Fjala e plotë e kryetarit i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj 

E çmoj shumë në fakt takimin e sotëm, ndoshta si një moment ngritje fondesh dhe ngritje interesi për bashkitë, jo vetëm të shoqatës sonë që ka përfaqësimin e 46 bashkive në Shqipëri nga të cilat ato 30 bashki për të cilat po flasim sot, 21 janë anëtare të Shoqatës sonë për Autonominë Vendore. Kjo do të thotë se kemi një pjesë të madhe, të konsiderueshme të anëtarësisë sonë që ka një interes specifik në procesin që ka nisur sot.
 
Ne në traditën e mirë të Bashkisë së Tiranës, “Adopto një kopsht”, “Adopto një çerdhe”, ndoshta sot bën që shumë përfaqësues të ambasadave të adoptojnë një bashki dhe ndihmoni që të ketë një plan vendor. Por përtej batutës, doja që të vendosen disa gjëra në kontekst, ndoshta edhe për ata që po konsiderojnë të përfshihen në një proces marrëdhëniesh donatorësh me bashkitë e reja në konfigurimin e ri që kanë këtë nevojë. Konteksti i sotëm për t’u përfshirë në këtë sipërmarrje është shumë i ndryshëm nga konteksti i djeshëm. Madje edhe vetë emri i shoqatës sonë, Shoqata për Autonominë Vendore sot ka realisht një kuptim të mirëfilltë sepse kemi një autonomi vendore.
 
Për shumicën prej jush që nuk keni qenë në Shqipëri, përpara disa vitesh ishte normale që qeveria merrte eskavatorë, vare dhe turma histerike për të prishur punë publike të bashkive. Sot fatmirësisht, me këtë qeveri kjo nuk ndodh dhe duhet t’i japim Çezarit çfarë i takon Çezarit. Bashkitë gjithmonë kërkojmë më shumë autonomi por të paktën është ndërprerë një kulturë mesjetare ku qeveria qendrore përfshihej në shkatërrimin fizik që të kujtonte revolucionin kulturor të prishjes së kishave dhe xhamive në ’67, të punëve publike të bashkive për pikë të caktuara politike të momentit. Kjo fazë për veshët tuaj tingëllon si një histori ‘përrallë nga e kaluara’, fatmirësisht edhe për veshët tanë.
 
Pra kanë kaluar disa vite kur qeveria krijon një distancë dhe lejon bashkitë të bëjnë punën e tyre. Nëse gjithë spektri politik, pra edhe parti të tjera joqeveritare do të ndiqnin këtë risi, pra të mosvandalizimit të punëve publike, unë besoj që konteksti mbi të cilin do të punonim do të jetë shumë më i shëndetshëm. Besoj i keni parë dhe skenat në Tiranë. Unë vetë në takimet bilaterale me ju nuk kam gjetur fjalët e duhura në anglisht për të shpjeguar pse një deputet shkon me pistoletë, si kaubojs për të prishur këndet e lojërave që janë projekte të bashkisë, por me shpresë se edhe këto do të bëhen gjithashtu përralla nga e kaluara dhe do të kthehen në anekdota dhe jo një trend në Shqipëri dhe në bashkitë e tjera ku ju prisni që të përfshiheni.
 
Kështu që duke pranuar se këto janë përjashtime nga rregulli dhe jo rregulli i punëve publike në Shqipëri, besoj që dhe konteksti mbi të cilin do të punoni, me mbështetjen që do të keni nga qeveria shqiptare, besoj që janë të gjitha lajme të mira dhe inkurajuese për t’u përfshirë në disa prej këtyre bashkive që në fakt nevoja për financim edhe për çështje të numrit të popullsisë dhe të terrorit, janë shumë më modeste se bashkitë e mëdha që janë Tiranë, Durrës apo Elbasan. Kështu që nuk do të kërkonte të njëjtin angazhim financiar si shumë prej ideve që ne tashmë i kemi filluar me bashkitë.
 
Ka një lajm të dytë që gjithashtu një lajm i mirë. Po bëhet gjithmonë e më e qartë dhe besoj ne këtu në Tiranë kemi marrë përgjegjësinë e këtij procesi, për të sqaruar qytetarët por edhe njëri-tjetrin që Plani i Përgjithshëm Vendor nuk është instrumenti për të dhënë lejet e ndërtimit. Ai është vetëm një pjesë e punës. Sinonimi i derisotëm i Planeve të Përgjithshme Vendore kanë qenë platformat mbi të cilët bëhej kërdia urbane për të dhënë lejet e ndërtimit. Sot besoj edhe me një lloj frymëmarrje që qeveria qendrore i dha çështjes së ndërtimit në Shqipëri dhe hapësirave publike, besoj që sot kemi arritur në një nivel tjetër emancipimi ku përfshirja juaj në financimin apo ndihmesën me këto projekte nuk do të përkthehej në një armë për bashkitë që sot ende nuk e kanë këtë partneritet, që të vazhdonin me ndërtimet pa kriter.
 
Besoj që sot shumë bashki e kanë kuptuar që ndërtimet dhe lejet zhvillimore janë vetëm një pjesë por kurrsesi jo shumica e asaj që duhet të adresojë Plani i Përgjithshëm Vendor që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, zhvillimin social, infrastrukturën sociale, çështje të turizmit dhe shumë aspekte të tjera që deri dje ishin djeg ndërkohë që etja për ndërtim uzurponte shumicën e vëmendjes publike në hartimin e planeve. Bashkia e Tiranës gjithashtu po ofron një model se si organizohen konsultat publike. Ne patëm një dëgjesë publike me rreth 150 ekspertë ku vetëm ata që janë kontraktuar nga plani, vetëm një gamë të gjerë ekspertësh vendas dhe të huaj edhe të planeve të pjesshme të projekteve të Tiranës dhe besoj se vendosi një standard se çfarë do të thotë të bësh një diskutim dhe një dëgjesë publike për shumë çështje si mobiliteti, infrastruktura, modeli ekonomik i qytetit, mjedisi, turizmi, kultura dhe arti.
 
 Unë besoj që pa të gjithë këta elementë nuk mund të kemi një qytet të jetueshëm i cili bazohet vetëm ku janë ngastrat për pallate.  Sigurisht që ky është një proces i gjatë dhe shumë bashki do të kenë nevojë për mbështetje financiare. Megjithatë inkurajimi që ne u kemi bërë bashkive dhe anëtareve të shoqatës sonë ka qenë që të mendojnë pak jashtë kutisë dhe jashtë atij standardi që, më duhen patjetër para nga taksat që marr nga ndërtimi për të financuar infrastrukturën apo edhe punë të tilla. Besoj se në Shqipëri kemi gjithashtu mjaftueshëm kapacitet lokale që tashmë kanë eksperiencë në planet e zhvillimit. Kjo do të thotë se kostoja e financimit të punëve në këtë qytet, për planin e përgjithshëm vendor është sigurisht shumë herë më e ulët dhe më modeste se në qytete të mëdha ku ne kemi mobilizuar ekskluzivisht skuadra me një përvojë të madhe ndërkombëtare.
 
Ashtu siç pamë edhe në dëgjesat në Tiranë mjafton pak lidership nga eksperienca ndërkombëtare dhe ne kemi zbuluar se kemi mjaftueshëm asete brenda vendit. Dua të them se në disa markime që ne kemi bërë, qoftë edhe në bashkëpunimin që po bëjmë edhe me ambasadën holandeze për korsitë e biçikletave, qoftë edhe një soft që ne përdorëm edhe gjatë fushatës për të markuar, pra për të vendosur në hartë dixhitale problemet e qytetit, qoftë puna që po bëjmë me Fakultetin e Arkitekturës sa i përket tarracave të gjelbra, ka provuar se ekziston mjaftueshëm talent e dije në Shqipëri, çka do të bënte që me pak fare financim ekspertize ndërkombëtare koordinuese një pjesë e madhe e këtyre qyteteve mund të përfitonin nga këto asete dhe sigurisht ne si Bashki e Tiranës që disa nga mësimet që kemi nxjerrë nga ky proces i planit dhe zyra jonë e urbanistikës, le të themi pjesën e dytë të këtij viti mund të ofrojë për të asistuar edhe qytete të tjera, qofshin bashki të shoqatës sonë apo shoqatave të tjera.
 
Dua t’ju falenderoj për këtë angazhim. Nëse ne do të kishim sot një përkushtim nga disa prej donatorëve këtu dhe do të shihnim më pas një mundësi se si ne do të mund bënim një  “kombinim” apo kompensim në natyrë me punë, me ekspertë të Bashkisë së Tiranës apo të bashkive ku tashmë është fituar një lloj eksperience dhe me koordinim qoftë të organizatave lokale, apo organizatave që kanë eksperiencë, qoftë të organizatave akademike siç janë fakultetet e ndryshme, besoj se realisht mund të shkonim nga një situatë ku kërkojmë peshk, në një situatë ku kërkojmë ndihmë se si peshkohet dhe besoj se kjo gatishmëri është.
 
Më vjen mirë që disa instrumente tashmë kanë hyrë në fuqi. FZHR të paktën për ne në Tiranë është bërë jashtëzakonisht  i dobishëm si një qytet që ndihet i diskriminuar në sasinë e taksave që jep e pastaj merr mbrapsht nga granti, ne po mundohemi të kompensojmë përmes një procesi kompetitiv ku më në fund edhe Tirana do të përfitojë nga projekti kombëtar i Rilindjes Urbane. Ne kemi nisur një proces konsultimesh për sheshin Skënderbej, do të vazhdojmë këtë javë në të gjitha njësitë e Tiranës që të sigurohemi që secili që ka diçka për të thënë e kontribuar, ta ketë thënë këto dy muaj para se ne të fillojmë punën dhe ta kthejmë edhe Tiranën në një histori suksesi siç ka qenë historia e suksesit të Rilindjes Urbane në të gjitha këto qytete.
 
Jam i hapur gjithë ditën e gjithë natën që ne të unifikojmë shoqatat e bashkive. Ky është në rast tipik i asaj që them gjithnjë se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë dhe besoj se më shumë bërtas e protestoj unë kundër qeverisë nga ku kam dalë se sa shumë kolegë që mund të kenë uniforma të ndryshme politike dhe besoj se është e udhës se përtej porosive dhe diktatit të partive ku jemi anëtarë, t’i përgjigjemi porosive dhe diktatit të publikut që na ka zgjedhur i cili do që qytetet të kenë plane urbane, Shqipëria të ecë përpara, qytetet të pastrohen, të shëndoshen ekonomikisht dhe besoj se kjo është kauzë tipike ku nuk ka sens të vazhdojë përçarja në llogore.
 
Besoj të shfrytëzoj edhe këtë mundësi sot për të bërë një ftesë publike kolegëve të shoqatës 18 bashkive të tjera që të bashkohemi dhe ndoshta të përdorim këtë platformë si një mënyrë për të avokuar për ato 21 bashki të shoqatës sonë që janë pa një plan urbanistik dhe pa një donator apo edhe për 9 të tjera që kanë mbetur nga shoqata tjetër dhe kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara. U jam  mirënjohës të gjithë donatorëve, keni një përgjegjësi shumë të madhe, administroni taksat e qytetarëve tuaj por besoj se mënyrë më të mirë se sa të investuarit në një projekt i cili jo vetëm zhvillon qytetet por shton edhe taksat e qytetarëve tanë me menaxhimin e mirë të qyteteve nuk mund të kishte.
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari.