rezistoi Krishti. Ditën e 41-të, unë ju siguroj se nuk do ketë gjerman që nuk do jetë ballkanizuar dhe shqiptarizuar në këtë aspekt. Ashtu sikundër, nëse çojmë 50 shqiptarë apo ballkanas në Gjermani, edhe gjithë jetën të rrinë atje, nuk do të kërkojnë kurrë një bakshish në administratën gjermane, sepse është e pamundur. Është sistemi që e bën të pamundur, jo njerëzit. Ndryshe, shqiptarët do të udhëtonin edhe në Gjermani pa rrip sigurie. Por nuk e imagjinojnë. Sa hipin në makinë, vënë rripin e sigurisë. Ndryshe, ne nuk do kishim parë gjermanë këtu, që udhëtojnë pa rrip sigurie. Por kjo ndodh. Për të mos fol për italianë dhe grekë, se aty jemi në të njëjtën familje.

Me futjen e këtij sistemi, ne krijojmë kushtet që zhvillim në territor të fillojë të përputhet mes planeve dhe të realitetit. Ko ka qenë edhe arsyeja e bllokimit të plotë të lejeve të ndërtimit për një periudhë kohe, kur në mënyrë shumë agresive kërkuam fundit e epopesë së ndërtimeve pa leje. Sot, ne nuk mund të pretendojmë se nuk ka akoma shqiptarë që bëjnë llaç për të vënë tulla pa leje, por fenomeni është neutralizuar. Ne do vazhdojmë betejën kundër ndërtimeve pa leje dhe për të pastruar hap pas hapi, ato ndërtime pa leje që pengojnë zhvillimin normal të zonave të banuara apo të zonave turistike. Tani jemi në kushtet kur mund t’i japim një hop të ri zhvillimit të qëndrueshëm, duke përputhur çfarë planifikohet, çfarë lejohet ligjërisht dhe çfarë realizohet në realitet.

Ajo që ka ndodhur është që jo vetëm ndërtimet pa leje, por dhe ndërtimet me leje kanë brenda, në 99% të rasteve, mëkatin e diçkaje pa leje. Vetëm ato metra katrorë të shtuara pa leje në ndërtimet me leje në Tiranë do të ishin të mjaftueshme për të ndërtuar një qytezë të dytë në përmasat e bashkive të vogla të Shqipërisë.

Edhe këtu, sfida është për të përputhur atë që projektohet nga arkitektët me atë që miratohet nga bashkitë dhe me atë që ndërtohet nga investitorët nuk është e lehtë. Është shumë e vështirë. Është kaq e vështirë, sa kur ne çuam në parlamentin e Shqipërisë, propozimin që një metër katror pa leje në një ndërtim me leje e bën ndërtimin të paligjshëm dhe për këtë arsye të shembshëm, nuk kaloi. Pra, subjektiviteti dhe kreativiteti i ndërtuesit konsiderohet ende një e drejtë e ligjshme e autorit në Shqipëri.

Tani do të bëjmë tentativën e dytë, sepse kemi pasur shumë ankesa dhe kërkesa nga kryetarët e bashkive, për t’i dhënë fund këtij devijimi, këtij deformimi, këtij shqiptarizmi të kuptimit të ligjit nga ana e ndërtuesve, duke e bërë të qartë me ligj se mund të ndërtosh vetëm atë për të cilën je i lejuar. Nuk mund të ndërtosh ballkone pa leje; nuk mund të ndërtosh kate pa leje; nuk mund të ndërtosh anekse pa leje; nuk mund të ndërtosh asgjë pa leje. Përndryshe, në rast se ndërton, i gjithë objekti është pa leje, është i paligjshëm. Me ligjin aktual duhet që shteti të prishë vetëm atë pjesë që ti ke pa leje, domethënë, duhet që shteti të investojë për t’u kacavjerrë deri lart, me mjete të sofistikuara dhe duke qenë i kujdesshëm që duke prishur pjesën pa leje, të mos prishë atë me leje.​

Kjo është një çmenduri, të cilës unë shpresoj që t’i japim fund një orë më parë. Asnjë metër katror i palejuar nuk është i atij që bën të fortin, por është i komunitetit.

Shumë faleminderit dhe dua t’i uroj mirëseardhjen të gjithë atyre që janë këtu, të pranishëm. Disa janë fytyra të njohura miqsh nga zonat “armike”, disa janë fytyra të reja, por të gjithë këtu janë të mirëseardhur dhe të falenderuar me respekt për kontributin që japin në nivelet e tjera, për ta çuar përpara një proces bashkëpunimi mbi bazën e një paqeje që na takon ne ta bëjmë një paqe që ia vlen të jetohet.

Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Plagosje, aksidente dhe dhunë në familje, 12 të arrestuar brenda 24 orëve në Tiranë! Një i vdekur dhe 5 të plagosur