Fjala e plotë e ministrit Saimir Tahiri

 I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar partnerë dhe miq të Policisë së Shtetit,
Nëse ka një trajtë dalluese të të gjithë reformave që kemi ndërmarrë në Policinë e Shtetit është pa dyshim inovacioni dhe digjitalizimi për ta bërë shërbimin e Policisë ndaj qytetarëve cilësor, në kohë e mbi të gjitha larg korrupsionit.
Besoj se e kujtojmë të gjithë bashkë kohën kur Policia nuk përgjigjej ndaj qytetarit, kohë kur Policia kishte preferenca kujt qytetari t’i përgjigjej, kohë kur Policia bënte shurdhin apo të verbërin për t’u shërbyer atyre që donte e mos t’u shërbyer atyre që nuk kishin mundësi. Ne digjitalizuam mundësinë që qytetari të aksesojë Policinë e Shtetit. Komisariati Digjital është një instrument që sot e kanë mbi 100 mijë qytetarë në telefonin e tyre, të gatshëm për të kontribuar me njoftime dhe sinjalizime që, për çdo shqetësim sado të vogël, Policia e Shtetit të menaxhojë konfliktin përpara se ai të kthehet në premisat normale për ngjarje kriminale.
Të gjithë e kujtojmë kohën kur punonjësi i Policisë dhe Policia e tërë vërsulej si karkalec rrugëve për t’i gjobitur qytetarët jo me gjobën shtetërore, por me gjobën korruptive, në çdo rrugë. Sot punonjësit e qarkullimit rrugor dhe punonjësit e Policisë së Shtetit në Tiranë kanë kamerat e trupit: një instrument elektronik i cili eviton në maksimum mundësinë që një punonjës policie të korruptohet dhe që një qytetar deri dje i konsideruar i paprekshëm t’i shmanget zbatimit të ligjit pikërisht për këtë shkak. Sepse kamerat e trupit garantojnë barazinë e qytetarëve para ligjit. Ashtu siç garantojnë pakorruptueshmërinë e punonjësve të Policisë.
Të gjithë e mbajnë mend (dhe ende nuk e kemi kompletuar as ne) infrastrukturën thuajse të rrënuar të Policisë së Shtetit: mbi 100 modele makinash të cilat në më të shumtën janë jashtë kohe e jashtë funksioni, ashtu si një vëmendje thuajse zero nga qeveria dhe pushteti i asaj kohe për të përmirësuar kapacitetet infrastrukturore të Policisë së Shtetit. Ne sot i kemi hyrë një rruge modernizimi të infrastrukturës në Policinë e Shtetit: me makina të reja, me motorë të rinj, me pajisje të Policisë së Shtetit. Sepse ne besojmë që një punonjës policie i paguar më mirë, i pajisur më mirë (me mundësi infrastrukturore), me një buxhet më të mirë, mund të bëjë më shumë për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të luftuar paligjshmërinë, informalitetin dhe kriminalitetin në vend.
Të gjithë i mbajmë mend pamundësitë që kishte qytetari për t’u shërbyer në zyrat e Policisë: duhet të trokiste në disa dyer, të takonte disa sekserë derisa të shkonte tek oficerin që duhet të gjente për t’i bërë shërbimin. Sot kjo nuk ekziston më. Sepse mbi 70 shërbime që jepen nga Policia e Shtetit jepen në një zyrë të vetme: janë me mijëra qytetarët që shërbehen në një ditë nga Zyrat e Shërbimit Unik në Policinë e Shtetit. Thuajse në çdo qark kemi shtrirë rrjetin e Zyrave të Shërbimit Unik, të cilat nga njëra anë garantojnë shërbim cilësor për qytetarin, e nga ana tjetër monitorojnë punonjësin e Policisë të autorizuar për të dhënë shërbim. Pra kemi ndërtuar një mekanizëm që shërben si avokat i qytetarit dhe njëkohësisht si matës i cilësisë të shërbimit që jep Policia për qytetarin.
Dhe përveç Zyrave të Shërbimit Unik ne sapo kemi filluar me aplikimin e një projekti pilot në Tiranë për numrin “112”. Vetëm në një muaj janë mbi 60 mijë telefonatat e qytetarëve të Tiranës në numrin 112 për çdo lloj emergjence e shërbimi të kërkuar nga Policia e Shtetit, shërbimi Zjarrfikës dhe i Emergjencës Ambulatore. T’i krahasosh këto shifra me një muaj më parë kur nuk ekzistonte numri 112, janë thuajse trefish më shumë. Dhe t’i krahasosh me tre muajt e parë të vitit të kaluar dhe të këtij viti janë shumë më tepër. Kjo tregon që sot Policia është më e aksesueshme ndaj qytetarëve, më transparente, më e gatshme t’u shërbejë atyre. “112”-a është një projekt pilot që do ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë. Sepse ne besojmë se çelësi kyç për të garantuar sigurinë, për të luftuar informalitetin, paligjshmërinë dhe kriminalitetin është bashkëpunimi dhe partneriteti solid me qytetarët.
Sot janë me mijëra qytetarët që shërbehen nga Policia e Shtetit larg syve të mediave, larg syve të publikut. Por sot Policia e Shtetit është 24 orë në 24 në shërbim të shqetësimit më të vogël që kanë qytetarët. Dhe fakt është që, nga policia e korruptuar që njihni të gjithë deri në vitin 2013, sot Policia e Shtetit (bazuar mbi të gjitha sondazhet më të besueshme të partnerëve ndërkombëtarë) është institucioni më i besuar në Republikën e Shqipërisë.
Ndërkohë, në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, kemi filluar një tjetër projekt pilot që kam shumë besim do jetë një tjetër histori suksesi në shtetin shqiptar. Ka të bëjë memenaxhimin elektronik të konsumit të karburantit për mjetet e Policisë së Shtetit. Nuk janë të largëta për çdo qytetar pamjet e punonjësve të policisë që shtynin makinat me dorë, me bidona benzine apo nafte që furnizonin makinat e policisë të cilat ngeleshin në rrugë për shkak të abuzimit, keqmenaxhimit, korrupsionit. Sepse menaxhimi i karburantit në Policinë  e Shtetit ishte kthyer gati si një rrogë e dytë për ata që kishin mundësinë të kishin një makinë në Policinë  e Shtetit. Ne nuk pajtohemi dhe nuk jemi pajtuar që ditën e parë me këtë praktikë korruptive dhe abuzuese në Policinë  e Shtetit, ku karburanti që duhet të ishte për mjetet e Policisë për t’i shërbyer qytetarëve, ishte kthyer gati në një rrogë të dytë për punonjësit e Policisë.
Ndaj zgjidhja që gjetëm ishte falë teknologjisë, dixhitalizimit dhe elektronikës. Sot nuk ka më karburant pa inventar, nuk ka më tollona letre që qarkullonin dorë më dorë. Sot ka një sistem elektronik që menaxhon konsumin e karburantit për çdo makinë policie. Dhe çdo makinë policie që paraqitet në një pikë karburanti është e inventarizuar, ndërkohë që sistemi këtu në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë merr në kohë reale një fotografi me foton e makinës, me foton e shoferit, me targën e mjetit dhe me sasinë e konsumuar të karburantit në atë pikë shërbimi.
Ky është një sistem që në vetëm 3 muaj pilotimi shtrirë në të gjithë policinë na ka dhënë mundësinë të kursejmë rreth 100 mijë litra karburant, më shumë se 150 milionë lekë. Mjafton kjo shifër për të na treguar nga njëra anë abuzimin e deridjeshëm, dhe nga ana tjetër kapacitetin që kemi për të kursyer paratë e qytetarëve shqiptarë dhe për t’i shërbyer më mirë policisë. Në këto 3 muaj nuk ka asnjë drejtori në Policinë e Shtetit që ankohet se nuk ka më karburant për punën e përditshme. Përkundrazi, kemi kursyer gati 100 mijë litra, mbi 150 milion lekë. Gjë që tregon se nëpërmjet dixhitalizimit dhe elektronikës jemi në rrugën e duhur për të kursyer paratë e qytetarëve shqiptarë dhe për t’i investuar aty ku ka më shumë nevojë. Duke garantuar shërbim të pandërprerë të pacenueshëm të Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve, e mbi të gjitha duke garantuar  zero korrupsion, zero abuzime me karburantin në Policinë e Shtetit.
Unë jam shumë i sigurt që kjo është ndër ato reforma që i jep Policisë së Shtetit mundësinë të ketë më shumë kapacitete buxhetore e infrastrukturore për t’i shërbyer qytetarëve. Ashtu siç jam shumë i sigurt që kemi sot mundësi t’u themi qytetarëve “Po kursejmë taksat tuaja nga abuzimi dhe korrupsioni, për t’iu shërbyer më mirë  vetë qytetarëve”.
Policia e Shtetit po ecën në këtë rrugë e bindur se vetëm kështu mund të fitojmë më shumë besimin e qytetarëve duke luftuar bashkërisht çdo fenomen të paligjshmërisë që kërcënon sigurinë e shoqërisë, e qyteteve, dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Ne jemi të bindur të ecim në këtë rrugë. Siç jemi të bindur të bëhemi bashkë me çdo qytetar në çdo cep të Republikës së Shqipërisë. Sepse jemi të bindur që një Shqipëri më e mirë bëhet vetëm duke bashkëpunuar bashkë.
Ju faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë